More
    KreuLetërsiBibliotekë"Kënga e re" poemë nga Nurie Emrullai

    “Kënga e re” poemë nga Nurie Emrullai

    Kur të shërohem prej lemerisë së kohës,
    do këndoj një këngë të re,
    se unë s’do jem më kjo,
    as dora ime
    që shkund krahët halore të engjëjve.

    Një këngë e re
    do t’u këndohet dritareve të marrta,
    teksa ti me thonjtë e bardhë të viteve çjerrë natën,
    e nga vrima e çelsit do t’u këndohet dyerve të përgjimeve,
    teksa jetën tënde e mat me prekje
    në shtratin ku u mbarse me të nesërme
    dhe prekja jote nuk gjen fundin…
    Se ajo nuk qe kurrë e nesërmja jote,
    gjithnjë qe e atyre që i dhanë zë kësaj kënge,
    që të bindën se ata t’i falën
    edhe kohën edhe qumshtin edhe bukën…
    Madje goja jote qe goja e tyre,
    sytë e tu qenë shikimet e tyre,
    dhëmbët e tu hëngrën mish nga mishi i tyre…
    Andaj tani fillo ta vjellësh gjithë këtë trup që s’është ti,
    se ti je veç një kockë në të cilën mbahet varur coha e hollë
    ku gjithkush mund të shikojë se ç‘përbindësh është njeriu.

    Kjo këngë do t’u këndohet trupave
    që shpresa ua ndërkall varret,
    se gjithçka e mësuar gabim, nuk çmësohet më
    e kjo folje as që ekziston –
    fundja kush e di se ç‘qe e gabuar dhe e saktë?

    Kjo këngë do t’u këndohet
    të sëmurëve që nuk duan të shërohen,
    që në ëndrra u faniten rrugë,
    që i përpin tmerri i trupit.

    Do ta këndojë bashkë me mua këtë këngë,
    ai që do të bëhet nënë për nënën e tij
    dhe babë për babanë e tij,
    dhe do të shpikë përralla për ata,
    dhe do të shpikë një fat që nuk është,
    dhe do të veshë po ato ngjyra
    dhe do të qajë për ëndrrat e tyre…
    Se traumat trashëgohen
    dhe si në luftë ashtu edhe në natyrë,
    e pëson gjithnjë më i vogli,
    gjithnjë një këmbë e madhe
    nuk sheh se kah shkel.

    Do të përshkohet kjo këngë njerëzore
    nëpër duar që s’vyejnë si duar, se ata që i kishin
    krehën të nesërmen me thonjtë e tyre,
    shkulën flokë dhe kujtesë.
    Kjo këngë njerëzore do të vajtohet
    nëpër sy që mbrujnë errësirën.

    S’ka më erë të re lëkure,
    ka veç erë mishi që kalbet ‒
    teksa lexon këtë poezi,
    teksa kundron hënën tej dritares sa sytë,
    dhe kupton që vuan nga të gjitha sëmundjet.
    Vuan edhe nga shpejtësia e ditëve
    që vjellin marramendje me ngjyra,
    me një diell që lind dhe perëndon në çast.
    Shakullinë kjo jeta ime.
    Ndal!
    Ndalu këtu!

    Një këngë do të vazhdojë të nxjerrë tymin e shpirtit,
    do të përvidhet nëpër oxhaqet e varfërisë.
    Varfëria ime që s’mungon në tryezë
    që mbrëmjeve fryn nga dritarja,
    që mëngjeseve del nga dera.
    Një këngë krenare
    që unë po e vazhdoj e që fund nuk ka…

    Kjo këngë
    që unë e urrej se është gjithë e vërteta ime,
    që më trishton se s’ka asgjë të bukur,
    që më është e brishtë si krahët e fluturës,
    që mund të merret si çmenduri…

    Kjo këngë e përbotshme,
    e lidhur me veten,
    me hijen,
    me pasqyrën,
    e përmotshme…

    Kjo këngë
    që këndohet nëpër harpat e dhëmbëve të mi,
    nëpër flokët e mia ku qan një violinë,
    nëpër gishtërinjtë e mi që e luajnë fatin tim në dy ngjyra…

    Është qesharake se si mendoj
    se kam për ta kënduar gjithmonë këtë këngë,
    se kam për të qenë gjallë,
    se zëri im ka për të qenë…

    E imagjinon se unë përherë do të jem majë kodre
    dhe do të kundroj fluturat, zogjtë, xixëllonjat?
    Fluturimeve të tyre unë arrij t’u buzëqesh,
    veç ata e dinë sa herë provoj të fluturoj
    dhe rrëzohem në mendjen time,
    përplasem në gjakun tim
    dhe lë shenja që as duken, as humben…

    Kjo do të jetë kënga ime që gjëmon,
    siç gjëmojnë zërat në Olimp nga frika e harrimit dhe zhbërjes.
    Gjithsesi diçka do të përcillet nga jeta në jetë:
    ca pluhur perëndish tek njerëzit
    dhe hiri im në këtë këngë.
    Këngë e cila s’kërkon të mbahet mend,
    e as kërkon zë të bukur,
    përveçse një zemre të fortë për të çarë ditët e jetës,
    njësoj siç çahet himena nga ku unë linda e para.

    Këtë këngë do ta dëgjojnë
    ata që do të presin dashuria t’u falet me dashuri
    dhe shikimi t’u kthehet me shikim.
    Do ta dëgjojnë ata që do të provojnë rritjen,
    zhgënjimet e idealeve,
    pritjet,
    zërin që pas nuk u kthehet.
    Atyre që qiriu u shuhet brenda dorës në një mot të hirtë
    teksa zgjohen xurxull nga ëndrrat.

    Dhe,
    kjo këngë do të dëgjohet,
    pak para muzgu
    kur era qetësohet, kur drita mbyll portat,
    dhe mbi kokën e njerëzisë fillojnë e çelin hije…

    NJË KOMENT

    1. DHE zëri asaj kënge të re të depërtoj thellë tek mendja, shpirti i gjithkujt po të ishte e mundur, ti sheroj të gjithë t’sëmuarit, ose lindjët që sjellin n’jetë të semuar ,me pamje t’njejtë ndaj atyre t’shëndoshëve. Një Ylli që ndriqon midis mijërave tjerë, por me dallim të reflektuar. Nga këto vargje – ,, kéngë” do ikte, mbase trishtohej edhe dhënja shpirt. Të kemi sa më shpesh sikur ushqim, sherim shpirti, zemre, ndaj kësaj kohe rrebele .

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË