More
    KreuLetërsiBibliotekë"Im vëlla Ualter" nga Samanta Schweblin

    “Im vëlla Ualter” nga Samanta Schweblin

    Im vëlla, Ualteri, ka rënë në depresion. Unë me time shoqe shkojmë dhe e shohim përnatë, kur kthehemi nga puna. Blejmë diçka për të ngrënë – atij i pëlqen shumë pula me patate të skuqura, – dhe i biem ziles së derës, aty rreth orës nëntë. Ai ngrihet menjëherë dhe pyet: “Kush është…?” “Ne!” – i përgjigjet ime shoqe. “Ah…” – thotë ai dhe na hap derën.
    Me dhjetëra persona e marrin përditë në telefon për ta pyetur se si është. Ai e ngre receptorin me mundim, sikur të peshuakësh një ton, dhe thotë:

    -Po?
    Dhe njerëzit i flasin sikur im vëlla të ushqehej me budallallëqe. Kur e pyes se kush është, apo çfarë duan, ai nuk më përgjigjet dot. As që i intereson hiç. Ka rënë në një depresion aq të thellë, saqë nuk bezdiset fare që ne jemi aty, ngaqë është njësoj si të mos ishim.
    Ndonjë të shtunë, ime ëmë dhe teze Klarisa e marrin me vete në sallonet e festave të moshatarëve dhe Ualteri e kalon kohën duke qëndruar ulur nëpër datëlindje dyzetvjeçaresh, festa beqarie dhe të sapomartuarish. Teze Klarisa thotë se, sa më thellë zhytet në depresion Ualteri, aq më të lumtur janë njerëzit që e rrethojnë. Ç’është e vërteta, ajo që duhet pranuar, është fakti se, qysh kur Ualteri ka rënë në depresion, gjërat në familje po shkojnë përherë e më mirë. Ime motër, më në fund, martohet me Galdosin dhe në dasmë, mes një grupi njerëzish, të cilët pinë shampanjë dhe qeshin me lot, tek tryeza e tim vëllai, ime ëmë njeh zotin Kito, me të cilin tani fle përnatë. Zoti Kito ka kancer, por është një burrë tepër energjik. Mandej, na del se është edhe pronari i një kompanie të madhe drithërash dhe mik fëmijërie i teze Klarisës. Galdosi dhe ime motër blejnë një fermë larg qytetit dhe nisim zakonin t’i kalojmë atje fundjavat. Të shtunave në mëngjes, ime shoqe dhe unë shkojmë e marrim Ualterin dhe para mesditës, të gjithë jemi të mbledhur në fermë, duke pritur të piqet mishi në skarë, me një gotë verë në dorë dhe me atë lumturinë e pamasë që të japin ditët me diell në ajër të pastër. Munguam vetëm një fundjavë, pasi Ualterin e kishte zënë gripi dhe nuk pranoi të hipte në makinë. Unë mendova se duhet t’i lajmëroja të tjerët që Ualteri nuk do të shkonte, kështu që filluan të ndërthureshin telefonatat nëpër celularë dhe aty rreth orës kur Galdosi nis ta shërbejë mishin e skarës, që të gjithë e kishin anuluar shkuarjen në fermë.
    Tani, teze Klarisa është lidhur me mbikëqyrësin e fermës dhe që të gjithë në familje jemi çift, përveç Ualterit sigurisht. Pranë skarës është një karrige, të cilën ai e zgjodhi dhe u ul qysh ditën e parë që e çuam në fermë dhe nuk çohet më prej saj. Gjithmonë përpiqemi t’i qëndrojmë pranë, për t’i ngritur moralin ose për t’i bërë shoqëri. Qeshim shumë dhe përgëzojmë Kiton, ngaqë kanceri i tij thuajse është kuruar, përgëzojmë Galdosin për mbarëvajtjen e fermës, përgëzojmë gjithashtu dhe time ëmë, ngaqë thjesht e adhurojmë. I dëgjojmë me buzagaz time motër dhe time shoqe, të cilat shkojnë për mrekulli me njëra-tjetrën, dhe komentet e tyre mbi aktualitetin na bëjnë të qeshim me lot.
    Por Ualteri vazhdon në depresion. Ka një çehre të tmerrshme, përherë e më të trishtë. Galdosi sjell në fermë një mjek të njohur fshati, i cili interesohet menjëherë për rastin e Ualterit. Mjeku është një tip i shkëlqyer dhe nis të vijë çdo fundjavë. Nuk na merr asnjë monedhë; gjithashtu vjen edhe gruaja e tij, për të biseduar me time shoqe dhe time motër. Kësisoj, një ditë, teksa mjeku, Kitoja dhe Galdosi bisedojnë me ëndje përreth Ualterit, duke pirë duhan e duke treguar budallallëqe për ta argëtuar pak, përfundojnë duke pasur një bisedë të jashtëzakonshme biznesi dhe së bashku nisin një sipërmarrje të re drithërash, nën emrin e firmës së Kitos, por në fermën e Galdosit dhe me një recetë më të shëndetshme, të propozuar nga mjeku. Edhe unë i bashkohem projektit dhe më duhet të qëndroj në fermë gati çdo ditë, kështu që, kur ime shoqe ngelet shtatzënë, shpërngulemi në fermë dhe e marrim me vete edhe Ualterin, i cili praktikisht nuk shpreh asnjë mendim për këto ndryshime. Na qetëson fakti që ai është këtu me ne, që e shohim të ulur në karrigen e vet, që e dimë se e kemi pranë.
    Drithërat e reja shiten mjaft mirë dhe ferma mbushet plot me punëtorë dhe tregtarë grosistë. Njerëzit janë të dashur. Duket se besojnë symbyllazi te projekti i ri dhe mbizotëron një energji optimiste, e cila vazhdon ta ketë kulmin e shkëlqimit të saj gjatë fundjavave, përherë e më të populluara, kur mishi i skarës së Galdosit fillon të marrë ngjyrën e pjekjes dhe të gjithë, me gotat në dorë, presim me padurim. Tani jemi aq shumë, saqë nuk ka asnjë sekondë që Ualteri të ngelet vetëm; gjithmonë është dikush që e merr përgjegjësinë e të qenit pranë tij, që i flet gëzueshëm, i rrëfen lajmet e mira, i tregon se sa i lumtur mund të jetë njeriu.
    Ndërmarrja rritet. Kanceri i Kitos zhduket krejt dhe im bir mbush dy vjeç. Kur ia lë në krahë Ualterit, im bir buzëqesh, duartroket dhe thotë: “Jam i lumtur, jam shumë i lumtur.” Teze Klarisa me mbikëqyrësin bëjnë një udhëtim nëpër gjithë Europën; kur kthehen, shkojnë në kazino bashkë me time motër dhe Galdosin; me paratë që fitojnë, krijojnë një firmë dhe blejnë markat e drithërave të konkurrencës. Për Vit të Ri, ndërmarrja fton gati gjithë fshatin ku është ferma – pasi, praktikisht, të gjithë banorët punojnë në fermë, – grosistët, miqtë dhe fqinjët. Skara organizohet në darkë. Një bandë muzikore luan atë muzikën xhaz të viteve tridhjetë, e cila të bën të kërcesh si të ishe zezak. Fëmijët luajnë duke i pleksur zbukurimet e Vitit të Ri nëpër karrige e tryeza.
    U bë kohë që unë, herë pas here, e marr veças tim vëlla, ose kërkoj një çast që të jemi të qetë dhe e pyes se çfarë ka. Ai qëndron i heshtur, por automatikisht m’i shmang sytë. Është e vështirë ta pyes tani, pasi ora është dymbëdhjetë fiks dhe pasi tokim gotat, hedhim fishekzjarrë, nga ato që e ndriçojnë tërë qiellin, dhe njerëzit brohorasin e duartrokasin në çdo shpërthim. Atëherë, diç ndiej: gjithçka më duket më e butë dhe më gri, dhe nuk resht dot së menduari se çfarë është ajo që po ndodh me tim vëlla, ajo që duket aq e tmerrshme.

    Përktheu nga origjinali Erion Karabolli
    Marrë nga libri me tregime “Zogj në gojë”,
    së shpejti nga Onufri

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË