More
    KreuLetërsiShënime mbi libraJamarbër Marko dhe poezia e tij hermetike

    Jamarbër Marko dhe poezia e tij hermetike

    Nga Yzedin Hima

    Tekstet poetike të Jamarbër Markos, në përgjithësi, nuk janë tekste të një poezie realiste. Ai është ndër poetët hermetikë që u shfaqën në vitet ’70, në një hark kohe lirie që u quajt më vonë si liberalizëm në kulturë dhe art, dhe u dënua si praktikë kulturore dhe letrare. Në librin poetik “Pro Nobis” takojmë një tekst pa titull: 

    Një rreth me pika, kuadrate e presje 
    Rreth me thika, flakë e zgjuarsi 
    Me kohë zjarri, thyerje, thjeshtësie, 
    Me presje e pika 
    Me kukulla 
    Rrudha 
    Hije 
    Dhe fije me kohë 
    Për t’u kthyer 
    i lidhur prej saj. 

    Është një poezi hermetike. Kemi këta emra në tekst: rreth, pika, kuadrate, presje, thika, zgjuarsi, kohë, kukulla, rrudha, hije, fije. Gjenden edhe këta përcaktime: zjarri, thyerjeje, thjeshtësie, i lidhur. I gjithë teksti ka vetëm një folje në formë të pashtjelluar: për t’u kthyer. Teksti, nga ana e sintaksës poetike, është ndërtuar nga elipse, dukuri e teksteve poetike hermetike. Emrat: rreth, pika, kuadrate, presje, janë emra që emërtojnë kufizime hapësirash. Rrethi shënon një sipërfaqe të skajuar nga një vijë e lakuar dhe mbyllur, pikat e së cilës janë të baraslarguara nga një pikë brenda vijës që quhet qendër. Pika është përfundim i një njësie të ligjërimit. Është ndalesë. Kuadrati është sipërfaqe e skajuar jo në formë rrethore, por në formë katrori ose drejtkëndëshi. Po ashtu edhe presja, ndan pjesë të njësisë ligjërimore, me një ndalesë më të shkurtër. Skajimet e hapësirës me rrathë e kuadrate të kujtojnë kufizimin e lirisë në burgje ose edhe jashtë tyre. Kujtoni kuadratet e rreshtimit të të burgosurve, kuadratin e qelisë, rrethin e qiellit apo qiellin e futur në një rreth te vrima rrethore që lidh botën me qelinë. Shënjuesit: rreth, kuadrat, pika e presja shënjojnë kufizimin e lirisë, ose mungesën e saj. Rrethi me thika, është kufizim dhe dhunë. Kohë zjarri – mendoj se në këtë tekst, krahas përcaktimit të kufizimit të hapësirës, kufizohet edhe koha. Diktaturat kanë pasur një relacion të çuditshëm me kohën; e ndanin atë në plane pesëvjeçare, e ndanin në jubile si njëzetvjetori i Partisë, java e Enverit, dhjetë vjet burg për agjitacion e propagandë etj. Te shprehja kohë zjarri, krahas kufizimit të nocionit kohë, kemi edhe përcaktimin zjarri, pra kohë dhune. Përcaktimi thyerjeje vjen pas përcaktimit zjarri. Duket se përdorimi i kohës për të dhunuar synonte thyerjen, rekrutimin me dhunë si spiun i policisë së fshehtë, depersonalizimin (përcaktimi – thjeshtësie). Ata që kanë jetuar në diktaturë, e dinin se çfarë do të thoshte të jesh njeri i thjeshtë në diktaturë, zhveshja nga të gjitha virtytet, cilësitë individuale, rrafshimi i personalitetit sipas modelit të njeriut të ri, një lloj tulle njerëzore e vendosur në murin që formonte turmën. Më pas, në tekst ndeshim emrin me parafjalë, me kukulla. Dyzimi i njeriu nga dhuna dhe frika prej saj kishte krijuar një farsë në marrëdhëniet njerëzore, farsë që nuk luhej në skenat e teatrit, por në rrugë e kudo. Njerëzit veten e linin brenda mureve të shtëpisë së tyre dhe shfaqeshin ashtu siç i kishte projektuar diktatura, kukulla. Kjo ndodhte rëndom. Emri rrudha që renditet pas emrit kukulla shënjon vuajtjen dhe përpjekjen për të ruajtur dinjitetin njerëzor. 
    Në poezitë e Jamarbër Markos hija është shenjë semantike. Ky emër gjendet në mjaft prej poezive të tij. Është fjala që shënjon përgjimin, frikën, tronditjen, dhunimin, terrorin. Teksti përfundon pikërisht me të vetmen formë të pashtjelluar të përdorur në të: për t’u kthyer. Fundi i poezisë plotëson skenën ku luhej fati i njeriut në diktaturë: Hije/ Dhe fije me kohë/ Për t’u kthyer/ I lidhur prej saj. Një nga synimet e diktaturës ka qenë thyerja e njerëzve me karakter dhe vënia në shërbim të saj. Ky akt realizohej nëpërmjet survejimit nga hijet. Kur nuk pranoje të lidheshe me hijen me fije kohe, përfundoje në burg. Hija ishte prania e diktaturës afër njeriut, ishte hija e tij. Mendoj se autori formën e vetme të pashtjelluar, për t’u kthyer, e ka përdorur si rrjedhojë e të gjithë asaj gjendjeje kufizimi e pranie të dhunës për të cilat flet në fillim të poezisë. Procesi i kthimit kalonte në një procedurë ndjekjeje, kapje në ndonjë gabim moshe, presioni me përjashtim, internim e burgim. Veç rrethimit, kuadratizimit të hapësirave edhe kohës kthehej në një mjet dhune, ajo kthehej në fije për të lidhur individin me hijen. Kjo poezi hermetike e Jamarbër Markos, brenda një teksti me nëntë vargje eliptike, vizaton një pamje “ku realiteti është klonuar nga absurdi”, siç thotë studiuesi dhe poeti Moikom Zeqo në një intervistë të tij në median e shkruar.

    Mazohizmi si shenjë semantike në tekstin poetik të Madusë 

    “Esenca e poezisë është vetë poeti”, – thotë Hegeli. Kjo thënie e filozofit të shquar i shkon për shtat poezisë së poetit Jamarbër Marko. Diskursi i tij poetik është thurur me tragjizëm. Edhe jeta e tij ka qenë tragjike. Libri poetik “Pro Nobis” nis me poezinë me titull “Ana e pasme e Botës”. Pas kësaj poezie vijojnë 73 tekstet e tjera poetike pa tituj. Libri të krijon përshtypjen e një treni të ngarkuar me poezi, ku lokomotiva është pikërisht poezia e parë e titulluar “Ana e pasme e Botës”, ndërsa poezitë që vijojnë pa titull janë vagonët, që i shkojnë pas. 
    “Nuk e besojmë ne, që kohën e kemi veç në plagët tona”, – nis libri i Markos. Vargu është tetëmbëdhjetërrokësh, varg që ndeshet rrallë në diskurset poetike të poezisë shqipe. Duket sikur vetëm një varg i tillë mund të mbartë plagët e rënda, plagët e shumta të poetit dhe brezit të tij, dhe kohën e shndërruar jo në dashuri, jo në gëzime e punë të frytshme, por në plagë. Një varg mbart mbi vete dhe te vetja dhimbjen e një gjenerate të tërë. “…Plagët tona të ditëve të shkuara mbi sy, mbi hutimin tonë”. Te poezia e parë janë këto fjalë dhe shprehje: grykët e uritura, koha, plagët tona, skeletet e armëve, korbat, supë e ndyrë e harresës, vdekja, ditë të shkuara, hutimin tonë, shkelur, kurrë nuk do të ngjitemi, tragjeditë e vogla, besimet e vogla, tokë e re, qetësi, erë, diell i ri, çezmë, lot, humnerë harrese, mbajmë mbi shpinë, dyert e pahapura, gjuha e gënjeshtrës, sytë e frikës, pështymë e përgjakur, të uritur, shpresë, fëmijë të palindur. Ky tekst poetik mbart jo vetëm tragjedinë e të burgosurve politikë në diktaturë, por tragjedinë e tyre edhe më të dhimbshme në postdiktaturë. Fjalët dhe shprehjet çelës sjellin të qartë rrafshin kuptimor të tekstit: supë e ndyrë e harresës, plagët tona, dyert e pahapura, fëmijë të palindur. Anarkia e postdiktaturës jo vetëm që nuk i mjekoi plagët e të burgosurve politikë të diktaturës, por shpesh u hapi plagë të reja me indiferencën dhe harresën. 
    Në tekstet e poezisë së Jamarbër Markos dallon nota të fatalitetit, ku humbja shihet si pjesë e jetës së tij, si rrjedhë logjike e saj, pavarësisht altruizmit të tij të shpërfillur:

    Ata të thyen më dysh
    Unë t’i bashkova me kujdes pjesët
    …Unë pagova jetën/ mblodha pluhurin
    e zbuta dhimbjen
    Dhe formova përsëri atë çka ishe ti
    Ti dole në rrugën e madhe
    e ne nuk u pamë asnjëherë më.

    Në tekste mund të vërehet se humbja përligjet si ligj i natyrës. Njeriu lind dhe bota ka fituar një krijesë të mrekullueshme, pastaj njeriu përshkon rrugën nga djepi te varri që, parë në rrafshin filozofik, është rrugë drejt humbjes, pavarësisht fitoreve të përkohshme në këtë hark kohor:

    U mplaka thotë dora
    dhe shtrëngon më pak
    U mplaka thotë syri
    dhe sheh më pak
    U mplaka thotë mendja
    dhe do të dijë më shumë
    Veç ndjenja hesht
    Ndjenja e harruar.
    ose…
    valët e lehta do t’i nxjerrin ëmbëlsisht
    Qerpikët e tu do t’i prekin ato
    Për të kuptuar se si humbet një jetë në heshtje.
    …Kopsat e gjumit tënd
    janë qepur me fije lodhjeje.

    Po ashtu në tekste dallon edhe një anim kah humbja, apo heqja nga vetja si tendencë në poezinë e Jamarbër Markos. Natyrisht, ai që ka, humbet; ose ai që ka fal apo jep, por në analizë të fundit edhe falja, edhe dhënia, është pakësim nga vetja, pra është humbje:

    Biseduam për të krijuar botën
    Më pas ti buzëqeshe dhe harrove
    jo siç harron deti anijen që gëlltit
    Por thjesht
    Ashtu siç gjen pas çdo buzëqeshje
    Fytyra të reja.
    Një degë të tharë
    nga pema e miqësisë
    Ti more dhe vrapove.

    Uni poetik është familjarizuar aq shumë me humbjen, saqë e shikon atë me indiferencën që shikojmë ditën që ikën dhe natën që vjen:

    Humbja nuk ka më peshë
    ka vetëm pak thellësi të ëmbël.

    Në këto vargje të Jamarbër Markos ndihet edhe një notë e lehtë mazohiste.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË