More
    KreuLetërsiBotime të rejaKoha familjare e Arian Lekës

    Koha familjare e Arian Lekës

    Nga Srdan Srdiç

    Një nga shenjat më të përgjithshme në tregun letrar të vendeve ballkanike sot, – kjo përfshin edhe sistemin e shkollave, – ka të bëjë me mungesën akute të përkthimit të librave të autorëve nga vendet fqinje, qofshin këta bashkëkohorë apo klasikë.
    Aspak më mirë nuk paraqitet situata në sistemin shkollor të këtyre vendeve – literatura e detyruar përfaqësohet, ku më shumë e ku më pak, në mënyrë identike në përzgjedhjen e ligave të para botërore, ndërsa hedhja e syve tek ajo që lind pothuaj te gardhi është krejtësisht e pamundur.
    Këtu janë edhe pasojat më tragjike të kësi lloj politike, sepse fjala është gjithsesi për një politikë që vendos mbi fatet e dhënie-marrjeve letrare, të cilat mund të gjenden në vendet ku qytetarët janë të së njëjtës fantazi, gjuhës sonë: në Kroaci, Mal të Zi, Bosnjë-Hercegovinë dhe Serbi. Pikërisht nga veprat që vijnë prej këtyre trevave kohëve të fundit mbërrijnë edhe sinjale që dëshmojnë synimin e transferimit të gjurmëve të fundit të fqinjësisë letrare, por edhe të dëshirës për të njohur më parë veten, makar përmes leximit.
    Ndoshta nuk është vendi të përmendim se si socializmi nuk shkëlqeu në këtë çështje, ndonëse edhe në atë epokë politike, të cilën shpesh e konsiderojmë ekstremisht jokritike, në sensin pozitiv dhe negativ, letërsitë e fqinjëve përktheheshin dhe përfshiheshin në programet shkollore, anipse fillimisht me vizoren e veprave të rëndomta, por edhe të përjashtimeve ekzotike. Lexuesi i dikurshëm jugosllav kishte dije mjaftue-shmërisht të plotë mbi letrat në Bullgari, Rumani apo Greqi, por letërsia e përfaqësuar nga shqiptarë të Shqipërisë, apo qoftë nga po ajo jugosllave, do të thotë nga Kosova, mbetej absolutisht e panjohur.
    Situata postjugosllave vetëm se e ka zgjuar këtë problem, ndaj edhe në kujtesën e atyre lexuesve ka mbetur vetëm emri i Ismail Kadaresë, por edhe ai i për-kthyer joselektivisht, autor, veprat e të cilit po shfaqen sërish në Serbi viteve të fundit dhe jo rrallë si ribotime të veprave të përkthyera.
    Përveç Kadaresë, emër gjithsesi europian, publikut i kanë mbërritur, me njëfarë droje, edhe vepra të Beqë Cufajt, por edhe të emrave të njohur politikë, Shkëlzen Maliqi dhe Veton Surroi. Kështu që përkthimi i vëllimit me tregime të Arian Lekës, Shpina e burrit (Partizanska Knjiga, Beograd, 2018), nuk mund të merret assesi ekskluzivisht si sipërmarrje botuese, por edhe si akt politik par excellence, si akt i ndërmarrë në emër të prishjes së qetësisë të diktuar nga e njëjta politikë.
    Thënë kjo, libri i Arian Lekës përbën gjithsesi një surprizë në kuptimin e një prezantimi të ri të letërsisë bashkëkohore përpara lexuesve serbë, por jo më pak edhe nga aspekti i ushtrimit poetik.
    Që nga tregimi i parë, Prej nga vjen drita, e deri tek tregimi i njëzetë e dytë, ai që mbyll librin Shpina e burrit dhe që titullohet Arma misterioze, Arian Leka shfaqet si shkrimtar i obsesuar nga marrëdhëniet familjare në një mënyrë jo të përditshme, sot në dukje arkaike, alla Danilo Kiś.
    Ato janë marrëdhënie të mbrujtura në përditshmërinë shqiptare, nga ato që kanë prapa figurën monolite të Enver Hoxhës, tek ato të errësirës së tranzicionit në ndërkohë vështirësisht të përcaktueshme, deri në ato të ditëve tona. Me këtë Arian Leka ia ka dalë të ruajë një ekuilibër mes çështjes universale të organizimit shoqëror dhe shtegut lokal të kohës historike.
    Tregimet e shkruara me këtë çelës familjar (Album me Xhabir dhe Xhebrail, Brisk, Zogjtë e pikturave…) përbëjnë shpesh dëshmi mbi misteret e kompleksitetit të këtyre marrëdhënieve, mistere apo sekrete që duhet të qëndrojnë aty ku misteret qëndrojnë, tek trysnitë dhe mbingarkesat që burojnë, në thelb, apriori nga konstruksioni i komunitetit njerëzor.
    Në këtë korpus tregimesh Arian Leka i rezervon vetes të drejtën për njëfarë indulgjence si mospranim të thekave të rënda të ironisë, pjellë e një të kuptuari që vjen nga shfaqja e tij, nga një mungesë simpatie tek acarime radikale. Krejt ndryshe duken tregimet që merren me fatin e emigrantëve shqiptarë pas vitit 1991, të atyre që masivisht braktisin një nga vendet më të varfra të Europës në fund të shekullit të shkuar, në kërkim të strehës përtej Atlantikut, por edhe në Italinë fqinje.
    Cikli emigrant i tregimeve ndërtohet me tekste pakrahasimisht më të dhimbshme, të tilla që shkaktojnë hidhësi dhe ngarkesë leximi, për shkak të identifikimit të drejtpërdrejtë dhe të papenguar me viktimat historike të padyshimta, nga të cilat nuk ka pak anekënd Ballkanit.
    Dy janë tregimet nga ky korpus tematik më sinjifikativë, Academic Orgasm, por në radhë të parë Pema, tregimi im favorit në gjithë librin e Arian Lekës dhe prej ku, nga perspektiva e një fëmije, duken vuajtjet e emigrantit dhe tmerri që i ndjek ato, çka i kontribuon drejtpërdrejtshmërisë, por edhe zmadhimit të mundimeve para tablove të natyrës njerëzore, të pandreqshme dhe të keqe.
    Në fund, por jo më pak të rëndësishme, qëndrojnë tregimet e tipit eksperimental (Krijimi i njeriut të ri, Ftesa, Dritare nga fusha…), ku vërehet aspirata e Arian Lekës ndaj veprimit, të cilin mund ta quajmë metafiction të metafiction-it, një lojë për llogari të postmodernes, epokës së mbyllur në qorrsokakun e veprimeve të vdekura, të pakuptimta.
    Jam i sigurt që Shpina e burrit i Arian Lekës është një prelud tejet i mirë i asaj çka letërsia shqiptare përshfaq sot, mbi çdo bazë dhe mbi çdo kriter.
    Nuk jam, më anë tjetër, i sigurt nëse botimi i këtij libri do të jetë i mjaftueshëm për ndryshimin e një narrative përmbysëse, që shoqëron në përgjithësi marrëdhëniet serbo-shqiptare, kaq naiv dhe ambicioz këto vite nuk mund të jem. Por që në këtë gjest ka gjeste të vogla, që dinë të jenë të mjaftueshme, këtë e di me siguri të plotë. Në emër të mirësjelljes elementare njerëzore dhe letërsisë së vërtetë.
    Përktheu nga origjinali Astrit Beqiraj

    Shënim: Srđan Srdić (1977), prozator dhe kritik arti, është diplomuar në Letërsi Botërore dhe Teori të Letërsisë në Universitetin e Beogradit, ku përfundoi edhe tezën e Doktoraturës. Kritiku Vladimir Arsenić e përfshin Srđan Srdić-in midis shkrimtarëve më të rëndësishëm post-jugosllavë, duke theksuar, përveç subjekteve, ndërgjegjen e tij gjuhësore si dhe arritjet e reja në teknikat shkrimore.

    Tregimet e Arian Lekës botohen në Beograd
    Pas botimet të shumë poezive, tregimeve, intervistave në Beton-Danas dhe eseve, mes të cilat edhe Lindur në Provincë, Në kërkim të këmishës së humbur, Zhdukja e Tjetrit nga harta meteorologjike, 11 ese akustike, shkrimtari Arian Leka boton në Beograd përmbledhjen me tregime të zgjedhura. Janë 22 tregime të shkruara në dhjetë vjet krijimtari, duke filluar nga ato të vitit 1994, kur Arian Leka botoi librin e parë me tregime Ky vend i qetë ku s’ndodh asnjë, deri në vitin 2005, kur u botua përmbledhja me tregime Shpina e burrit. Pikërisht këtë titull mban edhe përzgjedhja e tregimeve në gjuhën serbe Muževljeva leđa. Libri është botuar nga “Partizanska knjiga” nën përkthimin e Đorđe Božović-it. Shënimet kritike që kanë shoqëruar botimin, kanë theksuar se Arian Leka në këtë libër përdor teknika postmoderne, metafizikën, fiction dokumentar, përdor paranojën kolektive, euforinë e masës, si dhe një dozë realizmi magjik, mbërritur më fort nga fabulat përrallore të vendit të tij sesa nga shkolla amerikano-latine.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË