Intervistoi: Violeta Murati
Ju jeni një përkthyes i rrallë i shqipes, të cilën e njihni mirë, në gjuhën gjermane. Një shqiptardashës i mirë po ashtu, a ndiheni disi i harruar në këto kohë?
Numri i përkthyesve nga shqipja në gjermanishte nuk është kaq i vogël, siç thoni ju. Mund të jetë që disa kanë botuar pak, disa asgjë. Por janë, ekzistojnë. Nga ana tjetër, ka një rezervuar gati të pashfrytëzuar përkthyesish: të rinjtë shqiptarë që kanë ardhur ose kanë lindur në botën gjermanishtfolëse dhe zotërojnë të dyja gjuhët mirë. Në Gracin e Austrisë dhe në ndonjë shkollë tjetër të lartë përgatiten përkthyes të gjuhës shqipe. Besoj se këtu kemi të bëjmë me një paradigmë aq të dyshimtë sa edhe të përhapur midis krijuesve shqiptarë: që mossuksesi relativ i letërsisë bashkëkohore shqiptare nëpër botë vjen nga mungesa ose dembelizmi i përkthyesve. Them “mossukses relativ”, sepse nuk ka kaq shumë vende në këtë planet që mund të krenohen me një autor të famës botërore siç është Kadareja. Përveç kësaj, si matet ky “mossukses”? Sa shkrimtarë të një vendi mund të pretendojnë të botohen jashtë? Sa shkrimtarë të një vendi duhet të jenë të pranishëm në tregjet e huaja të librave për të thënë se vendi i tyre është i përfaqësuar sa duhet? Unë do të thosha se në krahasim me shumë vende ose shtete të tjera, mjaft më të mëdha, numri i autorëve shqiptarë që janë botuar jashtë, edhe në gjermanisht, nuk është aq i vogël. Por kryesorja është: në qoftë se ka, le të themi, një përhapje të kufizuar të letërsisë shqiptare nëpër botë, mund të ketë edhe arsye të jashtme. Por arsyet kryesore janë të brendshme. Dhe në çdo rast duhet thënë: faji nuk u bie përkthyesve të shkretë. Besoj se do të kemi mundësi të hyjmë më thellë në këtë temë. A jam disi i harruar? Prapë një paradigmë shqiptare, ndoshta. Sikur çdo gjë në botë të matet me metrin shqiptar. Në Shqipëri, nuk di sa i harruar jam. Ndoshta shumë. S’prish punë. Kur t’i afrohesh çështjes me objektivitet, ka gjasa që unë me punën time dyzetvjeçare në botën letrare gjermanishtfolëse (që përfshin Gjermaninë, Austrinë dhe Zvicrën) kam bërë më shumë për letërsinë shqipe se çdo njëri tjetër. Por s’kam iluzione. Çdo gjë që ke bërë ndërllogaritet me atë që s’ke bërë. Për çdo autor që kënaqet, ka dhjetë të tjerë që mbetën të zhgënjyer. Dhe të zemëruar. Një nga kolegët e mi këtu ka shpërndarë e-maile me mesazhin e lumtur: tani kam gjashtëdhjetë autorë shqiptarë në faqen time në internet! Gjashtëdhjetë autorë me, të themi, nga tri faqe, bën njëqind e tetëdhjetë faqe. Bravo! Unë nuk di saktësisht sa faqe letërsie kam përkthyer nga shqipja, por me siguri kanë qenë disa mijëra. Dhe të gjitha janë botuar në letër, janë shitur në librari, janë recensionuar në shtyp. Sidoqoftë, s’jemi në garë: unë kam kapur dhjetë peshk! Por unë kam kapur njëmbëdhjetë, ha, ha, ha!
Nuk i përkas botës letrare shqiptare, por botës letrare gjermanishtfolëse. Atje kam botuar një numër të madh përkthimesh, vepra të mjaft shkrimtarëve të të gjitha trojeve shqiptare, konsiderohem përkthyes me nam, gëzoj respektin e kolegëve dhe botuesve, puna ime pëlqehet nga lexuesi dhe kritika letrare, jam nderuar me çmime dhe bursa. Isha midis përkthyesve që u ftuan nga presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë për takim. Këtë gjë nuk e përmend për t’u mburrur, por për të treguar që letërsia shqiptare nuk është aq e parespektuar te ne sesa supozohet në Shqipëri. Mirë është ashtu siç është.
Jeni një tjetër gjerman me lidhje të çuditshme dhe të ngrohta me Shqipërinë dhe gjuhën tonë. A keni një kujtesë, histori për karrierën tuaj si përkthyes, kur dhe si e nisët me shqipen?
Po, ndoshta mund të thuash se në radhët e të huajve që janë marrë me Shqipërinë, numri i gjermanëve ka qenë mbi mesataren, siç tregojnë edhe emrat e shumtë gjermanë në fushën e albanologjisë ndërkombëtare. Mirëpo, për hir të së vërtetës, duhet thënë se një pjesë e konsiderueshme e këtyre “gjermanëve” ishin austriakë (Johann Georg von Hahn, Franz Baron von Nopcsa, Norbert Jokel etj.). Natyrisht, ka ose kishte edhe ca dashamirës të Shqipërisë me origjinë nga Gjermania. Sa u përket lidhjeve të mia me Shqipërinë, sigurisht që kam një kujtesë, si jo. Mund të përshkruaj saktësisht nga burojnë. Ndoshta ky është një rast i mirë për të treguar këtë histori pak më hollësisht. Edhe në Gjermani më pyesin vazhdimisht: Si është e mundur që e dini shqipen kaq mirë, pa qenë shqiptar? Linda në vitin 1947 në qytetin Stuttgart, në Jugun e pjesës perëndimore të Gjermanisë së shkatërruar dhe të varfëruar të pasluftës, dhe u rrita në periudhën e “tranzicionit demokratik” të vendlindjes sime. Familja ime jetonte në kushte mjaft modeste ekonomike, derisa babai im, një shkencëtar, në fillim të viteve gjashtëdhjetë u emërua shef i katedrës së sociologjisë agrare të Universitetit të Hohenheim-it, në qytetin tim të lindjes. (Ndoshta vlen të përmendet që ai universitet prej disa kohësh zhvillon marrëdhënie me Universitetin Agrar të Kamzës.) Gjatë rinisë sime, mbeturinat e nazizmit gjakatar vazhdonin të rëndonin mbi shoqërinë gjermanoperëndimore, gjë që bënte brezin tim rebel. Unë, qysh në moshën katërmbëdhjetëvjeçare, i papjekur siç isha, kisha vendosur t’ia dedikoja jetën time letërsisë. Pas maturës në vitin 1966, fillova të studioja në Universitetin e mirënjohur të Tübingen-it. Lëndët e mia ishin gjermanistika dhe shkencat politike. Merrja pjesë në lëvizjen studenteske të këtyre viteve (e njohur si “lëvizja e gjashtëdhjetetetës”) që në atë kohë kishte përfshirë jo vetëm Gjermaninë, por edhe shumë vende të tjera të botës perëndimore. Meqë ne, studentët, jo plotësisht pa të drejtë, lidhnim lindjen e nazizmit dhe të metat e shoqërisë postnaziste gjermane si pasojat e një kapitalizmi të pakontrolluar, orientoheshim ndaj ideologjive majtiste. Kur lëvizja studenteske filloi të zbehej, unë i përkisja asaj pjese të saj që shpjegonte këtë venitje me “lëkundshmërinë e shtresave mikroborgjeze”, duke kërkuar shpëtim te “klasa punëtore”. U anëtarësova në një nga partitë të shumta “marksiste-leniniste” që sapo ishin themeluar dhe jo vetëm kaq, lashë edhe filologjinë dhe shkova të punoja në një fabrikë të industrisë mekanike, si punëtor. Për gjithsej pesëmbëdhjetë vjet të jetës sime kam fituar bukën e gojës si punëtor i thjeshtë. Nuk u pendova kurrë që kam bërë këtë hap se më mundësonte të zgjeroja shikimin tim mbi botën njerëzore. Meqë isha anëtar i një “partie marksiste-leniniste” që, ndryshe nga shumica e këtyre grupimeve, orientohej jo ndaj Maoizmit, por ndaj Enverizmit, erdha në kontakt me Shqipërinë. Duhet të ketë qenë në vitin 1973 (ndoshta edhe pak më vonë) kur bashkë me shoqen time erdhëm për herë të parë në Shqipëri, si turistë politikë. Ngaqë isha jo vetëm aktivist besnik i “partisë”, por edhe me një përgatitje profesionale të përshtatshme për një punë të tillë, partia ime na dërgoi ne – d.m.th. mua, bashkëshorten time Doris dhe të dy djemtë e vegjël (dy dhe tre vjeç) – në Shqipëri, për të punuar te Radio Tirana dhe te shtëpia botuese “8 Nëntori”. Kjo ka qenë në verë të vitit 1977. Në Tiranë bashkëpunonim me shumë njerëz si ne nga mjaft vende të botës, nga Brazili deri në Suedi. Këtu nuk është vendi për t’u thelluar në përshtypjet dhe përvojat që kemi fituar në Shqipërinë e asaj kohe, por mund të them se gjatë kohës që kalonim në Tiranë, kam përvetësuar jo vetëm gjuhën shqipe, por edhe bazat e zanatit të përkthyesit.
Pas kthimit tonë në Gjermani, në fund të vitit 1980, u punësova sërish në një fabrikë, për të mbajtur familjen time ekonomikisht. Me kalimin e viteve u zgjodha “këshilltar i ndërmarrjes”, d.m.th. përfaqësues i punëtorëve, dhe isha bashkorganizues i rezistencës së punonjësve për të mbrojtur vendet e tyre të punës kundër planeve të koncernit “Siemens” që kishte vendosur ta mbyllte këtë uzinë. Një gjë interesante, gati qesharake, është se pjesëmarrja ime në “luftërat proletare” ishte shoqëruar nga largimi im hap pas hapi nga botëkuptimi komunist.
Kontaktin me Shqipërinë dhe kulturën shqiptare nuk e ndërpreva kurrë. Krahas punës në uzinë, vazhdoja të përktheja vepra të letërsisë shqipe dhe për njëfarë kohe isha nënkryetar i Shoqatës së Miqësisë Gjermani-Shqipëri. Siç thashë që më parë, u distancova nga ideologjia komuniste, jo menjëherë, por brenda një kohe relativisht të shkurtër pas kthimit nga Shqipëria. Përvojat e fituara atje në kohën e diktaturës ishin një nga arsyet për këtë gjë, por jo e vetmja. Kryesisht, ka qenë një proces e qartësimit mendor dhe intelektual. Dikush nga ata gjermanë që, si ne, kanë ndenjur dhe kanë punuar në Tiranë në kohën komuniste, ka thënë në një bisedë se “po të kisha qenë në dijeni për të vërtetën e këtij vendi, nuk do të kisha shkuar atje”. Nuk më duket e ndershme kjo thënie, pa marrë parasysh sa dhe çka ka kuptuar ai konkretisht për situatën në Shqipëri. Ne e konsideronim veten si marksistë-leninistë, stalinistë në fakt, dhe si të tillë – siç kam thënë në një intervistë me gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine” – ishim bindur se diktatura e proletariatit është e nevojshme. Ky është thelbi i problemit: ideologjitë totalitare, sistemet totalitare, kanë dhunën dhe krimin në gjak, thjesht për shkak se uzurpojnë të drejtën t’ua imponojnë të tjerëve të ashtuquajtur të vërtetën e tyre. Dhe të gjitha këto në emër të një interesi gjoja superior, gjoja kolektiv. Por s’duhet të mbrohet turma nga individi, individi duhet të mbrohet nga turma. Ky është kuptimi bazë i Deklaratës së të Drejtave të Njeriut. Ekstremizmi i majtë dhe ekstremizmi i djathtë janë njëlloj të dëmshëm dhe të rrezikshëm. Në fund të viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar, kur sistemi monist në Shqipëri filloi të merrte tatëpjetën, e kisha gjetur vendin tim në anën e lëvizjes demokratike shqiptare. Mjaft personalitete të shoqërisë së sotme shqiptare i kam njohur në atë kohë. Eksodi i shqiptarëve të Kosovës dhe të Shqipërisë në vitet nëntëdhjetë ose, më saktë, ardhja e një numri shumë të madh shqiptarësh në Gjermani, më dha mundësinë të lija punën në fabrikë dhe të kaloja në statusin e përkthyesit me profesion të lirë. Qysh atëherë, krahas punës si përkthyes letrar, në mijëra raste kam qenë aktiv si përkthyes i gjuhës shqipe me gojë dhe me shkrim, kryesisht në institucionet e drejtësisë. Gjatë të gjitha këtyre kohëve, marrëdhëniet e mia me Shqipërinë mbeteshin të pandërprera. Ndërkohë janë bërë edhe familjare: mbesat e mia bashkë me nipin e vetëm rriten me dy gjuhë, me gjermanishten dhe me shqipen, që e mësojnë nga nënat e tyre shqiptare. Ndoshta vlen të përsëris diçka që kam thënë qysh para disa vjetësh, në intervistën e sipërpërmendur me gazetën “FAZ”: Kam zor të besoj se dikush mund të ndiejë dashuri për vende, shtete, formacione shoqërore ose zhvillime historike. Prandaj jam skeptik ndaj termave të llojit “mik i Shqipërisë”, “pasion për Shqipërinë” etj. Në jetën e njeriut, ndjenjat shpeshherë janë edhe kontradiktore. Me fjalë të tjera, ka shumëgjë dhe shumëkënd në Shqipëri që më pëlqen, por ka edhe shumëgjë dhe shumëkënd që nuk më pëlqen. Sidoqoftë, Shqipëria dhe shqiptarët janë bërë pjesë e jetës sime. Marrëdhëniet e mia me këtë vend dhe njerëzit e tij janë bazuar në atë që për më shumë së gjysmën e jetës sime kam qenë në kontakt të ngushtë me ta. Kam vëzhguar (dhe jo vetëm vëzhguar) zhvillimet politike, shoqërore, kulturore të këtij vendi në faza të ndryshme historike. Në njëfarë mënyre mund të thuash se e kam bërë botën shqiptare profesion. Është si në farefis: s’ka nevojë të shkosh mirë me çdo anëtar tjetër, por prapëseprapë jeni farefis.
Nga vini dhe cili ka qenë formimi juaj?
Kam folur gjatë për origjinën dhe formimin tim, por prapë dua të shtoj ca gjëra në lidhje me profesionin e përkthyesit. Siç thashë më përpara, pas maturës kam vazhduar studimet e gjuhësisë dhe letërsisë gjermane dhe të shkencave politike, deri në seminarin e fundit të detyrueshëm, por pastaj vendosa të vazhdoja shkollën tjetër, siç thamë atëherë, atë të klasës punëtore, me një idealizëm të shtrembër. Atje, por edhe më vonë, në sallat e gjykatave, kam mësuar shumë për njerëzit. Që nga fillimi i qëndrimit tim për punë në Shqipëri dhe deri më sot jam marrë intensivisht me gjuhën shqipe, me kulturën, historinë, letërsinë, me doket e zakonet e shqiptarëve, me zhvillimet politike në rajonin e populluar nga ata, me fjalë të shkurtra, me çdo gjë që ka të bëjë me shqiptarët. Jam kurioz. Interesohem për shumë gjëra. Përpiqem të mësoj gjëra të reja, edhe tani, në moshën e madhe. Hulumtoj gjërat. Kompjuteri dhe interneti kanë lehtësuar punën e përkthyesit shumë. Fjalorët dygjuhësh janë shumë të nevojshëm, por sa i përket gjuhës shqipe, në përgjithësi, nuk janë në nivelin e duhur. Të metat e tyre të bëjnë të çmendesh. Më të rëndësishëm janë fjalorët njëgjuhësh, të gjermanishtes dhe të shqipes, në këtë radhitje. Më i rëndësishmi është fjalori sinonimik. Pjesë e formimit të përkthyesit është edhe furnizimi me virtytin e durimit. Nganjëherë punon një gjysmë viti ose më shumë në një libër të vetëm. Unë, si shumica e përkthyesve te ne, punoj ngadalë, të paktën për mendimin e kolegëve shqiptarë. Pas të tre (ose katër) “raundeve” të përpunimit të tekstit të plotë kam arritur në një mesatare nga 2 faqe për ditë. Çdo formulim ka rëndësi. Përkthimet dorëzohen sipas planit të botuesit, por s’janë përfunduar kurrë.
Sa e rëndësishme është për një përkthyes të jetë në gjuhën dhe në kulturën e tjetrit, e konkretisht ju në marrëdhënie me shqipen?
Kjo njohuri, kjo përvojë, është me rëndësi elementare për përkthyesin letrar. Të jesh në gjuhën dhe në kulturën e tjetrit është absolutisht e nevojshme. Por jo e mjaftueshme. Akoma më i rëndësishëm është zotërimi i përsosur i gjuhës në të cilën përkthen (e cila gjuhë, si parim, është gjuha jote amtare). Cilësia e një përkthimi varet kryesisht nga aftësia formuluese e përkthyesit në “gjuhën objekt” (object language, në anglisht), d.m.th. në gjuhën e lexuesit për të cilin punon, dhe jo nga aftësia e tij për të kuptuar përmbajtjen e tekstit në gjuhën e origjinës. Duhet të jesh në gjendje jo vetëm të kuptosh, të shkruash dhe të flasësh, por ta ndiesh gjuhën. Prandaj nuk mjafton të zotërosh një gjuhë të huaj shumë mirë që të plotësosh kushtet paraprake për t’u bërë përkthyes letrar. Shumë rëndësi ka edhe talenti, nuk duhet të nënvleftësohet në asnjë mënyrë. S’mund të ndërtosh një karrige, pa pasur talentin e zdrukthëtarit. S’mund të përkthesh letërsi, pa pasur një talent të veçantë për këtë veprimtari. Dhe mos nënvleftëso kurrë anën zanatçore. Edhe një violinist duhet të përvetësojë shkathtësitë e duarve, duhet të praktikojë shumë orë në ditë për të shkëlqyer në koncert. Përkthimi letrar është art edhe zanat. Artizanat, ndoshta.
Talenti, një fond i shëndoshë i njohurive letrare (teorike dhe praktike), aftësitë zanatçore dhe zotërimi absolut i “gjuhës objekt” përcaktojnë vijën ndarëse midis përkthyesit profesionist dhe përkthyesit amator. Dhe duhet thënë se për përkthyes amatorë nuk ka vend në biznesin letrar. Çdo autor përgjigjet vetë për dështimin e librit të tij të dobët. Por ai është viktimë e pafajshme kur vepra e tij shfaroset nga një përkthyes i paaftë. Vihet re se dijetarët e gjuhës, por edhe shkrimtarët zakonisht, nuk dallohen në fushën e përkthimit letrar. Filologjia nuk të bën shkrimtar. Dhe as përkthyes. Përkthimi është një gjë shumë e veçantë.
Është një “konkurrencë”, gjë që nuk ndodh me gjuhë të tjera, kalimi i shqipes në gjuhën gjermane… ka një shpjegim ç’është kjo afri dhe pse ju është besuar aq shumë juve? A mban gjithçka pasioni?
Nuk kuptoj mirë ç’doni të thoni me fjalën “konkurrencë”, prandaj nuk mund të përgjigjem. Ndoshta flisni për marrëdhëniet midis përkthyesve të shqipes në Gjermani. Ky është një problem kompleks që nuk mund të trajtohet me pak fjalë. Pse më besohet pikërisht mua? Sipas të gjitha gjasave, më besohet për shkak se bëj punën time mirë. Siç thashë më parë, një përkthim i dobët mund të shkatërrojë edhe librin më të mirë, gjë që natyrisht sjell pasoja negative financiare për shtëpinë botuese. Unë nuk dorëzoj përkthime të dobëta, prandaj punëdhënësit të mi kanë besim tek unë. Edhe lexuesit çmojnë punën time dhe nuk kursejnë më lëvdata. E njëjta gjë vlen për kritikën letrare. Me një fjali të shkurtër: Te përkthyesit, cilësia e punës dhe jehona pozitive e publikut vendosin në çështjen e besueshmërisë. Thashë se përkthimi i keq shfaros librin, por fakt është gjithashtu: përkthim i mirë mund të shpëtojë një libër jo aq të mirë, të paktën pjesërisht. Para shumë vjetësh, një autor jo i panjohur i gjuhës shqipe më ka treguar se përfaqësuesi pak i zhgënjyer i shtëpisë botuese që kishte botuar romanin e tij, i kishte thënë: “Më e mira në romanin tënd është përkthimi.” Sensi i ironisë së autorit përkatës më bënte përshtypje. Sa për pasionin: pasioni nuk mban asgjë. Por ndoshta nuk është e keqe ta kesh.
Me botimin sistematik të veprës prozaike të Kadaresë në vendet gjermanishtfolëse, nisur nga mesi i viteve ’80, ju keni qenë i pari përkthyes i tij, nëse s’gaboj. Si u vendos për emrin tuaj, a mund të na kujtoni ç’ishte ky fillim?
Nuk kam qenë i pari përkthyes i Kadaresë në Gjermani, respektivisht në rajonin gjermanishtfolës. Romani i parë i Kadaresë në gjuhën gjermane, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, doli në vitin 1973, i përkthyer nga frëngjishtja. Në vitin 1977, i njëjti roman doli në Gjermaninë Lindore, i përkthyer nga shqipja nga albanologët Oda Buchholz dhe Wilfried Fiedler, të cilët para zhdukjes së shtetit të dytë në tokën gjermane botonin edhe disa libra të tjerë të Kadaresë. Midis vitit 1987 dhe vitit 1991, nën kujdesjen e mikut të Shqipërisë, Giuseppe de Siati-t, shtëpia botuese “Neuer Malik Verlag” botonte një seri veprash të Kadaresë në gjuhën gjermane, gjithsej gjashtë libra. Te shumica e këtyre botimeve viheshin re shenja të parregullsisë (ose të informalitetit, për të përdorur këtë fjalë të modës): mospërmendja e përkthyesit për shkak të sherrit me botuesin, përkthime problematike, një përkthim “i vjedhur”, probleme me të drejtat e autorit dhe gjëra të tjera të kësaj natyre. Ekzistonte dëshira e autorit t’u jepte botimeve një rrugë tjetër, më të rregullt. Libri i parë i Kadaresë që kisha përkthyer unë, doli në treg në vitin 1988. Ishte romani “Kronikë në gur”. Parahistoria ishte kjo: rreth vitit 1986, si student ose ish-student në qytetin austriak Innsbruck, Ardian Klosi kishte kontakt me një ish-shoqe të studimeve që punonte si redaktore në shtëpinë botuese austriake “Residenz Verlag”, në Salzburg. Gjë që shumëkush ndoshta nuk di, është që Klosi në atë kohë kishte një afërsi mjaft të madhe me Kadarenë. Ishte redaktori i tij shqiptar, fitoi doktoratën e tij me një disertacion për Kadarenë. Bile kishte edhe marrëdhënie personale me shkrimtarin. Unë, për shembull, vizitën e parë në shtëpinë e Ismailit e bëra bashkë me Ardian Klosin. Kjo ka qenë në fund të viteve tetëdhjetë, në Tiranë. Pak më vonë çdo gjë kishte ndryshuar, por për këtë nuk kam qejf të flas këtu. De mortuis nil nisi bene, thonë romakët e vjetër. Por nejse. Fakt është që Ardian Klosi ngjalli interesin e shtëpisë botuese për romanin “Kronikë në gur”, por përkthimi provë nga dora e tij nuk gjeti pëlqimin e redaktores dhe të botuesit, Jochen Jung. Prandaj Ardiani më propozoi mua dhe përkthimi im provë u pëlqye shumë. Mora kontratën e përkthyesit, romani u botua me mjaft sukses dhe besoj se deri tani është libri i Kadaresë në gjuhën gjermane me ribotimet më të shumta. Për sa i përket veprës së Kadaresë, ky ka qenë fillimi. Pas kësaj, shtëpitë botuese gjermane të tij kanë ndryshuar dy herë, por përkthyesi ka mbetur i njëjti, unë. Deri më sot kam përkthyer afro pesëdhjetë vepra të Kadaresë, romane, novela, tregime, ese, përmbledhje poezish, që u botuan në tregun e librit gjermanishtfolës. Libri i fundit do të dalë sivjet, në tetor: një përmbledhje e teksteve autobiografike me lidhje me Gjirokastrën, duke përfshirë edhe romanin “Kukulla”. Me sa duket, për publikun letrar në Gjermani, Austri dhe Zvicër jam shkrirë në njëfarë mënyre me autorin, si zëri i tij gjerman.
Pothuajse të gjithë përkthyesit e vonshëm të veprës së Kadaresë kanë pasur kontakte me Shqipërinë e periudhës së izolimit – çfarë ka lënë më shumë gjurmë te ju? Në atë kohë, siç e dimë, i përkisnit Gjermanisë Lindore.
Së pari, nuk jam i Gjermanisë Lindore, siç kam treguar më parë. Por është e vërtetë që gjatë kohës së komunizmit kemi jetuar tre vjet e gjysmë në Shqipërinë komuniste, si familje. Qëndrimi në Shqipërinë e asaj kohe ishte, si ta them: disi i veçantë, kërkues, por do të ishte gënjeshtër po të thosha që e ndienim veten keq atje. Sot më kap tmerri, ose me saktë: turpi, kur kuptoj se çfarë ka ndodhur në atë kohë në Shqipëri, sa njerëz të pafajshëm vuanin në burgje, kampet dhe vendet e internimit. Dua të përmend Musine Kokalarin në Rrëshen, një grua të jashtëzakonshme. Pa harruar të gjithë të tjerët. Ju pyetët për gjurmët që ka lënë kjo kohë tek unë. Këto janë. Dhe nuk do të shuhen kurrë.
Nëse për një nismë të mbarë afirmimi në domenin frankofon të Kadaresë meritë të çmuar ka përkthyesi Jusuf Vrioni, për hapësirën gjermanishtfolëse do thoshim pa hezitim se e keni ju, – çfarë sfide ka qenë përkthimi i veprës së tij?
Mos ma merrni për mendjemadhësi, por pas më shumë se tridhjetë vjetësh si përkthyesi gjerman i Kadaresë dhe pas gjermanizimit të një numri kaq të madh të veprave të tij, mund të them: Nuk ka më sfide për mua. Kjo i detyrohet edhe faktit që Kadareja është një autor absolutisht komplet, me një profesionalitet të rrallë. Gjuha e tij është e kthjellët si ujë, e tejdukshme. Gjatë karrierës sime të gjatë kam përkthyer edhe ca libra, autorët e të cilëve – me ose pa diplomë në lëndën e gjuhësi-letërsisë – dukshmërisht nuk kishin as idenë më të vogël për parimet e ndërtimit të një romani, për mbajtjen e harkut të tensionit, krijimin e marrëdhënieve të gjalla midis personazheve dhe gjëra të tjera elementare. Pa folur këtu për zotërimin e gjuhës. Këtyre vepruesve u mungonte profesionalizmi, megjithëse ishin furnizuar me njëfarë talenti. Por, sigurisht, ka edhe shembuj të tjerë, pozitivë. Them me vetëdije të plotë: bota shqiptare mund të jetë e lumtur të ketë një shkrimtar si Ismail Kadare.
Kujtojmë se në fillim të ’90-ës ka pasur një debat të ashpër në Gjermani sa u takon librave të autorëve të botuar në kohën e komunizmit në Gjermaninë Lindore. Ata kritikë e gazetarë, siç mësohet, kishin kaluar kohën e tyre, më parë, në komunizëm në një rehati dhe se nuk kishin idenë e diktaturës shqiptare… si qëndronte çështja në të vërtetë, keni një vështrim nga kjo distancë e sotme?
Po, në konferencën e Departamentit të Letërsisë të Universitetit të Tiranës, “In Honorem, Kadare”, në vitin 2016, mbajta një kumtesë për këtë temë. Në këtë kumtesë thashë se në Gjermaninë e viteve nëntëdhjetë, pas rënies së Murit të Berlinit dhe ribashkimit të vendit, filloi një debat i ashpër për vlerësimin, respektivisht rivlerësimin, e letërsisë në Gjermaninë Lindore dhe pastaj në gjithë Gjermaninë, pas Luftës së Dytë Botërore. Protagonistët sulmues në redaksitë kulturore të disa gazetave gjermanoperëndimore përdornin këtë debat (që pas pak u titullua “Polemika letrare gjermano-gjermane”) për të vënë në dyshim gjithë prodhimtarinë letrare të pasluftës në ish-vendet të Europës Lindore. Ismail Kadareja ishte midis viktimave të kësaj polemike, gjë që, bashkë me disa faktorë të tjerë, shkaktoi një ndërprerje disavjeçare të botimeve të tij në gjuhën gjermane. Gjithashtu, thashë se kundërshtarët e Kadaresë në gazetat gjermanishtfolëse, midis tyre edhe disa që pak kohë më përpara e kishin lavdëruar veprën e tij dhe me ndryshimin e konjunkturave ishin konvertuar dhe kishin kaluar në anën e kundërshtarëve të tij për të qenë brenda, të gjithë kishin jetuar gjithmonë në kushtet e një sistemi tolerant demokratik dhe nuk kishin për të mbajtur mbi trup barrën e një regjimi totalitar. Tregova që kulmin e sulmeve kundër Kadaresë në shtypin gjerman e përbënte një recension në një nga gazetat më prestigjioze të Gjermanisë (“Frankfurter Allgemeine Zeitung”) nga dora e një prej ish-adhuruesve të sipërpërmendur të veprës së Kadaresë, ku mes të tjerave u përmend edhe shprehja “diktatura Hoxha-Kadare”. Kjo fjalë monstruoze ishte importuar drejtpërdrejt nga Shqipëria dhe vinte nga rrethet e kundërshtarëve të përhershëm dhe të sapokonvertuar të Kadaresë atje. Pra, kundërshtarët e Kadaresë në Gjermani ishin nxitur dhe municionuar nga armiqtë e vjetër e të rinj të autorit të madh në Shqipëri, dhe jo pa dashje. Vazhdova se unë për veten time gjithmonë e kam pasur të vështirë të kuptoj motivet e grupit ose, më mirë, të grupeve të ndryshme të militantëve antikadareianë, sidomos egërsinë primitive të mësymjeve të tyre. Askush nuk ka për detyrë t’i çmojë librat e Kadaresë dhe asnjërit nuk mund t’i mohohet e drejta për të kritikuar autorin, edhe për qëndrimet e tij politike ose personale nëpër kohë. Por kritika duhet të bazohet në arsyetim dhe jo në armiqësi personale, xhelozi, zili ose thjesht urrejtje, dhe duhet të zhvillohet në mënyrë të qytetëruar, pa cenuar dinjitetin personal dhe profesional të të kritikuarit.
Në kushtet e regjimit jashtëzakonisht të egër dhe shpirtlig komunist në Shqipëri, Ismail Kadareja, në veprimtarinë e tij, është treguar absolutisht mospërfillës ndaj dogmës estetike zyrtare të realizmit socialist, duke krijuar një vepër letrare të denjë dhe me peshë botërore. Dhe bota zakonisht i gjykon të gjithë shkrimtarët në bazë të veprave dhe jo të vetive personale të tyre.
Prandaj, thashë, e kam shumë të vështirë të kuptoj përmasën tmerruese të sulmeve kundër tij, sidomos kur shoh se në të njëjtën kohë disa nga protagonistët kryesorë të letërsisë së realizmit socialist në Shqipëri kanë mbetur fare të paprekur, madje vazhdojnë të nderohen, dekorohen, kurse veprat e tyre prototipike socrealiste ruajnë vendin e tyre të nderuar në fondin e letërsisë kombëtare, bile duke u konsideruar si xhevahire letrare. Gjithashtu, thashë se realizmi socialist me shabllonet dhe stereotipat e tij propagandonte në mënyrë skematike idetë komuniste, duke i shkrirë me një nacionalizëm romantik aq patetik sa edhe bajat. Ai është bërë mishërimi i këtyre veseve në fushën e estetikës. Elemente përbërëse të një vepre prototipike të realizmit socialist janë denoncimi, ndjekja, diskriminimi, burgosja dhe shpeshherë edhe eliminimi fizik i të ashtuquajturve “armiqtë e klasës”; arsyetimi ose justifikimi i poshtërimit të skajshëm të një numri të madh njerëzish të pafajshëm vetëm për shkak të rrethanave të tyre familjare, botëkuptimore, seksuale e kështu më radhë, të cilëve u mohoheshin të drejtat elementare e njeriut; thjeshtëzimi deri në karikaturë të marrëdhënieve shoqërore (o mik, o armik); etablimi i urrejtjes si element bazë i shoqërisë dhe politikës edhe në letërsi; justifikimi i një diktature të përgjakshme të një pjese të popullsisë mbi tjetrën (në teori) gjegjësisht (të udhëheqësve të Partisë) mbi gjithë popullsinë (në praktikë), e të tjerë. Sot ka përfunduar “polemika letrare gjermano-gjermane”, i përket historisë, dhe gjithashtu “bojkotimi” i përkohshëm i veprave të Kadaresë në botën gjermanishtfolëse, të rrjedhur prej saj.
Shkrimtarët shqiptarë duhet të shkruajnë histori njerëzore, të merrem me realitetin e vendit të tyre dhe të mos qëndrojnë indiferentë – shpesh ju keni qenë shumë i ashpër për mënyrën sesi shkruhet letërsia shqipe, herë me sugjerime, herë me këshilla dhe herë me sulme e armiqësi… si ia keni dalë, pse ky mur i fortë mes jush si “gjerman” dhe shqiptarëve që kërkojnë me ngulm afirmimin… Çfarë ka qenë kjo periudhë, në këtë paradoks? Ju lutem, mur midis gjermanit dhe shqiptarëve të shkretë afirmimkërkues? Sulme, armiqësi?!
Sa i përket dëshirës për afirmim: këtë dëshirë e ka çdokush midis shkrimtarëve në këtë univers. Por jo gjithmonë ekzistojnë parakushtet objektive për të arritur këtë afirmim. A mund të plotësohet dëshira e kërkuesit, varet nga faktorë të shumtë, jo vetëm objektivë, por edhe subjektivë. Për sa i përket armiqësisë: si ndjekës i rregullt i shtypit shqiptar në internet mund të them se kam një ide relativisht të qartë për stilin dhe tonin e debateve publike në Shqipëri: sulme të pamëshirshme në bazë të një tifozllëku partiak dhe botëkuptimor, me fyerje, shpifje, akuza, kërcënime. Mua më pëlqen të quaj këtë fenomen “luftën e istikameve”, duke ditur që bashkëbiseduesit të mi shqiptarë do të më bëjnë vërejtje, do të theksojnë se në gjuhën e sotme shqipe përdoret fjala “llogore”. Në rregull, por në këtë kontekst termi i vjetër më duket më i përshtatshëm. Pra, në këtë kasaphanë e gjithanshme që quhet debat, secili mbron me vendosmëri pozitën e tij të fortifikuar, duke shtirë me armë të rënda në çdo drejtim ku e nuhat kundërshtarin. O shok, o kundërshtar. O Partizani, o Tirona. O demokrat, o socialist. O mik i Shqipërisë, o armik i Shqipërisë. Duhet të them se në krahasim me polemikat e përditshme shqiptare, mënyra ime e diskutimit më duket relativisht e qytetëruar. Por besoj se këtu ekziston një paradigmë tjetër shqiptare: ne dimë fare mirë që kemi defektet tona, por ama, jemi populli i Skënderbeut, dhe këta të huaj, europianët, amerikanët, përkthyesit, nuk kanë të drejtë të na kritikojnë! Ose të na ironizojnë! Kërkoj falje, por në ambientin tim kulturor konsiderohet si normale të bëhen vlerësime cilësore dhe përmbajtësore, përfshirë edhe kritika, mjafton të jenë të arsyetuara, të ekuilibruara dhe me motive pozitive. Si gjermanë jemi mësuar që popujt e tjerë të na shfaqin mospërfillje dhe refuzim, dhe duhet thënë se nga ana historike e kemi merituar. Ne dimë fare mirë që kjo gjë mund të jetë e dhimbshme. Por me gjithë mirëkuptimin tim për ndjeshmëritë kombëtare mendoj se nganjëherë vlen të dëgjosh edhe kur flet një i huaj. Ose një “armik”.
Pikërisht ata shkrimtarë shqiptarë që kanë qejf të ankohen me zë të lartë për indiferencën e botës së jashtme ndaj veprave të tyre dhe fajësojnë përkthyesit dembelë për këtë gjë (mua më kujtohet një konferencë me përkthyes të huaj në vitin 2003 ose 2004 në Tiranë, ku këto ankesa ishin përmbajtja kryesore e aktivitetit), do të bënin mirë të mbanin një qëndrim më tolerant ndaj vërejtjeve mirëdashëse që u bëhen nga jashtë. Me citatin që përmendët (“histori njerëzore”), besoj se desha të thosha atëherë (biseda jonë në “Friend’s Book House” u zhvillua para shumë kohësh) se disa përfaqësues të letërsisë bashkëkohore shqiptare më mirë të pasqyronin ndryshimet në botën e brendshme të njerëzve, problemet e tyre psikologjike (pse jo) edhe shoqërore dhe ekonomike në këtë fazë të vështirë tranzicioni, në vend që të thelloheshin në eksperimente të pafrytshme në emër të një avangardizmi aq eklektik sa edhe të konsumuar.
Për mua është çudi sa pak krijues letrarë merren letrarisht me hulumtimin e gjendjes aktuale të shoqërisë shqiptare. Unë nuk jam kundër pasqyrimit letrar të kohës së sundimit komunist – ky sundim ka shkaktuar trauma të rënda dhe në asnjë mënyrë nuk duhet harruar. Por gjërat i nënshtrohen zhvillimit, pasojat e kësaj traume gjithashtu, ka edhe trauma të reja, dhe letërsia, sa për mendimin tim, nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj këtyre sfidave. Ose, duke vënë veten në pozitën e njerëzve të huaj që tashmë në mënyrë masive kanë filluar të vijnë në Shqipëri si turistë: Sot, në fund të dekadës së dytë të shekullit XXI, do të ishim mirënjohjes po të na shpjegonte dikush çfarë po ndodh në këtë vend akoma pak të padepërtueshëm dhe të mos mësojmë vetëm për të kaluarën aq tragjike sa edhe heroike.
Nuk jeni vetëm ju, por edhe përkthyes të tjerë të cilët jo pak herë kanë pasur një lloj përballje me “arrogancën e shkrimtarëve shqiptarë” dhe maninë e tyre për t’u përkthyer medoemos… A keni pasur një shpjegim ç’ishte kjo skenë letrare në Shqipëri?
Nuk do ta quaja “arrogancë”. Më shumë më duket si një shenjë e pasigurisë ose si shprehje e njëfarë (më falni) kompleksi të inferioritetit, të kthyer në shpirt sulmues. Çdo krijues, domethënë edhe çdo shkrimtar, kërkon afirmim publik për veprën e tij, siç thashë qysh përpara. Në rregull, le ta kërkojë dhe ta gjejë këtë afirmim te rrethet letërsidashëse të vendit ku zhvillon veprimtarinë e tij. Në rastin tonë, në Shqipëri. Shqipëria është vend i vogël dhe relativisht i vogël është edhe numri i lexuesve. Sistemi i botimeve mund të konsiderohet të paktën si “akoma i pazhvilluar”. Çdokush që disponon shumën e nevojshme të të hollave mund të botojë prodhimin e tij pak a shumë letrar, pavarësisht nga cilësia e veprës, gjë që shkakton tretjen ose bile zhdukjen e vijës ndarëse midis letërsisë profesioniste dhe letërsisë amatore. Mirëpo, ajo vijë ndarëse është e domosdoshme për zhvillimin e një letërsie të shëndoshë. Me të meta është edhe sistemi i shpërndarjes së librave (libraritë). S’ka kritikë letrare që mund të quhet e pavarur dhe objektive. Ose e guximshme. Dhe në Shqipëri, si në gjithë botën, interesi për letërsinë e shtypur në letër fatkeqësisht gjendet në rënie, për shkak të mediave e reja, digjitale. Në kushte të tilla, kjo është përshtypja ime, lexuesi shqiptar nuk gëzon më besimin e shkrimtarëve shqiptarë. Afirmimin e dëshiruar shpresojnë ta gjejnë drejtpërsëdrejti te lexuesi i huaj, duke kapërcyer me një hap të vetëm disa stade të zhvillimit të famës letrare. Fatkeqësisht, gjërat nuk funksionojnë ashtu. Pa një karrierë solide, shumëvjeçare, në vendin tënd as nuk mund të përpiqesh “të pushtosh botën letrare”. Por edhe me një karrierë të tillë nuk e ke të garantuar që ylli yt do të lindë edhe në Europë, në Australi ose në Amerikë. Më është krijuar përshtypja se për mjaft autorë shqiptarë ka më shumë rëndësi të përkthehen sesa të pëlqehen jashtë. Të jesh i përkthyer përmirëson statusin tënd shoqëror brenda vendit. Suksesi i librit në tregun e huaj është me rëndësi të dorës së dytë. Ose pa rëndësi fare. Ky është një problem serioz. Nuk është aq e vështirë “të përkthehesh” dhe libri bile mund të botohet. Flas për këto “shtëpi botuese vetëpaguese” që mbijnë si kërpudhat pas shiut, edhe te ne. Po të kesh të hollat, mund të botosh çdo gjë. Autori duhet të harxhojë katër-pesë mijë euro (ose shumë më shumë, pa marrë parasysh këtu shpenzimet “anësore”, p.sh. për përkthimin) për t’ia plotësuar vetes dëshirën për t’u botuar. Vetëm që duhet thënë se librat që dalin nga një “shtëpi botuese” e tillë, nuk do të arrijnë kurrë në libraritë, domethënë te publiku letrar. Nuk do të merren parasysh nga kritika letrare. Autorët e tyre nuk fitojnë të drejtën të anëtarësohen në organizatat profesionale. Kjo do të thotë se libri mund të quhet i djegur që përpara se ka dalë. Ky është një ligj i pashkruar, një çështje e etikës profesionale. Çdo botim i padenjë, çdo libër i dështuar në tregun e huaj, ndikon negativisht në shanset e veprave të denja të të gjithë autorëve të një vendi për t’u botuar jashtë. Mirëpo, s’ka gjë, autori mund të shpërndajë dyqind copët e tirazhit për të cilin ka paguar falas, vetëkuptohet – në farefis ose në rrethin e miqve. Po të kënaqet me një “afirmim” të tillë.
Ju keni thënë prerë se e vetmja mundësi për t’u njohur në qarqet e jashtme letrare është interesi i lexuesve të atij vendi ku përkthehen? A vazhdon të qëndrojë kjo? Sot ka politika të posaçme qoftë edhe nga BE-ja, pasi lexuesi nuk është më ai i një dekade më parë.
Po, them prerë se për suksesin e një libri (qoftë vendas, qoftë i huaj) vendosin lexuesit dhe kritika letrare, si arbitrat më të pamashtrueshëm. Dhe më të pamëshirshëm, po të duash. Kush tjetër mund ta kryente këtë punë? Ky parim qëndron, sot dhe përgjithmonë. Kjo gjë s’varet nga koha. Por besoj se pyetja juaj synon në diçka tjetër: ndryshimet kulturore midis vendeve ose rajoneve të ndryshme. Nuk flas për “kulturën e lartë” të salloneve letrare dhe të muzikës, të teatrove ose ekspozitave, por për kulturën e përditshme, sipas “konceptit të zgjeruar të kulturës”. Me këtë term përcaktohet një sistem orientues i përbërë nga rregulla, ligje, doke e zakone, tradita, moda, botëkuptime, gjeste, stile artistike ose muzikore, rituale përshëndetjeje e lamtumire, shije, tabu, gjuhë, zhargone, vlera, shkathtësi të jetës së përditshme, njohuri sociale, aftësi të fituara me anë të arsimit dhe kështu me radhë. Shkurt: një sistem vlerash dhe rregullash që ia mundëson individit të bashkëjetojë me individët e tjerë të së njëjtës shoqëri.
Nuk mund të vihet në dyshim se receptimi gjegjësisht, suksesi i një vepre artistike në një vend të huaj varet, edhe nga përputhshmëria e të dyja kulturave. Filmat “Bollywood” nga India nuk pëlqehen në Europën Perëndimore sa në Azi. Për arsye të kuptueshme, lexuesi ka dëshirë të lexojë libra që “ia prekin nervin”, që janë në përputhje me përvojat dhe standardet e tij kulturore. Nga ana tjetër, edhe diçka shumë e huaj mund të gjejë interesin e tij. Niveli i arsimit ndikon në shijen e të interesuarit, d.m.th. në gatishmërinë e tij për t’u mësuar me gjëra të huaja.
Kjo është një nga arsyet pse vetëm një numër i vogël i veprave letrare të një “letërsie nacionale” (nëse duam të përdorim këtë term pak të mykur) arrijnë të kapërcejnë kufijtë për jashtë. Mentaliteti francez ose amerikan i është më afër lexuesit gjerman sesa mentaliteti kinez ose japonez. Megjithatë, një autor si Haruki Mukarami është shumë i dashur për publikun gjerman.
Sot në Europën Perëndimore si dhe në Amerikë (dhe në vende të tjera perëndimore) vihet re përshpejtimi i procesit të “individualizimit të shoqërisë”. Aspekteve personale, private ose grupore, të seksit, të mjedisit të veçantë e kështu me radhë, u jepet gjithmonë e më shumë rëndësi, në krahasim me interesat gjithëshoqërore. Shqipëria, nga ana tjetër, për arsye historike që s’kanë filluar vetëm me komunizmin, vazhdon t’u përkasë më shumë “shoqërive kolektive”, ku normave dhe kërkesave gjithëshoqërore, në krahasim me nevojat individuale, u jepet akoma më shumë peshë. Sa i përket individualizimit të shoqërisë, flitet edhe për “diferencimin e koncepteve për jetën”. Në vendet e ish-Lindjes, për arsye historike, ky proces zhvillohet më ngadalë. Shoqëria shqiptare ka ruajtur mjaft elemente ose tipare të një “shoqërie kolektive”, për shkak të “kolektivizimit komunist”, por edhe të traditave më të vjetra. Shikimi shqiptar mbi botën nuk është akoma identik me shikimin mbi botën (për shembull) në Gjermani.
Shkurt: sa i përket kulturës së përditshme, hendeku midis Shqipërisë dhe Perëndimit nuk është mbushur akoma, në mjaft drejtime. Por nuk dua të thellohem në “problemet ndërkulturore”.
Më falni për këtë leksion në lëndën “interkulturalitet” nga shkenca kulturore, respektivisht shkenca e përkthimit. Faktorë të tillë ndikojnë me siguri në pranueshmërinë e një vepre letrare jashtë vendit të origjinës. Por, në fund të fundit, vendos cilësia.
Si është harta e përkthimeve të letërsisë shqipe në gjuhën gjermane, a keni një panoramë për këtë, ndër vite?
Në përgatitje të një aktiviteti letrar kam bërë një listë të të gjitha botimeve letrare shqiptare në gjuhën gjermane, në periudha të ndryshme, dhe nuk kanë qenë aq pak. Këtu nuk mund të numëroj të gjitha botimet përkatëse. Nuk do të ishte me kuptim. Aktualisht, sipas shumë gjasave, në gjithë botën, por të paktën në Europën Perëndimore, ndodh njëfarë “përmbysjeje” në tregun e librit. Është bërë më e vështirë për të botuar libra. Kjo vlen akoma më shumë për libra të huaj.
Por, siç thashë më parë, në fund të fundit, vendos cilësia.
Po pritja, receptimi?
Sa i përket receptimit, nuk ka ndonjë gjë të veçantë për t’u përmendur. Kadareja nuk mund të quhet “autor bestsellerash”, por shifrat e shitjes së librave të tij janë në rritje, jehona nga ana e kritikës letrare është kryesisht pozitive, domethënë, shkrimtari është bërë një “faktor fiks” në skenën letrare gjermanishtfolëse. Si në shumë vende të tjera. Sa u përket veprave të autorëve të tjerë të gjuhës shqipe, receptimi prapë është normal: nganjëherë më i mirë, nganjëherë më i keq. Ndonjë sukses spektakolar nuk është për t’u shënuar kohët e fundit. Për arsyet e sipërpërmendura (sidomos rolin në rritje të mediave të reja) nuk është bërë më e lehtë, por më e vështirë për të ngjallur interesin e shtëpive botuese. Dhe interesin e publikut. Por në përgjithësi mund të thuash se ka pak vepra me vlerë të veçantë nga letërsia ndërkombëtare që nuk janë botuar në Gjermani. Presim që nga Shqipëria të dëgjohen zëra të vjetër dhe të rinj, por sidomos të rinj, dhe në fund të fundit do të vendosë cilësia.
Ka një mendësi shqiptare sa u takon përkthyesve të huaj, të cilët bëjnë bujë këtu më shumë sesa njihen në vendet e tyre. Sa garantor për cilësi mund të jetë një përkthyes i huaj, pra sa i besohet?
Sipas përvojës sime, kjo mendësi shqiptare nuk është plotësisht e gabuar, të paktën sa i përket gjuhës gjermane. Edhe mua më është dukur shpeshherë se disa nga “përkthyesit e njohur” kanë investuar më shumë energji në ruajtjen e imazhit të tyre në Shqipëri sesa në ushtrimin e suksesshëm të profesionit të tyre të përkthyesit. Me sa duket, ishin të mendimit që me lavdërime dhe lajka për arritjet shqiptare në fushën e letërsisë mund të fitonin më shumë simpati në Shqipëri sesa me suksese reale në tregun e librit të vendeve gjermanishtfolëse. Ashtu u bënë “përkthyes të njohur” në vendin e shqiponjave, por jo në vendet e tyre. Më shumë nuk dua të them për këtë çështje. Por besoj se roli i përkthyesve përgjithësisht mbivleftësohet në Shqipëri. Ushtruesve të shkretë të këtij profesioni u ngarkohen detyra të ndryshme që s’u takojnë, për shembull, ajo e agjentit letrar, e ndërmjetësit kulturor, e promovuesit, e këshilltarit, e përkrahësit shpirtëror, e ngushëlluesit dhe pjesërisht edhe e botuesit. Mirëpo, si garantuesi i një përkthimi optimal (me çdo kusht edhe në çdo rast) përkthyesi është i pazëvendësueshëm. Fatkeqësisht, në këtë funksion çmohet më pak.
Çdo shkrimtar ka dëshirë të njihet jashtë, por kjo është dëshirë joreale, sepse një autor që të ketë sukses, do parakushtet përse është shitur letërsia, nuk është për t’u mburrur. Di që ka shkrimtarë shqiptarë që bëjnë vetëmashtrim në Itali, – kjo është një deklaratë juaja në një intervistë z. Röhm. Sipas jush, cili është parimi bazë për përkthyesin?
Është e vërtetë, çdo shkrimtar ka dëshirë të njihet jashtë, kjo s’është për t’u dënuar. Vetëm që na del pyetja: Ç’do të thotë të njihesh jashtë? Kam thënë që më lart se është gjëja më e natyrshme që vetëm një pakicë autorësh ka kapacitetin dhe potencialin letrar për të kapërcyer kufijtë të vendit të vet për t’u njohur jashtë. Kjo vlen për shkrimtarët gjermanë, shkrimtarët frëngë, shkrimtarët amerikanë, shkrimtarët malajzianë dhe shkrimtarët shqiptarë. Që të kënaqesh ose bile të mburresh me një “sukses” të tillë që të ka botuar ndonjë shtëpi botuese e kategorisë së tretë në Italinë e Jugut ose në Malajzinë e Veriut, pa u marrë vesh nga publiku letrar dhe gazetat e vendit përkatës, për mendimin tim është vetëmashtrim. Për mua, kjo çështje ka të bëjë me dinjitet, për shkrimtarin dhe për përkthyesin. Unë marr rregullisht mesazhe nga autorë dhe “autorë” që më lusin ose më kërkojnë me ton pak a shumë të ashpër të përkthej prodhimet e tyre letrare. Para ca vjetësh, një vajzë në moshën e një gjimnazisteje më ka dërguar një e-mail të tillë: “Unë sapo kam botuar vëllimin tim të parë me poezi dhe dua ta përkthej në gjermanishte.” Çfarë absurditeti! Unë sapo kam botuar, unë dua ta përkthej. Ju lutem, kush e boton, kush e përkthen? Vëllimthin e parë? Unë vetë kam një parim të pandryshueshëm: unë kurrë, në asnjë mënyrë, nuk marr porosi, pra para, nga autori, pavarësisht nga fakti që mund të isha shumë më i pasur po ta bëja. Kjo për mua është një çështje e integritetit profesional. Gjithashtu nuk punoj për “shtëpi botuese vetëpaguese” që, siç tregova më përpara, ekzistojnë edhe te ne, pa qenë në gjendje të hyjnë në rrjetin normal të furnizimit të librarive. Po të bëja, kjo do të ishte fundi i karrierës sime si përkthyes. Një autor që boton në një “shtëpi botuese” të tillë dhe një përkthyes që bën të njëjtën gjë do të konsiderohen si leprozë në skenën letrare. Kjo shprehje nuk është shumë e tepruar.
A ka ndikuar te botuesit e huaj historia jonë e izolimit 45-vjeçar për të besuar te shkrimtarët, letërsia e vendit tonë? Kam parasysh shqetësimin që keni pasur ju, por siç janë shprehur përkthyes të tjerë, p.sh i ndjeri Ramon Sanches, se e gjithë pasuria e letërsisë botërore dhe rrymat letrare janë pasqyruar dhe janë përqafuar vonë në Shqipëri.
Historia juaj e izolimit 45-vjeçar nuk ka ndikuar të botuesit tanë për të besuar te shkrimtarët, letërsia e Shqipërisë. Botuesit te ne nuk pyesin nga vjen një libër i mirë. Kjo gjë vërtetohet nga suksesi i mjaft autorëve që kanë jetuar në vende me regjime diktatoriale, fashiste ose komuniste: Pablo Neruda, José Saramago, Vladimir Majakovskij, Boris Pasternak, Wisława Szymborska, Václav Havel, Imre Kertész, i cili ka mbijetuar të dy llojet e sistemeve totalitare, Ismail Kadare.
Por izolimi i Shqipërisë gjatë viteve të sistemit monist patjetër ka lënë gjurmë në letërsinë shqiptare dhe mbeturinat e këtyre gjurmëve ndoshta kanë penguar dhe pengojnë afirmimin, përhapjen e letërsisë shqiptare nëpër botë. Ramoni patjetër ka pasur të drejtë. Me sa di nga bisedat me të, edhe ai ka qenë i mendimit që izolimi kulturor pesëdhjetëvjeçar i Shqipërisë ka ndikuar negativisht në letërsinë shqiptare. Por ai u përkiste radhëve të përkthyesve profesionistë me një njohuri të shëndoshë letrare dhe dinte të dallonte të aftët nga të paaftët, të talentuarit nga të patalentuarit, pa iu nënshtruar paragjykimit ideologjik. Ose historik.
Izolimi kulturor i Shqipërisë në periudhën enveriste nuk ka shkaktuar vetëm mbetjen jashtë nga skena letrare e vendit të pjesës më të madhe të trashëgimit letrar botëror, por në mënyrë aktive janë importuar pikërisht ato pjesë të letërsive ndërkombëtare që mbështesnin ideologjinë sunduese. Mund të thuhet se janë shtrembëruar standardet. Në Shqipëri, për mendimin tim, njohuria për rrymat kryesore letrare (ose kulturore, në përgjithësi) të botës në shekullin e fundit vazhdon të jetë mjaft fragmentare, gjë që përkrah tendencat eklektike. Sidomos në vitet e para të tranzicionit vihej re përqafimi eklektik i rrymave avangardiste, të ndaluara deri në momentin e rënies së komunizmit, shpeshherë pa marrë parasysh se avangardizmat përkatëse ishin konsumuar në botë qysh pesëdhjetë vjet më parë. E njëjta gjë vlen për postmodernizmin. Ose për realizmin magjik posaçërisht të dashur. Gabriel García Márquez, surrealistët francezë, postmodernistët e të gjithë kontinenteve ose një Franc Kafka shumë i keqkuptuar ishin mjaft të pranishëm në jetën letrare shqiptare, më pak me librat e tyre sesa në veprat e autorëve shqiptarë. Kjo prirje për t’u orientuar ndaj rrymave të suksesshme të letërsisë botërore ishte e shpjegueshme, por prapëseprapë problematike. Origjinaliteti është një virtyt i rëndësishëm i veprës letrare. Eklektizmi është një tipar dallues i letërsisë amatore. Tani, me sa duket, situata është normalizuar, por kanë mbetur boshllëqe për t’u mbushur. Një pjesë e fajit i përket ndoshta edhe sistemit (akoma) të ngurtësuar të arsimit në Shqipëri. Faj ka edhe puna akoma disi amatoreske e shtëpive botuese që s’bëjnë punën (detyrën) e tyre për të ngritur në mënyrë sistematike thesaret e letërsisë botërore në sipërfaqen shqiptare. Them “në mënyrë sistematike”, sepse botime ka sa të duash, por shumë herë janë bërë pa shumë kriter dhe jo gjithmonë është realizuar cilësia e nevojshme e përkthimit.
Pa tentuar të hyni në ndërmjetësin letrar, por duke konstatuar njëkohësisht, ju keni thënë se nuk i nënshtroheni shijes shqiptare, por shijes gjermane… Sa rëndësi ka për ju skena e brendshme letrare? Sa ju ka ndihmuar kjo në rolin tuaj si përkthyes?
Kam cekur këtë temë. Por nuk është në radhë të parë një çështje e shijeve, por e standardeve kulturore. Për cilën skenë të brendshme letrare flitni? Atë në Shqipëri ose atë në Gjermani? Skena gjermane është “vatra” ime. Sa për skenën shqiptare: nuk di aq shumë për këtë. A ka një skenë letrare në Shqipëri? Nëse po, nuk duket të jetë shumë e gjallë. A ka ndonjë “underground”? Shkëmbime të gjalla me lexuesit? Lexime me diskutime? Debate në shtyp? Emisione letrare në TV? A ka forume për këmbimin e mendimeve, vendtakime të rregullta të autorëve dhe përkthyesve? Ç’u bë me grupet letrare, p.sh. “E për7shmja”, “Aleph” etj.? Nuk di.
Por është interesante që të huajt, turistët, që kanë filluar të vizitojnë Shqipërinë më shumë, konstatojnë se kryeqytetit, Tiranës, i mungon një profil i qartë kulturor.
Para disa vjetësh në një bisedë tonën ju sugjeronit që të hidhej vështrimi nga letërsia amerikane, duke e rrëfyer si superfuqi letrare që ka thithur gjithë debatet e sotme letrare, ku janë të përjashtuara rregullat akademikë. Shembull merrni Philip Roth… a mendoni se ka letërsi kombëtare, çfarë raporti krijon letërsia me kombin? Ju e keni pasur për zemër këtë trajtesë…
Në këtë bisedë shumë vjet prapa përmenda letërsinë amerikane në një kontekst të veçantë. Thashë se në letërsinë shqipe të kohës së tranzicionit vihet re një mosbesim kundrejt realizmit në letërsi, i cili mund të shpjegohet me përvojën fatale të realizmit socialist. Shtova që sipas mendimit tim ky mosbesim është i panevojshëm, bile pengesë. Si shembull për një realizëm mjaft të suksesshëm përmenda neo-realizmin amerikan. Roth-in. Me kaq. Nuk dua t’u imponoj shkrimtarëve shqiptarë ndonjë rrymë të letërsisë botërore, as neo-realizmin amerikan, as postmodernizmin, as pospostmodernizmin, as neo-romanticizmin, as… Ndërkohë ka mjaft autorë amerikanë në raftet e librarive shqiptare (tiranase). Përzgjedhja mund të ketë qenë pak spontane, sipas njohurisë dhe qejfit të përkthyesit. Mua personalisht më ka gëzuar botimi i romanit “Stoner” i John Williams, në përkthim të Piro Mishës. Është një libër i jashtëzakonshëm.
Sa i përket “letërsisë kombëtare”, besoj se ky term i përket filologjisë. Shumë mirë që filologët analizojnë veprat letrare që janë bërë brenda një periudhe të caktuar dhe kur të gjejnë tipare të përbashkëta, ndërlidhëse, atëherë mund të flasin për tiparet e përbashkëta të një “letërsie kombëtare”. Po të kuptosh “letërsinë kombëtare” si një shkollë, një program, një kanun, një dogmë që duhet të merret parasysh, të ndiqet patjetër nga shkrimtarët, ashtu siç ka qenë me “realizmin socialist”, atëherë do të thosha se kjo do të ishte jo vetëm gabim, por bile shumë e rrezikshme. Katastrofë. Për mua, letërsia është një gjë krejtësisht individuale. T’i shërbejë kombit të vet, nuk është detyra e shkrimtarit. Në qoftë se ka dëshirë t’i shërbejë kombit, le ta bëjë, por kjo gjë nuk e bën veprën e tij më të vlefshme. Në qoftë se nuk ka interes t’i shërbejë kombit, prapë është në rregull dhe prapë nuk ka të bëjë me vlerën e veprës të tij.
Një tjetër gjerman, përkthyes i njohur, i ndjeri Joachim Lankch, është shprehur se: Përkthimin e letrave shqipe në gjermanisht e vështirëson një fakt i hidhur: me gjithë trombetimin e medias shqiptare, letërsia albanofone pothuaj nuk njihet në vendet gjermanishtfolëse. Lexuesi, kritika, media kulturore këtej e njohin emrin dhe veprën e Ismail Kadaresë dhe jo letërsinë shqipe. Kjo, kuptohet, nuk është “faji” i shkrimtarit Kadare. Janë përkthyer edhe shkrimtarë të tjerë, mirëpo përkthimet e tyre mbeten nën hijen e veprës letrare të autorit më të përkthyer shqiptar… – a është e saktë, çfarë nuk shkon sot me ardhjen e letërsisë shqipe në botën gjermane?
Rrallëherë kam qenë i një mendimi me Lanksch-in dhe jo vetëm për shkak të qëndrimit të tij armiqësor ndaj Kadaresë. Mendimin e tij, të cilit i referoheni ju, e kam kundërshtuar që në konferencën e përkthyesve, të organizuar nga Ministria e Kulturës (në mos gaboj) në vitin 2002 në Shkodër. Këtë “teori” gjithmonë e kam konsideruar si përpjekje vetëjustifikimi, vetëshfajëzimi. Të fajësosh Ismailin për mossuksesin (e supozuar) e autorëve të tjerë shqiptarë në botën e jashtme, për shkak të hijes së tij super të rëndë, është – kërkoj falje për shprehjen – një idiotësi. Çfarë përgjegjësie ka Kadareja për, le t’i quajmë, ëndrrat e zhgënjyera të disa shkrimtarëve shqiptarë? Ç’mund të kishte bërë Kadareja për t’i ndihmuar kolegët gjoja të shtypur prej hijes së tij? Të thoshte “mea culpa”, të flakte tutje stilolapsin dhe të shkonte në manastir, si murg i heshtur? Le t’i marrim si shembuj të tre viganët e letërsisë amerikano-veriore, William Faulkner, John Steinbeck dhe Ernest Hemingway. Të tre ishin bashkëkohës, të tre fituan çmimin Nobel. Po t’i besonim teorisë bizare që përmendet ju, një gjë e tillë s’do të kishte qenë e mundur.
Kadareja nuk ka penguar përhapjen e letërsisë shqiptare jashtë. Përkundrazi, pa të si “akullthyes”, letërsia shqiptare do të ishte akoma më “e pasuksesshme”, më “e panjohur” në botën e huaj. Cili shkrimtar tjetër shqiptar mund ta kishte zëvendësuar Ismailin në analet e letërsisë europiane? Kishte disa aspirantë, të respektuar si njerëz dhe si autorë. Bile jetonin jashtë Shqipërisë, në qendra të rëndësishme të jetës letrare botërore, afër shtëpive më të njohura botuese. Përkthyes kishin. Pse nuk fituan famën botërore të dëshiruar? Për faj të Kadaresë? Çfarë ka bërë ai për t’i penguar? Fakt është: të gjithë ata që mendojnë që është me vend të shash, të ofendosh dhe të fajësosh Kadarenë nëpër botë, i bëjnë një shërbim shumë të keq letërsisë shqiptare. Dhe Shqipërisë. Pra, në fund të fundit, vetes.
Në këtë kontekstualizim, si përkthyes i veprës së Ismail Kadaresë, për të cilin thoni se ishte akullthyes për letërsinë shqiptare, a keni një vështrim çfarë ka ndodhur pas tij me letërsinë shqipe, si shihet kjo në botën gjermane sot?
Me ose pa Kadarenë, në tregun e librit të botës gjermanishtfolëse letërsia shqiptare duhet t’i bëjë ballë konkurrencës së të gjitha letërsive të kësaj bote, nga Afganistani deri te Zelanda e Re (po të fusim Zvicrën në botën gjermanishtfolëse). Sipas të dhënave të OKB-së ka 193 shtete në këtë planet. Specialistët e gjuhësisë thonë se në vendet përkatëse fliten rreth 6.000 gjuhë. Me çdo respekt për prirjen e çdo populli për të konsideruar vendin e tij si boshtin e botës, besoj se kam të drejtë të them se shqiptarët, në relacion me numrin e popullsisë dhe fuqinë e ekonomisë të vendit të tyre, nuk janë përfaqësuar keq në arenën e letërsisë ndërkombëtare.
Rezultatin e letërsisë shqiptare, që ajo të jetë në nivelin e duhur, e keni lidhur me botuesit, duke u shprehur se këtu ka pronarë shtypshkronje që fitojnë duke marrë para nga autorët. Besojmë se flisni nga një përvojë europiane, çfarë mendoni se është pengesa kryesore këtu, për letërsinë shqipe, që ajo të zhvillohet?
Nuk dua të ofendoj botuesit shqiptarë, disa nga ata i konsideroj miq. Gjithashtu, besoj se në vitet e fundit në punën e tyre ka pasur përmirësime. Por vazhdoj të mbroj idenë se sistemi shqiptar i botimeve duhet të përmirësohet akoma më shumë.
1. Praktika për të botuar çdo gjë që u afrohet, kundrejt pagesës nga ana e autorit, është shumë e dëmshme për gjithë letërsinë shqiptare, sepse mosndarja e profesionistëve nga amatorët sjell një ulje të përgjithshme të nivelit cilësor.
2. Botuesit nuk duhet të botojnë librat që u ofrohen, por duhet t’i përzgjedhin vetë, sipas kriterit të cilësisë. Sipas parimeve të ekonomisë së tregut, hedhja e librave me cilësi të lartë garanton sukses në treg. Libra të dobët nuk shiten. Dhe shumica absolute e librave të vetëfinancuar nga autorët janë të dobët. Përfundojnë duke u pluhurosur në raftet e librarive.
3. Ku drejtuesit e shtëpive botuese janë në radhë të parë biznesmenë dhe jo specialistë të letërsisë, duhet të marrin në punë specialistë të tillë, për të siguruar që përzgjedhja e autorëve të bëhet sipas kriterit cilësor.
4. Botuesit duhet të kujdesen për autorët e tyre, sikur t’i kishin fëmijë, se ata janë baza e suksesit (dhe në fund të fundit të të ardhurave) të shtëpisë botuese. S’mund të financosh programe me botime cilësore me lekët e autorëve vetëbotues.
5. Sistemi i shpërndarjes së librave duhet të përmirësohet. Turmat e lexuesve në sallat e Panairit të Librit në Tiranë tregojnë se në vend ka interes për krijimtarinë letrare. Por nuk ka një numër të mjaftueshëm të librarive, sidomos “nëpër rrethe”.
5. Në një vend kur shkrimtarët e kanë zor të gjejnë një agjent letrar që rregullon marrëdhëniet e tyre me botuesit jashtë, kjo detyrë u bie botuesve vendas: ata duhet të shfrytëzojnë kontaktet e tyre të dendura (vetëm teori, këtë e di fare mirë!) me kolegët jashtë, për të promovuar veprat e autorëve të rregullt të shtëpisë botuese që drejtojnë.
6. Botuesit shqiptarë duhet të botojnë autorët më të rëndësishëm të letërsisë botërore jo sipas rastit ose sipas qejfit të përkthyesit, por në mënyrë sistematike, duke garantuar përkthime cilësore. Çdo shtëpi botuese duhet të ketë jo vetëm autorë të rregullt nga vendi, por edhe autorë të rregullt të letërsisë ndërkombëtare.
Unë jam plotësisht i vetëdijshëm se propozimet e sipërme do të konsiderohen si trille të një ëndërrimtari kokëfortë, por nejse. Ashtu punojnë shtëpitë e suksesshme botuese nëpër botë.
Mbi ç’kritere e bëni përzgjedhjen e një libri për ta përkthyer?
Nuk i përzgjedh unë librat për përkthim, i përzgjedhin botuesit. Unë mund të bëj propozime. Pa porosi nga ana e shtëpisë botuese që ka marrë përsipër botimin nuk filloj të punoj, sepse ajo, shtëpia botuese, më paguan. Dhe aq ëndërrimtar kokëfortë (shih lart) nuk jam që punoj pa u paguar. Me idealizëm, pasion, miqësi nuk mund të mbushësh barkun. Jam me profesion të lirë, nuk mund të ofroj idealizmin tim falas duke mbajtur familjen time me një punë tjetër, të mirëpaguar. Pra, unë punoj vetëm me kontratë përkthimi. Thashë, propozime mund të bëj. Ndërkëshillohem me botuesin për përzgjedhjen e tekstit të ardhshëm, siç e bëjmë në rastin e Kadaresë. Ka shumë gjasa që do të pranoj ofertën e një botuesi kur më pëlqen libri. Ka gjasa që do të pranoj ofertën e një botuesi edhe kur s’më pëlqen libri, sepse më duhen lekët. Unë refuzoj rreptësisht të përkthej libra me përmbajtje raciste, ekstremiste, totalitare, antihumanitare, seksiste, fyese etj. Unë kurrë nuk punoj për individë (d.m.th. autorë). Nuk punoj për “shtëpi botuese vetëpaguese”. Kaq.
Ju keni përkthyer, gjithashtu, edhe veprat e disa autorëve nga Kosova, siç janë Anton Pashku, Mirko Gashi dhe Rexhep Qosja. Në intervistë për Radio Kosovën keni thënë se jo çdo libër që është me rëndësi për vendin e vet, është me rëndësi edhe për botën e jashtme… çfarë kishit parasysh me këtë?
Që shumica e librave të botuar në këtë planet nuk kanë të njëjtën rëndësi në vendin e origjinës dhe në botën e jashtme, është arsyeja kryesore që vetëm pak arrijnë të kapërcejnë kufijtë shtetërorë. Kjo vlen për çdo vend, jo vetëm për Kosovën ose Shqipërinë.
Disa autorë nga Kosova i kam përkthyer me entuziazëm. Mirko Gashi dhe Ali Podrimja kanë qenë poetë të mrekullueshëm. Romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë” i Rexhep Qosjes është një kryevepër e letërsisë shqipe. Anton Pashku ka qenë një shkrimtar mjaft interesant që, fatkeqësisht, nuk njihet shumë në Shqipëri, por që ka lënë gjurmë të thella në letërsinë kosovare. Kam përkthyer edhe autorë të tjerë kosovarë, disa me dhe disa pa qejf. Pyetja e logjikshme në këtë kontekst do të ishte: Si e vlerësoni ju letërsinë kosovare? Do t’i përgjigjem edhe pyetjes së pabërë. Në socializmin më liberal të ish-Jugosllavisë, autorët shqiptarë në Kosovë kishin më shumë mundësi për t’u njohur me letërsinë botërore, nuk i ishin nënshtruar dogmës së realizmit socialist, prandaj letërsia shqipe atje ka marrë një zhvillim tjetër nga letërsia në Shqipërinë e mbyllur. Rrymat moderne dhe postmoderne kanë hyrë më shpejt dhe janë përqafuar nga autorët. Me gjithë ndryshimet që kanë ndodhur ndërkohë në Balkan, të dyja letërsitë nuk kanë gjetur akoma rrugën për t’iu afruar njëra-tjetrës. Fatkeqësisht. Është diçka që nuk mund të shpjegohet lehtë.
Marrëdhëniet me Shqipërinë i kam shumë më të ngushta sesa marrëdhëniet me Kosovën, për arsye historiko-personale. (Me njerëzit, individët kosovarë, kam zhvilluar marrëdhënie, i kam përkthyer në mijëra gjyqe për azil. Njoh edhe disa intelektualë.) Shteti i pavarur i Kosovës nuk më ka zgjatur dorën. Nuk ka për detyrë të bëjë një gjë të tillë, nuk ankohem. Vetëm desha të them se nuk kam pasur mundësi të njihem nga afër me Kosovën. Me Shqipërinë kam marrëdhënie të vjetra, të qëndrueshme, letrare dhe jashtëletrare, ndërkohë edhe familjare. Është një pjesë e pandashme e jetës sime, me ose pa shtet.
Pas gjithë kësaj bisede, mendoj të vështirë për ju (?), për t’i dhënë vlerën që i takon letërsisë së një gjuhe, keni një qasje se ç’prespektivë mund të ndjekë, keni autorë që vlerësoni e që do t’ia sugjeronit me bindje botuesit gjerman nga shqipja?
Kjo pyetje ishte e pashmangshme. Por unë mund t’i shmangem përgjigjes. Unë nuk jam profet. As mësuesi i shkrimtarëve shqiptarë. Ka autorë që i vlerësoj dhe ka edhe autorë që s’i vlerësoj, por nuk dua të përmend emra, ngaqë, sipas përvojës sime, kjo nuk do të sillte asgjë të mirë.
Mirëpo, për një gjë, një përshtypje, nuk dua të hesht: më duket se letërsia shqipe gjendet në një fazë amullie. Aktiviteti letrar i shkrimtarëve të moshës së mesme është në ulje, merren më shumë me punë të tjera. Më të vjetrit besoj se nuk do t’ia japin letërsisë shqipe impulse freskuese. Ku janë shkrimtarët e rinj? Libra ka mjaft, edhe libërshkrues, politikanë, “analistë”, gazetarë, “vip-a”, shkrues vetëbotues, por jo tamam shkrimtarë me perspektivë. Shpresoj të gaboj.
Më lejoni disa fjalë të fundit. Ju më keni bërë pyetje shqiptare dhe unë ju kam dhënë përgjigje gjermane. Jam i vetëdijshëm se kanë potencialin të shkaktojnë një valë të re indijimi ndaj meje. Por ky s’është faji im. Çdo gjë mund të lexohet në (të paktën) dy mënyra. Qëllimet e mia nuk janë negative. Bile kuptoj deri në njëfarë mase “shqiptaroqëndrizmin” që është arsyeja se nga i huaji që do të konsiderohet si dashamirës i Shqipërisë, pritet që të bie dakord me pak a shumë çdo gjë që vjen nga Shqipëria. Por kam dyshim se një qëndrim i tillë mund të jetë i dobishëm.
Në fund të fundit, mund të thuhet se unë jam një përfaqësues tipik i kësaj Europe që do të mirën e Shqipërisë, por neverit shumëkënd në Shqipëri me sjelljen e saj jo shumë të kujdesshme, direkte.