More
    KreuIntervistaJani Thomai: Sfida kryesore, ruajtja dhe mbrojtja e gjuhës sonë amtare, si...

    Jani Thomai: Sfida kryesore, ruajtja dhe mbrojtja e gjuhës sonë amtare, si tipar kryesor i kombit

    Bisedoi Andreas Dushi

    A. D: Prof. Thomai, ndihmesa që prej dekadash ju keni dhënë në studimin e gjuhës shqipe, është e mbetet një vlerë e rrallë. Sot, si mendoni, është bërë aq sa duhet me studimet në këtë fushë?

    J. Th: Siç dihet, gjuhësia shqiptare nis me një fjalor, me “Fjalorin latinisht-shqip” të Frang Bardhit (1635). Prej këtej, veprat e studimet për shqipen, nga studiues shqiptarë e të huaj, janë të shumta, për të gjitha nënsistemet e gjuhës dhe historinë e saj. Nga shekulli në shekull ato janë zgjeruar e janë bërë më cilësore, në krahasim edhe të shqipes me gjuhë të tjera. Shumë gjuhëtarë shqiptarë e albanologë të huaj të shquar kanë dhënë ndihmesën e tyre në fondin tashmë të pasur të studimeve për gjuhën shqipe. Gjysma e dytë e shekullit të kaluar dhe këta dy dhjetëvjeçarë të shekullit tonë kanë qenë më të begatë, si në produktin shkencor, ashtu edhe në përpunimin e zbatimin e metodave bashkëkohore të studimeve. Por mbetet ende shumë për të bërë; si për studimin e çdo gjuhe, edhe për shqipen është e natyrshme të ketë përparim të mendimit shkencor e të metodologjisë së kërkimit, të ndiqen zhvillimet e pandërprera të gjuhës gjithnjë në lëvizje, siç është edhe vetë mendimi shkencor. Kështu, dyshoj se do të vijë një ditë e të themi ”bëmë aq sa duhet”. Por të bëjmë së paku aq sa mundemi.

    A. D: A ishte gjuhësia një fushë thuajse e paprekur para se ju e të tjerë kolegë t’i përkushtoheshit asaj? Si i kujtoni fillimet tuaja?

    J. Th: Nuk mund të them se gjuhësia ishte një fushë thuajse e paprekur para nesh, para brezit tonë. Trashëgimia jonë është e pasur, me personalitete të shquara gjuhëtarësh, ne u brumosëm me atë trashëgimi dhe u rritëm nën udhëheqjen e drejtimin e atyre personaliteteve. Vepra e tyre do të jetë edhe më tej themel i fortë për studimet gjuhësore dhe për formimin e gjuhëtarëve të rinj. Unë e kolegët e mi kemi pasur mundësinë të përfitojmë nga krijimtaria shkencore e gjuhëtarëve më të shquar të kohës, si profesorët Eqrem Çabej, Shaban Demiraj, Mahir Domi, Selman Riza, Androkli Kostallari, Dhimitër Shuteriqi, Jup Kastrati, Aleks Buda, Kristo Frashëri, Stefanaq Pollo, Kolë Ashta, Vehbi Bala e shumë të tjerë (shumë prej tyre i kemi pasur edhe pedagogë), krijimtari që përbën fondin e artë të shkencës shqiptare. Unë vetë e kam marrë diplomën universitare me një temë dialektologjike, i udhëhequr nga prof. Mahir Domi, i cili, edhe kur u emërova në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë, më nxiti ta çoj më tej atë temë deri në përmasat e një monografie. Ndërkaq, nisa punën në Institut në Sektorin e leksikologjisë e të leksikografisë, duke qenë gjithnjë afër ndihmës së pakursyer e përkrahjes së plotë nga profesorët e shquar në Institut ose në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë. Ndihma e përkrahja e tyre e drejtpërdrejtë e nëpërmjet veprës shkencore ka qenë shumë e çmuar dhe e pandërprerë për ne e për të tjerë më pas dhe do të vijojë të jetë e tillë.

    A. D: Ka hapur një diskutim, prej dekadash, por e përforcuar kohët e fundit, çështja e vendimeve që u morën nga Kongresi i Drejtshkrimit. Çfarë mund të thoni për këtë diskutim?

    J. Th: Është folur dhe është shkruar shumë për këtë çështje e druhem se do të them gjëra tashmë të njohura për shumëkënd. Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe (1972) është një nga veprimtaritë shkencore më të shënuara për gjuhësinë e kulturën shqiptare, do ta quaja “binjak” të Kongresit të Manastirit (1908) nga ideali i bashkimit kombëtar. Ai ishte kongres mbarëkombëtar, me delegatë e pjesëmarrës nga të gjitha trevat gjuhësore të shqipes, i paraprirë nga Konsulta gjuhësore e Prishtinës (1968), me thirrjen “një komb – një gjuhë letrare”. Që të flasim këtu për pohime, si: Kongresi u bë nën diktaturë, shpërfilli gegërishten, ngurosi shqipen etj., më duket e tepërt, sepse është folur e është shkruar shumë edhe për këto mendime e kundër tyre, pra, nuk sjellim gjë të re. Pastaj, le të pranojmë që diskutimet serioze shkencore, edhe kundër, janë jo vetëm të përligjura, por edhe të dobishme. Pas shumë vitesh, më 2004, Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, në frymën edhe të Rezolutës së Kongresit të drejtshkrimit për të ndjekur zhvillimet e shqipes e për të bërë rishikimet e nevojshme në kohën e duhur, ngritën Këshillin ndërakademik për gjuhën shqipe, me gjuhëtarët më të përgatitur. Ky Këshill punoi për disa vjet (me ndonjë ndërpreje), diskutoi për çështje gjuhësore (leksikore, fonetike, gramatikore, drejtshkrimore etj.) dhe bëri propozime për plotësimin e dukurive gjuhësore të patrajtuara, për njësimin e zgjidhjeve të ndryshme për raste të njëjta (f.v., sipas “Rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe” dhe “Fjalorit drejtshkrimor të gjuhës shqipe”, shkruhet gojëtar, por lojtar, kur kushtet fonetike janë të njëjta), për zgjidhje që nuk i qëndruan kohës, për thjeshtime rregullash etj. Natyrisht, vendimet për ndryshime që duhen zbatuar në gjuhën e shkruar mund të merren nga një institutucion i njëjti me kongresin kombëtar për gjuhën. Për leksikun çështja është disi ndryshe nga drejtshkrimi, sepse norma leksikore është e hapur, sipas parimit “edhe…edhe…” (edhe shpinë, edhe kurriz; edhe krye, edhe kokë), jo “ose…ose” (ose nana, ose nëna; ose mani, ose mëni), sepse sinonimia në leksik është shprehje pasurie në gjuhë. Kriteret e normës leksikore janë të tjera. Por, siç thashë, kjo është temë për diskutime shumë të gjata. Kongresi nuk « krijoi » ndonjë gjuhë, ai përligji dhe formuloi rregullat e gjuhës letrare që ishte arritur tashmë në praktikën gjuhësore para tij. Me rëndësi është që shqipja standarde e ka sprovuar tashmë veten; përsosja, zotërimi e zbatimi i saj në veprimtaritë gjuhësore, në të cilat duhet të funksionojë, mbeten detyra të përhershme.

    A. D: Së fundmi Akademia jonë e Shkencave ka paraqitur projektet e saj ambicioze, mes të cilëve është edhe “Fjalori i madh i gjuhës shqipe”; ndër hartuesit e tij bëni pjesë edhe ju. Si e shihni këtë ndërmarrje të guximshme?

    J. Th: E shoh po ashtu si ndërmarrje të guximshme, sepse është ndërmarrje e vështirë. Projekti tashmë është miratuar nga Akademia jonë e Shkencave, po punohet në fazën e parë për ngritjen e grupeve të punës me leksikografët më të mirë që kemi dhe që kanë aplikuar të përfshihen në këtë projekt (redaksia, hartuesit, bashkëpunëtorët, grupi tekniko-shkencor), për nëngrupet sipas fushave leksikore të pasqyruara më pak në fjalorët shpjegues të deritashëm të shqipes, e kushtëzuar nga tipi i fjalorëve (leksiku dialektor e krahinor, terminologjia shkencore, krijimtaria gjuhësore në letërsinë artistike, huazimet më të reja, elektronika e informatika, financat, arti e kultura etj.). Madje ka filluar puna për kartotekën e posaçme (ad hoc) të “Fjalorit të madh të gjuhës shqipe” (FMGjSh), me skanimin e mijëra faqeve të teksteve të shkruara, si edhe për frazeologjinë në fjalor. Dua të sqaroj që ky fjalor, me rreth 90 000 fjalë e rreth 10 000 njësi frazeologjike, do të hartohet sipas kritereve të fjalorëve njëvëllimsh e do të mbushë një zbrazëti në tipologjinë e fjalorëve të mëdhenj. Gjithsesi ai do të pasqyrojë një pasuri të madhe të leksikut, të frazeologjisë e të semantikës leksikore e stilistike të shqipes dhe do t’u shërbejë ruajtjes së saj e shfrytëzimit nga kushdo që do të ketë nevojë për të (shkrimtarëve, përkthyesve, publicistëve, studiuesve, hartuesve të fjalorëve dygjuhësh etj.). Një fjalor i madh shumëvëllimsh, me 120 000, 130 000 a më shumë fjalë, deri te fjalori thesaurus, të themi edheme rreth 200 000 fjalë, mbetet detyrë e së ardhmes. Fjalorët janë vepra të kërkuara dhe që përditësohen kohë pas kohe, duke ndjekur zhvillimet e gjuhës. Kjo detyrë e së ardhmes kërkon më shumë leksikografë të përgatitur mirë e më shumë kohë për ta përmbushur. Mendoj se është e domosdoshme që më parë të ngrihet një institut i leksikografisë pranë Akademisë së Shkencave dhe të krijohet kartoteka kombëtare (digjitale) e leksikut të shqipes me lëndën e kartotekave që kemi në Shqipëri, në Kosovë, në Kozencë, në San Peterburg etj.

    A. D: Krahasuar me fjalorët e tjerë, çfarë të veçante e të reje do të sjellë në leksikografinë shqipe “Fjalori i madh i gjuhës shqipe”?

    J. Th: Pak fola më parë edhe për këtë. “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe”, 1980, fjalor i tipit të mesëm nga numri i fjalëve (41 000), por afër tipit të madh njëvëllimsh nga gjerësia e struktura kuptimore, shpjegimi i kuptimeve dhe shënimet plotësuese për vlerat stilistike-emocionuese, bashkë me fjalorët e tjerë shpjegues pas tij (1984/2002, 2006, 2020) shkojnë deri 48 000 fjalë. Pra, FMGjSh do të ketë dyfishin e fjalëve e të frazeologjisë si lëndë të re leksikografike. Fjalori i madh do të ketë struktura kuptimore e shpjegime më të gjera a më të plota. Para së gjithash ai do të sjellë për përdoruesit në një vepër pasurinë lesiko-frazeologjike e semantike të krijuar e të përdorur të 3-4 dhjetëvjeçarëve të fundit, nga fusha leksikore të reja a të papasqyruara sa duhet në fjalorët e mëparershëm, do të shtojë vlerat me të dhëna për etimologjinë e fjalëve rrënjë, me emërtimet shkencore të bimëve e të kafshëve, me neologjizma të ditës të krijuara mirë e me vlerë pasuruese, me nuancat e reja kuptimore e stilistike-emocionuese të fjalëve etj. Burimet e lëndës do të jenë shumë të gjera, që nga kartotekat e leksikut të shqipes, deri te fjalorët shpjegues e të tipeve të ndryshme, te veprat e autorëve me leksik e frazeologji të pasur etj.

    A. D: E quani të nevojshëm a të një rëndësie të veçantë pasqyrimin në të të atyre fjalëve që janë në shqip, por përdoren rëndomë gjegjëset e tyre në gjuhë të huaj?

    J. Th: Kjo pyetje më duket se lidhet me konceptin e normës gjuhësore në fjalor. FMGjSh do të ketë dy funksione: normativ e informues, me një rritje të funksionit të dytë sipas lëndës që do të përfshijë. Norma leksikore do të përcaktohet ose duke lënë jashtë fjalë që nuk duhet të futen në fjalor (huazime shumë të kufizuara e të vjetruara, thuajse të harruara, si p.sh. adalet, axheba, apet, zid etj.; variante fonetike krahinore, si: qy, qo, siri, shpi/shpaj, xërroj “rrëzoj” etj.; keqpërdorime vetjake të folësve etj.), ose që duhen vënë e që cilësohen në fjalor si jonormë nëpërmjet referimit te sinonimi i saj normativ. Po jap dy shembuj: nuk ka përse të vihet në fjalor kontestatorët (e kësaj ideje…) për kundërshtarët (e kësaj ideje…); ose: nëse do të vihet agravoj (situatën…), do të referohet te rëndoj.

    A. D: Për të mbetur edhe pak këtu, si është raporti mes përdorimit të fjalëve të gjuhës shqipe dhe atyre nga gjuhë të huaja në të folurën e përditshme, jo vetëm në bisedat vetjake, por edhe të atyre që kanë një lloj përgjegjësie shoqërore si medie, politika e deri edhe bota shkencore?

    J. Th: Vërtet është për t’u shqetësuar, sidomos, ashtu si thoni ju, në ligjërimin publik. Në ligjërimin e disa personaliteteve publike me ndikim të drejtpërdrejtë e të fortë shoqëror, në disa medie etj. ka shumë fjalë të huaja të panevojshme, e theksoj të panevojshme, sepse huazime të domosdoshme të kohës, sidomos ndërkombëtare, veçanërisht kur shprehin koncepte të reja, do t’i pranojë edhe shqipja për të mos mbetur një gjuhë e mbyllur në një botë të hapur. Përdorimi vend e pavend i fjalëve të huaja e ndot gjuhën tonë, dëmton identitetin e saj dhe, fundja, kujt i shërben? Sepse kushdo, kur flet a shkruan, synon që të kuptohet nga të tjerët, pra, përveç dashurisë e nderimit për gjuhën amtare, duhet vlerësuar edhe se kujt i drejtohesh. Më e keqja është i ashtuquajturi “snobizëm linguistik”, përdorimi i fjalëve të huaja të panevojshme për të treguar gjoja kulturë, njohje gjuhësh të huaja etj. Shikoni edhe tabelat e dyqaneve e të lokaleve, 70-80% në gjuhë të huaj; kjo bëhet në Shqipëri për të huajt, apo për t’u mësuar shqiptarëve emërtimet e huaja! Shihni edhe disa emërtime të emisioneve në TV. Por, mendoj, më e rëndë se disa gabime drejtshkrimore e ndonjë fjalë e huaj e panevojshme, që mund t’i ndreqë një redaktor gjuhësor (e të tillë duhet të ketë në çdo institucion shtetëror, radio-televizion, redaksi, gazetë, shtëpi botuese etj., bashkë me fjalorë drejtshkrimor e shpjegues të përgjithshëm), është varfëria e ligjërimit, kur flitet e shkruhet me një fjalor me jo më shumë se 500 fjalë, me ngurtësi fraze, pa atë forcë që japin fjalët, frazeologjia e kuptimet e figurshme, të cilat shqipja i ka të pafundme.

    A. D: Ka një teori, sipas së cilës fjalët e huaja hyjnë me një lloj arbitrariteti në një gjuhë amëtare për sa kohë kjo e fundit nuk i shpreh dot disa nocione e kuptime. Mendoni se vlen kjo edhe për rastin e gjuhës sonë?

    J. Th: E thashë që fjalët e huaja, që vijnë si emërtime të koncepteve të reja, kryesisht si terma e sidomos kur janë ndërkombëtarizuar, do t’i pranojë edhe shqipja. S’ka si bëhet ndryshe, fjala vjen në shkencë, në elektronikë, në marrëdhëniet ndërkombëtare etj. Por shumë fjalë të huaja, që përdoren zakonisht në ligjërimin politik, në medje etj., nuk kanë lidhje me këtë e dëmtojnë edhe qëllimin e komunikimit gjuhësor. Vite përpara Akademia e Shkencave botonte te revista “Gjuha jonë” një rubrikë“Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj”, madje hartoi e botoi edhe një fjalor të tillë (I, 1998). Kjo punë e mirë është ndërprerë.

    A. D: Dihet që sot një pjesë e të rinjve lexojnë në gjuhë të huaj, ose origjinalin e autorit (kryesisht në anglisht), ose përkthimin. Ndikon kjo, sipas jush, në dobësimin e njohjes më të thellë të gjuhës amëtare?

    J. Th: Padyshim që ndikon disi edhe në fjalorin e ligjërimit të tyre të përditshëm shqip. Kjo do të thotë që përpjekjet për të ruajtur pastërtinë e përligjur të gjuhës sonë duhen forcuar. Dhe nuk janë vetëm gjuhëtarët që e ruajnë atë, por të gjithë duhet të jenë të ndërgjegjesuar e të përgjegjshëm për shmangien e keqpërdorimit të gjuhës dhe të ndotjes së saj me lëndë të huaj të panevojshme. Para së gjithash është shkolla, ku duhet të jepet gjedhja e një gjuhe shqipe, të pastër, të pasur e të bukur, me aq shumë mjete të fuqishme, jo vetëm në orën e mësimit për gjuhën shqipe a për letërsinë. Po ashtu ligjërimi zyrtar, i medjes etj. duhet t’i shërbejnë këtij qëllimi.

    A. D: Po për përkthimet në gjuhën shqipe, çfarë mendoni? E pasurojnë apo e varfërojnë gjuhën?

    J. Th: Përkthimi varet nga përkthyesi, sa e njeh ai vetë shqipen e pastaj gjuhën e huaj nga përkthen, çfarë aftësie e shije gjuhësore ka, sa i vetëdijshëm e i kujdesshëm është për të dhënë më të mirën edhe nga ana gjuhësore. Në traditë ne kemi përkthyes të shkëlqyer (si Fan Noli), edhe sot ka përkthyes të mirë; ka edhe përkthime të dobëta, që nuk dëmtojnë vetëm shprehjen, por edhe përmbajtjen. Përkthyesi e ka qëllim të qëndrueshëm përkthimin me një gjuhë të pasur e të pastër. Natyrisht, ka rëndësi çka thua, por ka tëndësi edhe si e thua.

    A. D: Nëse Shekspiri mbahet themeluesi i gjuhës angleze, Dante i asaj italiane, a kemi ne ndonjë rast për gjuhën shqipe?

    J. Th: Është fjala, besoj, për gjuhën letrare, për përpunimin e një gjuhe të pasur, të larmishme e të fuqishme, sepse krijuesi i gjuhës është shumë më i gjerë e më i hershëm. Nuk mund të lidhem pas një krijuesi të shqipes së kultivuar, shkrimtarët tanë të mëdhenj, përkthyesit e shquar, edhe publicistët e aftë kanë dhënë e japin ndihmesë të çmueshme për atë shqipe që mendoni ju.

    A. D: Nisur nga mosha, kam përshtypjen se ju duhet të jeni i një brezi me shkrimtarin tonë Ismail Kadare. Sipas jush, ç’rol ka krijimtaria e tij në gjuhën shqipe?

    J. Th: Po, të një brezi jemi, madje kemi qenë bashkëstudentë në Universietin e Tiranës dhe bashkëkonviktorë për katër vjet. Kemi qenë në grupin për gjuhë e letërsi shqipe, rreth 30 veta, të diplomuarit e parë të Universitetit (1958). Kemi marrë një formim të gjerë jo vetëm në gjuhësi, me profesorët më të shquar të kohës, por edhe për letërsi e histori, sipas programeve mësimore në fuqi. Pas Universitetit nga ky grup 6 vetë hynë në shkencën e gjuhësisë, 4 vetë në krijimtari letrare, të tjerët me punë të dukshme e të frytshme në fushën e arsimit. Ismaili që atë kohë e kishte fituar emrin e poetit. Krijimtaria e tij e mëpastajme, aq e gjerë e cilësore, i dha emrin e merituar të shkrimtarit të madh shqiptar e botëror. Krijimtaria e tij, në poezi e në prozë, na vjen me një gjuhë të rregullt në drejtshkrim, të pasur e të pastër në leksik, të fuqishme, emocionuese e të këndshme stilistikisht e me këtë vërtetohet përsëri që shqipja i ka mjetet e veta ose mund t’i krijojë lehtësisht për të shprehur me magjinë e tyre barazisht ndjenjat më të holla dhe produktin e fantazisë më të thellë në krijimtarinë artitsike. Nëse do të thosha diçka konkrete, do të cilësoja veçan aftësinë e ndiesinë e përpiktë të Ismailit për të krijuar fjalë të reja me mjetet e shqipes e sipas gjedheve të saj (f.v. qelqnajë, sherrnajë etj. sipas akullnajë), sidomos sintaksën e përkryer të një shqipeje standarde siç e duam. Natyrisht, si shkrimtari ynë më i lexuar i kohës sonë, sidomos nga të rinjtë e të rejat, ai e ka të lartë forcën ndikuese edhe në edukimin gjuhësor të lexuesve.

    Polifoto e kursit Gjuhë-Letërsi Shqipe, 1954-1958. I pari, majtas, lart, Ismail Kadare

    A. D: Ka pak vite kur gjuha shqipe u kthye në lëndë më vete (duke u shkëputur nga letërsia) në shkollat e mesme. Si e vlerësoni këtë vendim?

    J. Th: Në kushtet tona e të gjendjes së sotme të shqipes, si flitet e si shkruhet, ky vendim është i drejtë e i shumëpritur. Kjo zgjidhje është diskutuar shumë që nga vitet ‘80 të shekullit të kaluar. Mbetemi me shpresën që të mos luhet shpesh me eksperimente për gjuhën shqipe në shkollë.

    A. D: E parë nga syri i një studiuesi, cilat janë sot sfidat më të mëdha të gjuhës sonë?

    J. Th: Sfida kryesore, sipas meje, është ndërgjegjësimi i përgjithshëm për ruajtjen e mbrojtjen e gjuhës sonë amtare, si tipari kryesor i kombit, rritja e përgjegjësisë dhe e rolit të institucioneve shtetërore, shkencore e arsimore, e medjeve dhe e gjithë atyre që kanë të bëjnë me gjuhën e ndikojnë mbi gjuhën. Këtu përfshihet edhe përballimi i trysnisë së dëmshme të gjuhëve të huaja mbi leksikun e shqipes.

    A. D: Dhe në fund, mendoni se gjendja e studimeve të gjuhës është premtuese për të siguruar vijimësinë ndër breza të atyre që vërtetë e duan dhe e studiojnë atë?

    J. Th: Nuk dua të bëj pesimistin, disa dukuri të kohës (f.v. trysnia e anglishtes si gjuhë ndërkombëtare) nuk janë përjashtim për shqipen, edhe gjuhë të tjera kanë shqetësimet e tyre. Te ne nuk mund të them se gjuhësia nuk po e bën punën e saj me këto forca që ka, natyrisht duhet gjithnjë e më shumë, por ajo ka nevojë të mbështetet, të ndihmohet, të dëgjohet e të vlerësohet nga të gjithë për zgjidhjet që jep. Ndryshe thirrja e gjuhëtarëve mbetet zë në shkretëtirë dhe gjuha mbetet aty ku është a shkon më keq.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË