More
    KreuIn memoriamIkja e poetit Lawrence Ferlinghetti

    Ikja e poetit Lawrence Ferlinghetti

    Më 22 shkurt, pak ditë para datëlindjes së tij të 102, ndërroi jetë Lawrence Ferlinghetti. I njohur më së shumti si poet, veçanërisht falë vëllimit me poezi “A Coney Island of the Mind” (1958) i cili u përkthye në nëntë gjuhë dhe shiti më tepër se një milion kopje, Lawrence ishte edhe piktor dhe aktivist i të drejtave të njeriut, por mbi të gjitha, bashkëthemelues i “City Lights Booksellers & Publishers”, këndit magjepsës të librave në San Françisko. Në 2019, ai botoi librin e tij të fundit, romanin “Little boy” dhe po atë vit, me rastin e 100 vjetorit të lindjes, qyteti i San Françiskos vendosi ta kremtonte çdo datë 24 mars, datëlindjen e tij, si Dita e Lawrence Ferlinghetti– t.

    Ndonëse ai asnjëherë nuk e pranoi, qysh në krye të herës, personaliteti i tij letrar u bë vetvetiu pjesë e Beat Generation, lëvizje letrare e zhvilluar në Amerikën e pasluftës. Thelbi i saj qe refuzimi i vlerave standarde të rrëfimit, kërkimi i vlerave shpirtërore, eksplorimi i besimeve të lindjes, refuzimi i ekonomisë materialiste, eksperimentimi me drograt psikedelike, liberalizimi i seksualitetit e të tjera. Përkrah tij, të tjerë emra të njohur që u bënë pjesë e saj ishin edhe Gary Snyder apo Neal Cassady. Me të drejtë, humbja e Lawrence u cilësua edhe si pika e kthesës së kësaj lëvizjeje: nga e gjallë dhe aktive, në pjesë të historisë, ndonëse për të vijon të shkruhet.

    New York Times e quajti Lawrence Ferlinghetti “gjyshi shpirtëror i Beat Generation”. Neeli Cherkovski, poet amerikan, para pak vitesh botoi librin e tij “Elegy for the beat generation” në të cilin trajtohen, nëpërmjet vargjeve, motivi, arsyeja dhe ndikimi i lëvizjes.

    Por gjithsesi, qoftë disa nga kritikët dhe poetët, qoftë edhe vetë ai, sikurse e thamë, herë pas here nuk binin dakord me përcaktimin që i bëhet si pjesë e Beat Generation. Në një intervistë të dhënë në vitin 1951 për The Indipendent, mes të tjerash Lawrence thotë: “Në njëfarë mënyre, gjithçka bëra qe në të mirën e dyqanit… Kur erdha në San Françisko në 1951, kisha veshur një beretë. Nëse isha diçka, mund të isha bohem, më shumë se i pari i Beats.”

    Gjithsesi për t’u rikthyer te Lawrence. Përgjatë 101 viteve të tij, ai ia doli të frymëzonte breza të tërë artistësh dhe shkrimtarësh në San Françisko. I lindur në 1919, në mes të Luftës së Parë Botërore, ai qe i fundit ndër pesë fëmijë. I ati, emigrant italian i cili ia kish’ dalë të ngrinte një biznes të vogël, e shkurtoi mbiemrin e familjes në Ferling, ndryshim i cili u zhbë më vonë nga Lawrence. I ati i vdiq kur e ëma ishte akoma shtatzënë, ndërsa e ëma u mbyll në një spital psikiatrik kur Lawrence ishte veçse dy vjeç.

    Ferlinghetti u rrit nga një e afërme të cilën në librat e tij e quan Teto Emily, ndonëse lidhja familjare me të qe e ndërlikuar. Pranë saj, ai shkoi në Salzburg ku mësoi frëngjishten para anglishtes. Kur u rikthyen në Shtetet e Bashkuara, u strehua përkohësisht në një jetimore, ndërkohë që Teto Emily po kërkonte për punë. Gjithçka ndryshoi kur ajo filloi të punonte si guvernante në shtëpinë e Bislandëve, një çift i kamur që jetonin pranë Bronxville, New York. Ato qenë të parët që panë një të ardhme te djali i mitur.

    I lënë në kujdesin e tyre, Lawrence lulëzoi. Sipas biografisë së tij, përgatitur më 1990 nga Barry Silesky, ai u bë një lexues i paepur, tejet i etur për klasikët të cilët i lexonte në Bibliotekën e Brislandit. Për çdo poemë epike që mësonte përmendësh, fitonte dollarë të argjendtë. Në adoleshencë, e dërguan pranë Mount Hermon, një kolegj tejet strikt për djem në Masaçusets.

    Me të përfunduar aty, ndoqi universitetin për gazetari në Karolinën e Veriut, ku edhe u diplomua. “Mësova si të shkruaj një fjali të denjë!” thotë ai, lidhur me ndikimin që pati gazetaria në poezinë e tij. Arsyeja pse zgjodhi pikërisht atë universitet ishte se edhe Thomas Wolfes, një ndër idhujt e tij në letërsi, pati studiuar pikërist aty.

    Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shërbeu si oficer i marinës detare, më së shumti në ujërat e Atlantikut të Veriut. Kur lufta mbaroi, u rikthye në universitet, tani në Kolumbia ku edhe mori masterin për Letërsi Angleze. Mikroteza e tij ishte për John Ruskin dhe artistin J. M. W. Turner, njeriu i cili i dhuroi dashurinë e përjetshme për pikturën. Pas Kolumbias shkoi në Paris, “dheun e bohemëve të pasluftës” ku përfundoi studimet doktorale në letërsi të krahasuar në Sorbonë.

    Lawrence Ferlinghetti

    Në fillim të 1951, u rikthye në Shtetet e Bashkuara, tanimë në San Françisko. Kishte me vete veç një çantë dhe pakogjë tjetër. Pas muajsh të tërë në një apartamet me qira të lirë, ai zbuloi Plazhin e Veriut (North Beach) njëkohshëm me ndryshimin e shpejtë që po pësonte San Françsiko me modernizimin mes intelektualëve dhe brezit të ri për të cilët “establishmenti” ishte një fjalë e ndyrë.

    “E gjitha kjo qe bohemi!” pati thënë diku Lawrence.

    Jeta e Lawrence Ferlinghetti-t ndryshoi kur në 1953, Peter Martin çeli City Lights Pocket Book Shop e cila, për hir të së vërtetës, nuk mbante brenda asgjë tjetër përveçse thasë plot me letra në një kohë kur industria e botimeve po bëhej një ndërmarrje gjithnjë e më serioze. Shpejt, dyqani do të kthehej në një ambient për librat që libraritë e tjera nuk i pranonin dhe në një strehë për autorët e tyre – një vend “ku mund të gjesh ato libra që s’i gjen askund tjetër” sikurse Lawrence tha një herë.

    Nga viti 1955, ai filloi të botonte edhe libra me poezi nën të njëjtën logo, City Lights përfshirë edhe librat e tij. Një vit më pas, City Lights botoi edhe “Howl and other poems” të Gunsberg-ut, libër i cili ngjalli reagime të shumta. Fakti që “Howl” (Ulërima) përmbante referenca të qarta për drograt dhe seksin, qoftë ai heteroseksual apo homoseksual, çoi në burgosjen e Lawrence si botues i librit. I mbështetur edhe nga Bashkimi Civil Liberal i Amerikës, ai e fitoi gjyqin dhe u shpall i pafajshëm, ndonëse nëntë ekspertë të letërsisë dhanë dëshmitë e tyre rreth përmbajtjes së poemës.

    Lawrence Ferlinghetti nuk ishte vetëm poet. Përgjatë viteve, ai punoi edhe në fusha të tjera si piktura apo teatri: një program teatral i përbërë nga tri drama të shkruara nga ai, u vendos në skenë në New Yorkun e vitit 1970. Por poezia mbetej dhe mbeti deri në fund të jetës arti më pranë zemrës së tij.

    Përgjatë viteve, Lawrence mori një sërë çmimesh dhe nderimesh, ndër më të rëndësishmit në Amerikë. Por gjithashtu, edhe këndi i librarisë së tij City Lights u bë gjithnjë e më i njohur. Kur filloi pandemia e Covid – 19, ajo nisi një fushatë online për të mbledhur fonde, pasi tha se për shkak të situatës, rrezikonte seriozisht të mos hapej më. Në vetëm katër ditë, u mblodhën 450000 dollarë.

    Edhe kur e ndjente fundin pranë, për shkak të moshës kryesisht, Ferlinghetti nuk reshti së shkruari poezi. Në vitin 2017, ai botoi “Ferlinghetti’s Greatest Poems” ku përfshiheshin edhe krijime të reja.

    “Poezitë e mia të reja” – thotë Ferlinghetti në një intervistë “janë gjithmonë poezitë e mia të preferuara.”

    * * *

    Në gjuhën shqipe, Lawrence Ferlinghetti ka ardhur tejet pjesërisht. Sipas katalogjeve të Bibliotekës Kombëtare, rezulton se prej tij janë vetëm pak poezi të përkthyera, botuar në gazeta e revista, por akoma asnjë prej librave apo përmbledhje me poezitë e tija nuk ka ardhur e plotë.

    Gjithsesi, shuarja e tij nuk kaloi pa u vënë re. Shkrimtarja e njohur Elvira Dones shkroi:

    Nga sot, San Françisko nuk e ka më Lawrence. Duke kaluar pranë shtëpisë së tij, do të vendosin lule para librarisë City Lights. Do të doja të isha aty. Thank you Lawrence! Oh well, Thank You!

    Edhe të tjerë njerëz të letrave si shkrimtarët Xhevdet Bajraj apo Shpëtim Selmani, studiues si Gëzim Aliu apo redaktorë si Aida Baro e kujtuan, në mënyrat e tyre, humbjen e tij.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË