More
    KreuLetërsiShënime mbi libraJola Tasellari: Mbi romantizmin e errët kutelian; A është Mitrush Kuteli gotik?

    Jola Tasellari: Mbi romantizmin e errët kutelian; A është Mitrush Kuteli gotik?

    Ndonëse gjerësisht mes studiuesish pranohet se është gjysma e dytë e shekullit të nëntëmbëdhjetë, me gjithë deformimet formësore dhe përmbajtësore letrare, ajo që shënoi dhe nisjen e njëpasnjëshme të lëkundjeve të normave letrare, pikasja e tipareve të një rryme brenda një tjetre është një debat që ka nisur herët, qysh me rafinimin e hershëm të teorive të letërsisë. Dhe po njëlloj, duke pranuar se letërsia reflekton deri në njëfarë pike edhe faktorë ekstra letrarë, atëherë përveç raportit narrator-tekst, a na hyn në “lojë” dhe koncepti i autorit bashkë me origjinën e formimit të identitetit të tij kulturor?

    Me zenitin e ’20-’30-ës në arenën tonë letrare, nuk mund të lëmë pa identifikuar një faktor jashtë-letrar që ka kontribuuar në të, dhe ai është vendformimi kulturor i shkrimtarëve, qofshin këta poetë apo prozatorë, duke ia atribuuar kësaj të fundit një peshë mjaftueshëm të konsiderueshme në larmishmërinë zhanërore dhe gjinore.  Krijimtaria letrare e Mitrush Kutelit, ndonëse e shtrirë në gjini të ndryshme, duket sikur shkëlqimin e vet e merr me prozën e shkurtër, veçanërisht tregimet, apo siç shkrimtari vetë i quan rrëfime/rrëfenja, me strukturë kompozicionale narrative të tillë që shkon në një linjë moderne zhvillimi me prodhimin letrar në ambientin e formuar estetikisht të ’20-’30-ës së shekullit të kaluar. Me një frymë të re, mes popullores, folkloristikes si dhe modernitetit që kish’ prekur letrat shqipe, Mitrush Kuteli e pasuron narrativen shqip me një prodhim të ri letrar me tipare romantike, që shpesh e orientojnë atë drejt një rryme po aq ndikuese në letërsinë botërore, një degëzimi të romantizmit europian, që është pikërisht romantizmi i errët.  Romantizmi i errët (dark romanticism) është një lëvizje letrare që u shfaq në fundshekullin e nëntëmbëdhjetë, fillimisht në Europë e mandej në Amerikë. Ai  eksploron aspektet më të errëta të natyrës njerëzore dhe elementit të mbinatyrshëm. I ndërtuar me një sentimentalizëm që vetëm romantizmit mund t’i shkonte për shtat, romantizmi i errët poetizon vdekjen, të mbinatyrshmen, paranormalen, normalizon kontaktin e botës së të vdekurve me atë të të gjallëve, dhimbjen, frikën, mëkatin dhe kalimin nga vdekja në jetë, derisa i sheshon kufijtë drejt normalizimit. Në historinë e letërsisë botërore, kritika ka parë si përfaqësuesin më të denjë të romantizmit të errët Edgar Allan Poe-n, megjithatë, duhet theksuar këtu se në poetikën e tij shpesh hasim dhe gjurmë të gotikes. Kjo prani e elementit gotik në letërsi, thurur me sentimentalizmin, emocionin, ekstazën shpirtërore, sakralen, sublimen në një besim të thellë të unit individual, e orienton rrymën romantike drejt epitetit të errët. Kështu, portreti i romantizmit të errët plotësohet nga zymtësia e romantizmit tipik fillestar europian dhe pranisë së elementeve gotike, veçanërisht ato të dikotomive jetë-vdekje dhe botë e të vdekurve – botë e të gjallëve. Ndonëse romantizmi fillestar kërkon të lartësojë qëllimin e qenësisë njerëzore, romantizmi i errët karakterizohet nga pushtimi i këtij shpirti të lartësuar nga emocione, pasojë e ngjarjeve me karakter nganjëherë edhe gotik. Mungesa e qëllimësisë në lartësimin e unit individual nga një rrymë në tjetrën, dallon gjithashtu edhe në shndërrimet ndjesore. Dashuria shndërrohet në epsh; natyra, në paralelizmin e saj me gjendjen shpirtërore është gati e zymtë, e mjegullt, me vetëtima dhe e errët – dhe ambienti i të gjallëve mbizotërohet prej pranisë së të vdekurve. 

    Në kritikën shqipe mbi veprën e Mitrush Kutelit, të shumta kanë qenë sprovat për ta pozicionuar linjën e tij letrare në rrymën romantike, apo të tjera, duke e lënë kështu ende të dyzuar. Dekonstruktivizmi na lejon forma të reja interpretative të tekstit sipas hapësirave që formohen pas procesit të rileximit të tij. Dhe për aq kohë sa strukturalizmi na dha leje ta çojmë tekstin në kufijtë e interpretimit me argumentin se ai i takon lexuesit, na lejohet kështu të tentojmë të kërkojmë një përthyerje të tipareve të romantizmit të errët në prozën e Kutelit, përmes identifikimit të disa tipareve që kjo rrymë letrare përçon në letërsinë përfaqësuese si: vdekja, magjia, prishja e korrelacionit hapësirë-kohë, ndërthurja e jetës me vdekjen, frika (por pa kaluar në kufijtë e horrorit!). Megjithatë, kjo duke ruajtur të paprekur raportin e shenjtë të shkencës së letërsisë, atë të tekstit me kontekstin. 

    Ndikimi i kulturës rumune, si vendqëndrimin dhe formimin e autorit prej disa vitesh, është i ndjeshëm në letërsinë e Kutelit, veçanërisht në narrativën e shkurtër. Në kontekst krahasimor, romantizmi rumun nuk dallon aq shumë sa i yni prej romantizmit europian, dhe ndoshta ngjason me të shumë më tepër sesa romantizmi shqiptar. Një karakteristikë e zhvillimit të rrymës së romantizmit në Rumani është lëvrimi i një poetike që në qendër vendos vdekjen dhe jetën, misticizmin dhe jetën e përtejme. Poetë si M. Eminescu, V. Alecsandri, apo dhe I. Radulescu, eksplorojnë këto tematika në nivele të transhendencës njerëzore, duke e vendosur vdekjen në pozita të një vazhdueshmërie si të një vdekjeje perpetual-e vijimësie [1].  Poezia e Eminesc-ut, Sarmis, trajton po ashtu tematikën e mallkimit të përjetshëm dhe përtej jetës. I mallkuar me një “vdekje të gjallë”, i shkëputur nga jeta e vdekja njëkohësisht, mes këtyre të dyjave, me një ekzistencë të pakuptimtë, gati si një purgator, personazhi është i dënuar: “Me sytë e hapur në përjetësi…[2]

    Në këtë kontekst, mund të arrijmë kështu të ngremë paralele të rrëfimit të Kutelit me poetikën e Emineskut. Rrëfenja “Natë muaji maji” mund të jetë një nga rastet më përfaqësuese të këtij romantizmi të errët kutelian, ndërtuar mes magjikes, folkloristikes, jetës dhe vdekjes. Me një situatë zanafillore sikur të ish’ shkëputur prej një cikli përrallash, rrëfenja na hapet me shpalljen e dasmës së të birit të një të pasuri vendas, i cili pasi dërgon trimat e tij për të hapur lajmin e bukur, përballet me situata të panatyrshme. Njëri prej trimave derdh verë mbi varrin e një të vdekuri dhe e fton dhe atë në dasmë nga gëzimi i madh: “Pi dhe ti, o i vdekur, një pikë verë, se imzot marton bandillë e të fton për dasmë.

    I gjithë fenomeni i ngritjes nga varri nuk është i panjohur për letërsinë tonë folkloriste. Ndonëse na ngjan prej hyrjes dhe mbylljes me një përrallë, tëhuajëzimi i kësaj rrëfenje qëndron në arsyen e ngritjes së të vdekurit nga varri, që nuk është për të mbajtur një premtim familjar, si Kostandini me të motrën në folklorin tonë. I vdekuri, duke e nxjerrë jashtë kufijve të normalitetit gjendjen e tij, shkon në dasmë sepse është ftuar sikur të ishte një i gjallë mes të gjallëve. Ky normalizim i përbashkimeve të jetëve të të gjallëve me të vdekurit, është një tipar jo i panjohur për romantizmin e errët. Edgar Allen Poe e ndërthur njëlloj këtë përplasje dikotomike jetë-vdekje. Po ashtu edhe Goethe, Schiller, Lermontov… 

    “E madhe është gjëma e mëkatit” trajton gjithashtu përjetësinë, mallkimin, mëkatin dhe shpagimin. Tat Tanushi i Bubutimës, pasi ka kryer mëkatin e mishit, dënohet me pavdekësi, dhe koha e pakohë kalon, derisa dyqind vite pas e shpagon mëkatin e tij dhe dashurinë hiper-hyjnore për Kalijen. “Lugetërit e fshatit tonë” i afrohet romantizmit gotik ndoshta më shumë se çdo rrëfenjë tjetër e Kutelit. Ajo bën bashkë vdekjen, paranormalen dhe horrorin, duke ngatërruar botën e të vdekurve me të gjallëve: “Po pse, o Zef, nuk rri në varr si i vdekur që je, po ngrihesh e turbullon punët e të gjallëve?… Zefi qau e gjak i rrodhi nga sytë…[3] 

    Tregimi, i shkruar në Bukureshtin e 1938-ës, sundohet nga një frymë mistike, e errët dhe gati gotike. Megjithatë, kjo nuk është e panjohur për ambientin kulturor rumun në të cilin është shkruar tregimi. Studiuesja Maria Ionita, në analizën e saj mbi bashkëjetesën e gotikes me kulturën rumune, arsyeton se ishte pikërisht romantizmi rumun ai që u ngrit duke risjellë figurat e folklorit vendas për t’i vendosur në rrethana të zakonshme, por situata të jashtëzakonshme.[4]

    Fundja fundit, legjenda e Drakulës, qenies së dënuar me përjetësi, që bën lidhjen e botës së të vdekurve me të gjallët e ka vendlindjen pikërisht në Rumani.

    A mund të flasim për ndikim nga tradita folkloristike rumune në këtë aspekt të zhvillimit të romantizmit të errët tek Kuteli? Me gjasë të madhe, po. Përveçse ka jetuar, edukuar dhe shkruar letërsi në atë ambient kulturor, Kuteli ka sjellë në shqip dhe mjaft zëra të letërsisë rumune të kohës së vet dhe jo vetëm. Një pjesë e madhe e veprës së lirikut rumun, Mihail Eminesku, është sjellë në shqip prej, tanimë, edhe përkthyesit Kuteli. Një ndikim që ky i fundit e shpërfaq në shënimet e tij: “…As shkrimtari i këtyre radhëve nuk shpëtoi syresh gjersa mundi të krijojë personalitetin e vet. Kësisoj duhet ta pohojmë se në këto rrëfenja, ndonëse subjekti është nga bota folkloristike shqiptare, frazeologjia na kujton përrallën emineskiane.[5] 

    Rrëfimet e Kutelit i ofrojnë lexuesit të tij, tanimë modern, një panoramë që shpërfaq dhe përball mendimin dhe veprimin e vjetër popullor, mendësinë kolektive, përrallën, magjinë dhe fantastiken me horrorin, vdekjen dhe tejkohësinë mes kësaj të fundit dhe jetës. Pistë studimore është edhe ajo e ndërthurjes (së pavetëdijshme?) strukturale narrative të povestit[6],  me karakteristika të letërsisë gotike, që gati një shekull më vonë emërtohet si e tille dhe mbizotëron kryesisht romantizmin anglo-amerikan. Romani gotik u dokumentua për herë të parë në periudhën para-romantike[7] me “Kështjellën e Otrantos”, roman që sot edhe e pagëzon nisjen e këtij zhanri letrar.   

    Letërsia e Mitrush Kutelit, konkretisht proza e shkurtër, shfaq tipare të romantizmit me ndikimin e thellë prej folklorit, popullores vendase dhe më gjerë, sentimentalizmit të thellë e të tjera. Për shkak të frymës së huazuar nga letërsia rumune, mbi të gjitha duke mbajtur parasysh lidhjen e fortë të folklorit të kësaj të fundit me elementin gotik shumë më parë sesa gotikja të emigronte në Europë prej Amerikës së fundshekullit të XIX-të, nuk mund ta mohojmë as edhe si lexues të thjeshtë ndikimin e njërës tek tjetra.   


    [1]  Ioana Bot, Babeș Bolyai University, Cluj-Napoca, Romania.

    [2]  Eminescu, Mihai, The Twins, 1850. U7

    [3]  Kuteli, Mitrush, Vepra II, Lugetërit e fshatit tonë, SH.B Naim Frashëri, faqe 316.

    [4]  Ioniță, Maria. “The Fantastic in Romanian Literature”. The Literary Encyclopedia, 2013.

    [5]  Kuteli, Mitrush, Shënime Letrare, Tiranë, 1944.

    [6]  Krijime të shkurtra me strukturë kompozicionale të njëjtë me rrëfenjat kuteliane, njohur gjerësisht në Rumani me këtë emër.

    [7]  Me termin “periudhë para-romantike” do t’i referohemi dekadës së fundit të 1700-ës.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË