Isha nisur si me shpejtësi në rrugën që tash e sa vjet jetonte mes kalldrëmit dhe vuajtjeve të çakorduara të gurëve që kishin lëvizur. Këtë s’e kisha vërejtur më herët por tash kur ecja mbi to, me hapa të shpejtuar, e pashë që herë – herë po më çalonte këmba e cila kishte nevojë më shumë se kurrë të mos merrte në thua në ndonjërin nga guralecët, sepse do të më shkaktonte tepër probleme në këtë ngutësinë time.
Ritmin tim të shpejtë e ndali hovi i një kamioni i cili ishte stërngarkuar nga rëra dhe para këmbëve të mia, si për inat, pa dhënë shenja paralajmëruese. Në momentin kur unë isha duke trupuar rrugën, seç ma fërfëlloi fytyrës njëfarë pluhuri të hollë, që e barte bashkë me zhurmën e tij e cila trazonte këtë mëngjes. Këtë trazirë e përjetoi edhe fytyra ime të cilën e kisha trajtuar siç është më së miri në mënyrë që të kisha një pamje sa më fine për t’u lënë përshtypjen e dëshiruar intervistuesve të punës në të cilën kisha aplikuar.
Më në fund dola në asfaltin e dëshiruar, përfundova rrugën me kalldrëm dhe po drejtohesha drejt sheshit të qytetit, të vetmin shesh që kishte qyteti ynë i vogël. Aty veç sa kishin filluar lëvizjet e rëndomta të ndonjë të punësuari, po ashtu vërehej edhe prezenca e ndonjërit nga pensionistët që hapnin e mbyllnin sytë e këtij qyteti të hirtë. E quaj kështu sepse aq shumë ka pllaka betoni sa të vetmen ngjyrë që do të mund të shikoja do të ishte e hirta.
Isha mësuar të përshëndesja të mëdhenj e të vegjël, përkundër përgoji-meve që shpesh dëgjoja nga veshët e mi kur kaloja andejpari. “Eh…, kështu e kanë qytetet e vogla”, – thashë me vete. Përgojimet zënë vend në muhabete të burrave, të grave, qe besa shpesh edhe të fëmijëve. S’ka gjë, fjalët s’vrasin drejtpërdrejt.
Unë kisha përshtypjen se po fluturoja në sheshin tashmë të rregulluar nga qeverisja lokale, e cila si me nguti kishte përfunduar punët në mënyrë që t’ua mbushte mendjen qytetarëve për ta votuar të paktën edhe një mandat, meqë zgjedhjet lokale po afroheshin.
Kështu, pa një pa dy, e pashë veten në rrugicën që lidhte qendrën e qytetit. Mblodha veten mirë e mirë, mora frymë thellë dhe thashë me vete: “po zana le ta hajë, edhe këta njerëz janë, hanë bukë e pinë ujë”. Nuk më shqiteshin se nuk më shqiteshin emocionet, kur e dija se duhet të flisja para një paneli e aq më keq kur kisha të bëja me një intervistë pune, për të cilën kisha tepër nevojë.
Thashë t’i harroj faturat e rrymës, faturat e ujit, pagesën e qirasë, fletoret që duhej patjetër t’ua blija fëmijëve, gjësende të tjera ushqimore të domos-doshme dhe të përqendrohesha vetëm në kontributin maksimal për t’u pranuar në këtë dreq pune që kurrë s’e kisha menduar ndonjëherë. Papritur më erdhi në mendje të mos u shpjegoj se kam një diplomë fakulteti, se e dija që do t’i qisja vetes telashe, duke më thënë se je tepër e kualifikuar për vendin e punës që aplikoja. Shfletova dokumentet të cilat i kisha shtrënguar aq shumë dhe diplomën e fakultetit e fsheha në çantën time tanimë të stërngarkuar nga shumë e shumë dokumente dhe hyra në objektin ku do të mbahej intervista.