More
    KreuLetërsiBibliotekë“Kolonët e mi”, skicë për tregim nga Bajram Sefaj

    “Kolonët e mi”, skicë për tregim nga Bajram Sefaj

    Nuk janë shumë. As kallaballëk s’janë. Të panumërt¨. Siç janë “Zogjtë e qyqes”*, në romanin e suksesshëm të shkrimtarit G. Mehmetaj. “Kolonët e mi”, mbi të cilët flas pak e shkurtas, me këtë rast, janë vetëm tre: është një Vukicë. Një Dragan. Një Metodije. Vetëm tre. Kjo nuk do të thotë se, sado kërthinj që isha, në epokën e galme, kur kolonët dhunshëm u dynden në Kosovën e shkretë e të robëruar, nuk njihja edhe shumë kolonë të tjerë. Moshatarë të mi, kryesisht. Po kallëzoj vetëm për këta të tre. Ngase janë interesantë dhe të veçantë. Ashtu siç i mbaj mend dhe shpesh i kujtoj. Në lexim e sipër të romanit “Zogjtë e qyqes”, realizuar e gdhendur mrekullisht nga pena e  krijuesit të talentuar kosovar, energjik dhe kreativ, mu sollën vërdallë kokë këta tre.

    1.

    E para është Vukica. Pse pikërisht Ajo! Pse del e para. Ngase ishte vashëz e re, çupëlinë fort e bukur. Një dallëndyshe a sorkadhe e trembur mali. Nga majëmalet e shkreta të Malit të Zi, baskë me të ëmën e vejë, zbriste pingul e në pjesën me të bukur të Rrafshit të Dukagjinit. Aty, në stom, nën hijen e një lisi, peme gjigante mijëvjeçar, ku Drini i Bardhë e the shatin dhe i turret Rrafshit, në rrugën e përmotshme, shekullore drejtë derdhjes në det.

    Zorka, kështu e kishte emrin ëma e Vukicës së bukur, të vetmin evlat, dritë sysh të vetme, e donte pamasë të bije,. Ishte në gjendje që, me çdo kusht e flijim, t’ia plotësonte dëshirat vajzës saj të bukur, që po i rritej para sysh e, zinte të lëshoi shtat të hedhur. Gjinjtë, bregorët e haresë, veçsa kishin nisur t’i ulojnë e t’i marrin hëz. Në gji i vlonte gjaku mëkatar. Të ëmës saj, zonjës Zorka, i ishte tekur që, pikërisht sot në mesditë, të përgatiste një drekë speciale, me gatim të peshqve trofta të freskëta, me pika të kuqe që, të pa trazuara, plotë gëzim e hare, notonin në lojë me valët e Drinit, në udhën e rrjedhës se ujit shkumëbardhë.

    Si për të përligjur fjalën e moçme kur thotë se: peshqit, dy herë notojnë. Herën e parë në ujë. Herën e dytë, në vërë të bardhë. Në atë drekë të pasur, vërë e bardhë, do të derdhej me bollëk. I fruar për drekë isha unë! Si mysafir nderi të isha! Po. po pikërisht unë që, kurrqysh nuk isha më shumë se në klasën e dytë a të tretë, në Gjimnazin real të Pejës. Në anën tjetër, kisha qëlluar të jem fqinji i parë i tyre, praninë e të cilave, si kolone që ishin, unë, jo se jo, (por as familja ime e ngushtë!), nuk e shihja me inat, maraz e hasmëri. Ato e ndjenin këtë dhe u vinte mirë. Lartë e çmonin gjestin tonë fisnik, të mirësisë dhe të durimit.

    (…)

    Pas drekës, ngrënies e pirjes së mirë, të shijshme dhe të pasur, vëra e bardhë kishte bërë punën (efektin) e saj. Koka ime e imtë me ishte rënduar e trazuar. Si të me ishte lidhë rreth kresë një shami qenari, apo mbështjellë mjegullash të dendura. Gjumi i rendë me kishte pushtuar të terin. Sipas një skenari të pa shkuar, por mirë të studiuar, ishte paraparë që, mbi jastëkun e bardhë, edhe Vukica e re, zanë mali, duhej ta vente kokë afër kokës sime. Këtë skenar të nënës, ose s’e kisha lexuar mirë e me kujdes, ose fare nuk e kisha kuptuar. Naivi unë… Shumë vjet më vonë, kur Vukica e moshuar, por, gjithmonë e re dhe e bukur,  bredh diku midis malesh kurorë të Malit të Zi, ndërkaq në kokën time, akoma ende, hala zien një pikëllim i zi për të… Megjithatë, me Vukica a pa Vukica, (Viki e Kica, do ta quante rinia e sotme!), kolonët kurrë më mos kthefshin në trojet tona!

    2.

    I dyti ishte një tjetër Dragan! Jo, (krye)personazhi, i menduar, i projektuar, mbase fiktiv e imagjinar, pjesëtar i plimit “Zogjtë e qyqes”, ai Dragan atje, ishte person kryekreje politik. Ky tjetri Dragan, mbi të cilin është fjala me këtë rast, qartazi ishte jopolitik, ani pse bir malaziasi kolon. Ai nuk ishte as kolon, në kuptimin egërshan të fjalës e kolon politik, aq më pak. Në anën tjetër, ishte një djalosh jashtëzakonisht i pashëm. Me një pelë sy kaltërosh e të urtë, një çubë flokësh që ia mbulonte ballin e gjerë e të çelë, nën hundë teksa i djersinin fije mustaqesh leshverdha. Ishte i ri. Djaloshar ishte. Hala brisk fytyrës nuk i kishe ra! Shumë i ndershëm. I bukur. I bukurisë së rrallë. Gocar e reja, krejt bota femërore, katund e shehër, çmendej pas bukurisë se tij. Mjaftonte që ai t’ia hidhte një vështrim, cilësdo prej tyre, e të linjat (brekët), si me magji, t’u piknin nën zog këmbe, kur sakaq ndjenin një ligësim të ëmbël. As vetë nuk e dinin pse vegët i shtrëngonin me forcë, fundi i barkut u merrte flakë e gjunjë u dridheshin si thuprat në ujë. Dragani, babën e kish kolon malazias e nënën franceze, nga Franca e madhe, e ëndrrave të mëdha endacake. Ai qysh i ri, u zhduk, humbi, gjet strehim të dajat diku në Francën e paanë. Nuk u pa më në katundin buzë Drinit të Bardhë. Ato, të shkretat vasha që, me kalimin e kohës, edhe gjyshe janë bërë, vazhdojnë të ëndërrojnë sytë e tij bojë qielli…     

    3.

    Të moshuarin Metodije, plak i lodhur dhe Mitrën, gruan tij plakë, si sorrë e zezë, po ashtu kolonë malazias, vendosur në mëhallën tonë, nuk e mbaj në mend mirë. Por e di se, gati me siguri se, trupi i plakut Metodije, ishte thatim, sigurisht se ishte u kërrusur. Duart e gjata e të thata, i dridheshin si thupra në ujë… Mbahet mend vetëm një fjalë të tij që, për kohë të gjatë, endej nëpër katund, ndoshta edhe sot j dite, vegjeton diku andejpari. Sa herë që, i shkreti plak, thoshte e, përsëriste gati për çdo ditë të lume, se, sot Mitra i ka humbur “nerve” në shqipe pak të deformuar dhe jo, “Mitra izgubilla zhivce”, ashtu si nervave u thonë në gjuhën e tij, atëherë, faqe bote, merrej vesh se, gruaja e “dashur”, të shkretit Metodije, plak, me sabah, në vend të vaktit të kafjallit, t’i kthej për të ngenë, ia ka thye një dajak të keq, për rruz’ shpine! Ruana zot, nga gratë, kur qëllojnë “urta” (shtriga), si ajo e kolonit malazias, me emrin Metodije!

    (* “Zogjtë e qyqes”, është fitues i çmimit prestigjioz “Kadare”, për roman të vitit 2021. Kjo vepër letrare e G. Mehmetajt,e cilësuar si gjetje tejet origjinale tematike dhe shtjellim i suksesshëm artistik, ditë me parë, është kotuar edhe në frëngjisht, në Paris).

                                                                                                                                             Prishtinë, 26/05/2022

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË