Përgatiti dhe përktheu Bujar Hudhri
Në një pritje të organizuar nga presidenti Miterrand për nder të dyzet shkrimtarëve të huaj, të ftuar në hapjen e programit «Fureur du Livre»1 – një trill i ministrit të kulturës Jack Lang, – më afrohet shkrimtari shqiptar Ismail Kadare. Ai kishte dëgjuar që unë kisha qenë në vendin e tij, po nuk e dinte se kur.

Vdiq në vitin 1990, në moshën 92 vjeçare.
-Kjo ka ndodhur në vitin 1950, mbi dyzet vjet më parë, i dashur Ismail, ecje këmbadoras atëherë.
Unë erdha në Shqipëri në Kongresin e Mbrojtjes së Paqes. Ky vend më robëroi: ullishtat, porti në breg të Adriatikut- ai nuk ishte më i madh se Ilieusi im i lindjes,- një popull krenar për fitoret e tij të pak mëparshme në luftë me Hitlerin dhe Musolinin. Mjerim dhe shpresë. Kryeqytetin e vogël e përshkuam në këmbë me Wanda Jakubowskan, nga njeri skaj në tjetrin nja dy orë. Atë kohë shkruajta disa pasazhe lirike për Shqipërinë- duhet të keni parasysh edhe entuziazmin që më kishte veshur sytë. U njoha me vetë Enver Hoxhën, fola me të…

-S’ka mundësi! Vërtet ju priti?- u habit Ismaili, i cili e mban mend se sa i paafrueshëm ka qenë tirani i Tiranës.
-Po unë përfaqësoja këshillin Botëror të paqes…
Enver Hoxha jo vetëm më priti, por edhe më ofroi një gotë çaj dhe biseda jonë zgjati më shumë se një orë. Ai mburrej për triumfet e shkuara, ndau me mua planet e tij grandioze për të ardhmen, hymnizonte Stalinin, por shkoi deri aty sa të kujtonte Fuad Saadin, mjeku nga San-Paulo, me të cilin në vitet studentore kishin jetuar në të njëjtën dhomë të një pensioni të lirë në Marsejë (apo Lion?). Kur u ndamë, Enver Hoxha mori pësëri pamjen e një statuje dhe më urdhëroi t’ia transmetoja Prestesit2 këto fjalë:
-I thoni shokut Luis Karlos, ta mbajë mend e të mos e harrojë kurrë: nuk duhet të trembet nga gjaku. Pa derdhur shumë gjak s’ka revolucion, asgjë nuk arrihet.

Kam qenë gjashtë vjeç, kur u krye Revolucioni i Tetorit, i cili në emër të punëtorëve shpalli në Rusi pushtetin sovjetik. Së shpejti unë mbush tetëdhjetë vjet dhe rrotull shoh që po shëmbet rregulli i vendosur prej këtij revolucioni dhe i përforcuar nga bilanci i Luftës së Dytë Botërore. Në Europë po lind realiteti i ri gjeografik dhe politik. Po shpërbëhen perandori, po bien regjime. Tregtarët e shkathët po shesin si suvenire copëra të “perdes së hekurt”,- rrënojat e murit të Berlinit. Kurse ajo ideologji që na paraqitej dikur si kristal, e pastër steril dhe shkencërisht e kulluar, që turbulloi shpirtitn jo vetëm të një inteligjenti, që vuri në lëvizje dhe ngriti në luftë për liri dhe lumturi masat gjigante njerëzore, që e ndau botën më dysh, duke kufizuar qartë ”të mirën” dhe “të keqen”, kjo ideologji, pra, doli një himerë dogmatike. Dhe për fat të keq, nuk na shpuri në liri dhe lumturi, por në tirani. Jo më kot, më datën 7 nëntor, moskovitët dolën në Sheshin e Kuq, duke mbajtur parullën “Proletarë të të gjitha vendeve, na falni!”» Iku në harrim ajo që dukej e përjetëshme. Po ndodh e padëgjuara dhe e pamendueshmja. Në sytë tanë, në ekranet e televizorit po bëhet historia. Ndryshime të pabesueshme- dhe me një ritëm të tërbuar, kur dita vlen një vit, kurse java një shekull. Më vjen keq, që nuk do të mund ta shoh deri në fund. Sa do të doja!
(Fragment nga hyrja e librit me kujtime “Lundrim kabotazhi”i shkrimtarit Jorge Amado)
___________________
1. “Libri është ngjarja e vitit” (fr.)