More
    KreuLetërsiBibliotekëKatër vjersha të panjohura të Eqrem Çabejt

    Katër vjersha të panjohura të Eqrem Çabejt

    nga Sevdai KASTRATI

    Në studimet e deri më sotme mbi gjuhëtarin e madh Eqrem Çabej thuhet pak a shumë i njëjti mendim: i pari shkrim i botuar është vështrim kritik Mbi poezinë e Lasgush Poradecit, i shkruar në Graz më 1929, dhe i botuar në Tiranë më 22 shkurt të atij viti në “Gazeta e re”. Po ashtu, në shkurt të 1929-ës, ai ka shkruar dy artikuj Një shkrim i panjohur i De Radës dhe Kundër pseudofilologëve që nuk e panë dritën e botimit

     Eqrem Çabej krijmtarinë poetike e fillon në moshë fare të re, në moshën 17-vjeçare, në vitin 1925. Kur ishte nxënës i gjimnazit në Klangenfurt të Austrisë, ai do të shkruajë vjershën “Këng’ e fundit e bilbilit” e do ta dërgojë për botim në gazetën “Dielli” të Bostonit që ishte themeluar nga Fan S. Noli e drejtohej nga Faik Konica.

       Siç dihet gazeta “Dielli” në vitin e parë të daljes nuk boton asnjë vjershë, kurse në vitin e dytë lejon të botohen vjersha që kanë të bëjnë me ngjarje të ditës që francezët i quanin les pièces de circonstance e që do të vazhdojë deri në ardhjen e dytë të Faik Konicës në Boston.  Kështu, për shembull, në vitin 1920 gazeta është e përditshme, por botohen vetëm pesë vjersha: që kanë të bëjnë për çlirimin e Vlorës; për themelimin e peshkopatës shqiptare; për flamurin shqiptar; për  huan kombëtare dhe për trimërinë e Selam Musait. Sikurse e thamë më lart, me ardhjen e dytë të Faik Konicës gazeta “Dielli” do të jetë e hapur për të rinjtë shqiptarë që studiojnë në Evropë e ku do t’i botojnë vjershat e tyre me tematikë ndryshe, si: Lasgush Poradeci, Lame Kodra, Llambi Gjergo,  Andon Zuni, Odise Paskali, etj.

       Vjersha Këng’ e fundit e bilbilit u botua në gazetën “Dielli” më 18 korrik 1925. Në fakt, vjersha kishte kohë që rrinte në redaksi së bashku me vjershat e Lasgushit Poradecit (DimërPoradeciGjahtoriTë nisurit e dimrit), Lame Kodrës (Te Vatra – natë dimëroreMalli i atdheutOh sa të dua) dhe Ramiz Harxhit (Lëngat’ e shpirtit). Editori Aqile Tasi dha lajmin për vjershat¹, por nuk tregon shkakun pse nuk janë botuar dhe pse janë lënë me një anë.

       Një vit më parë, pra me 29 korrik 1924, në faqet e kësaj gazeta botohet vjersha e Lasgush Poradecit Kënga e bilbilit. Në të vërtetë, variantin e dytë Kënga e bilbilit hap vëllimin poetik “Ylli i zemrës” me titull të ndryshuar Zog’ i qiejve. Ndonëse shëmbllejnë në titull, pak a shumë me vargje të njëjta 50 me 56, por nuk kanë ngjashmëri se Lasgushi, një nga lirikët më të mëdhenj të letërsisë shqipe, nuk mund përsëritet lehtë nga askush. Gjithsesi, shkruesi i këtyre radhëve beson se Lasgush Poradeci ka luajtur një rol të rëndësishëm në formimin e tij letrar. Ashtu sikurse vetë  Çabej jep mendimin e parë kritik mbi Lasgushin kur e cilësonte se “është vjershëtori më i thellë që ka shkruar në shqipet”.

       Miqësia mes tyre do të zgjasë rreth gjashtëdhjetë vjet, deri në vdekjen e dijetarit. Lasgushi për ta përjetësuar miqësinë i kushton vjershën “Zemra e shokut”, kurse në rini ka bërë një portret të Eqremit.

       Vjersha e dytë Fatit, me gjasë një fragment poeme dhe vjersha e tretë Natë u botuan në gazetën “Dielli” më 13 shkurt 1926.

       Po kështu edhe vjersha e katërt Melankolisë² u botua në gazetën “Dielli” më 20 mars 1926, por në një rast të veçantë: në një shkrim interesant të Faik Konicës për vjershërimin shqip. Në shkrimin “Vjershat”, kritiku Konica, i qorton vjershtorët që nuk i vëjnë fre etheve poetike: duke shkruar vjersha të gjata, pa frymë dhe pa shije. Ai bën përjashtim për vjershëtorin kombëtar Gjergj Fishta dhe Andon Zako Çajupin (literat i hollë dhe poet me talent³), që dijnë se ç’është forma dhe ç’është ritmi.

       Faik Konica, kritik me shije të hollë, i bën me dije vjershëtorëve se “vjershat, që të quhen me të vërtet vjersha, duhet të përmbajnë nonjë mendim të bukur, nonjë ndienjë të thellë ose të hollë, – dhe ky mendim, kjo ndienjë duhet të çfaqet në një formë të mbaruar”. Ai merr si shembull poetin gjerman Hermann Neumann dhe vjershën e tij “Das Herz” (Zëmëra), duke theksuar se “nër Shqipëtarët nukë gjenden vjersha me frymë t’atillë”. Por më poshtë Faik Konica shpreson tek studentët shqiptarë që studijonë në Evropë, se ata mund të sjellin një tematikë ndryshe në letërsinë shqipe. Në këtë rast përmend të riun Çabej, student në Universitet të Gracit dhe vjershën Melankolisë  që “ka disa njolla: po çfaq një dëshirë dhe një kërkim për rithme të ra, që është për të lëvduar”.

    Me gjasë vjershat e shqipëruara: Kënga e mbrëmjes e Hoffmann von Fallerslebenit, Një fletë e blertëHie të rëndaDora e gruas të Theodor Stormit si dhe soneti i Dantes kushtuar Beatriçes duhet të jenë të kësaj periudhe.

    Profesor Shaban Demiraj, me  drejtë, kur flet për shqipërimet e Çabjet ka vënë re “një ndjenjë të hollë poetike” të tij.

    Eqrem Çabej duhet të ketë shkruar shumë më tepër vjersha se këto, ndoshta edhe në gjermanishte. Ai është një nga krijuesit e rrallë në letërsinë shqipe (ashtu siç bënte edhe Fan S. Noli) që vjershat i shkruan thjesht për dëshirën e tij e jo për t’i botuar ato4.

    ___________________ 

    ¹Aqile Tasi në shënimin shoqërues vjershën e të riut Çabej e quan ‘vjershë të bukur’ dhe i boton sipas radhës që kanë ardhur në redaksi.

    ² U bë e njohur prej Perlat Xhikut në gazetën “Drita”, më 21 maj 1989, f. 13. Nuk jipet as një shënim se kur u shkrua vjersha dhe ku është botuar, veçse bëhet e ditur se vjersha u gjet në shtëpinë Lefter Dilos në Gjirokastër.

    ³ Kur e propozon Çajupin për ambasador në Itali (Shih: Faik Konica, Një argument çpifarakësh, “Dielli”, 7 prill 1923, f. 5. Shih Eqrem Çabej ”Sonete”, Tiranë 2008, sonete Më 1937

    Shih Eqrem Çabej “Sonete”, botimet Çabej, Tiranë 2008.

    KËNG’ E FUNDIT E BILBILIT

    Kur çelte lule e bukura prinverë,
    Te kjo folez’ e ëmbël’ unë leva;
    Dhe dritë t’ kaltërt pash për t’ parën herë
    T’ëmblat këngë t’ këngëtorëve ndieva. –
    Edh’ ujt zhullonte, dhe zephyri frynte,
    Dhe lisi fëshfëllin në gjum më vinte…
     
    “Gëzo!” n’ krahror më tha një një zër’ i fshehtë:
    Dhe un’, bilbilthi, gëzova dhe këndova,
    Ngadale herë, her’ më fort, më prehte:
    Gjith’ jetën t’ im’ e qava, e gëzova.
    Dhe s’dija pse s’pushoja, oh i gjori!
    Gjer sa më mbylleshin syt, gjumi më mori.
     
    Kur hëna n’ qiellt dal ngadale shkonte
    Dhe pronj e kodra me ergjendin ndrinte,
    Bilbil’ i shkret’ ahere qant’, vajtonte;
    Por bot’ e ndyrë s’e dëgjonte, flinte. –
    Udhtar’ i qetë vetëm këmbët mbante,
    Dhe udhn’ e mbarë t’imen d’gjonte, – qante…
     
    Qaj, qaj, udhtar! Në vënt të huaj shkon
    Si qyqja fill: pa njerës je, pa shok! –
    Kur s’duan njerzit, ja ku të shoqron
    Këng’ e bilbilit! Haj të qajmë tok! –
    Si ty, dhe unë, jam i shkret’, i shkretë;
    Si nata nxin për mua këjo jetë…
     
    Ky zër’ i holl’ ka kaqë viet që thrret,
    Ky kraharor’ i gjor m’ u-tha, m’ u-tha;
    Bilbil’ i mjer nga këngëtë u-tret,
    Hidhrim ësht jeta, gëzim për mua s’ka.
    Dhe këng’ e ëmbël’, q’ njerësit gëzon,
    Ësht helm i hidhet, q’ shpirtin më helmon. –
     
    Tër’ jetën qava, këndova pa pushim,
    Por vetëm prronjt e ferrat më përgjuan.
    Kush më dëgjon, o Zot, këtë vajtim?
    Kët’ ziarr, që dieg në zëmrë, kush m’ a shuan?
    Apo do digjet, gjer sa t’ shuhet vetë?
    Do qaj, pra, sa t’mbaroj të zezën jetë?
     

    Pusho, bilbil i shkretë! T’ erdhi dita,
    Që të qetosh, i vogli këngëtor! –
    Në syt e verbra lotësh s’hyn më drita…
    T’ u-ngjir zëri, t’ u-tha ay krahror,
    Q’ i vogël ësht, por mban tër’ hidhërimet
    E botës, t’ këngëtoreve psherëtimet…
     
     
    O bot’ e ngat’ – e bukur’ – lamtumirë!
    Më kot këndova gjithë jetën – shkoj!… –
    Merr, përrua, zëmrën t’ime plot mëshirë,
    Dhe shpjeria detit, që atje t’notoj’
    Në mes të dallgve – kurr mos t’ket qetsi,
    Si s’pati, kur mbi ferra goditi!…
     
    Por shpirt’ i im fluturon në qiell lart:
    Kush s’gjen lumtri në botë, gjen ’tje lart! –


    FATIT

                         (fragment)
      Kur unj krahët zi e zezë
    Pa mëshirë përmbi mua,
    Nëpër zëmër çahet prua,
    E çdo me të vogël shpresë
    I dyshimit krimbi gdhënd, –
    E si fleta që një shqotë
    Fryn në vjeshtë vënt më vënt, –
    E në zjarr të ri kur dua
    Kryet lart të çoj – me kotë:
    Shihm’, i Math ti! i përunjur,
    Krimb në pluhur, përgjunjur, –
    Buz’ e dredhur s’ të thrret dot –
    Tretur dhe, ktu të bie!
    Ligj m’ i vjetër, mbret mi mbretër!
       Zot mbi Zot!
     

    NATË
     

    O ëndëra t’ëmbëla nate!
    O miegull’ e lehtë rreth mejet!
    O zjarr i kulluar prej lartë!
    Sa zëra të ëmbël, të heshtur prej tejet,
    Si vala të kohës që vate,
    Si vala të kohës së artë!

    Dhe shpirti çan krahët më lartë,
    Thëthin frymë përjetësie
    Prej puthjes së yjve në flakë.
    O jetë plot jetë! pa hie!
    O fije të ndritur të artë,
    Që ah, do të shduki, për pakë!
     


    MELANKOLISË

    Kur unj kryet mi tryezë,
    Del ngadal nga det’ i zëmrës,
    Madhështore
    Mbretëreshë, në të zeza,
    Sy prej sfinxi, shpirt-lëngore,
    O Melankoli! –
    E me buzët të përhirë,
    E të ngurëten fytyrë
    Ç’ thua? ç’thua?…
    Ah, dhe mua
    Ngjeth drithtirë:
    Sapo mezi vien gëzimi,
    E ndiek ti si hij’ e tij,
    Aq’ e qetë,
    Aq’ e shkretë,
    O Melankoli!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË