More
    KreuOpinionJoyce Carol Oates: Ja çfarë besoj - pesë motive për të shkruar

    Joyce Carol Oates: Ja çfarë besoj – pesë motive për të shkruar

    Përktheu: Granit Zela

    Është diçka e cila kërkon vetëdije shumë të madhe që të flasim për “kredon” e shkrimtarit. Mendoj se shumica e shkrimtarëve dhe artistëve e duan “punën” e tyre, të cilën natyrisht ne nuk e shohim saktësisht si “punë”. Ndërsa artistët e duan lëndën themelore të artit të tyre: pikturat, qymyrin, argjilën, mermerin, po kështu shkrimtarët e duan lëndën themelore të artit të tyre, gjuhën. Shumë artistë pamorë nuk kanë fare “kredo”. Ata nuk japin asnjë “deklaratë të artistit”. Dhe ata që e bëjnë ata i shohin si disi të dyshimtë, nëse jo qëllimisht të pandershëm.

    Zë fatthënës, dogmatik, vetë-lartësues dhe profetik, sa pa kuptim tingëllon për të tjerët! Ka poetë të shkëlqyeshëm, ndër ta edhe Walt Whitman, dhe Robert Frost, të cilët mund t’i kenë provuar këto cilësorë, duke rënë në zbrazëtinë e kuptimit të tyre, siç bie njeriu në moçal. Kujtoni këshillën e D. H. Lawrence: Kurrë mos i besoni tregimtarit të rrëfenjës, por rrëfenjës.

    Kritikës, në dallim nga nga letërsia, ose shkrimi “krijues”, shpesh i është mveshur një ndjeshmërie e veçantë morale, politike, fetare. Vitet 1950 u perceptuan, me krenari dhe pa ironi, si një Epokë e Kritikës, të paktën, nga kritikët. (Duket e pamjaftueshme të përcaktosh vitet 1950 si një epokë të kritikës kur shkrimtarë si Jack Kerouac, Allen Ginsberg, Eudora Welty dhe Flannery O’Connor, botonin vazhdimisht.) Kritika është më natyrshëm një lloj predikimi, ose propaganda sepse ekzistojnë sisteme pikëpamjesh tek të cilat besohet që mbështeten shumica e shkrimeve kritike, duke synuar të shpërblehen ata që pohojnë bindjet thelbësore të kritikut dhe duke ndëshkuar ata që nuk e bëjnë. Por artistët “krijues” rezistojnë t’i përkufizojnë hapur pikëpamjet tek të cilat besojnë, ashtu si ata që nuk duan të veshin rrobat e kthyer mbrapsht që të mos duken qepjet dhe arrnimet. Sidoqoftë, duke marrë parasysh jetën time, ose më saktë karrierën letrare, mendoj se ka të ngjarë që kredoja ime, nëse do të kisha një të tillë, përfshin disa idea që ndërlidhen me njëra tjetrën.

    Përkujtesa.

    Pjesa më e madhe e letërsisë është përkujtimore, shtëpia, atdheu, familja, paraardhësit, mitologjia, legjendat, ato “rreze të pjerrëta drite” që bien mbi një vend të ngulitur thellësisht në kujtesë gjatë fëmijërisë, në zonën më të lashtë, më të fuqishme të trurit.

    Pjesa më e madhe e prozës letrare në thelb është “përkujtimore”, mjet për të përkujtuar një vend të botës në të cilën kam jetuar, një të kaluar përjetimet e së cilës i kam ndarë me të tjerët, mënyrë të jetuari që më duket se po zhduket, dhe ka rrezik të harrohet. Jo një Amerikë e “vjetër” por më tepër një Amerikë “më e vjetër”, ato vite të përshkruara si Depresioni, Lufta e Dytë Botërore, Lufta e Vietnamit, vitet 1960 dhe kështu me radhë deri në kohën e tashme. Të shkruarit është mënyra jonë e lehtësimit të mallit për shtëpinë.

    Përkujtimi njëjtësohet tek unë me mjedisin, me vendin ku ndodhin ngjarjet e një tregimi ose romani dhe është të paktën po aq i rëndësishëm sa çfarë rrëfen historia, “subjekti”. Në letërsinë time, personazhet nuk janë të pavarura, por lindin nga vetë karakteristikat fizike të vendeve dhe koha në të cilën jetojnë. Ka një përmasë shpirtërore në peizazhin që fotografët e talentuar mund të fotografoinë dhe shkrimtarët e talentuar mund ta përshkruajnë. Më ndodh shoesh të mahnitem nga përshkrimet e peizazheve, qyteteve dhe qytezave në letërsi (padyshim, më vijnë në mendje romanet e Dickens-it, Hardy-it, Lawrence-it, është e vështirë të përmendësh ndonjë roman që mbahet mend dhe të mos e shoqërizosh fort me “vendin”.) Dhe nëse mjedisi ku ndodhin ngjarjet i kundërvihet shpirtit, si në peizazhet e rrënuara në natyrë apo në qytete, kjo është pjesë e historisë që rrëfehet.

    Dëshmia.

    Shumica e popullsisë së botës, përmes historisë, nuk kanë qenë në gjendje “të dëshmojnë” për veten e tyre. Atyre u mungon gjuha, vetë-besimi, për ta formësuar gjuhën për këtë qëllim. Nuk kanë arsimim, si dhe fuqinë që vjen nga arsimimi. Politikisht, mund të jenë pa asnjë të drejtë si qytetarë, të rrënuar nga varfëria dhe kanë fatin e keq të skamjes, si në rastin e një gjymtyre të infektuar që kthehet në gangrenë. Ata mund të shtypen ose të terrorizohen që të heshtin. Jam e prirur të jem shpirtërisht në krah të atyreve individëve që shpërfillen nga historia, ashtu si nga ekonomia; porse janë përreth nesh, dhe bëhen të dukshëm vetëm kur ndodh diçka jashtëzakonisht e keqe, një fatkeqësi natyrore, ose një shpërthim çmendurie dhe dhune. Njëjtësohem (identifikohem) moralisht veçanërisht me gjendjen e vështirë të grave dhe vajzave në një shoqëri patriarkale, më trondisin mënyrat në të cilat dobësia mund të shndërrohet në forcë dhe dobësia në mbijetesë.

    Nëse shkrimtari ka ndonjë detyrim, dhe kjo është një çështje e diskutueshme, sepse shkrimtari duhet të mbetet i lirë, atëherë ky detyrim është që ai t’u jap zë atyre që nuk kanë zë.

    Vetë-shprehja.

    “Vetja” qëndron në thelb të saj, skajshmërisht e re, madje edhe adoleshente. “Vetja” jonë farkëtohet në fëmijëri, merr formë dhe pohohet në adoleshencë. Kjo është arsyeja pse ka shkrimtarë të shkëlqyeshëm, të parezistueshëm të “adoleshencës”, për shembull, Henry David Thoreau, Emily Dickinson, Ernest Hemingway (në tregimet e tij të hershme të shkurtra të vendosura në Michigan-in verior). Që kur fillova të shkruaj deri diku seriozisht kur isha shumë e re, vetja ime më e vërtetë dhe më mbizotëruese është ajo e adoleshencës, e cila përballet me një botë tnë thelb të mistershme dhe magjepsëse të të rriturve, si një enigmë për t’u zgjidhur, ose një kod për t’u deshifruar. Thelbi i adoleshencës është rebelimi, skepticizmi. Ai është shumë i shëndetshëm, qëndresë kundër rehatisë dhe dhe kompromiseve të asaj që ne e quajmë moshë të rritur dhe veçanërisht “moshë e mesme”.

    Propaganda, “morali”.

    Dikur shihej si një strategji jo plotësisht letrare e shkrimtarëve (Stowe, Upton Sinclair, Tolstoy, Eliot, Dickens) t’i drejtohesh lexuesit deri diku drejtpërdrejt, dhe t’i flasësh për paragjykime morale; tani, që kthesa e madhe për sa i përket ndjeshmërisë, lidhet përgjithësisht me dekadat e para të shekullit të njëzet, i njohur si Modernizëm, është praktikisht e pamundur të tregosh një pozicion moral në mënyrë dogmatike. E jona është, para së gjithash, epokë e ironisë, e të tërthortës, të paqartës. Siç këshillon Emily Dickinson, kur flet për kredon e saj: “Tregoje të vërtetën, por tregoje anash e anash, pastaj/ Arritje është të krijosh qarkun e saj. Dhe Virginia Woolf, ka shkruar këto fjalë emocionuese, çliruese: Arti po çlirohet nga të gjitha predikimet: nga gjërat në vetvete: fjalia në vetvete, është e bukur…. Pse e gjithë kjo kritikë ndaj njerëzve të tjerë? Pse të mos ketë ndonjë sistem që përfshin të mirën? Çfarë zbulimi që do të ishte – një sistem që nuk mbaron.

    Prapëseprap, shumica prej nesh që shkruajmë shpresojnë të ngjallin simpati për personazhet tanë, siç e kanë përcuaktuar George Eliot dhe D. H. Lawrence: do të shpresonim të mos zvogëloheshim në marrjen e një pozicioni politik, aq më pak të një partie politike – megjithëse shkrimtarët në pjesë të tjera të botës shpesh janë me këmbëngulshëm politik dhe janë aktivistë politikë, por ne shkruajmë me pritshmërinë që vepra jonë të ndriçojë zona të botës që mund të jenë krejtësisht të ndryshme nga përvojat e lexuesve tanë, dhe se kjo është një gjë e mirë. Zotërohesh prej një lloj instinkt “edukues”, duke shpresuar se nuk je “predikues”.

    Objekti estetik.

    Kjo nënkupton të shkruarit thjesht si i tillë, siç sugjeron Woolf – “fjalia në vetvete është e bukur”. Në fakt, është shumë e vështirë të shkruhet një vepër të qëndrueshme letrare e cila është “thjesht e bukur si e tillë”, sepse kuptimi formësohet edhe nga e rastësishmja, një këndvështrim moral krijohet edhe prej anarkisë, nihilizmit dhe jomoralitetit; thjesht akti i të shkruarit, akoma më shumë disiplina e rishikimit të dorëshkrimit, duket se mbart me vete një angazhim etik ndaj temës. Megjithatë, shumica prej nesh tërhiqen drejt artit, jo për shkak të rëndesës së tij morale, por më tepër sepse është “art”, pra është “artificial”, ka një lloj marrëdhënie të lartësuar, të rrrallë dhe shumë të veçantë me realitetin, sepse (thjesht) realiteti në vetvete këtë marrëdhënie nuk e siguron dot. Sigurisht, “bukuria” në art mund të jetë praktikisht çdo gjë, duke përfshirë edhe shëmtinë konvencionale, tëetrajtuar bukur, me origjinalitet. Në zgjedhjen e një gjuhe të përshtatshme për një vepër letrare në prozë ashtu si në poezi, shkrimtari bën një zgjedhje estetike: hedh poshtë të gjitha gjuhët apo “zërat” e tjerë; luan kumar duke vënë bast se ky zë i veçantë është zëri më më i mirë për këtë lëndë letrare. Shprehja “Art për hir të artit” në të vërtetë do të thotë “Art për hir të bukurisë”, përmbajtje e çdo lloj romani letrar ka më pak rëndësi se gjuha në të cilën rrëfehet romani.

    Tani që pjesa më e madhe e botimeve është digjitale, libri si objekt estetik është i rrezikuar. Rrëfimi i historive nuk ka të ngjarë të zhduket, por librat tri-përmasor fizik të përbërë nga faqe reale (letër me cilësi të ndryshme), me mbulesat e tyre janë të rrezikuar. Shumë prej nesh që duan të shkruajnë i duan shumë librat, dukurinë e librave. Fillimisht mund të kemi ndjerë yshtjen për të shkruar ngaqë u dashuruam me disa libra të zgjedhur në fëmijëri, të cilët kemi shpresuar deri diku t’i përsërisim. Shpresuam, sadoqë në mënyrë fantastike, të bëhemi pjesë e shoqërisë së përzgjedhur të atyre individëve, emrat e të cilëve janë shtypur në ballina librash. Nuk është se synonim ndonjë lloj pavdekësie, ky pasion na gllabëroi kur ishim fëmijë, shumë kohë para se pavdekësia dhe vdekja të ishin çështje për t’u përsiatur. Në të vërtetë u pushtuam nga pasioni dhe u rreshtuam përkrah një lloj bukurie, një objekti që duhet të mbahet në dorë, dhe të kaloj dorë më dorë, një objekt për t’u vendosur në raft, me mbulesën e bukur të kthyer nga bota. Siç ka shkruar Frojdi në mënyrë të paharrueshme tek “Qytetërimi dhe pakënaqësitë e tij”, “E bukura nuk ka përdorim të dukshëm dhe as nuk ka ndonjë nevojë të qartë kulturore pë të. Megjithatë, civilizimi nuk mund të bëj pa të bukurën”.

    A do të ishin munduar kaq shumë shkrimtarët e mëdhenj të traditës sonë, James Joyce, për shembull, dhe me një përkushtim kaq të paepur, nëse produkti i fundmë i punës së tyre s’do të ishte asgjë më shumë se arti “onlajn”, i mbështetur thjesht tek energjia elektrike, patrajtshmëria, anonimati, i thirrur si xhindi që duhet të dal nga shishja, për t’u dëbuar menjëherë në nëntokën e hapësirës kibernetike? Ashtu si Joyce, shumica e shkrimtarëve ende dëshirojnë qëndrueshmërinë e përhershme të librit: jo të librit si ide por si objekt fizik, estetik. Kjo ngjan kaq shumë me vajtjen tek sakramenti, i cili, për disa prej nesh, mrekullisht është aq afër sa duhet.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË