More
    KreuIntervistaKadare dialog me Alda Bardhylin - "Kohë për rrëfim"

    Kadare dialog me Alda Bardhylin – “Kohë për rrëfim”

    Në pak javë, ju do të mbushni 85 vjeç. Si ndiheni?

    Ndihem mirë, nuk kam ndonjë ankth, nga ato që kam lexuar në biografi të ndryshme të shkrimtarëve, që njihen ndryshe si “kriza e krijimit”, e të tjera të ngjashme. Kur krijimi letrar, “puna letrar” ecën mirë, mendoj se gjithçka tjetër ecën mirë te shkrimtari. Kur ajo jep shenjat e ngecjes, atëherë është vërtet një shqetësim, i lehtë për t’u konstatuar, por shumë i vështirë për t’u ndrequr. Kjo hyn në ato të fshehta që shkrimtari jo vetëm nuk i shpjegon dot, por dhe nuk ia zbulon dot vetes. Ka në të diçka të pagabueshme. Kur themi të pagabueshme, do të thotë dhe të pandreqshme kur është për keq, apo të shkatërrueshme kur është për mirë.

    Është ndoshta kjo, që në një përfytyrim universal botëror, çështja e krijimit është komode të quhet si hyjnore. Është tepër naive si përftim, por ka në të një të vërtetë që vështirë të zëvendësohet me një tjetër. Është ajo që quhet, në një përfytyrim popullor, “diçka që vjen nga lart”. Kjo duket si fëmijërore, por është e vërtetë. Ka vërtet “diçka” që vjen nga lart. Por sa herë njeriu kërkon ta shpjegojë këtë gjë, nuk e gjen dot.

    Duke u kthyer pas një kohe, si i kujtoni 50 vitet tuaja si shkrimtar?

    Kanë qenë 50 vite të shqetësuara, po të përdorim një të folur të thjeshtë, me shumë telashe, shumë rreziqe, pritje, por në përgjithësinë e tyre janë vite të bukura. Fakti që ke krijuar, është gjë e bukur. Të bukura do të thotë të vërteta në bukurinë e tyre. Shkrimtari e ndien në mënyrë të pagabueshme, kur ajo që krijon është e vërtetë, është art dhe për artin vështirë se mund të gjendet diçka që mund ta shformojë.

    Nuk mbaj mend të kem krijuar diçka që të ketë qenë e huaj për qenien time të brendshme. Edhe në pjesët kur kam qenë i kujdesshëm, kur kam qenë i kujdesshëm për arsye tashmë të njohura, ka një fazë të padiskutueshme të vërtete, një thelb që nuk prishet, dyshimi për atë që po e quaj prishje të thelbit. Është më i frikshmi për shkrimtarin.

    Flitet shpesh për detyrimet e letërsisë konformiste, për krijimtari që është krijuar nën këtë trysni të detyrimeve…

    Mund të them me ndërgjegje të plotë se nuk kam një kujtim të tillë të hidhur.

    E dini që jeni një shkrimtar i madh? Çfarë ndieni kur dëgjoni shpesh këtë cilësim?

    As nuk më ngazëllen dhe as më tremb. Në këtë rast fjala shkrimtar i madh mund të zëvendësohet me fjalën “shkrimtar i vërtetë”. Unë jam shkrimtar, në kuptimin e plotë të fjalës. Në këtë cilësim zotëron ana pozitive që jam shkrimtar. Shpesh njerëzit, kur nuk u pëlqen një shkrimtar, nuk thonë ky është shkrimtar i keq, i zakonshëm apo i rëndomtë, por thjesht thonë: është shkrimtar. Po ta mendosh thellë është një mrekulli, kur profesioni në formulimin e vet e mbart të mirën, pozitiven. Shprehja është shkrimtar, është tamam shkrimtar, do të thotë se është shkrimtar i mirë.

    Mendoj se për të gjithë ne krijuesit, shkrimtarët, ky është një gëzim i thellë, që na shoqëron të gjithë jetën. Për shkrimtarët e vërtetë ky është gëzim, por ka edhe anën e keqe të tij për shkrimtarët jo të mirë, dhe këtë ata e ndiejnë. Shkrimtarët e pakryer ndiejnë të keqen. Pra është një formulim që shkakton gëzim e vuajtje njëkohësisht. Kjo shprehje mua gjithë jetën më ka sjellë gëzim.

    Erika Jong, një autore që më pëlqen shumë, shkruan për dëmin që i sjellin botës shkrimtarët apo artistët e pakryer, ose të parealizuar, te romani Frika e fluturimit. Nuk ka përbindësh më të madh se një shkrimtar i dështuar, thotë ajo…

    Shkrimtarët e pakryer kanë dashur ta dëmtojnë artin botëror, por gjithashtu, pa dashur, s’e kanë dëmtuar dot. Bukurinë e të qenët, të ekzistencës, arti e ka brenda thelbit të vet dhe ky thelb do të gjejë patjetër mënyrën për t’u shfaqur. Në një vizion të përgjithshëm, nëse do të përfytyronim diçka që mund të përfshinte këtë thelb, ai është gjithmonë pozitiv. Ndoshta kjo që po them nuk është fort e qartë, por edhe pse e tillë, është e padëmshme.

    Si i keni jetuar këto kohë zhvillimet globale, pandeminë?

    I kam përjetuar natyrshëm. Nuk më kanë shkaktuar ndonjë shqetësim serioz, por kjo vjen sepse, për një shkrimtar, shqetësim serioz është gjithnjë ai që lidhet me krijimin. Këto travaja  nuk kanë qenë asnjëherë penguese për procesin e krijimit. S’duhet harruar se, pjesa më e madhe e asaj që shkruhet në botë, harrohet. Ky është një shërim i natyrshëm i herëpashershëm, që e ka përbrenda kjo sferë dhe që e prodhon sa herë asaj i duhet. Mund të duket e pakuptueshme, por ndoshta, na lejohet ne shkrimtarëve që në bisedat tona të kemi disa herë një pakuptueshmëri të tillë.

    Jeni admiruar, por edhe kritikuar shumë, po kaq shumë keni qenë temë diskutimesh mbi raportin tuaj me regjimin, ndoshta dhe për njohjen tuaj ndërkombëtare. Si u përgjigjesh shumë njerëzve që u pëlqejnë ta shohin portretin tuaj me shumë fytyra?

    Është e kuptueshme për mua, kështu ka qenë gjithnjë për shkrimtarët, siç janë ndonjëherë gjërat tepër të kuptueshme që ngjajnë të pakapshme. Shkrimtari shpesh qëllon që lodhet nga e pavërteta e gjërave dhe kjo lodhje është ndonjëherë e rrezikshme, kur ai mësohet me të dhe nis oqeani i madh i shpërfilljes, që është jashtëzakonisht i rrezikshëm.

    Lëndoheni kur lexoni shkrime kundër jush?

    Prej kohësh nuk lëndohem më, por edhe kjo nuk është gjë e mirë. Lëndimi është diçka e çuditshme, ka shumë fytyra, shumë pasoja, e një nga pasojat më të këqija të tij është shpërfillja. Unë nuk e kam të qartë ndonjëherë, nëse shkrimtari duhet të jetë shpërfillës apo përfillës.

    “Nuk ka asnjë shkrimtar të vetëm që të heshtë. Nëse hesht, kjo do të thotë se nuk është shkrimtar i vërtetë. Nëse një shkrimtar i vërtetë hesht, atëherë kjo do të thotë se ka ardhur fundi…” Bulgakov i shkruante kështu Stalinit në një letër, ku i lutej për leje që të linte disa kohë Rusinë, duke e parë figurën e shkrimtarit si tepër të rëndësishme dhe aktive në debatin publik. Çfarë ka bërë që ky rol të zbehet sot gjithnjë e më shumë? Dhe raporti i shkrimtarëve sot me pushtetin nuk është më i dikurshmi?

    Në të vërtetë është një çështje shumë e ndërlikuar, e parrahur thellësisht nga mendimi letrar dhe ka të bëjë me një kundërthënie që e ka krijuar koha dhe zhvillimi. Sot, për përhapjen e librit ka mjete të jashtëzakonshme të zhvilluara dhe për çudi bie në kundërshtim me aureolën e shkrimtarit, e cila në vend se nga ky reklamim i tepruar të fitojë, ka gjasë të humbasë. Është një nga misteret e tërheqjes së letërsisë, nga masa e pafundme e njerëzve.

    Në të vërtetë, sa për raportet shkrimtar-shtet janë më të ndjeshme sot se përpara, megjithëse përshtypja është e kundërta. Mendoni vetëm realitetin e librarive. Ka miliona librari në botë, ku lexuesi është ballë për ballë librit, ku bëhen miliarda biseda për librat që shiten, ndërsa po të marrim një shembull nga antikiteti grek, përkitja fizike e publikut me autorin bëhej zakonisht në teatër, tani ajo ka qindra mënyra.

    Shkatërrimi i botës, ju ka shqetësuar? A mendoni se do të vijë së shpejti? Kjo është pyetja që dy vite më parë, Filip Roth ia drejtoi Milan Kunderës. Do të doja t’ju bëja të njëjtën pyetje ju?

    Ndjenja e shkatërrimit është e pranishme në jetën e një letërsie. Është një ndjesi që vështirë t’i përcaktosh emrin. Por, pa këtë përmasë, nuk përfytyrohet dot që mund të ketë art dhe letërsi.

    Globalizmi, teknologjia, pandemia e kanë çuar kulturën në një formë të re komunikimi. Sa mendoni se letërsia do t’u rezistojë këtyre lëvizjeve. Si mendoni që ajo do të jetë pas 50 vitesh?

    Në çdo fazë të tij arti ka zonat e lehta që duken të tilla, ose zona të thella të ngrysura që janë, ose që ngjajnë të tilla. Por vlerat e tij janë të pacenueshme nga cilado lëvizje.

    Si e mendoni lexuesin e shekullit XXII përballë librave tuaj?

    Nuk e kam të lehtë ta mendoj, por mendoj kryesoren, se do të ekzistojë lexuesi im edhe pas kaq kohësh.

    A keni shkruar një vepër politike?

    Jo, asnjëherë! Nuk mendoj se ka qenë ndonjëherë kështu dhe nuk do të jetë asnjëherë kështu.

    Si e shihni politikën tani në Shqipëri?

    Nuk kam ndonjë viziton të veçantë për të.

    Si ndiheni ndaj kulturës europiane. Ezra Paund e quante atë “barbare”.

    Nuk e kuptoj ndryshe kulturën shqiptare përveçse europiane dhe ajo është fytyrë e natyrshme e saj, sikurse e çdo letërsie në përgjithësi. Në Shqipëri janë shkruar e botuar libra në çdo kohë, dhe libri ka qenë një gjë e natyrshme e shoqërisë shqiptare, pavarësisht se sa ishin botimet ose shpeshtia e botimeve.

    Varet si e përdor fjalën “barbare”, në këtë rast, në mendjen e tij, që mund të ishte e vjetër, primitive, e pagdhendur etj., etj.

    Thagma e një Shqipërie europiane përshkruan të gjithë veprën tuaj. Si e shihni sot Europën?

    Është një problem i përjetshëm, pak a shumë vazhdon. Mendoj se vetë Europës i duhet një sforcim për të ruajtur natyrën e saj. Kur themi Europa është e kërcënuar mund të përdorim shprehjen: Europa, ndër të tjera, e vetëkërcënuar.

    Si ta lexojmë fjalën vetëkërcënim?

    Në prirjen e gjërave që s’kam dëshirë t’i mendoj, por që janë shumë këmbëngulëse në të keqen e tyre.

    Ku e shihni fatin e Perëndimit?

    Në shprehjet bota perëndimore, prirja perëndimore, kam përshtypjen se ka gjithnjë diçka të pasaktë.

    A e ndryshoi komunizmi pikëpamjen tuaj për botën?

    Nuk besoj.

    Në qëndrimet ndaj kulturës e letërsisë shqipe nuk përjashtohet vlerësimi ose jo i gjuhës shqipe. Shpesh në këto qëndrime ka himnizim, e shpesh injorim të saj. Cili është opinioni juaj ndaj këtyre qëndrimeve?

    Po, është e vërtetë, që për gjuhën shqipe janë shfaqur mendime nga më kundërthënëset, gjë e njohur kjo për gjuhët e vendeve të vogla. Mendimi im për këtë është përcaktuar prej shumë vitesh dhe ka qenë i pandryshueshëm. Shqipja është një gjuhë serioze, në mënyrë të padiskutueshme, me një histori të faktuar bindshëm, me botime të hershme, që do ta nderonin çdo kalendar historik të çdo gjuhe. Teprimet në dy skajet: himnizimi, ose shpërfillja ndaj saj, janë të kuptueshme në rastet e një gjuhe të tillë. Përdoruesit e saj, shkrimtarët, jam i bindur që ndihen mirë, për të mos thënë shumë mirë me të. I them këto fjalë si njeri i kulturës dhe sidomos si përdorues profesionist i kësaj gjuhe. Mendoj se as përdorimi, as himnizimi i tepruar i saj dhe as shpërfillja ndihmojnë në këtë të vërtetë të saj.

    Kadare dhe Alda Bardhyli në Kafe Rostand, Paris.

    Ju vetë, a jeni ndier ndonjëherë i ngecur në kufizimet e gjuhës?

    E them pa asnjë paragjykim, se nuk kam njohur kurrë një ngecje të tillë. Mendoj se trajtimi i mendimit në gjuhën shqipe është shumë i lehtë dhe shumë i natyrshëm për shkrimtarët. Kështu ka qenë që në fillimet e botimeve të para të saj në mesjetë.

    Cili ka qenë ankthi juaj më i madh si shkrimtar?

    Të shkruaja gjëra që nuk kishin mister, që nuk kishin atë tërheqjen e fshehtë, që nuk kishin mjegull t’i mbështillte. E, për fat të keq, të gjitha ato që sugjeronte letërsia jonë, ishin të tilla, sterile. Shpirti im ishte krejtësisht i ftohtë ndaj tyre.

    A ka një kohë kur keni qenë vërtet i lumtur?

    Kam qenë i lumtur herë pas here. Në mënyrë të padiskutueshme i lumtur sa herë që një aventurë shkrimore përfundonte pa dëmtim fatal. Ato të ashtuquajturat dëmtime “si shkrimtar i borgjezisë etj.”, nuk ishin më një gjë e keqe. Isha mësuar me to, e dija që portreti im nuk ishte i ndarë nga këto ngjyra të muzgëta. Fatkeqësia më e madhe e mundshme, më dukej ndalimi i veprës sime.

    Ju torturonte ky mendim?

    Nuk më torturonte, por më shkonte ne mend. Kisha një besim që letërsia nuk të linte në baltë kurrë. Kisha një lidhje magjistare me ithtarët e letërsisë. Kufirin e fundit kisha një shikim jo të errët për atë ndriçimin e saj, që ai do të ekzistonte gjithmonë.

    Ju tremb ikja e viteve? Ju tremb vdekja?

    E kam përfytyruar në mënyrë krejt të lehtë e pa dramacitet. Nuk më tremb. Vdekja bën pjesë te jeta e shkrimtarit, është e pandarë dhe është e kuptueshme, nuk është për figura artistike, është jeta jote pa praninë tënde në botë, që shumica e njerëzve nuk e kanë. Ka një aleancë të letërsisë me vdekjen në jetë, në ndërthurjen e tyre.

    E keni menduar ndonjëherë ikjen tuaj?

    Më duket sikur e di! Zakonisht shkrimtari e di. Në mendjen e shkrimtarit është në skenën e ngjarjeve, që janë librat e tij. Analiza e veprës së një shkrimtari kur shkruhet për të, i ngjan një periudhe që ai nuk është i pranishëm. Është stili i vdekjes.

    Besoni në një jetë të përtejme?

    Nuk besoj dhe, nga ana tjetër, në mendjen time dyzimi nuk është i pranishëm, as si dilemë dhe as si pyetje. Është e vështirë të kuptohet, dua të them. Më duket se nuk ka ndonjë ndryshim të madh.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË