Në 1974, u botua romani më i njohur i Heinrih Bëlit: Nderi i humbur i Katarina Blum-it. Ose: si lind dhuna dhe ku mund të shpjerë ajo – një larje hesapi me praktikën informuese të shtypit Springer, por përtej kësaj një tekst mbi fuqinë e informacionit dhe dhunës që rezulton nga abuzimi i gjuhës së mediave. “Ku mund të shpjerë”, del kur Katharina në fund i jep goditjen vdekjeprurëse gazetarit Tötges.
Që Bëli me rëfimin e tij kishte në shënjestër veçanërisht shtypin Springer e nxjerr në pah pikërisht shprehja fillestare e librit: “Personat dhe veprimet e këtij rrëfimi janë shpikur me dorë të lirë. Në se kanë dalë gjatë pasqyrimit të praktikave të caktuara gazetareske ngjashmëri me gazetën “Bild”, atëherë këto ngjashmëri nuk janë me qëllim e as të rastësishme, por përkundrazi të pashmangshme.” Romani është me këtë rast një pjesë historike e kohës që ka të bëjë me përballjen ndaj praktikës gazetareske të gazetës Bild që merret si si shëmbull dhe e vazhdon edhe më tej kritikën e cila debaton me ‘lëvizjen e ‘68’-ës kundër gazetës me ndikimin më të madh në Republikën Federale dhe vetë botuesit të saj. Përveç kësaj, ka edhe ngjarje të tjera që e provokuan Bëlin të shkruante këtë pjesë letrare debatuese – ngjarje që e vënë shkakun e lindjes së romait në një kontekst të drejtpërdrejtë biografik. Me këto ngjarje llogariten proceset në marrdhënie me hetimet për terrorizëm në mesin e viteve 1970, ku ishin të përfshirë djali i Bëlit, Raimundi, dhe gruaja e djalit, Lila. Më 8 janar 1974, ata i kishte vizituar e kërkuara për mardhënie me aktet e dhunshme terroriste Margit Schiller – që në atë kohë ishte nën mbikëqyrje të policisë -të dy në banesën e tyre në Këln, për t’i tërhequr ata si mbështetës të mundshëm për RAF. Raimundi dhe Lila e refuzuan me vendosmëri. Kur më 4 shkurt 1974 në Hamburg u zbulua një banesë e ashtuquajtur “konspirative” dhe gjatë kontrollit të saj u gjetën, krahas armëve, një sasie e madhe dokumentash identifikimi, në mesin e të cilave edhe libreza ushtarake e Raimund Bëlit si edhe pasaporta e skaduar e gruas së tij Lila, u kalua në një stad tjetër.
Më 7 shkurt 1974 u botua në BZ (Berliner Zeitung) gazetë në pronësinë e koncernit Springer një artikull me titullin “Inspektim shtëpie te i biri i fituesit të çmimit Nobel, Heinrih Bël” një artikull në të cilin ndër të tjera thuhej se “nën sekretin më të madh, zyrtarët e sigurisë shtetërore […] kishin hyrë dje paradite në banesën e 26 vjeçarit Raimund Bël në rrugën ‘Bon’ në Këln dhe kishin kryer një kërkim të dhomave. Fakt ishte, se kur u botua gazeta, kërkimi ende nuk ishte kryer në shtëpinë e djalit e të nuses së djalit të Bëlit, por vetëm pasditen e 7 shkurtit ishte realizar, pra orë pas publikimit të gazetës. Në lidhje me këtë kontroll të ushtruar në banesë Bëli informonte më vonë avokatin e tij:
“Një ‘ngjarje’ do të desha të përmendja për të hedhur dritë në atmosferën dhë në realizimin e atmosferës… Në një banesë konspirative të Hamburgut u gjetën karta identiteti të tim biri dhe nuses së tij të atëhershme, dhe pa dyshim ishte mjaft e justifikuar që ky fakt (bëhej fjalë gjithësej për 150 pasaporta, karta identiteti, etj.) do të duhej të sqarohej. ‘Si’ u sqarua ai? Djali im dhe nusja e tij, që ishin kthyer pa ia patur idenë, pas një qëndrimi të gjatë në Irlandë, e morën vesh atë – ashtu si dhe ne – nga një titull i shkruar me të mëdha në faqen e parë (tërë faqja e parë ishte e mbushur me të) të një gazete që i përkiste koncernit Springer në Berlin, e cila pati njoftuar njoftuar një kërkim në shtëpinë e djalit tim, ‘përpara’ se kjo të kishte ndodhur. Pati, sa andej e këtej, një seri thirrjesh të shqetësuara telefonike, midis djalit tonë dhe nesh, të njohur nga Berlini, të cilët na bënë të vetëdijshëm për këto tituj – natyrisht që mori vesh shtypi i Këlnit për këtë gjë dhe kështu erdhi në një rrëmujë të rrezikshme për jetën, në një nga rrugët më të ngarkuara në Këln, kur policia me qen, snajper, etj. ‘ realisht ‘- rreth 7-8 orë pasi ishte raportuar si i kryer tashmë kërkimi në shtëpi në Berlin. Unë po ua kursej detajet rreth atmosferës sonë, vështirësive tona, vetëm dua të theksoj se procedura e nevojshme për hetimin kundër djalit dhe nuses sonë, të cilët u kishin dhënë çelësat e shtëpisë së tyre për disa muaj disa miqve pak të njohur, u pushua menjëherë pas kësaj […] dhe që kishte një bashkëpunim të shtypit të koncernit Springer dhe policisë , i cili preku familjen time, të paktën në këtë rast është tashmë i dëshmuar “.
Rrethanat e rrjedhës së informacionit midis policisë dhe shtypit Springer nuk u sqaruan kurrë. Megjithatë, fushata vazhdoi. Kështu, gazeta Bild boton më 12 shkurt 1974, nën titullin « I riu Böll bën tu prihen kokat kukullave në Këln «, një artikull në të cilin Raimund Bël , i cili jetonte si një skulptor në Këln, u përgojua duke u paraqitur si një artist ‘pabuks’ që ndërtonte makina “në të cilat njerëzit vriteshin ose u pritej koka” – pra një histori ‘dokumentuese’për gatishmërinë për dhunë kundër familjes Bël. Vazhdimi u bllokua nga një ngjarje në Moskë, e cila shkaktoi zemërim në mbarë botën dhe gjithashtu dominoi titujt e shtypit Springer. Arrestimi i shkrimtarit dhe kritikut të regjimit, Aleksandër Solzhenicinit, më 12 shkurt 1974. Që ditën e nesërme, 13 shkurt 1974 Solzhenicit iu hoq e drejta e shtetësisë. Meqë ai kishte shprehur dëshirën për të vizituar së pari, Heinrih Bëlin, Solzhenicini u dërgua me avion në Gjermaninë Perëndimore dhe atje ishte dy ditë mik në shtëpinë në fshat të Heinrih Bëlit në Langenbroich para se të udhëtonte më tej për në Cyrih.
Ende me mbresat e fushatës së shtypit të përqendruar kundër Raimund Bëlit, Bëli nisi menjëherë, pas largimit të Solzhenicinit, punën me historinë e një ndihmëseje “të parëndësishme” shtëpie,’ Katharina Blum ‘.
Njëzeteshtatëvjeçarja Katharina Blum njihet më 20 shkurt të vitit 1974, në mbrëmjen paraprake të karnevalit, me një njeri të ri në një parti: Ludvig Gëten, një dezertor ushtrie i cili kishte grabitur kasaforten e regjimentit dhe tashmë ishte nën mbikqyrjen e policisë. Ai ishte i dyshuar për vrasje dhe grabitje banke, por nuk u arrestua për shkak se policia dyshonte që ai ishte në lidhje me anarkistët – dyshime që në rrjedhën e rrëfimit dëshmohen si të pabazuara. Katharina dhe Ludvig bien spontanisht në dashuri me njëri-tjetrin dhe kalojnë natën në banesën e Katharinës, e cila u sulmua mëngjesin tjetër nga policia. Ludvig është larguar me kohë pa u vënë re me ndihmën e Katharinës përmes sistemit të ajrosjes së ndërtesës dhe fshihet në një shtëpi të izoluar. Katharina dërgohet për t’u marrë në pyetje dhe nga ky momenr bie pre e titujve te Gazetës dhe te Gazeta të së Djelës, “që e marrin përsipër këtë rast.”
Fushata e gazetës kundër Katharinës arriti kulmin, kur nëna e saj, e shtruar pas një operacioni në njësinë e kujdesit intensiv të një spitali,vdes. Nga gazeta faji ‘i hidhet’ Katharinës për shkakun se e sëmuara “nuk mundi ti mbijetonte shokut të aktivitetit të së bijës”. Meqë njëri prej gazetarëve, Verner Tëtges, pretendon të ketë qenë te nëna e Katharinës dhe Katharina e sheh këtë vizitë si shkak të vdekjes, e thërret Tëtgesin për një intervistë ekskluzive tek ajo dhe e vret atë – dhe kështu kthen për veten nderin e saj në vend. Meqë Hajnrih Bël i pati vënë romanit të tij një deklarim të cituar në krye, ‘parahistoria’ luante për kritikët, të cilët – në varësi të spektrit politik – shpreheshin ose duke e miratuar të magjepsur e deri duke refuzuar ashpër, një rol vendimtar. Në thelb u hamendësua se Bëli kishte dashur ‘të hakmerrej’ kundër Springer për shkak të fushatës së 1972-shit, dmth pas fushatës publicistike të urrejtjes kundër Bëlit si rezultat i artikullit të tij në Spiegel me titullin “Kaq shumë dashuri menjëherë. A do Ulrike Meinhof mëshirë apo një kalim në gjendje të lirë? “
Më 8 gusht 1974, Bël i shkroi botuesit të Spiegelit, Rudolf Augstein, në përgjigje të letrave të lexuesve të botuara në Hamburger Magazine: “Hakmarrja” te “Katharina B.” në vlerësimin tim të thjeshtë dhe ndoshta të gabuar është vetëm 5-6% , dhe kjo hakmarrje nga ana tjetër nuk bazohet në ‘lëndimin ‘e personit tim, por në përfshirjen e familjes sime respektivisht në përdorimin e tyre si një mjet kundër meje. […] Në “Bild”in e datës 12.2.74 pati një artikull të trajtimit si qen për fëmijët – kur në fund të fundit banesa e Raimundit është vetëm 600 metra në vijë ajrore nga ndërtesa e BDI (M.M Shoqata Federale e Industrisë Gjermane)(në të cilën shpërtheu një bombë). Kjo fjali kërkon hakmarrje!”
Böll e refuzoi interpretimin e Katharina Blum si një roman “terrorist”. Në fakt, fokusi është në trajtimin e teknikave manipuluese të informacionit, por mbi të gjitha reflektimet mbi atë që Bëli e quajti “moralin e gjuhës”. Dhe me “moralin e gjuhës” nënkupton jo vetëm vlerën shprehëse dhe me këtë vlerën informuese të deklarimeve publike, por edhe cilësinë e diferencimit për individët që relatojnë përgjatë të folurit me njëri tjetrin. Kjo është shprehur e kulmuar në një pasazh të tekstit kushtuar marrjes në pyetje të Katharina Blum.
“Shkoi deri atje sa u arrit në kundërshti të rregullta perkufizimesh midis saj dhe prokurorëve, asaj dhe Beicmenes, sepse Katharina pretendonte se butësia qe pikërisht një gjë e dypalëve dhe ngacmimi është një veprim i njëpalshëm, dhe se gjithmonë bëhej fjalë për këtë të fundit. Kur zotërinjtë ishin të mendimit, që gjithçka nuk qe aq e rëndësishme dhe se ajo ishte me faj nëse marrja në pyetje mori më shumë kohë se zakonisht, ajo tha se nuk do të nënshkruante asnjë protokoll, në të cilin në vend të ngacmimit, shkruhej butësi. Dallimi për të ishte i një rëndësie vendimtare […]. Përplasje të ngjashme pati për ‘zemërgjërësinë’ e përdorur për çiftin Blorna. Në protokoll thuhej “ këndshëm me mua”, për të cilën Blum nguli këmbë në fjalën, zemërgjërësi, kurse asaj iu ofrua fjala “përzemërt”, se ajo dukej pak si e modës së vjetër, ajo u nxeh dhe pretendoi se të qënët i këndshëm e i përzemërt nuk ka të bëjë me mirësinë, […].”
Procesi i diferencimit gjuhësor vlente për të si një domosdoshmëri për vetëgjetjen njerëzore, si një moment i njohjes së ndërsjelltë. Sepse, sipas Bëlit, në ligjëratat e tij në Frankfurt për marrëdhënien e gjuhës dhe individin: “Unë nisem nga premisa se gjuha[…] e bën njeriun njeri, që e vendos njeriun në lidhje me veten […] “.
Përkthyer nga Martin MATO