KreuLetërsiShënime mbi libraArtan Nati: Anatomia e Intuitës: Leximi si një Aftësi e të Menduarit...

Artan Nati: Anatomia e Intuitës: Leximi si një Aftësi e të Menduarit Kritik

Në një bisedë me një pedagog, njeri me diploma, eksperiencë akademike dhe biografi që kalon nga auditorët e komunizmit te universitetet amerikane, doli në pah një fenomen shumë më interesant se vetë politika: fakti se njeriu mund të ndryshojë kontinentin, sistemin dhe pasaportën intelektuale, por jo domosdoshmërisht mënyrën e të menduarit.

Ai tregonte se në kohën e komunizmit e kishte përjetuar vdekjen e Enver Hoxhës dhe më pas rënien e regjimit si “fundin e botës”. Ishte bindur plotësisht se sistemi ishte i përjetshëm, i drejtë dhe i pazëvendësueshëm. Madje fajësonte edhe shkrimtarë si Ismail Kadare, sikur letërsia t’i kishte bërë “lavazh truri”, ndërsa propaganda shtetërore paska qenë thjesht dekor urban.

Më pas jeta e çoi në Shtetet e Bashkuara, vendin e pluralizmit, universiteteve, debatit publik dhe konkurrencës së ideve. Mund të mendohej se aty do të lindte skepticizmi, nuanca, kultura e pyetjes. Por jo domosdoshmërisht. Sot ai ishte po aq absolut në bindjet e reja: 100% për Trumpin, 100% republikan, pa asnjë gram dyshim, sikur kishte ndërruar vetëm flamurin mbi ndërtesë, jo mekanizmin brenda kokës.

Kjo ngre një pyetje të pakëndshme: a është e mundur që një njeri me shumë dituri të mos ketë mendim kritik? Përgjigjja e shkurtër është: “po, krejtësisht e mundur”.

Sepse dituria dhe mendimi kritik nuk janë e njëjta gjë. Një njeri mund të ketë lexuar shumë libra, të ketë marrë diploma, të njohë teori komplekse dhe prapë të mendojë në mënyrë dogmatike. Mund të jetë ekspert në një fushë dhe njëkohësisht besimtar i verbër në politikë.

Universiteti të jep njohuri, nuk të garanton liri të brendshme.

Diploma të mëson metodë, nuk të shpëton gjithmonë nga nevoja psikologjike për idhuj.

Studimet jashtë vendit të ndryshojnë adresën, jo automatikisht strukturën mendore.

Në shumë raste, njerëzit që janë rritur në sisteme autoritare nuk kërkojnë domosdoshmërisht të vërtetën kur dalin prej tyre, kërkojnë “një autoritet të ri”. Nga udhëheqësi i djeshëm te lideri i sotëm, nga ideologjia e vjetër te narrativa e re, por me të njëjtin refleks: bindje totale, kamp i qartë, armik i përcaktuar.

Pra nuk ndryshon gjithmonë përmbajtja, por forma e besimit.

Kjo ndodh sepse mendimi kritik është i lodhshëm. Kërkon të pranosh pasigurinë, të dyshosh edhe tek ata që pëlqen, të pranosh se “ana jote” gabon, të jetosh pa profet. Ndërsa fanatizmi është komod: të jep identitet, ekip dhe përgjigje të gatshme.

Në këtë kuptim, rasti i pedagogut nuk është paradoks personal, por simptomë shoqërore. Shqipëria dhe diaspora jonë kanë plot njerëz të arsimuar që ndryshuan sistemin, por jo refleksin e nënshtrimit ndaj narrativës së fortë.

Ata dikur besonin verbërisht se Enveri ishte shpëtimtar. Sot mund të besojnë verbërisht se një figurë tjetër është shpëtimtare. Dje brohorisnin parullën e radhës, sot shpërndajnë memen e radhës.

Me pak fjalë: njeriu mund të largohet nga diktatura, por diktatura jo gjithmonë largohet nga mënyra si ai mendon. Dhe kjo është arsyeja pse arsimi i vërtetë nuk matet me diplomë në mur, por me aftësinë për të dyshuar edhe kur je i sigurt.

“Përvoja nuk është ajo që të ndodh, përvoja është ajo që bën me atë që të ndodh.” Kjo fjali duket e thjeshtë, por për shoqëri si e jona është pothuajse revolucionare. Sepse ne kemi pasur talent historik për të kthyer ngjarjen në mit dhe vuajtjen në identitet, ndërsa më pak talent për ta kthyer përvojën në urtësi.

Rasti i pedagogut të përmendur më herët është ilustrues. Atij i ndodhi komunizmi, rënia e tij, emigrimi, universiteti amerikan, pluralizmi, liria akademike. Një biografi që në teori duhet të prodhonte nuancë, skepticizëm dhe mendim kritik. Por në praktikë, ai doli nga një besim absolut për të hyrë në një tjetër. Nga bindja totale te sistemi i djeshëm, në bindjen totale te kampi i sotëm.

Pra, përvoja ndodhi. Por çfarë bëri ai me të?

Mesa duket, e përdori si garderobë ideologjike: ndërroi kostumin, por jo qëndrimin e trupit. Nga “Partia ka gjithmonë të drejtë” te “kampi im ka gjithmonë të drejtë”. Nga udhëheqësi i vjetër te lideri i ri. Nga parulla e murit te slogani i rrjeteve sociale.

Kjo nuk është përvojë e përpunuar, por është biografi e pa metabolizuar.

E njëjta gjë mund të ndodhë edhe me një të përsekutuar të sistemit që mbetet stoikisht i djathtë, jo si zgjedhje e arsyetuar konservatore, por si reagim identitar i ngrirë. Ai nuk thotë: “Kam analizuar parimet, programet dhe institucionet.” Ai thotë në heshtje: “Më kanë bërë keq ata, prandaj unë do të jem përgjithmonë kundër gjithçkaje që më kujton ata.”

Është njerëzore, por jo domosdoshmërisht e mençur.

Sepse vuajtja nuk të jep automatikisht urtësi. As burgjet, as internimi, as emigrimi, as universiteti prestigjioz. Të gjitha këto të japin material. Çështja është nëse prej atij materiali ndërton karakter, apo thjesht monument ndaj vetes.

Shqipëria ka plot raste të tilla: njerëz që kaluan ferrin dhe dolën prej tij me dinjitet, por edhe njerëz që dolën me një urrejtje të konservuar në kavanoz. Të parët e kthyen dhimbjen në maturi. Të dytët e kthyen në flamur.

Një shoqëri e pjekur i respekton viktimat, por nuk i shpall automatikisht filozofë. Sepse të jesh i persekutuar nuk të bën domosdoshmërisht të drejtë për çdo gjë. Të jesh profesor nuk të bën imun ndaj dogmës. Të jetosh në Amerikë nuk të jep mendim kritik dhe iluminim.

Mendimi kritik lind kur njeriu pyet veten:

 A po zgjedh unë, apo po reagoj ende ndaj së shkuarës?

 A jam besnik ndaj parimeve, apo ndaj plagës sime?

 A kam bindje, apo thjesht kam kundërshtar?

Kjo është diferenca mes njeriut që përdor përvojën dhe njeriut që përdoret prej saj.

Në fund, jeta na ndodh të gjithëve. Disa e kthejnë në mençuri. Disa në fanatizëm me CV të pasur. Dhe ne, si komb, rrezikojmë ta kthejmë në talk-show të pafundshëm si “Big brother”.

Demokracia jeton pikërisht nga kjo diferencë. Një regjim autoritar ka nevojë për njerëz që përsërisin. Një demokraci ka nevojë për njerëz që pyesin. Diktatura e adhuron klasën e heshtur; republika ka nevojë për klasën që ngre dorën dhe thotë: “Po pse?”

Si të mendosh, jo çfarë të mendosh. Pyetja është e thjeshtë: a duam qytetarë që mendojnë, apo tifozë që brohorasin? Në varësi të përgjigjes, do të kemi ose demokraci funksionale, ose sezonin e radhës të teatrit politik shqiptar.

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem lini komentin tuaj!
Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

Artikujt më të fundit

KATEGORITË