More
    KreuLetërsiShënime mbi libraJosif Papagjoni: Humor i zi dhe burlesk në një libër të Ylli...

    Josif Papagjoni: Humor i zi dhe burlesk në një libër të Ylli Pangos

    Njeriu ecën udhës së tij, kridhet në ujanën ku ndjen, beson dhe di se noton më mirë, por ja, befas diku atje tej ka një tjetër ujanë, si blu, si e spërndritur, diç e ëndërrt. Kjo është letërsia. Dhe ai pashon aty të rrijë qoftë dhe pak asaj ujane blu, të thurë dhe ai një ëndërr, të shkrydhet, të këndellet. Ylli Pango është një profesor i njohur i psikologjisë me një mori librash. Por tundimi i Circes a Kalipsosë, pra i magjisë, i sugjestionit e mban udhëtarin në gjirin e vet si Odiseun motit. Edhe letërsia e paska tunduar profesor Yllin që t’i gëzohet hireve të saj, sadokudo e sidokudo. Sepse letërsia mbetet përherë një “tokë e premtuar”. Ka vite që luan me germat dhe ka botuar disa vëllime me skica e tregime të shkurtra.

    Ishte kënaqësi për mua të rrugëtoja fantazisë dhe ligjërimit të Ylli Pangos në librin “Transplanti i Paganinit”, një libër me skica letrare, miniatura, a t’i quajmë më shqip “shkurtima”, diku-diku edhe tregime, rrëfime të përthyera jete, lodrime të mendjes për njerëz e dukuri që kanë qenë brenda tij, por dhe brenda nesh në një mjedis social sa traumatik aq dhe grotesk e qesharak. Ajo që unë doja ta thosha në krye të herës është ironia që rri si një vesk mbi fjalën, që e bën prozën e tij të këndshme, që i jep sqimë, që na argëton dhe ne ndjejmë mendjen tonë të luajë edhe ajo si shkrimtari. Pastaj doja të shtoja ritmin, sintaksën e “prerë”, ku fjalët rreshtohen si falangat, ngjeshur e sup më sup, paçka se rrinë edhe më vete: një vargan përplotësimesh fjalë pas fjale duke krijuar tipologjinë e një ligjërimi ngulmues. Mëpastaj dua të vë në spikamë fuqinë e sintezës, ku me pak fjalë lihet në mendje një vragë e madhe, ku domethënia edhe pse e pohuar ashiqare seç ka përbrenda sfidën e hedhjes së  “dorashkës” fytyrës, pra kritikën sociale, stigmën, thumbin e pamëshirë. Jo njëherë autori nuk do, madje, as të zgjatet margjinave të një subjekti a rrëfimi të dhënë, qoftë ai edhe si shkurtesë, por i pret shkurt gjërat. Ai ofron veçse një ndjesi, një konstatim, një ide, një emocion të beftë dhe kaq. Në këtë libër ti has pastaj, në shumicën e rasteve, gjakimin drejt një strukture rrëfimore, le ta quajmë “klasike”, ku dallohen elementet e qenësishëme shekullore: subjekti, personazhi, konflikti, intriga etj. Dhe përherë ti vë re se bartja dramatike, si tharmi i narrativës, asnjëherë nuk vjen pa u shoqëruar apo pa u fshehur nga dhe pas sarkazmës së hidhët, ironisë sfiduese. Këto të fundit duken ashiqare, se janë mënyra e të menduarit dhe të përjetuarit të Ylli Pangos. Më në fund, të lë përshtypje të mirë loja me zhargonin gjuhësor të Tiranës, e cila sikur e mbush me lëng personazhin, e bën kokoroç dhe i jep një fytyrë komike prej Shvejku. Kjo teknikë e bën, si të thuash, “kukullore” atë çfarë ngjet dhe vetë personazhin.

    Më poshtë dua të sjellë disa mbresa a vetima idesh që ma kanë kapur mendjen në befasi… Pas një fatkeqësie dhe shkretimi te një vejushë, shkrimtari vë re bulëzën e jetës që nuk rresht, por diku frymon, qoftë dhe heshturazi e në vetmi, teksa rituali i mortit kryen të “thënat e të pathënat” e mërzitshme e pikëllimtare. Sigurisht aty është shtirja, ai tjetërsimi shpëtimtar i mendjes që vdekjen dhe jetën t’i mbajë veç e veç, si një instrument për të mbledhur ca grimca lumturie të mbetura ende mbi sofër. Por autori diku hedh një vel dyshimi se vejusha mund t’ia kishte “dredhur” paksa burrit të vet. (Pas të dyzetave). Diku proza e Yllit shtrihet si në një deltë a jalli, e paqme, elegante në narrativën e saj si te “Po vërtet, ku u zhduk Isabela”. Ai hedh aty një dyshim kryekreje dhe pastaj e lë rrëfimin, për ta risjellë si befasi në formën e një pyetjeje sifiduese, se ku kishte mbetur vërtet Isabela, e cila kinse neveritej nga një zezak me legjendën e njeriut epshor. I dukej ky zezak madje i ndyrë, budalla, por ja që hë!… Ajo nuk kishte ardhur. Ndoshta kishte rënë edhe ajo pikërisht nën trupin e njeriut që e shante, por që nepsi i saj femëror e pat lakmuar sakaq. Ja që njerëzit luajnë me dyanësinë e tyre, i mbulojnë dëshirat që i djegin nga brenda si eshkë me pak moral dhe retorikë, teksa kridhen nën gravitetin e mëkatit të ëmbël dhe ulërimës së kafshës… Të vdesësh e lumtur afër shtëpisë se ia hodhe të shoqit duke e tradhtuar pak më larg, i jep frymë tregimit “Vrasës në dy kohë”. Është një përsiatje gjithmonë ironike për vrasjen, gjithmonë me një mënyrë të shkruari mbushur plot me të kundërta, tallje, ku bëzan thellë-thellë domethënia morale dhe politike e kohës. Vrasja si krim i përsëritur i kthyer në zakon e profesion, fillimisht shkakton tmerrin te të tjerët, më pas edhe tmerrin ndaj vetes, deri në vrasjen tënde. Si një strukturë rrëfimore policeske ngjan se është tregimi “Një nimfë vërtet?”, ku fshehtësia, krimi, veprimtaria agjenturore, edhe pse të duket si e një Mata Hari, ka aromën e kohës kur femra të bukura, thuajse nimfomane, që çmendin meshkujt dhe ua heqin turin, fshehin sekrete e plane të rrezikshme shtetesh e rivalitetesh politike të një dimensioni ndërkombëtar. Dhe i ngrati, budallai dhe i mashtruari njeri nuk arrin të kuptojë. Madje mbetet në dilemë, se vërtet femra të tilla a dashurojnë vallë ndonjëherë apo veçse robërojnë të tjerët me hiret e tyre dhe aftësinë për të të bërë një idiot të lumtur. “…Pat qenë thua, jo pak, por shumë më ndryshe nga një nimfë e zakonshme. Një nimfë që hidhte në atë oqean grepin me karremin joshës të dashurisë për të peshkuar më tepër, shumë më tepër?! Ku ta dinte…” Eh, sa Lolita ka jeta!…

    Tregimet e Y. Pangos sjellin një botë përtej shqiptare dhe kjo është një veti që lipset përshëndetur. Afërmendsh lidhet me përvojat e tij jetësore dhe njohjet e shumta. Por subjektet, personazhet, ndodhitë duket se e zhvendosin letërsinë e tij nga caqet e një hapësire të ngushtë kombëtare, për të lundruar në të tjera hapësira. Dhe këto hapësira, ndonëse të ndryshme në zakone, karaktere e bëma, kanë diçka të përbashkët dhe të pandryshueshme, përjashtimisht letrare dhe estetike: njeriun si qenie, njeriun si mënyrë të menduari e të sjelluri; kanë të përbashkëta domethëniet e afërta, të ngjashme apo të ndryshme; në fund të fundit, ato janë histori njerëzish që veç kureshtjes na mësojnë për shumëçka. Ndoshta ne e marrim me mend si e qysh, por nuk e kemi hasur. Kjo sepse rrëfimet, edhe ato të voglat, janë origjinale, të ngjashme me “thagmat” dhe “çuditë” e padëgjuara. Epo letërsia i lakmon kësi gjërash sepse tek e pabesueshmja ajo ngjiz e projekton të besueshmen dhe tek e rëndomta ajo zbulon shpirtra të kredhur në drama mbijetese. Letërsia, edhe kjo e Ylli Pangos, grishet tek ato të veçanta e të “pangjara” që e mbajnë ndezur kërshërinë tonë. Te “Dilemat e Elisabetës” për shembull është blerja e trupit për pakëz aventurë, për pakëz jetë ndryshe. Paçka se ti mund të flirtosh me neverinë, gjithsesi ke ndjesinë e triumfit dhe suksesit se paske shfrytëzuar dikë të nginjur me para, ani pse i shëmtuar, ani pse ndryshe nga ty. Në këtë rast flirti është i natyrës dramatike, lumturia e përftuar është më shumë një bezdi e mërzi sesa një kënaqësi e vetëdorëzim.

    E thashë se ndër gjërat e holla të këtij libri është tallja, ironia, shpotia, që shkaktojnë një humor të beftë, herë të ngjyer me një banalitet jetësor tipik të basifondeve sociale e herë tjetër të lartësuar në epëritë e satirës. Për t’i shpotitur personazhet e vet Pango përdor llagape e cilësime emrash që e kanë brenda talljen, humorin si Qyteti Beton, Skërka, Butforti, Qefqep, Bëma, Gjëma, Çim Lecka etj. Ky asht ironik e satirik kthehet në një mori gjilpërash të holla shpuese, pickuese, ku mprehtësia e mendjes së shkrimtarit rri përherë aty, pas teje, duke të nxjerrë gjuhën. Një ironi që edhe qesh edhe qan. Kjo bulëzon, bie fjala, në prozën “Shitorja e lavdive të vdekuna”, ku njerëzit për të jetuar kapen edhe pas një tregu që në qytetet e vogla shqiptare nuk funksionon. Është iluzioni i një qenësie të pamerituar teksa relikte të njerëzve kinse të “lavdishëm” mes qytetesh të “palavdishme”, kthehen në një pirg rrangullinash ngarkuar në një dum-dum dhe flakur në landfill, incinerator a falur gabelëve! Por edhe gabelët nuk i donin më “lavditë e vdekura”. Hej, dreq o punë! Shkëlqimi i antikave dhe bizhuterive, ndryshe nga vendet e luksit, qenka kilometra larg nga depot tona shqiptare të mykura, akulturore, zakonore e qytetëruese. Gjithaq në oshilacione ironie vjen edhe tregimi “I vetmi takim dashurie i Narcisit”, por tashmë i kërkohet ndihmë edhe mitit, jo aq te domethënia universale e tij sesa te shprehja poetike e ajo karakteriale.

    Tregimet dhe shkurtimat kanë një kureshtje të madhe, ngjajnë herë-herë si rubrikat e  “National Geografic”, por veç me ca penelata të shpejta që sjellin fluturimthi mbresën e duhur. Dhe gjithnjë të shoqëruara me pak vesk ironie. Herë tjetër ato bëhen shtretër të ngrohtë dhe “azile” shpirtash, për t’u dhënë strehën e fundit të lumturisë ndoca njerëzve që fati nuk i ka dashur a i ka refuzuar si te “Transplanti i Paganinit”. Autori merr në mbrojtje jo mediokrin, por  njeriun që ëndërron suksesin dhe nuk e ka. Nuk është, sigurisht, një Salier i Pushkinit, që brehet nga zilia ndaj gjenisë së Moxartit dhe shndërrohet në një djall të vogël, por artisti jo aq i “pa fat” sesa viktimë e dëshirës dhe vullnetit të prindërve të tij për ta bërë medoemos artist. Sa vetë kanë humbur kësodore, sa brenga më kot janë shkaktuar nga autoritetet abuzive të prindërve dhe snobizmi i tyre, që jo rrallë e mbyt njeriun, që e bën të vuajë edhe paaftësinë, edhe pavëmendjen, edhe shpërfilljen e mjedisit të punës. Andaj autori gjen si ngushëllim për personazhin e tij një mjet surreal, një iluzion a ëndërr: e transplaton shpirtin e mediokrit në një Paganin duke përftuar, një herë të vetme në jetë, drithërimën e thellë të artit, suksesin dhe empathinë e spektatorëve. Shpirti i Paganinit, pra shpirti i artit të madh, nuk vdiste veçse shkonte nga trupi në trup “në këmbim të lavdive të jashtme jetëshkurtra të shpirtrave mediokre, brenda trupave a lëvozhgave të artistit të madh, që vdisnin e vdisnin pa rreshtur, por pa shpirtin e tij brenda. Shpirti i tij, shpirti i artit të madh jetonte e fluturonte i pavdekshëm nga njeri trup tek tjetri, nga njera zemër në tjetrën…”

    Shpesh Pango i quan tregimet e tij me cilësime ironike si p.sh. “palo-tregim”, “tregim bio”, “tregim cinik” etj. Shpesh e më shpesh skicat dhe rrëfimet e tij vijnë prej realitetit të fundmë politik të vendit; ai ndryshon pak gjëra, ndonjë emër, simbolikë dhe kaq. Diku ecën publicistikës dhe i thotë gjërat troç. Tepria me dekoratat nga ana e Presidencës të kthyera si “teneqe”, është vërtet një zvetënim i misionit vlerësues të meritës duke e shndërruar atë në një “treg” simpatish dhe votash. Edhe ne miniatura të tilla si “Zëri apo zëthi” ka një dije filozofike dhe satirë që merr flatrat e fantazisë dhe trillit duke lëvruar idenë se personaliteti, lavdia, vetë njeriu nuk mund të shiten, as të kthejnë kohën pas, pasi koha vetë e ka shpërdoruar këtë njeri, ndërsa lavdinë e dikurshme e ka kthyer në një “biznes” e mashtrim për të fituar, për ta mbajtur me iluzione dhe për të gënjyer të tjerët. Te “Lavdia coprash” është tallja me mburrjet kombëtare në një Shqipëri të shpopulluar, të mjerë, qesharake, me copëra lavdish të sajuara. Një nga tregimet më të bukura, ku përshkënditet një satirë e pamëshirshme është “Njeriu që vratë pa dashje”. Është gjithë ajo ndyrësi shpirtërore, ajo zhbërje morale dhe krejt shoqëria kriminale me sistemin e vet të spiunimit të ngritur në drejtësi, që vjen në një subjekt jo aq konkret sesa të përgjithësuar. E lexon me qejf dhe sheh se si sarkazma e Pangos edhe të bën të qeshësh, edhe të ngjeth për tmerrin që ndryn përbenda. Ai shkruan:

    “Bëmo Sakën Bëmaj. Nganjëherë Edhe Bëmo Sakën Gjëmaj. Fshati quhej Bëmaj apo Gjëmaj. Ai emri Sakën i babait i doli më për mbarë kur e çuan të studjojë në Itali se vendasit e Apenineve dhe një e dashur e vetme nga Serbia që zuri, zunë e thërrisnin Sakino. Gjyshi Qefqep që ish bërë sebep për atë emër, u shpjegonte se “kështu quheshin të parët tanë në Pulaguras. Më këtë anë të lumit. Atë krahun tjetër nuk e di u’… pjesni ndonjë tjetër”.

    Tregimi konceptohet si një alternim midis rrëfimit të autorit dhe figurës së një psikologu. Realiteti mbetet po gjithmon i pistë sepse bijtë e komunistëve të dikurshëm dhe elitave të krimit vijojnë edhe në sistemin e ri, në një demokraci të keqkuptuar dhe të ndotur, ku ndëshkimi i së kaluarës nuk ka ndodhur dhe ku fytyrat groteske të “njerëzve të rinj” të shkolluar në Perëndim s’jane veçse ca monstra dhe qesharakë që sigurojnë vijimin e të vjetrës tek e reja…

    Lakmia për para, kthimi i saj në qëllim, kurruptimi dhe zvetnimi që ajo bën; shpifësi dhe shpifja që zënë rrënjë dhe jetojnë sepse njerëzit e kërkojnë, helmohen me të; hiçi dhe pamundësia e të qenit vetvetja, riciklimet te të tjerët duke mbetur pa identitet, një kot; shoqëria e rëndomtësive televizive, që kthen e bën “hero të kulturës” gazetarë të spekulimeve dhe mediokriteteve kulturore, kur libri vdes dhe shndërrohet në një fosile; meditimi për vdekjen, atë çast të shkurtër sa një grimë kur ti ikën prej kësaj bote, dhe krejt një jetë në dukje e pafund, shuhet në beft, bëhet hiç; njerëz të paditur, katunarë e injorantë si Skërka nga Skërka zënë kyçet e vendit, se janë pjesë e partisë dhe besnikë të liderit; universitetet dhe diplomat e kthyera në paçavure tregu – këto e të tjera janë dufe zemre që zbrazen në majën e penës së Ylli Pangos duke na dhënë profile jete që i shohim përditë, që na revoltojnë, që na neveritin e që s’kemi ç’u bëjmë. Cest La vie!…

    Dhe si për t’i ikur këtij bërlloku ai kërkon një prehër nëne, qoftë dhe të qajë pak, t’ia puth duart, si nënës së vet. Ose arratiset si çdo shkrimtar në mugëtirat e veta poetike të një realiteti të sajuar onirik, si për të gjetur oazet prej beduini zhegut të shkretëtirave politike e sociale të Shqipërisë postkomuniste, shpesh të rrumpallës dhe paditurisë së frikshme. Dhe asiherë, siç bën me skicën poetike “Do të doja”, ai klith në një shfrim lirik të asaj dëshire, që fle përjetësisht te njeriu: të qenit në majën e lumturisë, aventurës dhe ëndrrës. Është e shkruar e gjitha me një frymë, e gjitha poetike. Ndërsa tregimi “Miqësia” vjen si një klithmë e dhimbje shpirti, thellë, shumë thellë, aty ku njeriu rrënjëzohet. Prandaj miqësitë e sinqerta kur zemra i do, janë pasuri të rralla që askush nuk i zëvendëson dot. Ato ngjajnë si gjaku, si vëllazëritë, kur dashuria s’ka “motiv” se është vet motivi. “Andrat kah moti” është një poezi për njerëzit që jetojnë dhe plakjen s’e qasin. Nuk është sunduese kjo psikologji, por ata që e kanë janë fatlumë. Ikin tre vetë, por me mendjen e bukur se jeta duhet jetuar, se jeta është dhuratë, një gëzim.

    Jetoje jetën, o njeri! – të flet ëmbëlsisht ky tregim. Edhe autori, besoj!…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË