KORRJET
Nuk janë turistë. Janë kombajnat në rrugë
Filluan korrjet.Erdhi muaji i bukës .
Gruri ul kokën i menduar
Kujton jetën e vet disa muajshe.
Kombajnat si kuaj vijnë rrotull fushës
O, grurit të ri si i priten gjunjët !
Mblidhet mënjanë e trishtuar kashta
Fusha si fletë, mund të shkruash reportazhe .
Kështu të vetmuar ai tokën lë
Por nën lëkurën e saj mbeten rrënjët.
HIDHËRIMI I NJË STINE
Ç› mërzi e madhe e ka kapur vjeshtën
që zverdhet e zverdhet ?
( Pemët si me varak
fillojnë odisetë e vogla të gjetheve ).
Pas pak do të vijë dimri
Dimri gri .
Si parandjenjë rrinë mbi tokë
mjegullat e tij.
VAJZË E VALËVE
Ja bregu i detit .Ja shkëmbi ..Ku është vajza ?
Deti hapet e mbyllet si fustani i saj .
MYZEQEJA NË MBRËMJE
Të huton gjërësia e fushës, të merr sytë .
Mbrëmjet e verës vijnë vonë .
Toka me vapë u mërzit ,
Një grumbull resh po shpejton
Diellit si jastëk t’ i rrijë.
Janë gati t’i hapin rrugën detit
Pemët që mbyllin horizontin.
Të huton gjerësia e fushës, të merr sytë .
ME FYTYRË NGA NJERËZIT
Zëmra m’ u hap si lëndinë
erdhën fshatarët të mbjellin .
Verën e ardhëshme do të mbushen
me lule dielli
me fytyrë nga njerëzit.
Këto poezi janë botuar për herë të parë në gazetën “ Drita”, 23 korrik 1972.
NJË MËNGJES –
Më 25 qershor, në orën pesë,
gjithçka m`u duk jashtëzakonisht e pastër.
Uji i detit m’u duk tjetër,
tjetër m’u dukën bananet.
(Deti i porsalindur
Pemët të sapombira)
Dhe vetja mu duk tjetër.
Atëhere e kuptova
se mundet që unë
të tretesha e të bëhesha
banane me gjethe të gjatë, horizont, vajzë, ujë deti.
TOKA DHE DETI —
Ne të dy
jemi toka dhe deti.
Jemi mbushur me iriq,
peshq , guaska dhe qiparisa.
Shumë gjera i japim njeri tjetrit
si toka detit.
Mbi të dy derdh dritë të argjendë
buza e prerë e hënës.
Si toka detin
duam njeri tjetrin.
DHËRMIU
Për pesëmbëdhjetë ditë
këtu fjetëm krah për krah me detin.
SARANDA
Saranda si hënë e re
rënë në breg të detit,
uji i thellë, kështu
mbetur që nga kohët e vjetra .
NDARJA
Si kërmilli
gjithçka do të marr me vete
dhe këngë,
dhe heshtje .
UNË JAM FIK DETI
Gjethet e tij janë duart e mia,
Rrënjët e tij janë zëmra ime,
Trungu i tij janë vitet e mia,
Qumështi i tij , pikon pik pik, është jeta,
Arkitektura e tij e çuditshme është gjuha ime.
Unë jam fik deti.
Këto poezi janë botuar për herë të parë
në nr.10 të revistës “Nëntori”, të vitit 1972.