More
    KreuLetërsiShënime mbi libraHasan Gremi: Vlera estetike e krijimtarisë së Santorit përmes një monografie

    Hasan Gremi: Vlera estetike e krijimtarisë së Santorit përmes një monografie

    Mbi monografinë “SANTORI- POET DHE DRAMATURG”
    të prof. Klara Kodra, botim i Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA)

    Shkenca jonë letrare i ka ende një borxh të madh letërsisë së arbëreshëve të Italisë e cila i dha dikur një shtytje formimit të letërsisë kombëtare artistike të Rilindjes shqiptare dhe e ngriti atë degë të letërsisë shqiptare, e cila ishte e lidhur me atdheun e origjinës nga gjuha e problematika në nivel europian.

    Ndonëse janë shkruar ese, studime,, madje edhe monografi për autorët arbëreshë, shumë probleme të letërsisë arbëreshe me veçanësinë e saj dhe në raport me tërë letërsinë shqiptare, nuk janë zgjidhur.

    Në mënyrë të veçantë nuk është pasqyruar në mënyrë të plotë vlera e saj artistike që përbën edhe thelbin e saj për disa arsye; për shkak të mohimit për arsye ideore të ndonjë autori të rendësishëm si Skiroi, çka e cungonte këtë letërsi, për deformimet dhe cungimet që iu bënë përmes përshtatjeve para viteve ’90, për shkak të nënvleftësimit të formës në krahasim me brendinë që bënte e ashtuquajtura shkencë marksiste e kohës së diktaturës dhe zbulimit të vonë i shumë dorëshkrimeve të pabotuara të shkrimtarëve arbëreshë. Ky zbulim u realizua vitet e fundit me ndihmesën e rendësishme të vetë shkrimtarëve arbëreshë..

    Dihet se vlera estetike e veprave letrare ose literaliteti është përcaktues për vendin e secilit autor në kuadër të një letërsie, sepse mesazhi i lartë nuk arrin të ndikojë në një formë të dobët. Nga ana tjetër s’ duhet rënë në teprimet e formalistëve që e anashkalojnë ose e injorojnë mesazhin, duke parë te letërsia thjeshtë një histori formash. Mesazhi dhe forma janë dy anë të një tërësie organike siç është vepra letrare.

    Një autor tepër i veçantë si Santori, për një kohë të gjatë ka mbetur nën hijen e bashkëvëllezërve dhe është njohur kryesisht përmes një vepre, “Emira”. Në të vërtetë është fjala për një autor jashtëzakonisht pjellor që themeloi gjini e lloje të reja dhe veprat e të cilit kanë një origjinalitet relativ në kuadrin e letërsisë arbëreshe dhe shqiptare.

    Ky autor është për herë të parë objekt i një monografie të gjerë, në aspektet e tij më të rendësishme si poet dhe dramaturg në monografinë e studiuses së njohur Klara Kodra  “Santori, poet dhe dramaturg”,  e botuar tani vonë nga QSPA (Qendra Studimore dhe Publike për Arbëreshët).

    Këtë monografi e përshkon të tërën si një fill i kuq analiza e formës së veprës santoriane që shpreh realizimin e saj estetik që nga krijimet e para dhe deri në veprat e fundit. Do të thoshnim se kjo është merita kryesore e monografisë në fjalë. Vetë autorja është e vetëdijshme, se nxjerr në dritë pikërisht ato vlera që do të ndihmojnë për caktimin e drejtë të autorit të analizuar në hartën e letërsisë shqiptare. Në një vjershë të vetën që shërben si epigraf për monografinë (studiuesja është edhe poete), ky synim shprehet qartë nga studiuesja Klara Kodra. Po e citojmë vjershën në fjalë: “Nga qielli i poetëve, i florinjtë, i paanë / De Rada dhe Serembe thërrasin të vëllanë / Françeskun që studiuesit e menduan pedantë / S’ guxuan atyre t’ ia vendosin  pranë.”

    Pra bëhet përpjekje për ta nxjerrë në dritë, këtë autor gjer më sot të lënë në hije dhe të quajtur si poet minor. Jo më kot studiuesja  mbështetet mbi dy autorë të shquar që në gjallje të vet patën vlerësuar poetin dhe dramaturgun Santori në mënyrë më objektive se studiuesit, De Rada dhe Serembe.

    Studiuesja përdor në këtë monografi analizën tekstuale, duke plotësuar me disa elementë historizmi dhe me metodën krahasuese, si edhe duke u mbështetur në arritjet e bashkëstudiuesve filologë.

    Disa nga vlerësimet estetike që gjejmë në këtë monografi formulohen për herë të parë. Në disa formulime të tjera, studiuesja merr parasysh ndihmesën e studiuesve të tjerë shqiptarë, arbëreshë dhe kosovarë.Ajo herë e mbështet gjykimin e tyre, herë debaton me ta në bazë argumentesh shkencore. Në thelb, synimi i studiueses është të jetë, si origjinale, ashtu edhe objektive, pra të mos bjerë në kurthin e një origjinaliteti si synim në vetvete që do të përmbysë patjetër vlerësimet e njohura, duke ngritur lart një autor të keqvlerësuar apo të lënë në errësi apo duke e çmitizuar një autor tjetër, jo në funksion të se vërtetës, po të vetëafirmimit.

    Ajo nuk është indiferente ndaj autorit që analizon, madje ndjen për të atë dashuri që ndjen një poet për një sivëlla (të mos harrojmë se studiuesja është edhe poete). Po nuk rrëmbehet nga pasioni dhe synon të vlerësojë Santorin, në përputhje me të vërtetën shkencore. Gjykimet e veta studiuesja i mbështet në analizën e tekstit.

    Në sajë të zbulimit nga shkenca letrare (konkretisht nga studiuesi Altimari) në organin e shtypit arbëresh që deri më sot njihej në mënyrë të paplotë “Arbëreshit të Italisë”, më në fund njihet poemthi rinor i Santorit, “Valle e haresë së madhe”. Më në fund studiuesit e kanë në dorë atë dhe mund të japin vlerësimin e tyre. Këtë gjë e ben në mënyrë të detajuar Klara Kodra, duke zbërthyer elementët e formës në këtë poemth,figuracionin dhe metrikën dhe duke u solidarizuar, së fundi me gjykimin entuziast që dikur kishte dhënë për këtë krijim poetik Dora d’ Istria që e krahason atë me një krijim të poetit të shquar grek Sollomos, që i kushtohet lirisë.

    Studiuesja jep mendimin e vet edhe për veprën rinore santorjane, e analizuar nga disa studiues “Kengëtorja arbëresha”. Ajo sheh te ky krijim disa risi që sjell Santori në letërsinë arbëreshe, analizën e hollësishme psikologjike të ndjenjës së dashurisë dhe pasurimin e muzikalitetit të poezisë arbëreshe me anë të rimës. Studiuesja jep mendimin e vet edhe për ndikimet e autorëve të tjerë mbi këtë poemth rinor,duke veçuar ato që Santori i ri mori prej tyre, po që nuk ia pakësuan  veçanësinë.  Klara Kodra ndalet edhe në çështjen delikate, a u frymëzua Santori nga një dashuri reale, duke debatuar me studiuesin Solano që e quan poemthin “fryt leximesh” dhe duke pohur se në këtë rast diçka e rendësishme do t’i mungonte vrullit të frymëzimit dhe freskisë së këtij cikli me vjersha. Studiuesja është e mendimit se poeti u frymëzua nga një dashuri reale për të cilin s’ pati përgjigje,dhe pohimi i tij që, kur e pati shkruar s’ e njihte dashurinë, mund të shpjegohet me ndrojtjen e klerikut..Studiuesja analizon edhe krijime të tjera të rinisë së Santorit, poemthin lirik pothuajse të panjohur “Vashat” të zbuluar prej saj në Arkivin e Shtetit, vjershën “ Fjuromë hënëzës” që u botua në gjallje të poetit, një novelë interesante për dashurinë dhe xhelozinë ( “Di motrat e bashkëljera – Dy motrat binjake), e pabotuar dhe e pavlerësuar nga studiues të tjerë (autorja vetë e kishte analizuar në një studim që i paraprinte monografisë po ketu zgjerohet dhe plotësohet), një novelë në vargje, tepër e freskët dhe fine, “Novelëzë arbëreshe” ku zhvillohet një motiv popullor që kishte frymëzuar edhe De Radën. Studiuesja në fjalë analizon edhe një poemth social që pasqyron me dhimbje paditurinë e fshatarëve arbëreshë “Hekurudha ose malësori plekj”.Përveç kësaj analizohet një vjershë me karakter politik që shpreh zhgënjimin e thellë të Santorit pas bashkimit të Italisë, po që ekziston vetëm në dorëshkrim, *Kënkëzë politike” dhe e vendoset më lart nga ana estetike duke e krahasuar me vjershën që Santori ia kushton Dora d’ Istrias.

    Dy nga kapitujt më origjinalë dhe të rendësishëm të monografisë janë “Santori poet satirik dhe humorist”,  dhe “Fabulat”. Në këta kapituj zbulohet përmasa e re që autori arbëresh i fali letërsisë shqiptare, përmasa e humorit që rrok “satira” dhe “ rrëfimet satirike dhe  fabulat

    Në plan artistik më të realizuarat janë të ashtuquajtura “satira” të cilat në të vërtetë janë më tepër disa tablo e portrete humoristike dhe fabulat, rimarrje krijuese të motiveve të marra nga Ezopi, La Fonteni dhe ndonjë fabulist tjetër, ku Santori arrin të krijojë një minigaleri personazhesh ku bëjnë pjesë kafshë, bimë, madje edhe trupa qiellorë të antropomorfizuara, krijesa të tokës të ajrit, të ujit si edhe njerëz me dobësitë dhe veset e tyre. Santori është një fabulist tepër i veçantë në krahasim me dhe çajupin. Studiuesja e analizon me hollësi formën e të gjitha krijimeve të lartpërmendur të autorit arbëresh dhe veçon “rrëfimet satirike”, si më të dobëta, meqenëse aty pasioni njerëzor i urrejtjes personale e ka penguar Santorin të arrijë katarsisin,  ndonëse nuk u mungojnë disa vlera. Në këtë përfundim Klara Kodra bashkohet me studiuesin Gradilone. Studiuesi Rexhep Qosja që sheh në krijimet satirike me të drejtë vokacionin e vërtetë të Santorit, nuk e bën këtë dallim.

    Një kapitull i veçantë u kushtohet “romancetave” që autorja i përkufizon, jo si novela në vargje, siç bëjnë studiuesit Gradilone dhe Fortino, as si një lloj i ndërmjemë midis novelës dhe romanit, sipas tezës tërheqëse, po të diskutueshme, të studiuesit Bulo që sheh në këto krijime si thelbësor etnografizmin, po siç i ka quajtur edhe vetë Santori, “romane në vargje”. Këtu mund të lindë një pikëpyetje. Gjersa Klara Kodra synon t’i përfshijë romanet në një tjetër monografi, pse i përfshin këto romane  në vargje në monografinë e botuar? Mendojmë se studiuesja e bën këtë, duke i parë këto krijime si vepra të poetit rrëfimtar Santori që paraqesin fillesën epike tek ai dhe duke i veçuar nga romanet në prozë.

    Në këto krijime gjejmë një tjetër minigaleri personazhesh që shihen tashmë në plan dramatik dhe tragjik që dëshmojnë aftësinë prej psikologu të Santorit që është i aftë të krijojë karaktere të ndërlikuar, herë duke u bazuar në poetikën romantike, herë në poetikën realiste. Edhe ndër “romancetat”, studiuesja veçon disa  si më të realizuarat nga ana estetike, ndonëse në një farë kuptimi ato plotësojnë njera-tjetrën.

    Një shtyllë e rendësishme  mbi të cilën mbështetet struktura e monografisë është kapitulli i dramaturgjisë. Studiuesja thekson rolin prej themeluesi, po edhe krijuesi të një larmie tipologjike të Santorit dramaturg. Ajo vëren se Santori i dha letërsisë arbëreshe dhe shqiptare, tragjedinë e saj të parë “Neomenien”.

    Duke e analizuar atë, studiuesja synon të tregohet objektive, të mos humbasë në ekzaltime të skajshme siç ndodh me studiuesin Anton Berisha që me entuziazmin e vet patriotik i atribuon kësaj tragjedie edhe vlera që nuk i ka. Studiuesja vëren vlerat e padyshimta të kësaj tragjedie rinore, po edhe ato të meta që ia kanë kufizuar nivelin artistik. Edhe në kapitullin që i kushtohet dramës “Emira”, studiuesja njeh meritat e paraardhësve me të cilët, herë solidarizohet, herë debaton dhe përpiqet të zgjidhë disa çështje të mbetura pezull, lidhur me origjinalitetin tipologjik të kësaj vepre, saktësisë së botimeve të saj dhe ç’ është  kryesorja, vlerës së saj estetike. Studiuesja vëren se te “Emira” mund të gjejmë një potencial që do ta shndërronte në kryevepër, po që autori arbëresh nuk e zhvillon deri në fund. Kodra evidencon një nga meritat më të shquara të dramës, skalitjen e dy personazheve që jepen në zhvillim, njeri me kah pozitiv, tjetri me kah negativ, Kallina dhe Kallonjeri, skalitje që dëshmon edhe një herë për aftësinë e Santorit si psikolog, dramatizmin e konflikteve, tablotë realiste të mjerimit dhe të dhunës së ushtruar në mënyrë cubat dhe nga ana tjetër prej kolonelit Fumel, përfaqësuesit të shtetit të ri italian që përzien fajtorë dhe të pafajshëm, duke synuar të zhdukë cubërinë. Studiuesja thekson evolucionin që ka pësuar te Santori tema e cubave që është vënë në bazë të disa veprave të tij rinore. Duke u ndalur te një lloj i ri dramatik edhe ky i trajtuar për herë të parë nga Santori studiuesja thekson se ky lloj i përshtatej më tepër individualitetit të tij krijues dhe veçon melodramat më të realizuara sipas saj “Aleks Dukagjini” dhe “Pjetër Shtërori”.

    Studiuesja e sheh Santorin si komediografin tonë  të parë me dy komeditë dhe zakoneve “Kallogrea Karroqare” (“Vejusha koprace”) dhe “Polikarpi” (rregullim) që, ndonëse të papërfunduara, dëshmojnë për talentin e autorit arbëresh.edhe në këtë lloj. Studiuesja thekson gjithashtu origjinalitetin e Santorit dramaturg në krahasim me letërsinë bashkëkohore italiane dhe në krahasim me pasardhësit që do ta ndjekin më vonë në letërsinë e atdheut mëmë dhe shpreh keqardhjen e vet që ky autor origjinal nuk mund të komunikonte me publikun e kohës. Një kapitull autorja ia kushton ndikimeve të Santorit nga letërsia italiane, duke pohuar se këto ndikime nuk e zbehin veçanësinë e tij. Në dy kapituj të tjerë trajtohen problemi i realizmit të Santorit dhe meritat e tij si fjalëkrijues që kontribuon në krijimin e një forme me vlerë të padyshimtë estetike. Në një kapitull tjetër autorja nxjerr në dritë një aspekt të lënë në hije të Santorit, poezinë fetare, duke e pasqyruar me meritat dhe kufizimet e veta.

    Për mendimin tonë, monografia “Santori poet dhe dramaturg” ka vlerë jo vetëm si monografia e parë e plotë për këtë autor lidhur me aspektet kryesore të talentit të tij, po për origjinalitetin e gjykimeve të dhëna, synimin drejt objektivitetit, stilin e qartë dhe të rrjedhshëm, qendrimin e drejtë ndaj bashkëstudiuesve paraardhës dhe bashkëkohës, argumentet e mbështetura në analizën e tekstit. Natyrisht, ka edhe ndonjë vlerësim që mund të diskutohet, po mendojmë se në thelb monografia ia ka arritur qëllimit të vet.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË