Në këndvështrim psikonarrativ e psikanalitik, Aksidenti i Kadaresë është ndërtuar me një rrëfim të narratorit të gjithëdijshëm në trajtë zhgjëndrre/ përmendje pas ëndërrimit dhe me një gjendje të ndërmjetme ëndërrim/ paraepasëndërrim, që zbulojnë vetëdijen e protagonistëve. Zbërthimi i marrëdhënies mes stazhieres së Institutit Arkeologjik të Vjenës, vajzës 23-vjeçare, Rovena St., dhe analistit që bashkëpunonte me Këshillin e Evropës për çështjet e Ballkanit Perëndimor, Besfort Y., shërben si kryetregimi e kryehetimi që na drejton në kryeenigmën e historisë së rrëfyer – aksidentin ose/ dhe vrasjen, për të cilën herë rrëfen narratori e herë vetërrëfejnë personazhet. Paraqitja e karaktereve kadareane si figura të ngrira danteske, me ndriçim të zbehtë; lidhja frojdiste thanatos–eros; ndërkëmbimet “mauzole–motel” dhe “padron–vajzë luksi”; gjendjet ante- dhe post-mortem luajnë një rol kyç në narracion, ku rëndësi parësore, më shumë se shpalosja e domethënieve, ka zbërthimi i këtyre përbërësve përmes marrëdhënies psikonarrativë–zhgjëndërr. Në rikujtim të marrëdhënieve/lidhjeve dashurore spikat ndërveprimi i ndërsjellë thanatos–eros, përmes të cilit narratori-investigues supozon se shpjegon dukuritë jetësore të personazheve, duke i ndarë përfundimisht, njërin në thanatos (Rovenën – personazhin femër), tjetrin në eros (Besfortin – personazhin mashkull). Në funksion të shtytjeve të egos, ashtu sikurse shpjegon Frojdi, edhe karakteret kadareane – si individualitete – qëndrojnë në vetvete (egoizëm); dhe tejkalojnë vetveten vetëm kur bashkohen me karakterin/ individin tjetër. Egoja i drejton në shtysat seksuale, duke i vënë në konflikt të përjetshëm.
Karakteret janë në të njëjtin rrafsh, me ndriçim thuajse të zbehtë, dhe e gjejnë veten në një ngrehinë të ndërmjetme, njëfarë mauzoleu-motel… Kthimi i së dashurës në “call girl”, ishte një mënyrë për t’i hequr asaj “kurorën” e dashurisë. Në këtë pikë, personazhet zbehen gradualisht, për t’u ngurtësuar e shpërfaqur si figura “të ngrira” danteske, shndërruar në basoreliev gipsi e të mermertë, duke mos guxuar shkeljen e paktit të përjetshëm midis klientëve dhe vajzave të qejfit: mosputhjen… Konfiguracione të tilla përftohen nga ndryshimi në rrafshin diskursiv-semantik dhe në marrëdhënien e tyre: e dashur vs. call girl si eufemizëm/faza embrionale, dhe kukull vs. ein mannequin/ftohja e dashurisë. Vajza në taksi “nuk” ishte më Rovena St., por shëmbëlltyra e saj: Pra, udhëtari, njeriu, po përpiqej të puthej me një trajtë. Ose trajta me njeriun (Vepra 17, f. 207). Rindërtimi i skemës përfundimtare prej hulumtuesit, lidhet me katër elemente kyçe: një çift dashnorësh; një kukull; një puthje e pamundur, dhe kryesorja një vrasje. Rrjedha rrëfimore, e cila fillon së prapthi, me vdekjen e personazheve e më pas me rindërtimin e jetëve të tyre të njëmendta, ka efektin e suspansës/pezullimit, që vjen si një kombinim mes pritjes e pasigurisë. Jetët njerëzore dukeshin kaq të përafërta sa shëmbëllenin mijëra vjet, siç shëmbëllen pasqyra imazhin e saj, aq sa pluhuri i harresës nuk ka mundur t’i tjetërsojë. Universalizmi i jetëve njerëzore dhe rishfaqja e arketipave njerëzorë, nuk përbën një temë të re në veprën kadareane, po në romanin Aksidenti risi është se shfaqen të rimishëruara nën simbolikën mitike të pasqyrëzës së taksisë. Kështu, jeta e brendshme e një personazhi/ individi bëhet “tabelë e tingëllimit për të vërtetat e përgjithshme të natyrës njerëzore… dhe zbulohet vetëm tërthorazi përmes gjuhës së folur dhe rrëfimit” (Dorrit Cohn, Transparent Minds, f. 23, 21).
Marrëdhënia e dyshimtë e protago-nistëve vërtitet rreth një historie në dukje “fantazmash”, një pezmi që vjen jo prej vdekjes natyrore, por prej vdekjes së dashurisë. Vdekja barazohet me fundin e dashurisë dhe jo si shkëputje e shpirtit prej trupit. Zbritja e Orfeut në ferr, për të nxjerrë Euridikën, ndoshta duhej zbërthyer ndryshe – e vdekura nuk ishte Euridika, po dashuria. Në fund të romanit, Rovena St. quhet prej Besfort Y., Euridikë, por si mishërim i vdekjes së dashurisë, ndërsa miti orfik trajtohet si udhëtim i njeriut brenda nënvetëdijes së vet, për të rifituar dashurinë e humbur – ripërtëritje ndjesish të kësaj-e-asajbotëshme, pjellë “zonash të huaja e të paskaja”…
Si e pikturuar përnjëmend në një vazo japoneze, të veshur me krizantema mallëngjyese, dashuria e tyre krahasohet me shtratin e ndarë më dysh të një hoteli, përngjarë me dy varre dashnorësh të dikurshëm. Lidhja frojdiste thanas–eros, mbizotëruese edhe në vepra të tjera të Kadaresë (Muzgu…, Prilli i thyer, E penguara.., Hija, Vajza e Agamemnonit, Aktori etj.), në këtë roman njëjtësohet me dashurinë e shndërruar në shkrumb… Aluzioni i varrezave të Kiotos inicion ftohjen e marrëdhënies në çift, ndërsa pllaka e mermertë dëshmon, si një epitaf, gjurmët e historisë së tyre të brishtë. Gjendja post-mortem na zhvendos në një zonë tjetër të mendim-veprimit, e cila nuk ngjason e kësaj bote edhe pse fillimisht përfytyrohet pa fjalë, vishet me fjalë e më pas rrëfehet për të tjerët. Narratori-investigues rindërton herë pas here kronikën tokësore të asaj që kishte ndodhur në çastin final, që, siç shpjegon Platoni prej antikiteti, s’ishte veçse një pasqyrim i zbehtë i modelit të përjetshëm. Në këtë dashuri, të qenit zgjuar kishte më përparësi se të qenit me sy mbyllur… Rovena kishte rënë në dashuri (fjalë e shënuar me germa kursive); “padroni” i kishte dhunuar asaj natyrën – psikikën; i kishte “sëmurur” shpirtin. Afrimi i trupave mbetej gjëja më e thjeshtë në botë, aq sa “zhveshja merrte aspektin e një rituali” (J.-P. Champseix), por i vështirë mbetej afrimi i shpirtrave, aq sa e kthen raportin Besfort–Rovena në një “antropologji të thurur me tregime të panumërta, të para si rrëfim i të vdekurve”. Me afrimin e gjumit, ndjesia greminore e humbjes pa kthim, zbutej aty për aty, dhe Rovena kalonte lehtësisht në “zonën tjetër”, që ngjasonte si bashkim i thërrmijave të ëndrrave. Kjo zonë, aq shumë e përfolur në letërkëmbimet e në bisedat telefonike, i ngjasonte një tjetër planeti, një kapërcimi, një zhvendosjeje, që funksiononte me të tjera ligje dhe kishte fuqi hipnotizuese mbi protagonistët, sepse tashmë gjithë mjegullnajën dhe moskuptimet mes tyre i sillte shpirti, e jo trupi.
Në psikonarracion, narratori hetero-diegjetik mbetet në rrafshin e parë. Dysia e personazheve kadareane shfaqet në sytë e lexuesit përmes vëzhgimeve të tij të gjithëdijshme, ligjërimit për gjendjet shpirtërore, ndijimet, fotografitë, letërkëmbimet dhe shënimet në trajtë ditari. Lexuesi mënjanohet paqëllishëm nga vetëdija e tyre. Ndërmjetësimi mes “dëshmive faktike”, për të hedhur dritë mbi jetën dhe marrëdhënien spekulative padron–vajzë qejfi, dhe zhaurimës së ngjarjeve që ndodhin në sipërfaqe, jepet në kundërshti të plotë me heshtjen e thellësisë, duke anuar jo nga ante-mortem, por nga post-mortem, për të mos gjetur thuajse asgjë të rrokshme apo “të saktë” në atë histori. Çdo rindërtim i ndoshisë së aksidentimit kthehet në një kështjellë pluhuri, të cilën e zhduk, me një të fryrë, rindërtimi i radhës. Gjurmët e së panatyrshmes spikatin në grimat e historisë, çka dëshmon se dëmtimi kishte ndodhur që në thelb. Takimi para vdekjes, që cilësohet prej tyre si post-mortem është çelësi për të zbuluar, ose edhe për ta kyçur, tisin e misterit që ngërthen rrëfimin deri në sentencën e fundit. Cinizmi në pusullën e fundit: “Lidhur me kushtet, okej si herën tjetër?”, që do t’i bashkonte në hotelin “Miramax”, e përmbys skajshmërisht këtë histori, e cila kishte një “mbrapshtësi në thelb”. Karakteret kadareane nuk janë gjë tjetër veçse dy njerëz vulgarë që bëjnë teatër, që hiqen si dashnorë luksi, sipas gjedheve të njohura e vërtiten incognito, me petka endacakësh, teksa “kërkonin ta maskonin dashurinë e tyre pas dukjes lavire– pusht” (Vepra 17, f. 46). Shkallëzimi i dozës së bisedave, hierarkia e shprehjeve, frazat e dialogëve apo të pusullave, tingëllonin gjithnjë çuditshëm, ngjanin të përçudnuara, pa logjikë të brendshme, pa tharm e me lëndë gjuhësore kishte pësuar një lloj mpirjeje, rrjedhojë e një tronditjeje të beftë… Paraqitja e motërzimeve të ndryshme për të njëjtën ndodhi bën që lexuesi të konfuzohet dhe tensionet narrative e pasiguria të vijojnë deri në përmbylle të rrëfimit. Rrjedhat kohore akronologjike shfaqen përmes përmbysjes së riteve ceremoniale: Kjo rrjedhë së prapthi (të dyzetat, të shtatat dhe pika zero, që njehsoheshin përpara vdekjes dhe jo pas saj, sipas zakonit gjithënjerëzor), ka qenë shtysë për të dhënë vizionin e përmbysur për kohën e dy të dashuruarve, nëse do të quheshin të tillë (Vepra 17, f. 184). Afrimi i pikës zero, çuditërisht nuk ngjall panik te personazhet, por te hetuesi, që sipas tij, nuk kuptohej se çfarë ishte: mbarim, fillim, të dyja bashkë apo asnjëra prej të dyjave. Është pikërisht pika zero, ajo që lidhet me shprehjet “call girl” dhe post mortem. E përdornin të dy, por në të vërtetë, post-mortem ishte ajo dhe jo ai. Me ato fjalë kishte nisur vdekja e saj. (Vepra 17, f. 196). Në fazën kur Besforti përdorte “call girl” kishte nisur vdekja e dashurisë. Takimet post -mortem (pas vdekjes), nuk ishin veçse takime në ante-mortem (para vdekjes/në jetë) – perceptim mendor i sjellë përmes rrëfimit të dyzuar: jetë–mosjetë, e vërtetë–mister, dashuri– jodashuri. Aksidentimi ose/dhe vrasja e Rovenës St. shfaqet/n si psikikë për ta ndjellë femrën pashmangshmërisht drejt mashkullit. Kadareja e paraqet psikikën e protagonistëve “ilustruar” përmes psikonarracionit, duke “e vendosur psikoanalizën në fjalët e narratorit” (Dorrit Cohn, Transparent Minds, f. 11).
Zhvillimi i semantikave leksikore dhe dekodifikimi i mekanizmave gjuhësorë na çojnë sërish në çastin fillestar narrativ, duke bërë që koha jo vetëm “të ngrijë”, por edhe të kthehet pas, si tentativë për të zbërthyer enigmën e historisë së rrëfyer. Rrëfimi post-mortem mbetet një autopsi/ekzaminim i ngjarjes e jo i trupit. Parrjedhshmëria e dëshmive, turbullira, rrokullima, gjendjet halucinante gjatë rindërtimit të historisë kulmore – aksidentit, ligjet e përbotshme, që zunë fill me gjenezën njerëzore, por që mbeten të pashpjegueshme deri në përditshmërinë tonë, krijojnë mospërputhje mes trupave të gjallë (trup/shpirt), plastikës (trup/dëshirë), gjendjeve paraepasjetësore (ante- e post-mortem), kohës së shkuar (mungon dëshpërimisht e tashmja) dhe kohës që pritej të vinte. Në themelnajë, me sa duket, mbetet thjesht një kukull/e pashpirt (ein mannequin), shëmbëlltyrë e së dashurës – dëshira për ta zëvendësuar atë me një sajesë, me një sendërgjim, me një trup, me një trajtë…
2019