More
    KreuLetërsiBibliotekë"Intrigat" tregim nga A. P. Çehov

    “Intrigat” tregim nga A. P. Çehov

    Zgjedhja e kryetarit të Shoqatës.

    Shqyrtimi i incidentit të 2 tetorit.

    Referat i anëtarit fiktiv dr. M. N. fon Bronit.

    Cështje të ditës së Shoqatës.

    Doktori Shelestov, fajtor i incidentit të 2 tetorit, bëhet gati të shkojë në

    këtë mbledhje; ka kohë që rri para pasqyrës dhe mundohet t’i japë  fizionomisë së tij një shprehje të njeriut të vuajtur. Po të shfaqet në mbledhje me fytyrë të shqetësuar, të acaruar, të skuqur ose si shumë të zbehtë, atëherë armiqtë e tij, mund të pandehin se u jep rëndësi intrigave të tyre; nëse fytyra e tij do të jetë e ftohtë, e qetë, si e përgjumur, një fytyrë që e kanë njerëzit që qëndrojnë më lart se turma dhe të lodhur nga jeta, atëherë gjithë armiqve, kur ta shohin, thellë do t’u lindë një respekt dhe do të mendojnë:

    U ngrit ai më lart, me krye të pamposhtur,

    Se shtyll’e Napoleonit!

    Si njeri, që i interesojnë pak armiqtë dhe zënkat e vogla, do të vijë në mbledhje më vonë nga të gjithë. Do të futet në sallë pa zhurmë, me përvuajtje do ta kalojë dorën nëpër flokë dhe, pa shikuar asnjerin, do të ulet në cep të karriges. Pasi të marrë pozën e dëgjuesit të mërzitur, do të gogësijë lehtazi, do të marrë ndonjë gazetë, do të lexojë…Të gjithë do të flasin, do të zihen, do të nxehen, do të  kërkojnë nga njëri- tjetri rregull, kurse ai do të heshtë dhe do shikojë gazetën. Por, ja, kur, më në fund, emri i tij do të përsëritet gjithnjë e më shpesh dhe problemi shqetësues do të arrijë kulmin e vet, ai do t’i ngrejë sytë e lodhur dhe të mërzitur nga kolegët dhe do t’u thotë si pa dashur:

    -Mua më detyrojnë të flas…Unë nuk jam përgatitur, zotërinj, prandaj, më falni, fjala ime nuk do të jetë fort e lidhur. Do ta nis ab ovo…1) Në mbledhjen e kaluar disa shokë të nderuar deklaruan, se, në konsultat mjekësore, sillem jo siç ua ka qejfi atyre dhe kërkuan t’u jepja shpjegime për këtë. Duke i quajtur shpjegimet të tepërta, akuzat të pandërgjegjshme, iu luta të më përjashtojnë nga anëtar i Shoqatës dhe u largova.Tani që ndaj meje ngrihet seria e re e akuzave, me  pikëllim e shoh që nuk mund ta kaloj pa dhënë sqarime. Urdhëroni, do të shpjegohem.

    Më tej, duke luajtur i shkujdesur me lapsin ose me zinxhirin, ai do të thotë, se vërtet, në konsultat ngandonjëherë e ngrë zërin dhe ua pret fjalën kolegëve, pa pasur asnjë ndrojtje nga prania e njerëzve të panjohur. E vërtetë është edhe ajo kur një herë në një konsultë, në prani të doktorëve dhe

    prindërve pyeti të sëmurin: “ Cili qe ai budalla që ju dha opium?”  Një konsultë që mblidhet rrallë, kalon pa incident…Dhe pse? Shumë e thjeshtë. Në konsultat e tij Shelestovin gjithmonë e çudit niveli i ulët i dijeve të shokëve. Në qytet ka tridhjet e dy mjekë dhe shumica e tyre dinë më pak se çdo student i kursit të parë. Për të gjetur shembuj s’ka nevojë të shkojmë larg. Natyrisht, nomina sunt odiosa2), por në mbledhje të gjithë i ke të njohur dhe, përveç kësaj, që  të mos i lëshosh fjalët në erë, mund të thuash emëra. Për shembull, dihet prej të gjithëve se i nderuari fon Bron ia çpoi me sondë gurmazin nëpunëses Serjoshkina…

    Në këtë kohë fon Broni, do të hidhet përpjetë, do të përpjekë duart dhe do të klithi:

    -Koleg, këtë e bëtë ju dhe jo unë! Ju! Dhe këtë do t’jua vërtetoj!

    Shelestovi nuk do t’ia verë veshin dhe do të vazhdojë:

    -Të gjithë, gjithashtu e dine, se kolegu i nderuar Zhilla, veshkën që herë i shfaqej herë i zhdukej të aktores Semiramidina, e mori për abses dhe për ta provuar e hapi; kjo u bë shkak që shumë shpejt ndodhi exitus letalis 3).Shoku i nderuar Besstrunko, në vend që të hiqte thoin e gishtit të madh të këmbës së majtë, hoqi thoin e shëndoshë të këmbës së djathtë. Nuk mund të mos ju përmend rastin, kur i nderuari Terharjanc ia bëri me aq zell kateterizimin e tubave të Ustahit ushtarit Ivanov, sa që të sëmurit iu çanë të dyja daullet e veshit. Më vjen ndërmend, me që ra fjala, se po ky, duke i shkulur dhëmbin ia nxori të sëmurit nofullën e poshtme dhe nuk ia vuri në vend gjer sa i sëmuri pranoi t’i paguajë për këtë pesë rubla. I nderuari Kuricin është martuar me mbesën e farmacistit Grummer dhe është futur me të në grevë. Të gjithë e dinë, se sekretari i Shoqatës sonë, i riu Skoropalitelni jeton me gruan e kryetarit tonë të shumërespektuar dhe të nderuar Gustav Gustavoviç Prehtel…Nga ky nivel i ulët i dijeve, pa rënë në sy, u hodha në të metat e natyrës etike. Aq më mirë. Etika, është pika jonë e dobët, zotërinj, dhe, për të mos thënë fjalë të zbrazëta, po ju permend të nderuarin Puzirkov, i cili, kur ishte në ditëlindjen e Treshinskajës, gruas së kolonelit, tregonte se  sikur me gruan e kryetarit tonë nuk jeton Skoropatelni, por unë! Merr guximin ta thotë këtë, zotëria Puzirkov, që vjet e zura me gruan e të nderuarit Znobish! Me që ra fjala, për doktorin Znobish…Kush e përdor emrin e mirë të doktorit, që mjekon zonjat jo pa rrezik? Znobish… Kush u martua me vajzën e tregtarit për prikë? Znobish! Për sa i përket shumë të nderuarit kryetarit tonë, ai merret në fshehtësi me homeopatinë dhe merr para nga prusianët për spiunazh. Spiun prusian- është ultima ratio! 4)

    Doktorët, kur duan të duken të mençur dhe gojtarë përdorin dy shprehje latine: nomina sunt odiosa dhe ultima ratio. Shelestov do të flasë jo vetëm latinisht, por edhe frengjisht dhe gjermanisht, si të keni dëshirë! Ai do t’i verë të gjithë me shpatulla për muri, do t’ua heqë maskën intrigantëve; kryetari do të cfilitet së telefonuari, të nderuarit do të hidhen përpjetë nga vendet e tyre, do të ulërijnë, nuk do të çajnë kokën…Ata të fesë ebraike do të mblidhen grumbull dhe do t`ia bejnë:

    -Gër-gau, gër- gau…

    Shelestovi pa i dhënë rëndësi asgjëje, do të vazhdojë:

    -Përsa i përket gjithë Shoqatës, me përbërjen dhe rregullat që ka tani, ajo pa tjetër do të prishet. Cdo gjë në të, është ndërtuar vetëm mbi intriga. Intriga, intriga dhe intriga! Unë si një nga viktimat e kësaj intrige të tërë, demoniake, e ndiej për detyrë të paraqes këto…

    Ai do t’i shpjegojë, ndërsa grupi i tij do të duartrokasë dhe me triumf do të fërkojnë duart.Dhe ja përmes britmave të papërfytyrueshme dhe shkrepjes së brohorimave nisin zgjedhjet e kryetarit. Fon Bron dhe Ko janë në krahun e Prehtelit, por publiku dhe doktorët e arsyeshëm ua bëjnë me shënjë të heshtin dhe thërrasin:

    -Poshtë Prehteli! Duam Shelestovin! Shelestovin!

    Shelestovi pranon, por me kusht që Prehteli dhe fon Broni t’i kërkojnë falje për incidentin e 2 tetorit. Përsëri nisi një zhurmë që s’ta pret mendja dhe përsëri ata të nderuarit e fesë ebraike mblidhen grumbull dhe – “gër-gau gër-gau…”  Prehteli dhe fon Broni, të turpëruar, e mbyllin me kërkesën për të mos qënë më anëtarë të Shoqatës. Bukur fort!

    Shelestovi- kryetar. Para së gjithash do t’i verë në vijë punët. Znobishën-jashtë! Terharjancin- jashtë! Të nderuarit e fesë ebraike- jashtë! Me grupin e tij ai do të bëjë që, andej nga janari, në Shoqatë nuk do të mbetet asnjë intrigant. Në klinikën e Shoqatës, para së gjithash, do të japë urdhër të lyejnë muret e ambulancës dhe të vendosin një afishe: “ Ndalohet rreptësisht duhani” ; pastaj do ta përzejë infermjerin dhe infermjeren, ilaçet nuk do t’i marrin te Grummeri por te  Hrjashambzhicki, doktorëve do t’u propozojë të mos bëjnë asnjë operacion pa mbikqyrjen e tij etj. Kryesorja, në kartëvizitat e tij do të shkruhet: “Kryetar i Shoqatës së mjekëve të N-nit”.

    Kështu ëndërron Shelestovi në shtëpi para pasqyrës. Por ja , ora bie shtatë dhe i kujton se erdhi koha të shkojë në mbledhje. Zgjohet nga ëndërrimet e ëmbla dhe mundohet t’i japë fytyrës një shprehje të njeriut të përvuajtur,por –ah sa keq!- ai do që ta bëjë fytyrën të vuajtur dhe tërheqëse, por nuk i bindet dhe ajo thartohet, mpihet si e një këlyshi të mardhur oborri; don t’i japë fytyrës pamje të rëndësishme, por i tërhiqet dhe shpreh moskuptim, pasiguri dhe tani i duket se nuk i ngjan më këlyshit por patokut. Ul kapakët, picërron sytë, fryn faqet, rrudh ballin, por- në daç plas!- nuk del ajo që do të dëshëronte.Kështu me sa duket është kjo fytyrë , këto veti ka, s’ke ç’i bën asaj. Një ball i ngushtë, sy të vegjël lëvizin me shpejtësi si të një shitëseje hileqare, nofulla e poshtme, shëmtuar e pa lezet del përpara, kurse faqet dhe tufa e flokëve kanë një pamje të tillë sikur “të nderuarin” para një minute e kanë nxjerrë me të shtyra nga salla e bilardos.

    E shikon Shelestovi fytyrën e vet, inatoset dhe fillon t’i duket se edhe ajo intrigon kundër tij. Shkon në dhomën e pritjes, vishet dhe i duket se intrigojnë edhe gëzofi edhe galloshet edhe shapka.

    -Karrocier, në ambulancë!- thirri.

    I jep njëzet kopekë, ndërsa intrigantët- karrocierë kërkojnë njëzet e pesë kopekë…Ulet në karrocë, dhe era e ftohtë i godet fytyrën, dëbora e lagët ia mbulon sytë, kali mezi tërheq këmbët. Çdo gjë bëhet në marrëveshje të fshehta, çdo gjë të intrigon…Intriga, intriga dhe intriga!  

    _______

    1) Nga e para (lat.)

    2) Emrat janë të urryer (lat.)

    3) Fund vdekjeprurës (lat.)

    4) Argument i fundit (lat.)

    Marrë nga “Rrefimi i zonjës N. N.”, Tregime dhe novela. 

    Perktheu nga origjinali Myzejen Shapllo

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË