Te vëllimi i Vlora Ademit që keni në dorë, jo veç temat, por edhe qasjet janë të larmishme: thellime dhe përvoja jetësore, mbresëlanëse e bindëse, që karakterizojnë nji ardhje të qëllimshme në poezi, si formë sintetike mendimi e shestimi letrar. Vlora Ademi ka prirjen dhe shënjestrat e sigurta kah poezia spirituale, kah përvojat e thella dhe intimiteti. Ajo ban kërkime poetike në drejtim të përcaktimit të nji identiteti të thellë të grues universalisht. I intereson së tepërmi me e rrokë qenien e vet dhe homogjeninë e saj, me ditë kush asht, kah vjen e ku shkon, cili asht misioni i saj personal në harkun e ekzistencës dhe cilat janë rrugët e realizimit optimal e maksimal të vetvetes në paqe me shoqninë e me vetveten. Pra, temën e preferueme e ka individualizmin dhe shtigjet produktive të tij.
Primo Shllaku
Pjesë nga parathënia
KATËRDHETË E PAK
Tash që jam katërdhetë e pak,
sa po i tutem patyhes.
K’SHTU T’DUE
Sa herë
të ndiej prej larg,
ninulla djepi
m’përkundin
andrrave t’kahmotshme
për me t’pa
t’praruem
me u magjepsë mbas teje
si mbas fluturave,
n’hap t’parë
me shkelë fije bari t’njomë,
me e pasë ma t’bukurin
e ma t’bardhin zambak
njomë me stërpikat
e po t’bardhit lum.
Po,
k’shtu t’due,
t’bardhë
t’hirshëm
me tana rrudhat e ballit
e kalldrëm t’shkelun
cep m’cep
për me t’i njohtë
t’ligat
t’largëtat
t’moçmet
mshefë rrugicash t’ngushta
e trenëve
randue vitesh
që i mbartin mbi supe
si tjegullat e daluna boje.
Po,
k’shtu t’due,
pështetë
n’gurë t’kalasë
ku e kam
n’pëllambë dore
gjithë madhështinë tande,
me minare e kupola
si kurtizanë mesjete
n’megjë tundimi
n’mes
t’ezanit
e tingujsh kumbonash
që t’lypin për vete
në t’njajtin dakik
për me i kalue
lirshëm
tana urat e gurta
e me ju ngjitë shtegut t’thanave
tue t’i numrue thinjat
nji kah nji.
Po,
k’shtu t’due
me tana hiret
e vrragët
e shekujve
lanë
mbi Ty
gjurmë lavdesh
që nurit t’ia shtojnë hijeshinë
sa me m’pasë zili
secila majë mali
që t’rrethon
pse shputë e imja
shejon
aq prajshëm mbi Ty.
Po,
k’shtu t’due,
se shpirti pezull m’rrin
sa herë largohem prej Teje,
dhe ditën që do t’i ngjitem
qiellit përpjetë,
ruhin ma mbaj shpatullave
e kryet n’dërrasë pështetë
se sikur n’shpatullën tande
n’asnji tjetër shehër bote
t’ngrohtit e diellit nuk e kam gjetë.
DIMNAT E FËMINISË
Kam me t’ecë kalldrëmit t’rrugicave,
zdathë,
me i mbledhë do dimna t’fëminisë
nëpër ty, që pa dashje m’bekove me ngjyrën e tyne.
Qysh atëherë e bardha më grishi për andrra ngjyrë bore.
Ia prisja errin ditës
me i pa t’kapuna për dore hijet e akujve
vjerrë trinës.
M’bahej se (t’kureshtuna) edhe ato neve na i përgjonin hijet
dhe gjithmonë të dielave i braktisnin çatitë.
U fiksova mbas simetrisë së fjollave
dhe hanimit përmbi të bardhën e borës.
Nisa me i dashtë pulëbardhat,
zambakët,
retë,
kokrrat e fasules
dhe arijtë polarë.
Mbyllja sytë me ftyrën kah qielli
me ua ndie t’ngrohtit kallnorëve;
veç atyne ua besoja dëshirat (e lutjet)
Mbaj mend, shallin shpesh e hiqja qafe
borën me të me mbulue.
Kujtoja, edhe dimnat mërdhasin.
Dikur zunë me u shkurtue,
vinin ma vonë,
iknin ma herët.
Mendoja, i trishtonte rrita ime.
Tre dimna rresht pata veshë pallton e kuqe,
veç që ende t’u dukesha e vogël.
Kur nisi me m’pëlqye e kuqja,
kuptova se e vogël kish mbetë veç palltoja.
Andrrat zunë me u ngjyrue ndryshe
e unë nisa me i dashtë krahët e shqiponjës,
drandofilat e verdhë,
lisat në vjeshtë
dhe brinat e kaprojve.
Mbasandej,
(nuk m’kujtohet mirë kur)
nisa mos me pa andrra ma.
Nisa me e dashtë veç ngjyrën e flokëve të tu
Tash veç ata m’ngjajnë me dimnat e fëminisë.
KTHIMI
Dikur
dimnit e vishja pallton
me fjollat e borës vallzoja nëpër natë
ndigjoja “I’m sailing…” kur udhëtoja larg
dhe dëshirën m’e pushtue lirinë
ia kallxoja veç arushit jeshil.
Sot
e kuqja m’ngjan në pafajësinë e lojnave t’fëminisë
dhe frikën e qortimit
Dhe prap kthehem për pak atje
Kthehem
sa me u matë me besnikinë e arushit
të bardhën e borës
dhe ngjyrën e lirisë.