More
    KreuLetërsiShënime mbi libraImazhi i Kosovës në romanet e Kadaresë

    Imazhi i Kosovës në romanet e Kadaresë

    Nga Prof. Dr. Isak Shema

    Objekt studimi i këtij punimi është trajtimi i temës së Kosovës në romanet e Ismail Kadaresë, me vështrim të veçantë, imazhi i Kosovës në romanet: “Tri këngë zie për Kosovë”, “Krushqit janë të ngrirë”,  dhe në novelën “Baladë për vdekjen e J.G.”.

    Bota shqiptare, si edhe universi, motivet dhe temat që lidhen me të, prania e saj në planin kombëtar dhe universal, paraqitet me dinjitet krijues dhe artistik në 20 vëllime të botimit përfundimtar të veprave të plota të këtij shkrimtari.

    Tema e Luftës së Kosovës (1389) është trajtuar në shumë vepra letrare. Kësaj ngjarjeje historike i kushtohen këngë të ndryshme të epikës popullore. Në librin  ‘Pyetje në albanologji” Shaban Sinani shkruan për traditën gojore shqiptare dhe për motërzimet  e këtyre këngëve historike. Po ashtu  bën fjalë edhe për librin e Anna di Lellio  Beteja e Kosovës 1989- një ep shqiptar”.

    Në epikën historike shqiptare dhe në gjuhë të tjera, shquhen shumë këngë kushtuar  Luftës së Kosovës.  Kadare është bazuar në këtë thesar letrar dhe në të ka gjetur mbështetje në procesin e krijimit të romanit të vet.

    Në letërsinë e shkruar shqipe kjo temë  është e pranishme në disa poezi lirike, në poema, në krijime të prozës tregimtare dhe veçanërisht në romanin shqiptar. Në krijimtarinë letrare të Kadaresë është dhënë imazhi për Kosovën e të kaluarës, por edhe për atë bashkëkohore. 

    Imazhet e para për Kosovën i gjejmë në poezinë e viteve `60-të. Në poemën “Përse mendohen këto male?”, poeti jep tablo të gjerë për fatin e popullit shqiptar gjatë shekujve. Në poezinë “Kosova” (1966) jep imazhin më të plotë për vendin gjatë fluturimit të parë me aeroplan mbi Kosovë. Poezia hapet me vargjet: “Sa herë kam kaluar mbi qiellin tënd, Kosovë,/ Midis reve të tua të rënda, gjëmimeve të tua”/. Poezinë  tjetër “Atje larg në Veri” (1968) ia kushton Gjakovës.

     Poezia “Mundja e ballkanasve nga turqit në Fushën e Kosovës më 1389”, e krijuar në vitin 1975, paraqet humbjen e ballkanasve në Luftën e Kosovës në shekullin XIV.  Duke u bazuar në këtë poezi, në Tiranë dhe në Paris, gjatë periudhës kohore  mars 1997- mars 1998, në kohën e luftës çlirimtare të Kosovës, krijoi veprën “Tri këngë zie për Kosovën”  dhe e botoi  më 1998. Me tri tregime : Lufta e vjetër, Zonja e madhe dhe Lutje mbretërore, në saje të mjeshtërisë  artistike,  në mënyrë parabolike paraqet të kaluarën dhe  aktualitetin, luftën çlirimtare të shqiptarëve dhe atë pushtuese të Serbisë hegjemoniste.  Beteja e Kosovës, e zhvilluar  më 28 qershor 1389 në Fushën e Kosovës midis  ushtrisë pushtuese të Perandorisë Otomane, të udhëhequr nga Sulltan Murati, në njërën anë, dhe ushtrisë së përbashkët të ballkanasve: të serbëve, të boshnjakëve, të rumunëve dhe të shqiptarëve, të komanduar nga Princ Llazari, në anën tjetër. Pas luftës së përgjakshme, që zgjat dhjetë orë,  ushtria osmane pushtoi viset ballkanike, për t`i mbajtur nën sundimin e vet  pesë shekuj me radhë.

    Dy rapsodët: shqiptari, Gjorg Shkreli dhe ai serb, Vlladani, këndojnë me lahutë këngët, me të cilat shprehin hasmërinë dhe rivalitetin më të hershëm  midis shqiptarëve dhe serbëve. Gjorgu këndonte: “Ngrihuni shqiptarë, sllavët (serbët) po na marrin Kosovën, ndërsa Vlladani:”Çohuni ju serbë, shqiptarët po na e rrëmbejnë Kosovën”. Lahutarët nuk pranojnë të ndryshojnë këngët e tyre, dhe as të këndojnë një këngë të tretë. Megjithatë, me rastin e vdekjes së Zonjës së Madhe, këndojnë një variant të tretë të këngës së tyre, pa ndryshuar mesazhin e mëparshëm.  Ata “…si të mpirë, kënduan këngën për të: Ra mjegull e zezë, vdiq  Zonjë e madhe…ngrehuni serbë se Kosovën e mori shqiptari. Seç ra mjegull e zezë, vdiq Zonjë e madhe, ngrehuni shqiptarë se në Kosovë ra shkau.

    Në pjesën e tretë, Lutje mbretërore,  bartës i rrëfimit është vetë mbreti i osmanëve, i vrarë gjatë Betejës së Kosovës dhe i varrosur “…nën tyrben dhe flakëzën e bishtukut  ziplot”. Ai dëshmon për të kaluarën e tij tragjike, por edhe për vazhdimin e urrejtjes midis ballkanasve: “Serbë e shqiptarë këtë herë, duke tundur secili shenjën e vet: shqiptarët kryqin katolik, serbët atë ortodoks.” Informohet nga capa gazetash për luftën në Kosovë në vitin 1999, për “Emra vendesh, vezirësh befasues. NATO. R. Cook, Medeliene Albight. Ploja e fëmijëve në Drenicë. (un massacre d` enfants a Drenica), Millosheviq, Mein Kampf… Herë-herë midis tyre është emri im: Murati I.” Edhe pas gjashtëqind  vjetësh, i vetmuar,  ai sheh se grindjet dhe luftërat e ballkanasve s`kanë të ndalur. “Këngët i kishin po aq të egra sa edhe armët”. Me urrejtje të pa përmbajtur, mallkon  dhe përsërit nëmën: “Mallkuar qofshi…Kokën hëngërshi, ballkanas të egër”.

    Vepra “Tri këngë zie për Kosovën” ka zgjuar interesimin e madh të lexuesve dhe të kritikës letrare. Romani është përkthyer në disa gjuhë të botës. Eric Faye në parathënien e botimit në gjuhën frënge prozën e Kadaresë e vlerëson lart dhe në aspektin kohor e lidh me ngjarjet e viteve `90 të shekullit të kaluar, pra me vitin 1989, kur merr hov lufta për çlirimin e Kosovës. Ai shkruan:  “… libri përfshin alfën dhe omegën, pra dy pikat e skajshme të luftës së përgjakshme në tokën e Kosovës. Toni i këtij libri është i përkundërt me nacionalizmin. Asgjë nuk i shtyn serbët e shqiptarët të jenë kundër njëri tjetrit përveçse gjurmët që urrejtja ka depozituar në kujtesën kolektive”.

    Në një intervistë, në pyetjen lidhur me përkrahjen e Kosovës dhe të popullit të saj gjatë njëzet viteve të fundit, Kadare përgjigjet:  “…Unë mbrojta lirinë e popullit kosovar, gjë që do ta bëja për të gjithë popujt e tjerë. Nuk ishte diçka speciale, fakti që unë jam shqiptar. Ajo ishte një kauzë e qartë, ishte një skandal që në Evropë një popull të jetonte ende në kushte koloniale.

    Reputacioni im si shkrimtar mund të ishte dëmtuar për këtë, pasi nuk është e lehtë për një shkrimtar të vazhdojë të mbështesë idenë se Jugosllavia duhet të ndëshkohet për shtypjen e tmerrshme që kishte kryer në Kosovë. Nuk është e lehtë për një shkrimtar, pasi sipas klisheve, shkrimtarët duhet të jenë kundër çdo lloj ndëshkimi, mbi të gjitha, bombardimeve.”

    Megjithatë, Kadare lidhur me rrëfimin e tij romansor në këtë vepër shprehet: “Rrëfimi im vjen nga ajo që unë e quaj “objektivitet homerik”…. jam munduar ta respektoj këtë ligj: të jem në krijimtarinë time letrare neutral E gjithë kjo më ka dhënë një ekuilibër në atë vënd të vështirë. Gjë, tepër e vështirë”.

    Në parthënien e romanit Eric Fay shkruan: “ Isamail Kadare e kujton këtë betejë në veprën e tij shumë më përpara se viti vendimtar 1989, duke marrë atje një traditë të epopesë gojore dhe asaj të shkruar shqiptare. Kështu ajo del më 1975 në formën e një poeme të shkurtër : « Humbje  ballkanasve prej turqve në Fushën e Kosovës » si dhe, më pas, në shumë tekste të tjerë të tij. Por është viti 1997 që, duke rimarrë tonin epik të «  « kasnecëve të shiut » Ismail Kadare « rishikon » psikozën para betejës si dhe zhvillimin e saj, duke na  dhënë këtë me «  Luftën e vjetër », që është pjesa e parë e librit « Tri këngë zie për Kosovën »…Atje shohim rapsodë serbë e shqiptarë, që bëjnë lajmëtarin e rivalitetit serbo-shqiptar në Kosovë, që i ka rrënjët shumë përpara se të fillonin luftimet kundër trupave otomane ».

    Romani i Ismail Kadaresë me shpejtësi të madhe është përkthyer në shumë gjuhë të botës. Zëri i këtij autori, duke folur për Kosovën, është dëgjuar me interesim të jashtëzakonshëm.  Julien Gracq, personalitet i shquar i kulturës moderne frënge, shkruan : « Janë të paktë librat bashkëkohorë që më kanë tronditur sa Tri këngë zie për Kosovën, që Ismail Kadareja e botoi në vitin 1998, pikërisht në kohën kur një krizë me përmasa ndërkombëtare po ngjizej sërish përreth Fushës së mëllenjave… ».

    Për riendjen e mitit në letërsinë e Kadaresë, shkruan Stephen Brown (Observer, shkurt 2000). “…Kadare shkruan një prozë lirike të dendur, të gjallëruar nga një zgjuarsi dinake, që here pas here shoqërohet me metafora jo nxitëse ogurzeza. Këto tregime kërkojnë një truall në historinë e Ballkanit dhe në Evropën Mesjetare. Ato janë pjesërisht rishikim historik dhe, pjesërisht fabul. Kadareja e rindërton të kaluarën në një përzierje rrëmuje dhe pëshpëritjesh, por gjithashtu dëshiron që ta riendë në një lloj të ndryshëm miti- një tragjedi të Evropës. Kosova bashkon Lindjen e Evropës me verbërinë drejt Lindjes dhe i jep rajonit një fatalitet, që është në të njëjtën kohë mallkim dhe bekim”.

    Kritiku letrar, John Murray, duke i paraqitur të tri fabulat si një tërësi kompozicionale të romanit, shprehet se “…Kadareja lëviz në drejtim të kundërt me paranojë shoviniste. Në vend të kësaj, ai i shikon të gjithë protagonistët, duke përfshirë këtu edhe turqit, nga një perspektivë tolerante”.

    Një bard merret me Kosovën. Julian Evans shpreh mendimin vlerësues se vepra Tri këngë zie për Kosovën « …është humane, lirike, komike, e drejtpërdrejtë dhe emocionuese. Pika zotëruese në shkrimin e  këtyre tri fabulave, si edhe në veprat e tjera të tij, është se ai dërgon mesazhe për lirinë, kryesisht për të shkruar të vërtetën, jo domosdoshmërisht me fakte, port të vërtetën njerëzore. Në këtë libër të shkurtër, objektiv, por megjithatë fisnik, Kadareja e ka vendosur Kosovën- betejën, mitin- të çliruar nga zinxhirët e pavërtetësisë “.

    Jorgo Bulo, njëri ndër studiuesit e shquar të letërsisë shqiptare të traditës dhe të kësaj bashkëkohore, shquan rolin e jashtëzakonshëm të shkrimtarit për zhvillimin e letërsisë së sotme shqipe. “Vepra e Kadaresë – shkruan ai, është shprehje e pasurimit të kulturës universale me traditat kombëtare artistike të popujve të vegjël me qytetërim të lashtë, siç është populli shqiptar, një nga më të vjetrit në Ballkan. Nga një lidhje e fortë me këtë truall, që vjen nga lashtësia e gadishullit dhe e gjallërimit të mitologjisë së tij antike, vepra e Kadaresë i sjell letërsisë evropiane një aromë karakteristike mesdhetare dhe e pasuron atë me koloritin e një areali tipik për veçansinë e tij etnokulturore. Filozofia, mendësia dhe traditat historike e kulturore të shqiptarëve, janë paraqitur në veprën e Kadaresë si shprehje e identitetit të fortë kombëtar, e vitalitetit të kulturës shpirtërore të popullit të vet dhe si faktor i qëndresë dhe i mbijetesës së tij. Krijues me vetëdije të lartë kritike, Kadareja jo vetëm ka poetizuar vlerat shpirtërore të kombit të vet, por edhe ka fshikulluar traditat anakronike, mentalitete retrograde, psikologjinë provinciale dhe konvencionet e jetës së shoqërisë shqiptare .»

    Demonstrata e studentëve dhe të mbarë popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi kombëtare të vitit 1981, frymëzuan Kadarenë për të krijuar poezinë “Terrori në Kosovë”. Këtu zë fill novela “Krushqit janë ngrirë”, e cila pas botimit në anglisht dhe frëngjisht, por edhe në shumë gjuhë të tjera,  “ …i bëri të njohur lexuesit botëror rebelimin e studentëve të Kosovës dhe të vërtetën e masakrës së Prishtinës në mars të vitit 1981”.

    Ngjarjet reale të kohës e nxitën autorin të krijojë romanin “Krushqit janë të ngrirë”. “Kadare, shkruan Eric Fay, do të frymëzohet nga ngjarjet dramatike që i kanë ndodhur bashkëshortes së Esad Mekulit, “babait” të poezisë shqiptare të botuar në ish Jugosllavinë. Gruas së tij, mjeke në spitalin e Prishtinës, gjatë manifestimeve i është dashur t`u përgjigjet të njëjtave akuzave sikurse personazhes së librit, Teuta Shkrelit. Ajo, që është legjendë: prapa tragjedisë kosovare përvijohet epopeja e kreshnikëve, e pranishme prej kohësh në mendjen e shkrimtarit (si dëshmi kemi p.sh. poemën “Alpet në dhjetor” të botuar më 1976, apo romani “Dosja H.”). Titulli i këtij romani është frymëzuar nga kjo këngë epike. Në te gjejmë motivin e martesës midis sllavëve dhe shqiptarëve. Ndërhyrja fatale e një zane të maleve,… e kthen në gur kortezhin e dasmës dhe e ndalon martesën serbo-shqiptare, ashtu sikurse dhuna jugosllave e këputi në mes dashurinë e Shpend shqiptarit me Madlenkën serbe. Shpendi vdes i shtypur nga një tank i ushtrisë federale”.

    Shtypja  e përgjakshme  e demonstratave,  procesi i diferencimit politik dhe i dënimeve gjyqësore, ashpërsimi  i mërive dhe i veprimtarisë nacionaliste serbe,  pamundësojnë edhe martesën  e Shpendbresftohtit (shqiptar) me Mladenka Markoviqin (serbe ). Shpendi vritet nga ushtria federale në operacionet e shtypjes së demonstratave. Kjo tragjedi të kujton një  temë të mitologjisë shqiptare dhe atë të  veprës “Romeo dhe Zhulieta. Ngjarjet ndodhen gjatë viteve tetëdhjetë, që nga viti 1981 dhe në vazhdimësi dhe përshijnë kundërthëniet sociale e ndërnacionale, luftën ideologjike dhe politike, konfliktet e ashpërsuara që çojnë drejt polarizimit dhe luftës së viteve `90. Disa personazhet janë të imagjinuara nga shkrimtari.

    “Kjo vepër, dëshmia e parë dhe tepër e rrallë e masakrës serbe,… pati si qëllim njohjen e publikut shqiptar, dhe sidomos atij botëror, me terrorin e ushtruar në Kosovë”.  Proza është botuar së pari në kuadër të përmbledhjes së tregimeve “Koha e shkrimeve”  (1986), ndërsa si roman, i ripunuar, është botuar më vonë. Përkthimi i saj më pas, në shumë vende të Europës, hodhi dritë mbi të vërtetën e tragjedisë së Kosovës”.

    Vepra letrare “Krushqit janë të ngrirë” në kritikën letrare shqiptare dhe sidomos në atë në gjuhë të huaja, është analizuar në prizmën e veprave më të shquara të letërsisë botërore klasike dhe bashkëkohore. Alain Bosquet në vështrimin “Shqipëria ose viset e shpirtit” kjo prozë  “…përshkruan trazirat në Kosovë, krahinë jugosllave e banuar nga shqiptarët. Si edhe shumë herë të tjera më parë, Kadaresë i ka pëlqyer të flasë për vendin e tij, njëherazi në të kaluarën e largët, çka bën të mundur alegorinë dhe kapërdimjet, si edhe të kaluarën më të afërt…”. Ndërsa autori Guy Le Clec`h këtë krijim artistik e vendos në një transversalë me dramaturgjinë e Sofokliut. “Kjo novelë e gjatë, shkruan ai në “Litteratures etrangeres”, 27.04.1987, rimerr alternativën e përjetshme e ilustruar nga tragjedia e Sofokliut, e cila ve Antigonën përballë Kreontit, ndërgjegjen dhe ligjin e pashkruar kundër arsyes shtetërore. Sidoqoftë, Martin Shkreli, nuk ka asnjë dyshim, paraqitet si zëdhënës i Ismail Kadaresë kur mbron idenë e dhënies fund të armiqësive mes serbëve dhe shqiptarëve, duke rrezikuar t`i lerë të pakënaqur të dy palët. Le t`ia lëmë kohës kujdesin për të fshirë urrejtjen, e cila i vë kundër njëri tjetrit edhe në ndeshje onorike, në universin delirant të epopeve të moçme”.

    Në novelën “Baladë për vdekjen e J. G “ Kadare  paraqet tragjedinë e dëshmorit  Jusuf Gërvalla, emigrant politik shqiptar, të cilin së bashku me  Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën më  17 janar të vitit 1982 e vranë agjentët e UDB  kriminale serbe në Gjermani.

    Jusuf Gërvalla, studenti im, gjatë studimeve universitare e ka qenë shumë i zellshëm. Shumë vjet me radhë është angazhuar me përkushtim të jashtëzakonshëm për të realizuar synimin e çlirimit të popullit shqiptar dhe të bashkimit kombëtar. Vepra e Jusufit mbetet trashëgim i çmuar brezave të sotëm dhe atyre që do të vijnë. Vrasja mizore e Jusuf Gërvallës dhe e dy veprimtarëve të idealit atdhetar, pikëlloi të gjithë shqiptarët. Shkrimtari në veprën letrare paraqet dhembjen dhe revoltën, analizon faktet dhe synon të ndriçojë me vërtetësi rrethanat e tragjedisë njerëzore dhe kombëtare.

    “Vlerat e veprës së tij janë të begatshme dhe të shumëllojshme, vlerëson Bashkim Kuçuku, sikurse është vetë ajo e begatshme dhe e shumëllojshme. Në tërësinë e letërsisë shqipe, dhe, në kuptimin e mirëfilltë letrar, ajo është më e pasura, më e madhja dhe më e rëndësishmja. Risuese në poezi, në prozë, veçanërisht në roman, dhe, shpesh mbi nivelin e përgjithshëm të saj, ajo e ka ngritur letërsinë shqipe në shkallaret më të larta, herë-herë të njëjta me letërsitë e tjera evropiane dhe botërore”.

    Imazhi unik i Kosovës në romanet e Ismail Kadaresë , është ai i krijuesit humanist. Vepra e tij përfshin shumë aspekte të qytetërimit shqiptar dhe të atij botëror.  Mesazhi i tij në letërsi është paqedashës dhe i kushtohet lirisë së popullit shqiptar, por edhe të mbarë njerëzimit. Ismail Kadare në prozën e tij moderne në mënyrë të mrekullueshme spikat  imazhin dhe mesazhin  artistik  për Kosovën. Në mesazh i tillë paraqitet edhe në veprën artistike figurative “Paqe në Kosovë” të piktorit të famshëm, Ibrahim Kodra. Ismail Kadare është shkrimtar i shquar i letërsisë shqiptare me famë botërore. Me opusin letrar, që ka vlerë të lartë artistike, paraqet  edhe imazhin e Kosovës. Kontributi i tij letrar kushtuar  Kosovës është i shumë i çmuar. 

    Në saje të përkthimit të veprave letrare të tij në shumë gjuhë të botës, si edhe me tërë veprimtarinë e tërësishme, si personalitet i rrallë i kulturës bashkëkohore shqiptare dhe evropiane, zë vend të merituar në historinë e letërsisë bashkëkohore. Për veprimtarinë letrare me vlerë të lartë artistike dhe për merita të jashtëzakonshme që ka dhënë ai në fushën e letërsisë, ka fituar shumë mirënjohje dhe shpërblime letrare. Ai është shkrimtar i merituar, kandidat për të fituar  Çmimin Nobel për Letërsi.

    Kumtesa: L`image de Kosova dans les romans modernes d` Ismail Kadare është paraqitur në Konfeencën  Ndërkombëtare të AIESSE në Zagreb në vitin 2013

    South-Estern, East-Central Europe, West in South-Eastern and East- Central Europe 

    Europe throughout History

    The Image(s) of  South-Estern,  and East-Central Europe The  throughout History. The Image(s )of the West in   South-Eastern and East- Central Europe  throughout History

     25-26 octobre 2013, “Ivo Pilar Institute of Social Sciences, Zagreb (Croatia)  

    BIBLIOGRAFIA

    Kadaré, Ismail :Tri këngë zie për Kosovën. (1998) , triptik. Onufri,
    Tri këngë zie për Kosovën .( 1999), triptik, Onufri,Tiranë.
    Tri këngë zie për Kosovën .( 2000), triptik, Vepra, Vëllimi i nëntë. “Fayard”, Paris.
    Krushqit janë të ngrirë , në Koha e shkrimeve. ( 1986), Tiranë.
    Baladë për vrasjen e J.G.: në Koha e shkrimeve. (1986). Tiranë.
    Krushqit janë të ngrirë. (2000), roman. Vepra, Vëllimi i nëntë. ”Fayard”, Paris.
    Kadaré, Ismail. (2008). Vepra 7. Onufri. Tiranë.
    Kadaré, Ismail. (2000). Balade sur la mort de J.G., Œuvres, tome neuvième. Fayard, Paris.
    Three Elegies for Kosovo. (1998). “The Harvill Press”, London.
    Elegy for Kosovo.(2000). “Arcade Publishing”, New York.
    Trois chants funebres pou le Kosovo. (1998).”Fayard”, Paris.
    Trois chants funebres por le Kosovo. (2000). Ouvres, Tome neuvieme.”Fayard”, Paris.
    Die rowzangen vdor Kossovo.(1999).,”Van Gennep”, Amsterdam.
    Tre canti funebri per il Kossovo. (1999). “Longanesi &C”, Milano.
    Tre canti funebri per il Kossovo. (2003). “Longanesi &C”, Milano.
    Tre cants funebres per Kosovo. (1999).”Proa”, Barcelona.
    Tres cantos funebres pelo Kosovo. (1999). “Dom Quixote”, Lisboa.
    Tres cantos funebres para o Kosovo (1999). ” Editora Objektiva”, Rio de Janeiro.
    Tres cantos funebres por Kosovo.(1999). ”Alianza Editorial”, Madrid.
    Tres cantos funebres por Kosovo. (2004).”Alianza Editorial”, Madrid.
    Kosovo ya uç agit. (1999). “Gunesli”, Instanbul.
    Tre seresanger for Kosovo. (1999). (Norwegian).
    Tria tragudhja penthima ja to Kosifopegjio. (2000). “Ekdhosis tu ikostu protu”, Athina.
    Tri elegjie za Kosovo. (2000). “Edicija Bozicevic”, Zagreb.
    Le cortège de la noce s’est figé dans la glace. (1984). Fayard, Paris.
    LAnné noire suivi de Le cortege de la noce sest fige dans la glace. (1987). “Fayard”, LAnné noire suivi de Le cortege de la noce sest fige dans la glace .(1992). “Fayard”, Paris.
    LAnné noire suivi de Le cortege de la noce sest fige dans la glace. (1992). “Fayard”, Paris/ Livre de Poche.
    LAnné noire suivi de Le cortege de la noce sest fige dans la glace. (1992). “Fayard”, Paris
    LAnné noire.(1991). (Viti i mbrapsht), Le cortege de la noce sest fige dans la glace (Krushqit janë të ngrirë),(Titujt janë në hebraisht dhe në frëngjisht) Printed in Israel, “E. Lewin- Epstein”.
    De verssteende bruidsstoet. (2000). (Krushqit janë të ngrirë). “Van Gennep”, Amsterdam.

    Shënim:
    Punimi përfshihet në dorëshkrimin tim, të përgatitur për botim, me titullin Arti letrar i Ismail Kadaresë, 2020

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË