More
    KreuLetërsiShënime mbi libraKico Mavro: Mendimi kritik i timo mërkurit në “Blatime poetike të Niko...

    Kico Mavro: Mendimi kritik i timo mërkurit në “Blatime poetike të Niko Kacalidhës”

    Në letërsinë shqipe, ka poetë, që kultivuan shije estetike të mrekullueshme, dhe ndikuan në formimin e emrave cilësorë, duke e çuar poezinë moderne në kuota më të larta.

    Njëri prej tyre është  Niko Kacalidha, që me librin “HERALDIKËT E BORËS”, përmbledhje e poezive të zgjedhura, behet objekt studimi sprovë nga Timo Mërkuri në  “BLATIME POETIKE TË NIKO KACALIDHËS”, nga botimet Onufri.

    Në tri dekadat e fundit, në kaosin që ka përfshirë shoqërinë shqiptare, kritika letrare ka patur vështirësitë e saj, që ne jemi të ndërgjegjshëm se ku e kanë origjinën.                                                                                   

    Megjithatë, ka zëra  që shprehen  fuqishëm më objekt të kritikës së tyre emra të shquara  të poezisë shqipe. Njëri prej tyre është dhe Timo Mërkuri, cili me librin “Blatime poetike të Niko Kacalidhës” e shenjon veten kritik i mirëfilltë me kapacitete studimore.

    Timo Mërkuri me  një vëzhgim  tepër të detajuar dhe të strukturuar, tregon se është njohës i thellë i poezisë së Niko Kacalidhës. Libri ndahet në disa kapituj. Që  në ndarjen e pare, autorit i bën përshtypje mënyra e përzgjedhjes së poezive, duke i krijuar një befasi të këndshme, pasi siç thotë ai “m’u duk se po lexoja një vëllim të ri poetik”. Faktikisht, Niko Kacalidha në këtë përmbledhje, ka lenë jashtë shumë poezi nga vëllime të ndryshme apo nga shtypi, duke kapërcyer dhimbjen e krijuesit, i vetëdijshëm se duhet të jenë ato poezi që me të vërtetë sipas tij kanë cilësinë të mbeten në poetikën shqipe. Këtë këmbëngulje, Timo Mërkuri e  mirëkupton, por dhe  çuditet, se Niko Kacalidha i është i njohur që nga fillimet për poezinë cilësore.

    “Për të kuptuar këtë “rinim” të poezisë te kjo përmbledhje,- thotë autori – u detyrova t’i rikthehem leximit nga fillimi me një vëmendje të veçantë dhe të kujdesshme, falë së cilës vërejta se poeti i kishte bërë një “rrallim” dhe një “krasitje të rëndë” krijimtarisë së tij, duke minimizuar praninë në këtë përmbledhje të shumë poezive nga pylli i dendur i krijimtarisë së tij”. Timo Mërkuri pas leximit dhe rileximit të poezive bindet vërtet për përzgjedhjen e autorit ndaj dhe thotë :

    “Mungesa e disa poezive të “spikatura” në vëllimet e botuara më bëri të kuptoj se këtë përmbledhje Niko Kacalidha e ka hartuar duke pasur parasysh jo temat për të cilat ka thënë diçka, por për artin me të cilin e ka thënë”.

    Në veprën “Blatime poetike të Niko Kacalidhës” autori ka një zë orgjinal, larg sloganeve të shprehjeve standarte, ka këndvështrimin vëzhgues dhe nuk ngushtohet në  vlerësime të njohura.

    Besoj se arsyet pse ky libër  dhe autori janë të veçantë janë tri :

    -Së pari, Timo Mërkuri kërkon të studjojë poezinë e Kacalidhës nga pikëpamja e shprehjes poetike, të gjetjeve artistike, të konceptimit estetik dhe  gjuhës së autorit.

    Duke e njohur mirë objektin e studimit, Timo Mërkuri thotë se kjo shprehje poetike buron nga koncepti estetik që ka poeti në përjetimet e tij. Arratisja e poetit në thellësitë e kohës për të dhënë dëshmitë poetike në mëyrë metaforike, alegorike, surrealiste, moderne, bëhet pikërisht nga koncepti filozofik dhe estetik i perceptimit dhe  pasqyrimit të realitetit në ndërgjegjjen e tij. Niko Kacalidha asnjëherë nuk foli në poezi për diçka duke e emërtuar atë. Ai e vesh mendimin e tij me metaforë duke dhënë nëntekstin  e një tërësie  ndjenjash të shprehura estetikisht me mjeshtëri. Domethëniet poetike, Niko Kacalidha nuk përpiqet ti jap menjëherë pasi ato përftohen jo me leximin e parë, perceptohen si mendim subjektiv nga varësia e lexuesit me tekstin poetik.Timo Mërkuri e njeh mirë këtë mënyrë të shkruari te Kacalidha, prandaj ka dhe një shpjegim të thelluar për të.

    Gjuha poetike e Kacalidhës është element shumë i rëndësishëm. Si njohës shumë i mirë i gjuhës shqipe ai nuk përpiqet ta përdor për efekte deklamuese të formës. Niko Kacalidha, gjuhën e tekstit e zgjedh për të ndërtuar bashkëbisedimin me unin e tij, që aq bukur konvertohet më pas në kënaqësi estetike dhe bëhet e dallueshme nga lidhja e lexuesit me krijimin letrar. Këtë fakt ka mbi pesëdhjetë vjet krijimtari që Kacalidha e vërteton. Unë, pa e tepruar aspak, dhe duke mos qenë fare modest, përsa i përket gjuhës poetike të Kacalidhës do të shpreh atë që një kritik i vjetër dhe shumë i njohur i yni  ka  thënë “se gjuhën në librat e Niko Kacalidhës, disa duhet ta lexojnë dhe të mësojnë se si shkruhet”. Kjo bëhet dhe më e vlerësuar kur paralelisht me shqipen Niko Kacalidha shkruan dhe greqisht. Këtë, Timo Mërkuri, e analizon hollësisht dhe nuk bie në gabimin, që shpesh kanë për poetët dy gjuhësh, fakt që dhe autori i parathënies, Gëzim Basha, në librin e Kacalidhës e përmend. Kacalidha nuk shkruan si një njeri “për të qenë urë lidhëse mes dy popujve”, por si poet, pa përkatësi etnike, me mendim emancipues dhe modern. Ai shkruan aq lirshëm dhe bukur sa në greqisht, aq dhe në shqip.

    Arsyeja e parë është e lidhur ngushtë dhe shkon paralelisht  me të dytën, që autori e zbërthen poezinë e Kacalidhës pa e ndarë atë nga njeriu biologjik, që frymon, jeton, punon e krijon në një shoqëri ku të gjithë sillemi sikur njësoj, por mendojmë dhe aq më tepër, perceptojmë krejt ndryshe. Mërkuri sqaron qartë se Niko Kacalidha si njeri ka fatin e vet individual, por që e ka të lidhur poetin brenda tij në mënyrë të pazgjidhshme.

    Duke e marrë me vete fatin e tij, duke e pranuar atë, autori  lë të kuptohet se poeti ngriti kështu një kështjellë me fjalë dhe na i dha në format më të bukura estetike.

    “Niko Kacalidha hyri në poezinë shqipe me entuziazmin e një fëmije që hipën për herë të parë në një anije, i bindur se ajo do të lundrojë nëpër yje”-thotë Mërkuri për Kacalidhën, por shumë shpejt do të vinte ”dimri” dhe poeti do të kalonte shumë vite larg nga qyteti dhe rrethet letrare. Këtë fakt autori do që ta theksojë, të tregojë se “internimi” është privim i njeriut por jo i shpirtit, lodhja fizike nuk e lodh  atë   shpirtërisht, përkundrazi nga tharmi i keq që i jep jeta, poeti pastron shpirtin duke qëndisur me të vetmen armë që ka, fjalën. Këtë fjalë poetike Timo Mërkuri kërkon të paraqesë të zbërthyer.

    Së treti, Timo Mërkuri në sprovën e tij jeton, gëzon dhe përjeton me poezinë e Kacalidhës dhe lë shijen te lexuesi se një kritikë e mirë është padyshim vlerësim i një vepre të realizuar në gjithë kompleksitetin e saj. Duke  mos e fshehur “momentin magjik” të tij kur ka shkruar “Blatime poetike” do të shtoja se vetë autori i tyre në mënyrë të natyrshme njësohet me fjalët që thotë për poetin, ku, “… vërejmë se poeti nuk është “rritur” më shumë se “një djalosh i ri”, pavarësisht moshës së tij, thua se ai zotëron formulën magjike të rinisë së përjetshme poetike”.

    Në këtë libër të realizuar mjeshtërisht, Timo Mërkuri edhe pse në rolin e kritikut dallohet për simpatinë, dashamirësinë dhe përjetimin me poezinë e Kacalidhës, aq sa dhe në të njëjtën kohë të duket sikur  krijon bashkë me poetin, dhe kjo gjë bie në sy menjëherë gjatë dhe pas mbarimit  të leximit të librit. Ai e thotë atë që ndien thjesht dhe lirshëm, e shpreh edhe me pasion por brenda sensit të masës.

    Timo Mërkuri hyn në thellësi të mesazhit poetik që buron nga poezia e Kacalidhës, pa ngecur në domethënie të cekta, edhe pse surealizmi i poetit, si mënyrë shprehjeje, nuk është i thjeshtë për këdo. Kjo kritikun e kënaq dhe ja bënë të pëlqyeshme punën. Nuk është aspak e dëmshme  simpatia dhe mirësia mes kritikut dhe krijuesit në kritikën botërore, përkundrazi, në këto raste mendimet janë më të qarta dhe të drejtpërdrejta, janë të shprehura sinqerisht në përqindje të lartë nga e vërteta poetike që poeti do të japë.

    Sarandë, gusht 2023

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË