More
    KreuIntervistaJulia Navarro: Ndonjëherë mendoj se tani bota është plot me qytetarë që...

    Julia Navarro: Ndonjëherë mendoj se tani bota është plot me qytetarë që janë nga askund, nga asnjëra anë

    Nga Madridi, shkrimtarja flet për Nga asnjëra anë, romanin e saj të fundit, në të cilin trajton çështjet e dështimit të multikulturalizmit, braktisjes së vendit tënd dhe sesi të rinjtë e sapoardhur në një vend të huaj përballen me realitetin e ri si emigrantë.

    Dështimi i multikulturalizmit, çrrënjosja dhe fundamentalizmi fetar janë boshtet mbi të cilat shkrimtarja spanjolle Julia Navarro ndërton një histori emocionuese në këtë roman, Nga asnjëra anë, romani i saj i tetë që kur vendosi të braktiste gazetarinë dhe të botonte Vëllazëria e pëlhurës së shenjtë, i cili u bë një nga librat më të shitur në historinë botuese të Spanjës.

    Romani Nga asnjëra anë tregon dy histori: atë të Abir Nasrit, një adoleshent mysliman dhe atë të Jakov Bodenit, një francez me origjinë hebreje, të cilët ndeshen në jetë me ngjarje që i ndryshojnë përgjithmonë. Rreth tyre janë portretizuar disa gra të nënshtruara ose rebele dhe pyetje të pafundme për identitetin, përkatësinë dhe vullnetin e lirë.

    Pas publikimit të romanit të saj të parë, Vëllazëria e pëlhurës së shenjtë, spanjollja Julia Navarro braktisi një karrierë 35-vjeçare në gazetari për t’iu përkushtuar letërsisë. Vepra, e botuar në 2004, u bë menjëherë një sukses dhe u botua në më shumë se 30 vende. Librat që pasuan ishin gjithashtu bestseller, që janë shitur më shumë se një milion kopje. Më thuaj kush jam, një tjetër vepër e saj, u bë serial televiziv. Thuajse të gjitha veprat e Navarros tashmë janë përkthyer dhe botuar në shqip nga Dituria.

    Në këtë intervistë autorja flet për vështirësitë që ka Evropa në integrimin e emigrantëve, identitetin dhe rrethanat në lidhje me shkrimin e Nga asnjëra anë, një prej veprave më të shitura në Panairin e Librit të Madridit të fundit.

    Edhe pse me siguri romani duhet të jetë shkruar përpara se Shtetet e Bashkuara të largoheshin nga Afganistani, a u bë romani më aktual pas marrjes së kontrollit prej talebanëve?

    —Sigurisht, kur e shkrova këtë roman, çështja e Afganistanit nuk ekzistonte, sepse kam filluar ta shkruaj këtë roman në fund të vitit 2018. Në atë kohë, Afganistani nuk ishte në agjendën e askujt. Por është e vërtetë që romani është shumë aktual tashmë. Ajo që përpiqem të bëj në këtë roman është një reflektim për mungesën e marrëveshjes që ndodh midis Lindjes dhe Perëndimit. Është një divergjencë që, të paktën në Evropë, është mjaft e prekshme.

    — Kjo divergjencë është, pikërisht, një nga boshtet e këtij romani.

    -Po. Mendoj se romani ka tri boshte dhe ky është njëri prej tyre. Nga ana tjetër, është problemi i migrimit, i cili sjell me vete kaq shumë njerëz që vuajnë nga çrrënjosja prej vendit të vet, ndonjëherë i vështirë për t’u menaxhuar. Dhe së treti, bëhet fjalë për raportin e medias me pushtetin.

    Në lidhje me aktualitetin, them se romani im ka dalë nga faqet e gazetave, por jo vetëm për shkak të Afganistanit, por sepse në dekadat e fundit në Evropë ka pasur shumë sulme terroriste me rrënjë islame, sulmet e Madridit, ato të Barcelonës, Parisit.

    Por duke folur për Afganistanin, nuk arrij të ndalem së menduari për të gjithë ata njerëz që kanë pasur fatin të shpëtojnë prej andej. Tani, me ardhjen e talebanëve, ata ia kanë dalë të vijnë në Perëndim, por tani po fillojnë një rrugë shumë të vështirë, atë të integrimit. Dhe gjithmonë pyes veten nëse ne jemi aq të zotë sa të jemi në lartësinë e asaj që u nevojitet këtyre njerëzve.

    —Një bosht tjetër i romanit është emigracioni, përfshirja e atyre që mbërrijnë, që është vazhdimisht një debat në Evropë.

    -Po. Dhe mund të pyesim veten nëse ne i trajtojmë ata që vijnë me dinjitetin që meriton çdo qenie njerëzore. Dhe e vura veten në vendin e atyre njerëzve. Tmerri që duhet të ndiesh që të braktisësh shtëpinë, familjen, jetën tënde, kulturën në të kuptuarit e jetës, sa hap e mbyll sytë, dhe të shkosh në një vend tjetër, në një shoqëri tjetër, me kode të ndryshme vlerash, me zakone të ndryshme! Është një rrugë shumë e vështirë, sepse jo vetëm nisem nga këtu, ku kushtet e jetesës janë të tmerrshme, por mbërrij në një vend ku duhet t’ia nis nga e para. Ndoshta kjo çrrënjosje ndonjëherë është shumë e vështirë për t’u menaxhuar dhe veçanërisht për më të rinjtë.

    —Në fakt, shumë personazhe të romanit janë kështu, rrënjëdalë, një çrrënjosje përsëritet, pasi ndonjëherë ndryshojnë vende e madje edhe kontinente.

    —Ndonjëherë mendoj se tani bota është plot me qytetarë që janë nga askund, nga asnjëra anë. Ata nuk e dinë më nga janë, sepse u është dashur të lënë gjithçka pas. Dhe e shohim të gjithë sa i madh është numri i njerëzve që përpiqen të arrijnë në Evropë nga Afrika, të cilët humbasin jetën gjatë rrugës. Ose nëse mbërrijnë shfrytëzohen nga mafiozët vendas, që hasin gjatë rrugës, të cilët u marrin shpirtin për t’i futur në një varkë.

    — Interesante është se rrëfimtari i romanit nuk i gjykon personazhet. Edhe kur kryejnë akte apo krime terroriste, ai kërkon të sjellë elemente për t’i kuptuar këta personazhe nga të dyja palët.

    — Puna është se nuk përpiqem të jap mësime morale kur shkruaj. Lexuesit janë mjaft të zgjuar për të pasur mendimin e tyre. Unë gjithashtu nuk i shfajësoj personazhet e mi nga gjërat që bëjnë, pasi ata janë të lirë të marrin vendimet e tyre. Por nuk i gjykoj personazhet e mi. Ajo që bëj është t’i shoqëroj, të përpiqem të hetoj arsyet e tyre.

    Unë vij nga vendi i Ortegës, besoj në frazën e Ortega Gassetit: “Unë jam unë, rrethanat e vendimet e mia, më përcaktojnë”, sepse besoj se rrethanat e çdo personi na shënjojnë. Ndonjëherë është e vështirë të menaxhojmë rrethanat tona, atë çantë shpine që të gjithë e mbajmë në shpinë, të menaxhojmë “gurët” që mbajmë atje. Por disa marrin vendime të caktuara në ato rrethana, dhe të tjerë marrin të tjera, dhe unë jam e apasionuar për të hetuar pse dikush zgjedh njërën rrugë dhe jo tjetrën. Unë nuk i shfajësoj personazhet e mi. Ajo që përpiqem të bëj është të them se çfarë i ka ndodhur atij personi për të bërë atë udhëtim që e ka kthyer në një përbindësh, në një person jo më njerëzor dhe që synon të kthejë në qenie johuamne të tjerët dhe për t’i vrarë ata. Kërkoj përsenë, por jo justifikime. Nuk do të më shkonte kurrë ndërmend të justifikoja terrorizmin apo dhunën, sepse unë militoj në anën e kundërt, në anën e paqes dhe mirëkuptimit.

    —Në këtë kuptim, a besoni se e kaluara dhe origjina e njerëzve përcakton jetën e tyre apo nuk mund të ndryshojnë?

    -E qartë. Të lindësh në një kamp refugjatësh në Libanin jugor, nuk është njësoj si të lindësh në Nju Jork. Të dalësh nga një situatë varfërie ekstreme, nuk është njësoj si të lindësh në një familje që ka mundësinë t’i çojë fëmijët në shkollë, të shkojnë në universitet. Pra, kjo na kushtëzon, por nuk ka pse të na kthejë në përbindësha, sepse qeniet njerëzore janë të lira të vendosin dhe ne e dimë shumë mirë se ku është kufiri, kufiri midis së mirës dhe së keqes. Por nuk ka dyshim se rrethanat janë një element që kushtëzon rrugën tonë të jetës dhe personalitetin tonë.

    -Po për femrat? Personazhet tuaja femra reflektojnë faktin se janë edhe më shumë të kushtëzuara.

    — E vërteta është se gratë kanë ende shumë beteja për të luftuar. Duket se në këtë anë të botës, në Perëndim, tashmë kemi arritur gjithçka, por na kanë mbetur edhe pak beteja që të mund të themi se vërtet jetojmë në shoqëri absolutisht të barabarta. Unë jam feministe dhe do të vazhdoj të jem e tillë për sa kohë të ketë një grua të vetme në botë, që ka kushte të ndryshme nga burrat. Deri atëherë do të luftoj për feminizëm me pasion duke u bazuar në atë që ndodh me gratë në romanet e mia.

    -“Nga asnjëra anë” nuk duket se ka një ide të ndryshme për krimet që paraqiten si të kryera në emër të Zotit…

    -Unë besoj se nëse Zoti ekziston, ai nuk do t’i falë ata që vrasin në emër të tij. Pra, ai guxim mizor për të vrarë në emër të Zotit, ajo arrogancë për të vendosur se çfarë do Zoti dhe deri në atë pikë sa të thuash se do të vras ​​këdo, që nuk beson në atë që besoj unë. Më duket si një monstruozitet i vërtetë.

    — Romani tregon për dështimin e multikulturalizmit. Çfarë mund të bëjë Evropa për të integruar këta të rinj që vijnë nga Lindja e Mesme apo Afrika?

    —Mendoj se para së gjithash, duhet të njohësh problemin se ekziston një përplasje kulturash, sepse nëse nuk e diagnostikon problemin, është shumë e vështirë të gjesh zgjidhjen. Jam e shqetësuar për dështimin e integrimit, sepse është dështim për të gjithë, është dështim i shoqërive tona. Më trondit fakti që ka kampe refugjatësh në zemër të Evropës, më vë në siklet si evropiane. Mendoj se Bashkimi Evropian, politikanët dhe burokracia e tyre duhet t’u kushtojnë të gjitha përpjekjet për të zgjidhur këtë problem. Sepse është e pafalshme që njerëzit që vijnë, të mos trajtohen me gjithë dinjitetin që meritojnë njerëzit.

    Duhet të pranojmë se ka një përplasje kulturash dhe duhet të gjejmë një mënyrë që këto kultura të bashkëjetojnë në mënyrën më të mirë të mundshme. Kur në Francë, në Paris, në Ballkan, në periferi, në lagjet periferike, befas ka fëmijë që dalin, fillojnë të djegin kontejnerë, që fillojnë të veprojnë dhunshëm, kjo është një klithmë dëshpëruese. Janë të rinj që ndihen sikur nuk janë nga asnjëra anë, të cilët jetojnë në një shoqëri ku ndihen të refuzuar. Ne duhet të mendojmë se çfarë duhet bërë për t’i ndihmuar ata të integrohen.

    Burimi: Télam

    Përktheu Mariana Ymeri

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË