More
    KreuLetërsiShënime mbi libraJosif Papagjoni: Dy antogjitë e Stefan Çapalikut

    Josif Papagjoni: Dy antogjitë e Stefan Çapalikut

    Stefan Çapaliku e ka bërë zakon që çdo botim të ma sjellë dhe më pas kërkon një mendim. Kështu bëri edhe kësaj here, në këtë kohë pandemie, me dy librat e tij të fundit, format xhepi: 1) Një antologji e vogël e jetës, 2) Një antologji e vogël e vdekjes (Botimet Fishta, 2020). Kësaj radhe po them disa fjalë për librin e parë. Ndoshta sepse Stefani është një “qejfli” i njohur barsoletash, që ndrit nëpër tavolina miqsh e fiton vezullimin e njeriut që gazmon veten dhe miqtë, që krijon gjithkund simpati. Edhe dramaturgjia e tij ka shumë humor të tipit të “barsoletës”, pra një lloj “salce” e përdorur me frytshmëri, përfshi posaçërisht befasitë humoristike, replikat e mprehta, fundet e papritura. E para gjë që duhet ta them menjëherë është fakti se ky libër është libri i parë në historinë e letrave shqipe, që bën objekt këtë lloj të shkurtër të komikes, barsoletën. “Barsoleta është një formë humori që vjen dhe shkon bashkë me lindjen dhe vdekjen e një civilizimi”, – përcakton Çapaliku. – “Ajo është një shpërthim verbal sintetik, me rrënjë të ngulura thellë në një moment të zhvillimit të shoqërisë dhe me karakteristika po kaq të qarta historike”. Dhe në voli të këtij argumenti ai sjell citime e ide nga filozofë dhe estetë të njohur të botës, si Bergson (nga libri i tij “E qeshura”, përkthyer edhe në shqip më 2015), Sigmund Frojd, Holt Jim, Ben Lewis, Marks, Robert Provine, Lazar Sheresgwsky, Maria Todorova etj.

    Në fjalorët terminologjikë të estetikës së humorit barsoleta, si lloj i shkurtër e telegrafik, në gjuhë të ndryshme ka edhe emërtime të ndryshme, si, bie fjala, në rusisht ajo quhet “anekdot” apo “shutka”, në gjuhët latine vijon në versione të ndryshme të termit, në gjuhën italiane “barzelleta”, në anglisht njihet si “joke”, ndërsa në gjermanisht, çka ka fituar edhe një përdorim simptomatik në optikën teorike estetike, quhet witz. Cituar sipas Gustav Rene Hocke-it, në librin Manierizmi në letërsi, ASMUS, witz-i (blague, witt, barzelletta) është një formë rrëfenje apo gjëze, përgjithësisht shumë e shkurtër, që krijon një situatë komike të papritur. Edhe në kuptimin e sotëm ajo shfaqet si një tekst i shkurtër (rrëfenjë, bisedë, pyetje-përgjigje etj.), që krejt papritur kalon nga një gjendje tek tjetra. Ndryshimi i përnjëhershëm i pozicionit quhet Pointe. Çapaliku vërteton te libri i tij se ky lloj i shkurtër i humorit, i njohur, pra, më së shumti me emrin “barzellete” apo “anekdotë”, ka qenë i pranishëm gjithkund në jetën artistike të estradave shqiptare. Ato janë shfrytëzuar si shkarkesa të dobishme psikologjike në kushte trysnie politike gjatë periudhës së diktaturës, sa dhe në kushte të jetës aktive të njerëzve, në raste gëzimesh, tubimesh, tavolinash, festash miqësore, ritualesh festive etj. Të katërta emërtimet e mësipërme të këtij lloji të shkurtër (“telegrafik”) të dramaturgjisë me objekt komiken, humorin, janë ndërvepruese me pritësin masiv në krijimin e mediumeve sociale të shëndetshme. Nga ana tjetër, barsoletat përsëriten shpesh e më shpesh dhe krijojnë qindra invariante, pasi funksionojnë si letërsia gojore dhe ruajnë parimet e kulturës folklorike popullore, ku “krijuesi i parë” e humbet autorësinë dhe ai bëhet “kolektiv”. Çapaliku nuk merret aq teorikisht me argumentin dhe as i mëshon atij, sepse e identifikon qerthullin e barsoletës përjashtimisht në qytetin e Shkodrës, me të cilin përherë rreket të identifikohet dhe të shpërfaqet si bard i saj dhe një “shkodran i thekur”. Çdokush ka një mall, një “plagë”, një merak, një peng, që e mban mbi shpinë; a një “dashnore”, falë së cilës mallëngjehet dhe na mallëngjen. Njësoj bën edhe dramaturgu i njohur me qytetin e tij të lindjes. Kjo s’prish punë. Por unë do të doja vetëm t’i thosha mikut tim se tema është mjaft interesante në vetvete, krejt e parrahur dhe e pashkelur në studimet tona letrare e antropologjike. Mua për vete më intrigon shumë. Do të ishte një ndihmesë e vyer, doemos e munguar, me patjetër meritore, që ai ta lëvronte më tutje, pra edhe si një studim të thelluar nesër në rrafshe sa letrare, estetike, aq dhe antropologjike. Por sot kemi këtë qasje dhe lipset, pra, të flasim përjashtimisht për atë. Dua të sjell në mendje këtu një ide-sintezë të Novalis, i cili përcakton se barsoleta apo witz-i është pjesë dhe gjendje e “elektricitetit të shpirtit…” Vërtet unë kam qeshur mjaft me barsoletat që Stefani ka sjellë në faqet e librit të tij. Dhe dua të kujtoj një mendim të Sigmund Frojdit i cili vërente se witz-i ishte gjuhë e pavetëdijes, njësoj si ëndrrat, gabimet apo simptoma të tjera. Ai kishte, sipas filozofit, një përmbajtje të dukshme dhe një përmbajtje të fshehtë: e qeshura shkaktohet nga rishfaqja e përmbajtjeve të hequra dhe nga shmangia e frenimit shtypës.

    S. Çapaliku na bën me dije se barsoletat kanë qenë përherë një premisë gëzimi mes njerëzve, kanë krijuar atmosferë gazmore në meset sociale, duke kontribuar në shëndetin e shoqërisë edhe në periudha të rënda si ajo para vitit 1990. Përveç meseve sociale, edhe në skenat e estradave shqiptare, megjithëse jo të shpeshta, pasi quheshin “humor i lehtë”, pa peshë, joproblematik, përkundrazi anekdotat, barsoletat, grimcat humoristike, epigramet fituan hapësirë gjithnjë e më të lakmuar e të mirëpritur te publiku i gjerë, posaçërisht në vitet ’80, duke ofruar një gjuhë më të shpenguar e më të shkathët në bërjen e humorit dhe duke shmangur retorizmin dhe skematizmin e rëndë tashmë ngufatës e asfiksues. Siç bën me dije autori, kjo gjini pak e pranishme në skenat dhe ekranin e televizorit (të vetëm shqiptar TVSH), pas viteve ’90 pati një përdorim të gjerë, si për të “shfryrë” dufin e mbledhur nëpër vite nga shtypja dhe ndalesat dhe për ta “institucionalizuar” më në fund atë, sidomos në edicionet televizive humoristike.

    Duke e këqyrur lëndën e librit, teksa lexoja barsoletat e përzgjedhura nga Çapaliku, më duhet ta them se qeshja shpesh me veten dhe ndieja kënaqësinë e “shkrepjeve” dhe “befasive” të këndshme që ato më jepnin. Por unë e di se në tavolina, barsoletat provokojnë humor shumë më brufullues, pasi janë tri faktorë që e mundësojnë këtë, siç vëren dhe autori: a) bashkësia e njerëzve, b) mediumi receptiv e ritualistik (banket, festë, dasmë, gëzim familjar, shoqëror, “sebep”) dhe c) aftësia e atij që tregon (narratorit). Çapaliku është vetë një nga “mjeshtërit” e njohur të rrëfimit të barsoletave. Madje, ndonjëherë, ai krijon ndonjë personazh pranues mes miqsh dhe i atribuon atij një mori barsoletash, si p.sh. “ka thanë X-Y”, ose “ja ç’i paska ndodhur njëherë X-Y”. Është me interes të thuhet se pavarësisht vëllimit të vogël shkrimor, në rastet e gjetjeve të mprehta te gazmoret, anekdotat, barsoletat, grimcat humoristike, epigramet e shumta, ato bëhen tejet interesante, me funde të befta që shkaktojnë menjëherë një humor të shpenguar, të lirë. Shpeshherë në këto lloje të shkurtra të humorit aplikohen fillimisht ekspoze si të “zgjatura”, të cilat krijojnë trysninë e nevojshme dhe suspansin, ndërsa mbyllja është e menjëhershme, me një batutë të bukur dhe shumë të mprehtë, që nuk të shkon në mendje, që ka në rrënjë të vet një kundërshti të shfaqur haptazi dhe befasisht, duke vijuar me një ide të mprehtë, më së shumti me natyrë pozitive e dashamirëse, sikurse dhe me identifikimin e një problemi, çështjeje apo argumenti të mprehtë.

    Në librin e tij Një antologji e vogël e jetës e shkrimtarit dhe studiuesit Stefan Çapaliku flitet pikërisht për barsoletën në Shqipëri, duke u ndalur kryesisht tek ato që kultivoheshin dendur në qytetin e njohur të humorit, Shkodër. Humori i këtij tipi është një manierë e përshtatur në mënyrë arbitrare. Pikërisht tek “arbitrarja”, siç thoshte Kanti, qëndron edhe ajo që tek witz-i është pikante. Prandaj edhe filozofi do ta cilësonte shkurt këtë lloj letrar të humorit me fjalët: “Arsyeja është sublime, “witz”-i është i bukur”. Me fjalë të tjera, paçka se barsoleta apo witz-i nuk mbërrinte dot në lartësinë dhe “dinjitetin” e arsyes teorike, ai ishte mjaft tërheqës dhe pasoja që sillte shoqërohej me një ngazëllim kolektiv; kjo falë bukurisë së tij, mendjemprehtësisë, befasisë, lojës së mendjes në vrapin e të papriturave, shkathtësisë lojcake të mendjes që sa të huton, aq dhe të jep gjithë kënaqësinë e zbulesave.

    Nga pikëpamja e ndërtimit libri nuk pretendon ndonjë strukturë të ndërlikuar, përkundrazi niset nga kriteri i krijimit të disa tipologjive konkrete, duke u rrekur sakaq edhe të paraqesë po ashtu disa narrativa nga më të pranishmet në fondin e madh të barsoletave. Vend të veçantë ai i kushton humorit politik para vitit 1990, duke bërë madje edhe polemikë me një studim të një autoreje të huaj se në Shqipëri, në periudhën e diktaturës, humori politik qe i munguar. Autori paraqet disa nga anekdotat më me “spec” që qarkullonin asohere, të cilat vërtet janë shumë të mprehta, duke theksuar se ky lloj humori politik pas vitit 1990 erdhi duke u rrudhur dhe duke humbur mprehtësinë dhe fuqinë e fshikullimit. Kategorizime të tjera, të shoqëruara me barsoletat më domethënëse sipas autorit, libri përcakton disa, si: barsoleta që u kushtohen profesioneve të ndryshme, si ato për doktorë, farmacistë, mësues, kamerierë, shitës, berberë; pastaj me interes janë barsoletat me të dehur, me vajzat bionde, me kafshë, barsoletat për marrëdhëniet në çift, ato që lidhen me cilësi, karakteristika e zakone të ndryshme të krahinave të vendit, ku spikat krahina apo qyteti i Gjirokastrës dhe gjirokastritët. Kategori të tjera janë dhe barsoletat kushtuar klerit, sidomos ato me policët etj.

    Në përmbyllje të librit të tij Çapaliku sjell në kujtesë disa nga humoristët më të shquar të qytetit të Shkodrës që ishin tejet të njohur për gazmoret e tyre, shumë syresh të bëra popullore dhe që e kaluan perimetrin e atij qyteti. Tefë Palushi (1943-1985), i njohur njëkohësisht edhe si karikaturist, ishte një mendje e mprehtë dhe krijues gazmoresh. Shumë nga barsoletat nuk ishin të tijat, por quheshin si të krijuara prej tij për shkak të emrit që kishte fituar, mprehtësisë së tyre, gjer edhe të mangësive fizike që ai, për fat të keq, kishte dhe e shndërronte vetveten shpesh në objekt humori. Tano Banushi (1927-1993), aktori i shquar i estradës së Shkodrës, qe edhe një mjeshtër i fjalës dhe frazës humoristike, të cilit i njihen shumë barsoleta. Nexho Shabani (1954), një humorist me veti të lindura e burimore, vijon edhe sot të krijojë në këtë lloj të humorit.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË