More
    KreuOpinionIsaac Bashevis Singer: Kush ka nevojë për letërsinë?

    Isaac Bashevis Singer: Kush ka nevojë për letërsinë?

    Herë pas here pyes veten: kush ka nevojë për letërsinë artistike? Pse të trillosh kur natyra dhe jeta krijojnë kaq shumë ngjarje të çuditshme? Sepse, pavarësisht nga fuqia e imagjinatës, ne s’jemi në gjendje kurrsesi të konkurojmë me befasitë e fakteve dhe dhe gjendjeve psikologjike të realitetit. As pena e mjeshtrit më të madh s’mund të jetë aq e logjikshme dhe e saktë në përshkrimin e një histori faktesh të dëshmuara me dokumente apo mbi të cilën hidhet dritë gjatë një procesi gjyqësor në gjykatë. Ashtu siç dihet se s’ekziston vrasja e përsosur, po ashtu s’mund të ketë një roman të përsosur. Madje edhe “Ana Karenina”, dhe “Zonja Bovari” i kanë të metat e tyre, mungesa të njohura vijimësie që i gjen në çdo krijim letrar. Unë vete kam arritur në pikën që një kronikë gazete ose një “rast historie” më intereson më shumë se një vepër letrare. Pse u dashkan të gjitha ato shpjegime psikologjike kur nuk sqarojnë asgjë për emocionet? Pse ta vrasësh mendjen të vërtetosh një gënjeshtër kur e vërteta duket sheshit?

    Unë kam frikë jo rrallë se i gjithë njerëzimi herët a vonë do të arrij në përfundimin tim: leximi i krijimit letrar është harxhim kohe.

    Po pse duhet të kem frikë? Thjesht se unë vetë mund të jem një nga viktimat?

    Jo, nuk është thjesht kjo. Edhe pse sot mund të ngjitemi në Everest me helikopter, do të ishte për të ardhur keq nëse do të reshtnim së provuari t’i ngjiteshim në këmbë deri në majë.  Vlera e letërsisë artistike nuk qëndron vetëm në aftësinë për t’i argëtuar dhe për t’u mësuar diçka lexuesve, por edhe tek të qenët si sport, një sfidë intelektuale. Edhe nëse do të shpikej një makinë që na raporton saktësisht të gjitha përvojat e një Raskolnikovi, një zonje Bovari, apo të një Ana Karenine, sërish do të ishte interesante të denim nëse kjo mund të bëhej duke e shkruar me letër dhe stilolaps.

    Kjo qasje ndaj letërsisë nuk është ende e rëndësishme për shkak të faktit të thjeshtë se një makinë e tillë nuk ekziston. Por gjithfarë forcash të lloj llojshme po i mbledhin ngadalë dhe po i bashkojnë pjesët e kësaj makine. Lexuesit modern dinë gjithnjë e më shumë rreth piskologjisë, dhe për ta shpjegimet e shkrimtarit shpesh duken të panevojshme, të pavërteta, dhe të dala mode. Ata lexojnë shumë, ndaj asnjë temë nuk i trondit sa duhet për t’i befasuar. I marrin faktet nga gazetat, revistat, radio, televizioni ose filmat. Lidhen me të gjitha cepat e botës dhe asgjë e shpikur nga mendja s’mund të krahasohet me atë që ndodh në realitet. Ende ka një mundësi që në ditët tona – ose tuajat — njerëzimi të arrij në hënë, ose në një nga planetet. Të gjitha fantazitë e të ashtuquajturës “fantashkencë” do të zbehen nga pamjet e marra nga hëna ose planetet e tjerë.

    E thënë troç, letërsia duket se do të mbijetonte si sport intlektual. Po të ishte sport për të do të interesoheshin ata që luajnë por edhe amatorët. Dikush që shkon në këmbë në Kaliforni mund të nga ngjall admirim, por e ecura në këmbë që bën ai nuk do të merrej parasysh si mjet komunikimi. Për këtë arsye, kam frikë nga dita kur letërsia artistike do të kthehet në sport. Mua më duket shpesh se kemi arritur në këtë pikë. Në të vërtetë tashmë kjo ka ndodhur me poezinë, përfshirë poezinë në gjuhën tonë jidisht. Fjala poetike tani lexohet vetëm prej poetëve. Në një tokë kaq të madhe dhe të pasur si Shtetet e Bashkuara, veprat poetike shpesh botohen në 500 kopje dhe një pjesë e tyre shpërndahet nga autorët mes miqsh. Drama s’e ka arritur ende gjendjen e trishtuar të poezisë, por po shkon në të njëjtin drejtim.

    Për sa i përket prozës letrare, të krijohet ndjesia se gjërat po shkojnë mirë. Librat në prozë ende blihen me qindra, mijëra kopje. Por po ta shohësh pak më thellë çështjen, vërejmë se ajo çfarë sot e quajmë “letërsi artisitike” shpesh është shumë larg letërsisë artistike. Veprat e botuara shpesh shiten të përcatuara si “romane” ndërkohë që janë një e katërta ose njëqind për qind gazetari.

    Në asnjë kohë tjetër, kufiri mes gazetarisë dhe letërsisë nuk ka qenë kaq i hollë dhe i paqartë se sa në kohën tonë. Mua më duket shpesh se kritikët vuajnë nga amnezia. Ata kanë harruar rregullat fillestare të lojës së quajtur letërsi. Nuk është ndonjë fitore e madhe në një lojë shahu nëse, nëse që nga fillimi, një lojtar ka më shumë gurë shahu se tjetri, ose nëse rregullat e lojës ndryshojnë pas çdo loje.

    Çdo amnezi ka qëllimin e saj të fshehur, dhe amnezia letrare e kohës tonë nuk është thjesht një lloj sëmundje e rastësishme. Ajo ka prirjet dhe objektivat e saj. Botuesit e mëdhenj, makinat e panumërta të shtypshkronjës, masa e lexuesve e krijuar falë zhdukjes së analfabetizmit, këtyre s’u mjafton më numri i vogël i talenteve të vërtetë të lindur në një brez të vetëm. Përveç kësaj, talentet e vërteta s’e kanë më fuqinë ose mjetet për të ndikuar tek lexuesit siç ndodhte një apo dy breza më parë. Në vend që të pranojnë se ka krizë në letërsi dhe se gazetaria duhet të ndërhyjë në emër të letërsisë, kritikëve letrarë dhe botuesve, dhe shpesh në emër të vetë shkrimtarëve të cilët me vetëdije por më shumë pa vetëdije, e kanë ndryshuar konceptin e letërsisë, në pamje të pare duke e zgjeruar tej mase, por në të vërtetë duke e ngatërruar dhe harruar. Është njësoj sikur njerëzit që luajnë një lloj sporti papritur të vendosin që një pjesëmarrës garës në vrap mund të garoj hipur në biçikletë. Ky lloj revolucioni në vend që ta pasuroj garën, e varfëron dhe e zhduk atë.

    Pikërisht në kohën e specializimit të madh, në kohën kur çdo shkencë është e ndarë në degë të ndryshme për arsyen e thjeshtë se secila kërkon vëmendjen e plotë të një shkencëtari – letërsia ka përjetuar një shkrirje të të gjitha forcave të saj. Si pasojë kemi një përzierje dhe çorbë të metodave dhe mënyrave të komunikimit që kanë veç një vlerë: mashtrimin. Ne nuk e kemi zgjeruar konceptin e prozës artistike, thjesht e kemi zgjatuar dhe gjymtuar. Një vepër moderne e letërsisë artistike shpesh përmban ese amatore për psikologjinë dhe psikoanalizën, shumë informacione gazetareske që mund t’i gjejmë fare lehtë në gazeta, revista ose enciklopedi, gjithfarë teorish popullore dhe faktesh kinse shkencore, madje shpesh edhe artikuj kritikë, shaka dhe batuta të satiristëve letrar, mendime politike,  mesazhe, fakte nga seksologjia dhe kështu me radhë. As shkrimtarët dhe as kritikët tani s’kanë asnjë ide se çfarë është dhe çfarë nuk është letërsi, çfarë është krijuar dhe çfarë është huazuar, kur shkrimtarët ecin me këmbët e veta apo kur hipin në qerren e dikujt tjetër. Çfarë ndryshimi ka nëse një vrapues garon në këmbë apo hipur në biçikletë? E vetmja gjë e rëndësishme është të arrish në fund më shpejt se të tjerët. Kritiku modern ka vetëm një njësi matëse: efektin, provokimin që vepra letrare ngjall tek lexuesit që nuk janë shijehollë, dhe efektin që mund të ketë e njëjta vepër kur përshtatet si shfaqje televizive ose film.

    Mundohuni të përfytyroni një shkrimtar i cili shkruan për të njëjtën temë si Floberi, dhe krijon një lloj “Zonja Bovari” të re, por me Luftën e Dytë Botërore si sfond të ngjarjeve. Romani, përveç historisë së një femre jo besnike, do të japë historinë e ngritjes së nazizmit hitlerian, spastrimet e Stalinit, shfarosjen e gjashtë milion hebrenjve, historinë e lëshimit të bombave atomike në Hiroshima dhe Nagasaki, rrëzimin nga froni të mbretit Eduard për hir të zonjës Wallis Simpson, revolucionin në Kinë dhe kush e di çfarë tjetër. S’ka nevojë t’ju them se është fare e lehtë që dikush ta shkruaj një roman të tillë. Një zonjë Bovari moderne s’ka pse të rebelohet në një qytezë. Ajo mund të udhëtoj me aeroplan. Madje përveç kësaj, mund të jetë spiune sovjetike, agjente e dyfishtë ose e trefishtë. Një shkrimtar i aftë mund t’i krijoj të gjitha këto, dhe të gjitha faktet t’i lidh me njëra-tjetrën në një mënyrë që ka kuptim. S’është nevoja të thuhet se një vepër e tillë do t’i ngacmonte lexuesit shumë më tepër se sa historitë për një grua provinciale që tradhtonte të shoqin. Është e vërtetë, Lufta e Dytë Botërore me të gjitha tmerret dhe barbaritë e tjera është portretizuar tashmë nga të tjerët, dhe shkrimtari s’ka çfarë t’i shtojë asgjë kësaj. Por as lexuesi dhe as kritiku bashkëkohor nuk janë të interesuar për rregullat e lojës, kur përcaktojnë letërsinë artistike. Recensuesit për këto lloje librash shpesh shkruajnë: “Qëndrova gjatë gjithë natës duke e lexuar sepse nuk e lëshoja dot nga dora”, “Rrënqethës”, “S’do ta harroj kurrë”, dhe gjëra të tilla. S’e teproj kur them se numri i këtyre veprave vetëm shtohet. Vepra të tilla marrin çmime. Shkrimtarë të tillë shpallen si gjeni të letrave.

    Për ata që interesohen vërtet për letërsinë dhe arritjet e saj, vepra të tilla janë shenjë e një rënieje tragjike, një sëmundje që njerëzit përpiqen ta mbulojnë me lëvdata, mjekime të rreme, injeksione të dëmshme dhe droga. I kemi zgjeruar aq shumë përkufizimet dhe i kemi shformuar aq shumë rregullat sa gjithkush mund mund të luaj dhe gjithkush mund të fitoj.  Kushdo që e kupton se sa rrallë lind një talent i vërtetë dhe sa jashtëzakonisht e vështirë është të jesh origjinal, të zbulosh diçka tënden në artin e shkrimit, mund ta shoh fare qartë se s’kemi të bëjmë me përparim por me prapavajtje, një lloj anarkie letrare e cila është e dobishme vetëm për botuesit e mëdhenj dhe shtypshkronjat e tyre, për televizionin dhe Hollivudin.

    Si rregull, parazitët rriten dhe zhvillohen në një organizëm të sëmurë. Në vend që të fajësojmë parazitin, duhet të kontrollojmë pse organizmi i sëmurë ka humbur imunitetin.

    Pse është në këtë gjendje poezia? Çfarë po ndodh me dramën? Dhe si ka mundësi që prozës letrare i duhet të shkoj përtej kufijve të saj të natyrshëm dhe të shndërrohet në një çorbë stilesh dhe faktesh në mënyrë që të bëhet tërheqëse për lexuesin?

    Arsyeja është se thelbi i letërsisë, portretizimi i karaktereve, shprehja e individualiteteve, nuk ka pasur kurrë shumë lexues të panumërt. Edhe në kohërat më të mira, lexuesit e letërsisë nuk kërkonin për të gjetur kryesoren tek vepra letrare, por elementet me rëndësi dytësore. Ata që nuk i vizitojnë muzetë për të parë pikturat por sepse mendojnë se duhet, ose ngaqë duan të takojnë dikë atje, janë gjithmonë shumica. Në një kohë tjetër, kur nuk kishte gazeta të mëdha, nuk kishte revista kombëtare, kur edhe librat e historisë gjendeshin rrallë dhe shkruheshin keq, lexuesit e letërsisë gjenin tek veprat letrare më shumë se sa synonte autori, pasi merrnin informacion nga të gjitha llojet e fushave të dijes. “Lufta dhe paqja”, për shembull, për këta lloj lexuesish ishte vepër historike për Luftërat e Napoelonit, përshkrim i ushtarëve dhe aristokratëve rusë, libër udhëtimi. Lexuesit shpesh nga romanet mësonin rregullat e mirësjelljes, si dashuronin njerëzit, si e kalonin kohën, si visheshin, dhe kështu me radhë. Veprat e letërsisë artistike ishin dikur mjeti i vetëm me të cilin lexuesit mund të hasnin psikologjinë dhe, në shumë raste, psikoanalizën. Jo pak lexues i përdornin tekstet letrare thjesht për të mësuar sintaksën dhe gramatikën. Dhe të gjitha këto ishin edhe më të vërteta për spektatorët e teatrit.

    Kjo epokë e re, në një farë kuptimi, solli një ndryshim rrënjësor. Lexuesit marrin informacion të pafund nga radio, filmi, shtyp dhe televizioni. Ata dëgjojnë leksione për psikologjinë dhe psikoanalizën. Shohin emisione për udhëtime, shpesh udhëtojnë edhe vetë, dhe kanë njohuri për botën. Nëse letërsia artistike dhe teatri do të vazhdonin të luanin rolin e dikurshëm, ato do të kishin nevojë për një audiencë që ka interes të madh për karakterin dhe individualitetin njerëzor, të pavarur nga të gjitha këto gjëra anësore dhe shqetësime jashtëletrare. Por numri i këtyre njohësve të shkëlqyer të artit është i vogël. Njohësit e shkëlqyer dhe të vërtetë të artit janë pothuajse po aq të rrallë sa artistët e vërtetë dhe të pastër. 

    Pikërisht, për arsye se njerëzit sot janë të rrethuar nga një det informacioni që lidhet me të gjitha llojet e fushave të dijes, artistët e mirëfilltë modern duhet të na japin gjithnjë e më shumë pastërti artistike, më shumë thelb, të përqendrohen më shumë në portretizimin e karaktereve dhe individualiteteve. Por që ta bësh këtë duhet të kesh dhunti të jashtëzakonshme. Me pak fjalë, të jesh origjinal dhe krijues në mënyra të reja sot është më e vështirë se kurrë.

    Marrë nga “Los Angeles Review of Books”2019, i përkthyer në anglisht nga David Stromberg. Teksti origjinal në jidisht u botua në 1963.

    Përktheu: Granit Zela

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË