More
    KreuLetërsiBibliotekë"Hija e babait", tregim nga Biser Mehmeti

    “Hija e babait”, tregim nga Biser Mehmeti

    Një natë kur më doli gjumi nga një ankth i mundimshëm, m’u bë sikur nga dera e dhomës dëgjoheshin disa trokitje të fuqishme. Zemra më rrahu me ritëm të shpejtuar. Sapo bëra të ngrihem nga vendi për ta hapur derën, kur ajo zuri të  hapet ngadalë. Brenda u gjend babai, i cili ishte plakur shumë. U ndal e pastaj zuri të vështronte i hutuar në të gjitha anët. Dukej sikur kërkonte diçka. Ndoshta e kërkonte nënën, të cilën nuk ishte në gjendje ta gjente. Ndoshta e kërkonte Dean, për të cilën ishte kthyer nga atdheu… Derisa e vështroja i hutuar, një mendje më tha: babai është i vdekur, kjo është hija e tij! Babain e kanë vrarë në atdhe ushtarët e huaj, të cilët mbajnë të okupuar vendin tonë tash e njëqind vjet. Trupi i tij ka mbetur mbi borë pasi nuk ka kush ta varrosë. Shokët e tij e kanë harruar trupin e tij… Derisa më vështronte më dukej sikur më thoshte: sa shumë u pendova që u ktheva në atdhe për të vdekur!… Sa shumë shokë të mi u larguan nga atdheu e më nuk u brengosen për fatin e tij! Sapo u rehatuan në vend të huaj e harruan origjinën e tyre! Sapo krijuan një jetë të lumtur, atdheun e hodhën në shkretëtirën e harresës. Disa që krijuan pasuri në mënyra të ndryshme, u betuan se kurrë më nuk do të kthehen në atdhe!.. Pasi i la fjalët të sorollatën nëpër hapësirën e dhomës, ngadalë e hapi derën dhe doli jashtë. Sa shumë dëshiroja të shkoja pas tij, po këmbët nuk arrija t’i veja në lëvizje… Nuk e di pas sa kohësh duke u zvarritur si një kërmill i fushave, dola në dhomën tjetër. Aty e pashë nënën të shqetësuar. Diçka më thoshte sikur edhe ajo e kishte parë hijen e babait. Prita që më thoshte se e kishte parë, po ajo tërë kohën më vështronte e shpërqendruar…           

    Kur mbeta vetëm me të, më zë të shqetësuar, më tha: biri im, mos je i sëmurë! Dukesh shumë i zbehur! Unë i zgurdullova sytë i habitur. Nëna vazhdoi të fliste me zërin që gjithnjë e më tepër i dridhej nga emocionet që nuk ishte në gjendje t’i përmbante… A e di çfarë ke bërë gjatë natës së shkuar?! Unë i rrudha supet i bindur se ajo po tallej me mua. Nëna vazhdoi me atë zë të brengosur: tri herë je ngritur nga gjumi somnambul e pastaj ke tentuar ta hapësh derën e të dalësh jashtë. Kur të pashë flokët e kokës m’u ngritën përpjetë nga trishtimi… Ku je duke shkuar, të pyeta me zë të brengosur… Ti me një zë të qetë më the: babai po më thërret në oborr!.. Unë të thashë: babai është në atdhe! A e kupton që është mesi i natës… Mezi të kam kthyer në shtrat e tërë natën kam bërë roje afër teje. Kisha frikë se do të dilje në rrugë e ndonjë veturë do të të mbyste… Më thuaj çfarë po të torturon në shpirt?! Prej se erdhëm në këtë vend të largët tërë kohën qëndron i kredhur në mendime… Me zë të qetë i thashë: nënë, as vetë nuk e di çfarë po ndodh me mua!.. Edhe kur jam i zgjuar, edhe kur fle fytyra e vdekur e babait më qëndron para syve! Mundohem ta dëboj, po nuk kam forcë!.. Kam frikë se ai ka vdekur…     

     Disa herë e dëgjoj edhe zërin e tij të çjerrë si më lutet për diçka. Ndoshta më lutet ta gjej trupin e tij të vdekur për ta varrosur… Kam filluar të dyshoj se trupi i tij ka mbetur mbi dhe, ngase shokët e tij nuk kanë mundësi ta varrosin!.. Ndoshta shokët e tij nuk kanë dashur ta varrosin… Kam filluar të frikësohem se shokët e tij e kanë tradhtuar babain e pastaj e kanë vrarë!.. As vetë nuk e di çfarë gjërat të tmerrshme i kam thënë nënës, e cila zuri të dridhej sikur njëqind palë ethe t’i kishin hyrë në trup… Lotët zunë t’i shkojnë rrëke nëpër fytyrën e fishkur. Ndoshta nuk i ndjente fare lotët si i rridhnin nga sytë e ndryshkur. Nuk e kuptova nëse qante për mua apo për babain. Diçka më thoshte se edhe nëna e shihte hijen e babait si sorollatej nëpër shtëpi, po e fshihte këtë gjë nga ne. Ndoshta edhe ajo e dëgjonte zërin e babait, madje edhe fliste me të… Një mendje e marrë më tha: nuk u desh ta shqetësoja edhe më shumë nënën, e cila gjatë gjithë ditës qëndron në këmbë duke bërë punë të mundimshme…

    Gjatë një nate të ftohtë vjeshte ra një shi i rrëmbyeshëm, i përcjellë me bubullima të fuqishme e me vetëtima të tmerrshme, të cilat natën e bënin ditë. Nga ajo stuhi e tmerrshme gjatë gjithë natës nuk arrita të shtij gjumë në sy. Kisha bindje sikur ajo stuhi e fuqishme e kishte rrënuar urën përmes të cilës gjumi vinte te unë. Tërë kohën nga mendja nuk më largohej babai. Kisha frikë se ai gjendej jashtë, andaj gjithë ai shi binte mbi trupin e tij. Ajo natë m’u duk e gjatë tepër sa dyshova sikur mëngjesi nuk do të zbardhte kurrë… Kur zbardhi mëngjesi sytë më digjnin nga mungesa e gjumit. Edhe koka po më dhembte tepër sikur brenda saj të sorollateshin katër kalorës. Shiu vazhdonte edhe më tutje të binte me intensitet të njëjtë. Duke mos ditur si ta mbysja kohën që shtrihej para meje si një gjarpër i ngordhur, u afrova te dritarja dhe me sy të vagëlluar zura ta vështroj hapësirën e zymtë. Shikimin i përgjumur m’u gozhdua mbi një bli të vjetër që gjendej në një skaj të oborrit. Nuk mund ta largoja shikimin e rënduar nga bliri i madh me degë të zhveshur. Tri ditë pasi u vendosëm në këtë banesë babai e pati mbjellë atë bli, të cilin dyshoj se e pati marrë nga vendlindja si një kujtim i pavdekshëm. Kur e pati mbjellë pata bindje sikur bliri i vogël shumë shpejt do të thahej. Disa ditë prisja të nxirrte ndonjë gjethe, po ai nuk po nxirrte. Nuk e di pse ndieja dhembje të madhe për atë bli që ngadalë po thahej. Disa herë qëndroja afër tij dhe e vështroja me një dhembje të çuditshme. Sa shumë dëshiroja të rritej… Një ditë kur desha ta nxjerr nga vendi hetova se ai kishte filluar t’i nxirrte disa sythe të njomë. Sa shumë u gëzova që do të rritej. Edhe gjatë kohës sa e shihja me një mallëngjim të çuditshëm si rritej nuk arrija ta dëboja dyshimin se ai shumë shpejt do të thahej. Sa më shumë që kisha dëshirë të rritej, aq më shumë dyshoja se nuk do të rritej. Një ditë një fëmijë u afrua te bliri e pastaj zuri të sillej rreth tij. E rrëmbeva për fyti e pastaj e largova nga aty. Fëmija zuri të qante më shumë nga frika sesa nga dhimbja… Një bli i vjetër, i cili kishte filluar të thahej, gjendej edhe në oborrin e shtëpisë sonë. Disa herë e kisha pyetur nënën kush e kishte mbjellë, po ajo nuk e dinte… Kur isha i vogël shpesh qëndroja nën hijen e atij bliri të vjetër. Sa shumë dëshiroja të hipja nëpër degët e tija, po nuk kisha mundësi… Sa më shumë që rritej bliri dyshoja se dikush do ta prente gjatë natës. Shpesh kur zgjohesha në mëngjes më dukej sikur ai nuk ekzistonte… Derisa e vështroja shiun si binte mbi degët e blirit, i thashë vetes: eh, sa i lumtur do të isha sikur të gjendesha te bliri që ndodhet në oborrin e shtëpisë së lindjes!.. Ndoshta edhe në atdhe është duke rënë shi i rrëmbyeshëm… Këtu shiu të shkakton mërzi dhe pikëllim në shpirt. Ai ngadalë m’i lag të gjitha ëndrrat, dëshirat, shpresat… Shiu i vendlindjes ishte i dashur. Ai ma ngrohte shpirtin sa herë që binte…

    Kur mërzia zuri të shkallëzohet në apati të rëndë, desha të largohem nga dritarja. Ndihesha i dërrmuar sikur gjatë gjithë kohës të kisha qëndruar në stuhi, e cila më rrihte fytyrës me grushte. Dëshiroja të shtrihesha në shtrat e të flija derisa shiu të ndalej. Mirëpo, në atë çast ndodhi diçka që më shastisi. Me sytë e mbushur shi e erë e pashë babai si qëndronte i hutuar afër blirit me degë të zhveshura. Derisa e vështroja i shtangur më kaploi dyshimi sikur babai qante me zë të dhembshëm, i cili përzihej me zhurmën që krijonte shiu… O Zot, klitha me sa zë që kisha, babai është thyer nga atdheu! Ai është i plagosur!.. Në trup i ka shtatë plagë të rënda që i rrjedhin gjak!.. Fluturimthi pa frymë dola në oborr, i cili më dukej sikur ishte i mbushur me varre të hapura.

    Aty u ndala, ngase këmbët m’u këputën në gjunjë. Në atë çast pata bindje sikur njeriu që qëndronte para meje nuk ishte babai im i vërtetë, po hija e tij, e cila dridhej nga ethet e acarit. Hija e babait edhe më tutje vazhdonte të qëndronte në mes të oborrit si një statujë prej dheu. Ndoshta priste diçka. Ndoshta nuk ishte në gjendje ta gjente derën që të hynte brenda. U mundova të shkoj te ai, po këmbët nuk mund t’i nxirrja nga vendi. Me zë të lartë klitha: baba, mos rri në shi se do të ftohesh, eja hyr brenda!.. Ai nuk lëvizi fare sikur të mos e kishte dëgjuar zërin tim. Një mendje më tha: hijes së babait i pëlqen të laget në shi!.. Vazhdova ta vështroj hijen e babait përmes velit të shiut që binte pa ndërprerë. Prisja që ai ta hetonte prezencën time e pastaj të vinte drejt meje. Një zë i panjohur, i cili përzihej me shiun më tha: si nuk e kupton që babai yt është i vdekur!… Ai erdhi nga atdheu  që t’u lutet ta hapni një varr për trupin e tij… Të vdekurit nuk i hetojnë të gjallët kur u afrohet, madje as kur u flasin me zë të lartë!… Të vdekurit nuk e hetojnë as kur bie shi, as kur nxeh dielli!…

        Derisa qëndroja i shtangur e ndjeva të ftohtin si zuri të më mbështillte si një qefin i leckosur. Edhe pse dridhesha nga ethet e fuqishme, vazhdova të qëndroj në shi duke e vështruar hijen e babait, e cila nuk ishte në gjendje ta hetonte prezencën time. Ndoshta aty do të qëndroja derisa të ngrihesha nga të ftohtit, sikur nëna të mos vinte e të më rrëmbente për krahu… Biri im, eja brenda se do të ngrihesh nga të ftoh tit, më tha me zë lutës… Derisa ecja drejt hyrjes pa dëshirën time, m’u bë sikur hija e babait zuri të më lutej me zë të përvajshëm të mos e leja të lagej në shi. Desha të shkoj drejt tij, po nëna më tërhoqi zvarrë brenda… Kur hyra në dhomë ndihesha i shkallmuar sikur të kisha hapur një varr për trupin e babait. Përmes dritares edhe më tutje e shihja babain si qëndronte i shtangur në oborr.  Gjatë asaj kohe ai dridhej nga të ftohtit. Ishte veshur me rroba të holla e të leckosura. Nëna më vështronte e shqe tësuar me një shikim të mbushur me habi e dyshim… Çfarë po shikon në oborr, më pyeti me zë të plogësht… Disa fjalë të gjymta zunë të më dalin nga goja pa dëshirën time… Nënë, a nuk po e sheh babain si laget në shi! A nuk po ia sheh plagët në trup si i rrjedhin gjak! Ai është i plagosur!… Nëna me zërin që i dridhej nga pikëllimi e mërzia, më tha: ndoshta nga ethet je duke vuajtur nga halucinacionet?! Në oborr nuk gjendet asnjë njeri!… Babai është në atdhe!… Më kot unë i thosha: babai gjendet në oborr, kurse në këmbë e ka një plagë të rëndë, e cila e pengon të ecën!… Nëna e rrëmbeu kokën me duar e pastaj lëshoi disa psherëtima të thella. E kuptova se zuri të brengoset edhe më shumë për gjendjen time shpirtërore. Ndoshta filloi të dyshonte se së shpejti do të çmendesha…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË