Enigma e Kinostudios
“Inteligjencën e mbivlerësojnë; ajo që i dallon njerëzit, është dashuria”, – ka ardhur si “amanet” i përtejvarrit kjo frazë e studiuesit dhe kritikut të artit, Gëzim Qëndros, në mbrëmjen e shfaqjes së dokumen-tarit “Enigma e Kinostudios”, një ide e papërfunduar prej tij, por e realizuar në njëvjetorin e ndarjes nga jeta. Mbështetur në librin e fundit studimor “Kinostudioja Shqipëria e Vjetër”, botimet “Onufri”, gazetarja Anisa Ymeri ka çuar deri në fund, si skenariste, së bashku me operatorin Denald Grepcka, propozimin “kine-matografik” të studiuesit. Si gjurmues i enigmës së strukturës së godinës së ish-Kinostudios “Shqipëria e Re”, Qëndro, ashtu si edhe në librin e tij studimor, shkon drejt zbulimit, analizës dhe interpretimit, pse u shpërfill nga regjimi arkitektura që në përfundim ishte një program ikonografik kryekëput subversiv: me planimetri kishash me anijatë dhe transet, kube me perëndi pagane në kulm, me Gralin e shenjtë në hyrje, punëtorë e fshatarë të pikturuar në vend të shenjtorëve, guaska shatërvanësh dhe burime të shenjta…
“Ka qenë gjithmonë dëshira e Gëzimit realizmi i dokumentarit me argument kinostudion, edhe përpara se libri të shkruhej. Gjithmonë ka dashur një dokumentar. E ka nisur ai punën, bashkë me Anisën, prandaj rëndësi ka që filmi u bë. Besoj se një emocion tjetër, edhe më i fuqishëm, do të jetë sot një ekspozitë e tija me grafika të viteve ’90 dhe pas shkollës”, – thotë Arta Marku, bashkëshortja e Gëzim Qëndros. “Kur profesor Gëzim Qëndro më propozoi që të isha unë ajo që do të realizoja këtë dokumentar, gjëja e parë, që më shoqëron edhe tani, ishte frika e madhe profesionale nëse do të arrija vërtet dhe nëse do të mundesha të bëja atë që duhet. Për gati një vit, prej shkurtit të dy viteve më parë, puna jonë ka qenë shumë intensive, derisa arritëm në projektimin e dokumentarit. Unë kam qenë dëshmitare se si në javët e fundit Gëzim Qëndro ka punuar bashkë me mua për këtë dokumentar dhe ka qenë shumë emocionuese”, – thotë Anisa Ymeri, skenaristja e dokumentarit.
“Hutini i Minervës ngrihet në fluturim vetëm pasi bie muzgu”, – citon Hegelin studiuesi i arteve pamore Gëzim Qëndro, duke nënkuptuar, ndër të tjera, se vetëm pas perëndimit të një epoke historike fillon procesi i mirëfilltë i hulumtimit dhe njohjes në thellësi të natyrës e veçorive të saj të papërsëritshme. Kjo figurë misterioze e mitologjisë greko-romake (sivëlla me hutinin e Athinasë), quhet simbol i hulum-timit dhe filozofisë jo vetëm sepse arrin të shohë edhe në terrin më të plotë, por edhe sepse rri vazhdimisht mendjengritur duke shqyrtuar imtësisht gjithçka që hyn në fushën e shikimit të tij të mprehtë… Me këtë hyrje të botimit, të serisë së surrealizmit socialist, “Kinostudioja Shqipëria e Vjetër”, botimet “Onufri”, Qëndro vihet në ndjekje të aventurës seminale të gjurmës.
Duke marrë nga metafora e “hutinit” që nis fluturimin e heshtur, studiuesi me një përvojë relativisht të gjatë pune në ish-Kinostudio, dikur e quajtur “Shqipëria e Re”, dëshmon zellin hulumtues që synon zbulimin e “territoreve të panjohura” të një periudhe historike, në vështrime të reja të territoreve që mendohet se njihen mirë. “Nuk duhet stepur, sidomos kur në territore të tilla të njohura zbulojmë dëshmi kundërthënëse për të cilat nuk kemi asnjë shpjegim”.
Qëndro bën fjalë për librin e tij studimor që nis nga një përvojë e tillë: me zbulimin befasues se planimetria e ndërtesës, tashmë historike, të ish-Kinostudios “Shqipëria e Re” ka formën e kryqit. Është një pamje e Kinostudios që ofrohet nga sateliti ku shquhet plani-metria e pazakontë e saj. Kjo, në fakt, qarkullonte prej vitesh si një kuriozitet, përfshirë me mister, mbi epokën staliniste me gjurmët e saj uzurpuese, kur Qëndro tregon se kjo pamje i ra në sy krejt papritur vite më parë kur po bënte një detyrë kursi me studentët e fotografisë. Edhe pse dihej, si atëherë dhe në këta vite, askush nuk e ka artikuluar me zë të lartë dhe përfshirja në një studim të tillë e bën edhe më domethënëse epokën e stalinizmit mbi Shqipërinë. Nga ky zbulim, Qëndro shkruan: “…Mbeta i shtangur pa u besuar syve. Çudi, si nuk e kisha vënë re më parë, në atë ndërtesë kisha punuar gati dhjetë vjet! Dhe nga ajo kohë kishin kaluar edhe plot gjashtëmbëdhjetë vite të tjera! Me sa duket, edhe unë, ashtu si hutini i Minervës, duhej të prisja “të binte muzgu i Historisë”, për të “parë” atë që dikur e kisha pasur para syve. Por, ndryshe nga hutini që zbulon duke vëzhguar me sytë e tij të mprehtë, zbulimi, si të thuash, m’u shfaq vetë.”
Ky akt zbulimi u shndërrua te studiuesi në një dialog të brendshëm, një moment reflektimi dhe përjetimi mbi përvojën, ndërgjegjësimin për një fakt, duke dalë nga idetë mbi të, duke krijuar themelet e fenomeno-logjisë, duke ia nënshtruar objektin e zbuluar analizave racionale dhe përsiatjeve në kërkim të një domethënieje të re.
Qëndro krijon këtë përsiatje nisur, së pari, se si ky zbulim u shfaq si vetëdijesim i ndërgjegjes, për diçka që kish qenë gjithmonë aty, e pafshehur, përpara syve, por që po “shfaqej” papritur, pa ndonjë arsye të dukshme, me “shqetësimin” pse pikërisht tani dhe jo më parë?!
“Për vite me radhë, bashkë me punonjësit e tjerë të Kinostudios isha endur nëpër hapësirat brenda dhe jashtë ndërtesës, kisha hyrë e dalë nëpër dhoma e salla, hipur e zbritur shkallëve pa e parë me vëmendjen e duhur si objekt fenomenologjik, por vetëm si një hapësirë e brendshme ku shpalosej përditësia jonë dhe zhvillohej një veprimtari e ethshme prodhimi filmash”.
Dhe ja, ndalet Qëndro, ku u shfaq pyetja e pashman-gshme: si mundej që dy regjime totalitare, ai sovjetik dhe ai shqiptar, armiq të betuar të insti-tucioneve fetare, të kishin ideuar ngritjen e një “vepre të rëndësishme pesëvjeçari”, me planimetri në formë kryqi, që prej shekujsh njihet si planimetria standard e ndërtesave të kultit të krishterë?
Studiuesi, me një punë prej gati 250 faqesh, merret me analizën dhe interpretimin, historinë dhe dome-thëniet e simbiologjisë që “fshihen” pas strukturës së ndërtesës së Kinostudios.
“Njëlloj si në kishat bizantine, nga kulmi i kubesë varet një shandan… Isha pa fjalë. Nuk do të isha çuditur më shumë, po të kisha parë dikur ndonjë funksionar të lartë komunist me kryq në qafë. Ende i bindur se po shihja ëndërr me sy hapur, por tashmë i kapur nga ethet e zbuluesit, u përpoqa të gjej dëshmi të reja për ndonjë program të mundshëm ikonografik, qëllimisht subversiv, ku përfshihej struktura dhe dekorimi i ndërtesës të cilën, meqë e njihja shumë mirë, mjaftoi një “shëtitje” e shpejtë me mend nëpër hapësirën e brendshme dhe ballinën e saj për të zbuluar edhe disa elemente të tjera subversive për ideologjinë dhe simbolikën zyrtare totalitare, si: vendosja e dy burimeve të shenjta anash hyrjes kryesore, medaljonet, pjesë e repertorit klasik të arkitekturës fetare të Rilindjes, dy shatërvanët me tri guaskat dhe një shatërvan brenda ndërtesës. Pra, me sa duket, qenka një program i mirëfilltë ikonografik! Mos padashur kisha zbuluar një skelet të fshehur në dollapin e arkitekturës socialiste?” Studiuesi e konsideron këtë një program ikonografik, një situatë arkitekturore mbi të cilën hedh shumë pyetje për analizë: si mund të përligjej ideologjikisht prania enigmatike, në dukje e pamundur dhe kundërthënëse, e këtyre elementeve të huazuara prej sintaksës tradicionale të arkitekturës së krishterë dhe pagane, në projektin e një ndërtese të njohur si paradigmë e neoklasicizmit sovjetik në Shqipëri? Kush e kishte ideuar planimetrinë e çuditshme dhe programin ikonografik me përmbajtje fetare? Ishte bërë me miratimin e censurës së dy regjimeve totalitare, apo bëhej fjalë për një akt subversiv që i kishte shpëtuar regjimit? Përse nuk ishin përdorur simbolet e njohura të ikonografisë socialiste? Të gjitha këtyre shqetësimeve e pyetjeve Qëndro u përgjigjet në kapituj respektivë në librin studimor e analitik “Kinostudioja Shqipëria e Vjetër”, duke iu afruar enigmës, së paku të strukturës së ndërtesës, si dhe domethënies ideologjike të kohës me bindjen se, parë nga lart, kjo godinë nuk i përgjigjej asnjë natyre tjetër, veçse si objekti kulti të krishterë. Për këtë të fundit, studiuesi merr në shqyrtim edhe ndonjë mundësi ndërhyrjeje të mëvonshme, pas përurimit, që mund t’i ketë dhënë objektit atë planimetri subversive.
Qëndro sqaron në libër: “Shqyrtimi në arkivin e Kinostudios i projektit origjinal të studios sovjetike dhe planimetrisë disa metra të gjatë e të palosur shumë herë, sqaruan përfundimisht se ndërtesa ishte projektuar qysh në fillim në formë kryqi. Për çudi, nuk arrita të gjej asnjë përkthim shqip të tekstit shoqërues në rusisht, çka mund të shpjegohet me dy arsye: ose zbatimi i projektit nga specialisti rus Allpatov është kryer pa u këshilluar me specialistë shqiptarë, ose teksti shoqërues në shqip ka humbur. Në tekstin sho-qërues rusisht flitet me hollësi për studimin sizmik të zonës, cilësinë dhe përbërjen e truallit, tullave, llaçit, betonit apo materialeve të tjera që janë përdorur, por nuk përmendet gjëkundi forma e planimetrisë dhe programi ikonografik i pazakontë. Në të thuhet vetëm se: Konceptimi i ndërtesës u bë mbi një konceptim simetrik me portik qendror të vendosur sipas aksit të simetrisë dhe u realizua me forma klasike, duke i dhënë ndërtesës karakter të qetë dhe monumental.”
Kjo planimetri formëkryq e një institucioni të rëndësishëm të kulturës vinte pikërisht pas revolucionit antifetar të regjimit në vitin 1967. Nëse për studiuesin raste të ngjashme ose të çfarëdo situate për analizën e strukturës konceptuale fshehje/ mosfshehje përdoren në rastet për të kuptuar çdo epokë historike nga kohët e lashta e deri ditët tona, në rastin e Kinostudios habia lidhet se projektuesit sovjetikë nuk janë përpjekur fare të fshehin përdorimin e njësive arkitekturore dhe simboleve (të paktën zyrtarisht) të papajtueshme me marksizëm-leninizmin!! “Në ndërtesën e Kinostudios gjejmë vetëm konceptin e dytë, “mosfshehjen”, çka e ndërlikon situatën më tepër, pasi prania e simboleve fetare jo vetëm nuk është e mirëpritur nga estetika socialiste, por është edhe e dënueshme. Reagimi i natyrshëm do të ishte që të përpiqeshin të paktën ta fshihnin disi. Por, çuditërisht, gjithçka tregohet hapur, në dritën e diellit”. Në ironi të kësaj situate, Qëndro kujton se në atë kohë, midis punonjësve të Kinostudios flitej nën zë për kryqin në shpinën e shtatores me kostum popullor mirditor të vendosur në njërën nga shtyllat e rrethimit të oborrit, vepër e Odhise Paskalit. Madje ky fakt ishte ndër gjërat e para që u tregonin të sapopunësuarve. Ishte i vetmi kryq. Edhe pse i gërryer nga motet, nuk i kish shpëtuar vëmendjes dhe flitej nën zë për të. Ndërsa kryqin e madh të planimetrisë së ndërtesës “që e kishim të gjithë para syve, nuk e shihnim”. Qëndro sjell dëshminë e ish-kryeinxhinierit të Kinostudios në vitet 1972-1994, Zhani Cancos, që ishte në dijeni të planimetrisë së pazakontë, por nuk kishte guxuar të fliste me askënd. Përmendet dhe se një grup militantësh komunistë patën treguar “vigjilencë revolucionare” kur u ankuan për formën e kryqit që krijonte silueta e kazmës dhe pushkës në siglën e revistës televizive të mbrëmjes, duke u vënë në dijeni edhe Komiteti Qendror i PPSH-së. Pse shpërfillej kjo pamje, Qëndro jep një mendësi: “Mendoj se arsyeja e shpërfilljes së simbolikës së ndërtesës lidhet me faktin që një ndërtesë si korpusi qendror i Kinostudios duket se përjashton plotësisht mundësinë e përmbajtjes së ndonjë kodi semiologjik qëllimisht armiqësor, pasi nuk u ndërtua për të komunikuar ndonjë domethënie, por të krijonte një hapësirë të brendshme me një funksion të caktuar: prodhimin e filmave. Të mësuar në vite të shihnim vetëm funksionin e hapësirës së brendshme, askush nuk e vrau mendjen nëse krahas funksionit denotues të guaskës arkitekturore, bashkëjetonte i padukshëm ndonjë semiologjik subversive.”
Qëndro nuk zbulon vetëm kryqin në planimetrinë e ndërtesës, por e çon më tej, si një çështje mjaft të ndërlikuar, ku kjo ndërtesë e projektuar në Bashkimin e lavdishëm sovjetik, vendin simbol të “revolucionit socialist”, e përuruar nga vetë kreu i regjimit shqiptar, e konsideruar në atë kohë si arritje e pesëvjeçarit të parë, të vetmin element të simbolikës socialiste kishte yllin që mban shtatorja e gruas mbi pediment, flamurët dhe stemën e Republikës (për të cilat studiuesi thotë se nuk janë elemente strukturore të mirëfillta), të cilat pas restaurimit rrënjësor të ndërtesës u zëvendësua me një pishtar dhe të tjerat u lyen me bojë të bardhë, duke u bërë të padukshme. Për gjithë strukturën tjetër të godinës, Qëndro e ndal me të dhëna që analizohen në këtë libër, e që lidhen totalisht me një objekt kulti: “Gjithçka tjetër, portiku i tempullit grek, shtyllat me kapitele korintike, shtatoret në këndet e pedimentit, planimetria formëkryq, kubeja e pikturuar, kryqi në majë të kubesë, dy objektet liturgjike në dy anët e portës kryesore të hyrjes, simboli i kupës, medaljonet, shatërvanët me tri guaska horizontale, shtyllat mbi portën e hyrjes me simbolin e hardhisë dhe rrushit, marrëdhënia e trupit të ndërtesës me të gjitha elementet që analizohen në libër, janë huazuar sipas studiuesit nga tradita shumëshekullore e ndërtimit të objekteve të kultit të feve politeiste dhe monoteiste, tradita arkitekturore që lidhen me ideologji ndaj të cilëve marksizëm-leninizmi mban qëndrim tërësisht armiqësor.” Përurimi i këtij institucioni u shënua si një rast i jashtëzakonshëm, më 10 korrik 1952, duke iu referuar “retorikës tipike për kohën” në fjalimin e kryeinxhinierit sovje-tik Boris Allpatov: “Filmat e Kinostudios “Shqipëria e Re” do t’i japin mundësi popullit shqiptar të forcojë bindjen për forcat e tij madhështore.”
V. Murati