KreuLetërsiShënime mbi libraBujar Plloshtani: Dhimitër Pojanaku, një poet bodlerian

Bujar Plloshtani: Dhimitër Pojanaku, një poet bodlerian

Poezia, si art i fjalës qartëson modelin për një shpirt që moderohet në relacion pas të bukurës. Si të thuash është e tejdukshme në formën e një vakumi lakonik me përmasat e një vallëzimi hyjnor, ku gjen alogjinë e poetit e kthjellon drejt një patosi me arsye racionale dhe një intonacioni shpirtëror. Sigurisht, poezia nuk ka fund dhe është e pashtershme, sepse ajo është e krijuar nërgut për të bukurën, ngaqë e bukura nuk ka nevojë për prova. Dhimitër Pojanaku, njeriu që ngadhënjën mbi njeriun, pozicioni i shpirtit të tij që vidhet nga valët e detit të pafund preferon të gëlltis shpirtin e tij prej poeti në poezi liriko filozofike të peizazhit, dashurisë, pezmatimit. Copëza shpirti me formën e një aventure, pastaj me ngushëllimet e vjeshtës mëshiron muzgun e përëndimit të qiejve. Ah, deti është formula e kapërcimit të vetvetës në vetminë e realitetit të tij. Ai është poet bodlerian, skalit vargun me konkurrencën e mendimeve të thella, gjithnjë duke futur një kohë poetike vetëm për të ndërtuar një poezi. Ai ka shpresa dhe vizion të madh për lojën e të shkruarit, e cila rrotullon gjithë virtytin e tij shpirtëror si kullë ashensori. Krijon pa ekzistencen e pezmatimit, dhe e kthen në një ekzistencë ngushëllimi, që shpeshherë mund të ndryshojë dëshirat për të mirë, por koha mbetet e habitur nga sjellja, sepse ai bëhet i nxituar në lumturinë shpirtërore. Poezitë e tij aludojnë për një poet që endet mes llumit dhe virgjerisë…

Disa vështrime fikse për poezinë e Dhimitër Pojanakut:

Fund deliresh

Sa herë më molepsin zërat e qiellit,

Shkoj te deti.

Sekush më mbathi në kthim,

Këpucë plumbi.

Dhe ngeshëm numëroj kokrrizat e rërës.

(nga libri me poezi:

Guret Zbardhin Natën)

Një vakum lakonik i mbinë në shpirt. Zërat e qiejve nisin pozicionin e tyre duke e

stimuluar poetin të këndojë dhe të udhëhiqet drejt një relacioni pas të mirës supreme. Në syrin e poezisë, ai shfaq melankolinë për një përpjekje kundër përpjekjes së qiellit. Një sy që fsheh pasqyrën për vullnet drejt realitetit, dhe një shmangie me bojën e fosfortë të valëve kërkon moralin për qënien që ka humbur dhe që rrëfen heshtazi për ndonjë humbje të ardhshme. Vetmia dhe deti janë forca e shpirtit të  tij për t’i mbuluar veset e një qielli. Ai troket me thembrat e tij të zbathura në kokrrat e renditura me rërë, duke i rrëfyer qiellit me gjuhën e poetit se, tani është një moment tjetër për stabilitet shpirtëror dhe një mundësi më shume për poezinë kur nata hedh hënën kulace në skenë, që poeti ta grishë me vargje… Ai në vargjet e mësipërme kërkon nga qielli hyjnor që t’i rikthehet paqja dhe stabiliteti i vetvetës, dhe se intuita e një poeti lirik nuk duron të skllaverohet nga zërat misterioze të qiejve. Poezia e tij me formën e një lirie kapitaliste sundon krizën e zërave mister që ngërcojnë një qënie komplet intuitive. Frymëzimi i poezisë së tij del nga një tendencë e shkujdesur e Zotit, nga një rol i jetës se tij, i lindur për një triumf në luajtjen e roleve.

Oda përballe times

Përnatë mban dritën ndezur.

Muret e saj asnjëherë s’kanë puthur errësirën,

Errësira asnjëhere s’ka mbështetur faqet mureve.

Netëve,

Vuaj të di,

N’at’ dritë e mban ndezur dhimbja apo,

Dashuria.

(nga libri me poezi: Guret Zbardhin Natën)

Një llambë prej poeti me dritën e hënës e mban aktiv pozicionin e shpirtit të tij. Brenda dhomëzës kubike ku janë orientuar rrezet e llambës kah tryeza e punës, ku imagjinata grafullon përnatë nga një poezi në letër- zbardh guret e natës. Pena, në kontrast me ngjyrën e murit nxjerr shllimin e poetit për një vizion drejt mendimit për arsye filozofike duke premtuar gjithë kercellin prej të njëjtit motiv: Shpirt përmbi shpirtrat. Pozicioni i penës së poetit është ideal i lirë thelbesisht i njëjtë me vetveten e tij, i tëri mes llumit dhe i formuar si një artikull i vjetër fasade për besim të thellë ndaj kapërcimeve të shthurura…

Llambën e përdor si një mjet për t’ia mbajtur aktiv muzën, brenda tij të krijohet një emocion që ia përkujton shllimet për një art origjinal të të menduarit. Edhe poezia kërkon përshtatje me natyrën e shpirtit, kërkon një përjetim të gjallë të disa ndjenjave të huaja në ndjenja poetike. Sigurisht, dhe netët e tij me muzen janë një shmangie e lumturisë absurde, në një vizion për arsye. Ai di të vuajë, vetëm sepse muza dhe shpirti i tij i arrirë poetikisht, me një vlerë intuitive, e kapërcen vleren e një urtësie njërezore. Poetët që kanë vizion për idealizem dhe trajtim filozofik, në radhe të parë zenë pozicionet e një gjeniu.

Mbasdite vere

Shtrirë,

I pozon qetësisë.

Një xham shejtan,

I vetmi mëkatar,

Gëzon hiret e saj.

Të linjtat,

Guaskat bosh,

Kolovitën dyshemesë.

(nga libri me poezi:

Guret Zbardhin Natën)

Pas perëndimit të pezmatimit, lind boja e erosit. Brenda lëkurës së protagonistes ka gjetur vetminë e saj që bredh, pastaj pak më vonë vetëm poezia e tij e sheh ngado atë model femërushkeje. Syri i tij që endet dhe që rrëmben, arrin dhe këtë here të mbështjellë pamjen e një shpirti femëror në formën lakuriqe. Rërën që dikur poeti ka shkelur me pezm, sot trupi i saj lakuriq e puth me vëllimin e një dashurie të mprehtë entuziaste. Ku zhurma e rërës ia pëshpërit veshin lëkurës së saj për një botë dehëse përballe një jetë të shthurur prej bohemi. Femra si një akt skllavërie shtrihet për t’i promovuar mashkullit gjithë nuancat e saja erotike. Dashuria është patosi mbi të vertëtën e jetës shpirtërore të poetit, dhe ndjenjat e përmiresojnë nga pushtimi i pezmatimit borëmbuluar. Nëse ajo femër e brishtë kaplohet nga ndjenja misterioze, atëherë këtë mistër mund ta zbërthejë një poet që jeton mes llumit dhe virgjërisë. E, ai poet është Dhimitër Pojanaku.

Dimër në lokalet e plazhit

Vetmia dehet me kujtimet e verës.

Dy kotele,

Për inat të detit të ftohtë,

Lëpihen me gjuhë.

Një plak beqar dhe një trendafil vjeshtë,

Këmbejnë,

Dashurira të hershme.

(nga libri me poezi: Xhindet kercejnë polka)

Poeti qartëson simpatinë sekrete për një qytet të tij të preferuar nga preferenca, kur momentet për dashurinë e triumfuar, sipërfaqja e tokës shtrohet me savan dëbore brenda me pjesët e paqes dhe dlirësisë. Ky është vetëm një vend për një henë apo një satelit tjetër të shkëputur nga pezmatimi, këtu mbijeton dëshira e vetme, dashuria, dhe si rrjedhim ai mund të argëtojë vetveten gati se cdoherë, në mbrëmjen e vetmuar. Poeti që shpeton të bukurën me delikatsën e tij herë prej një demoni, e herë prej një engjelli, madje dhe kur disku i hënës nis të ngrijë nga i ftohti i njëanshëm, ai mbetet heroi i triumfuar i së mirës në dashuri. Po c’është dashuria për një poet si Dhimitër Pojanaku? Dashuria për të nuk është model për të zenë vakumin për vuajtje, por një qetësi me normë individuale drejt pushtetit për vullnet dhe pushtetit për jetë. Po dashuritë e hershme të një poeti, a nuk janë një tërmet i vazhdueshëm që zgjojnë ndjenjat e dlira të vetvetes dhe momente kujtimesh që paralizojnë vobektesinë e momentit jetësor. Dhimitër Pojanaku, përballë poezisë së tij është frymezim drejt shpirtrave të lire që dijnë të enden mes llumit dhe virgjërisë, dhe konceptit jetësor.

…. Edhe pse qielli e verbon shpeshherë, ai e adhuron atë, pastaj e shkruan nëpër poezi, duke e bërë më bindës ndaj tij. Nganjëherë, gjoja duket se është më kokëfortë se qiejt, ndofta poezia e krijon sipas llojit të vet, por fundja është poet i lindur, pra i talentuar për t’i përdorur tekat, që i ka si armë të fundit drejt kësaj ekzistence shoqërore. Poezia e tij është frymëzimi i natyrës, që e reciton kaq mahnitshëm me vlerën ngadhënjyese të vrullit krijimtari. Realitetin e kësaj ekzistence, ai pretendon ta ndryshojë me ironinë e tij poetike, ndryshe, turma i kupton si përherë poetët larg realitetit, ai përpiqet t’ua thotë të tjerëve, se poeti ndodhet kudo, thuajse dhe brenda çdo realiteti, pavarësisht lëkundjeve dhe lëvizjeve shpirtërore. Ai është poet fin dhe kapriçoz. Unë shpeshherë them, që, poezia është perëndi! Sepse lind prej një shpirti krijues, si krijim gjenial, dhe vjen nga ndriçimi absolut i shpirtit. Sa e ndërlikuar, po aq dhe e thjeshtë! Ndërkaq, poezia e Pojanakut është natyrë e gjallë që mishëron një qiell që shkoqit terrin verbues ndaj çdo trupi të humbur. Ai nuk mund të të shpëtojë nga e keqja, nga misteri, por mund të përshkruajë të keqen se si luan me fatin e njeriut të shkretë. Parulla e recitimit të tij, dhe e keqja sikur të mos përsëritet më! Këtu ka lindur dhe një pjesë e ironisë së tij ndaj vetvetes, turmës, qiellit. Prandaj, dhe e bukura kërkon nevojë shpirtërore të lindur, e cila dëshmon se nuk është bosh, andaj ka lindur nga nevoja. Poezia e tij është tepër njërëzore, pavarësisht ironisë therëse, tekave, naivitetit, këto të fundit kanë lindur te shpirti i tij si pasojë e fatit të hidhur shoqëror, por, megjithatë, në thelb poezia e tij përmban meditim kontemplativ mbi të drejtën e shoqërisë njërëzore, mbi të vërtetën humane njerëzore, mbi qiellin mistik, mbi shpirtin krijues, është si verë e kuqe, që noton drejt gjakut të tij si anija pa vela. Gati e vetmuar. Edhe shpirti i tij është i vetmuar, por jo dhe poezia e tij… Poezia e poetit Pojanaku është një gur i çmuar, i fshehur në brendësinë e tij si të jetë me vakum, duke rrezatuar natën, ndritjen e arsyes së fjalës. Poezi e thellë, bindëse, kurajoze, e ngjashme me vetveten… Pojanaku është poet i asaj gjenerate që arrin të imponohet pranë lexuesit me një poezi të kulluar, të pastruar nga foljet e tepërta gati të bezdisshme që hasen shpesh në poezinë tonë bashkëkohore.

Me kujtohet përseri poezia “Dimër në lokalet e plazhit”. Në më pak se dy folje, Pojanaku krijon varg “horizontesh” shpirtërore tek lexuesi… Me anë të fjalës emocionale, poeti dëshmon kundrejt humbjes, trishtimit shpirtëror, ç`humanizmit njerëzor; mbase kjo është një veti e tij e mirë që shquan botën e shpërfillur nëpërmjet të drejtës natyrore, që është arsyeja ndaj të vërtetës njerëzore. Poezia e tij është një grusht i fuqishëm ndaj revoltës, ndaj turmës dhe ndaj trishtimit të verbër të shpirtrave të lirë, dhe nëpërmjet fjalës, tekave të tij hënore, ai mund çdo lakuriqësi mendimesh që mundohen ta zhveshin autenticitetin njerëzor.

Një traktat intelekti prej poeti filozof mund të vihet përballë çdo të metë që e ndikon botën dhe ligjet e saja fizike.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË