More
    KreuLetërsiBibliotekëHarry Martinson, jetimi të cilin e rriti poezia

    Harry Martinson, jetimi të cilin e rriti poezia

    Përgatiti dhe përktheu Shqiptar Oseku

    Harry Martinson (1904-1978) ishte princ i letërsisë suedeze. Ai qe poet, prozator e publicist, një nga 18 anëtarët e përhershëm në Akademinë Suedeze, laureat i çmimit Nobel në letërsi (1974). Por këtë karrierë të shkëlqyer prej kometas, të tjerët përreth tij e as ai vetë, s’kishte mundësi ta parashikonte gjatë fëmijërisë së vet të mundimshme. Harry Martinson lindi në një fshat të vogël, Jamshog, në qarkun Blekinge, larg prej dritave e plotnisë së qyteteve. I ati i sëmurë me tuberkuloz vdiq pak më vonë, ndërsa e ëma e braktisi djalin në moshën 6-vjeçare për të ikur në Amerikë. Harry Martinson s’e takoi më kurrë nënën e vet. Jetimi i vogël u rrit vetëm ndër çifligje lokale, ku vihej në punë të rënda fushe. Dritë të vetme në fëmijëri ai pati shkollën e fshatit, ku u shqua herët për inteligjencë dhe talente artistike, shkrim, muzikë, vizatim. Në adoleshencë të hershme, Harry Martinson gjeti shpëtim në flotën tregtare, me të cilën shëtiti botën për vite. Më 1939 Harry Martinson braktis martesën e stuhishme me shkrimtaren e njohur Moa Martinsson, një ndër emrat më të përmendur në letërsinë suedeze, dhe lufton si vullnetar në Finlandë kundër sovjetikëve.
    Harry Martinson debutoi si 23-vjeçar me poezi në shtypin e kohës, ndërsa përmbledhjen e parë të poezive Sposkepp (shqip përaf. Anije fantazmash) e boton si 27-vjeçar. Në karrierën e vet letrare ai do të botojë rreth 30 përmbledhje poezish, udhëpërshkrime, romane, drama, drama radiofonike, si dhe manuse për film. Gjuha e tij është e gjallë dhe magjike, mistike pothuaj; ai ndikohet nga poezia amerikane, është antitradicionalist i prirur për fjalëformim, neologjizma dhe përshkrime fantastike të natyrës. Eksperiencat e fëmijërisë dhe rinisë ngjyrosën vështrimin e tij për veten dhe botën. Harry Martinson shquhet për një patos të fortë social e etik. Poezia e viteve të tij të fundit ka një spiritualitet universal që frymëzon Tranströmerin vite më vonë. Harry Martinson obsesionohet nga vogëlsia e njeriut në kozmos dhe nga madhështia e universit. Ai merr pjesë edhe në debatin e kohës, duke mbështetur në shtyp reformat për të shndërruar Suedinë nga një monarki e varfëruar në shtet social avangardë. Kujtimet e fëmijërisë së zorshme e ndjekin vazhdimisht dhe i rëndohen edhe më shumë nga kritikë letrarë elitistë, të cilët nuk honepsin përkatësitë, qëndrimet dhe angazhimin e tij. Raportet armiqësore me kritikët dhe fyerjet e ndërsjella vijnë e shtohen me arritjet e tij, fitimin e çmimeve, ribotimet dhe përzgjedhjen në Akademinë Suedeze. Harry Martinson, i çmuar pas vdekjes si “talenti më i papërpunuar e më madhështor i shekullit njëzet”, vuan në fshehtësi dyshimet për vlerën e vet, dyshime këto që ndikuan në ikjen e tij të parakohshme. Në epokën e Luftës së Ftohtë të viteve Harry Martinson, si shumë shkrimtarë të epokës së vet, është i tmerruar nga rreziku i luftës atomike. Në përmbledhjen e poezive, Cikada (shqip Gjinkalla), në vitin 1953 ai boton kantot e para të poemës epike Aniara, që shkaktojnë sensacion letrar. Në vitin 1956 ai boton eposin Aniara si libër më vete, një vepër jashtëzakonisht origjinale dhe triumf i mirëfilltë, që i siguron një vend të veçantë në panteonin e letërsisë suedeze. Aniara përbëhet prej kantosh të shkruara në gjuhë të gjallë e plot neologjizma, të cilat përshkruajnë rrugëtimin e dhimbshëm drejt katastrofës së një anijeje kozmike plot me refugjatë nga planeti Tokë. Aniara hapi rrugën që Harry Martinson të fitonte çmimin Nobel për letërsi (1974), “për një letërsi që kap pikën e vesës dhe pasqyron kozmosin”. Aniara ka frymëzuar vepra dramatike, opera, filmizime, e vepra të shumta nga arti pamor. Mirëpo, ajo u bë edhe shkas duelesh të reja me kritikë, të cilave Harry Martinson i plakur nuk mund t’u bënte ballë. Një ndër letrarët më origjinalë suedezë të të gjitha kohërave vrau veten me gërshërë më 12 shkurt 1978, në një akt që mjeku kujdestar e shënoi ngeshëm si “harakiri ritual”. Pak vjet pas vdekjes së tij u zbuluan rastësisht edhe një sërë shkrimesh të fuqishme, poezi e prozë, si dhe një sërë pikturash të panjohura prej dorës së artistit Harry Martinson, duke detyruar edhe kritikët e tij më të vrershëm që të pohojnë post mortem dhuntitë e tij.

    NDENJA

    Mendimi shpon një pus të vetin,
    e shpërthen një yll të vetin.
    Por ndjenja rrit trëndafilin e vet.
    Mendimi përshkon në sy të gjilpërës së akullt
    një pe, për hir të vijës.
    Mendimtari than një mollë të vetën.
    Por ndjenja ujit trëndafilin e vet.

    Mbrëmje në thellësi të vendit.
    Heshtur pasqyrohet gjëegjëza. E tjerr muzgun
    me zukth të prehjes.
    Këtu ka një brishtësi që askush s’e vëren
    në pëlhurë të barit.
    Heshtur kundron me sy të blertë edhe bagëtia.
    Çapit në paqe të mbrëmjes teposhtë drejt ujit.
    E liqeni u afron gjitha gojëve
    lugën e vet të madhe.

    KËSHILLË NGA Li Ti

    Në paç dy qindarka, tha Li Ti gjatë një rrugëtimi,
    blej atëherë një bukë e një lule.
    Bukën ta kesh për ushqim.
    Lulja që blen domethënë
    se jetën ia vlen ta jetosh.

    ANIARA (NGA KËNGA 5)

    Pilotët duken më të qetë se ne,
    fatalistë të një shkolle të re
    që veç hapësirat boshe mund ta sajonin
    nga hipnozë që yje në dukje të pandryshueshëm
    krijojnë në gjakim të shpirtit mbas enigmash.
    Dhe vdekja thjesht bën pjesë natyrshëm
    në orarin e tyre, si konstante e fiksuar.
    Por, megjithatë, nga viti i gjashtë vërehet
    se edhe ata vështrojnë nga cepi i humnerës.

    Në çaste të pavërejtshme, por të mbikëqyra
    vëmendshëm nga unë që lexoj tiparet e fytyrave të tyre,
    ndodh që pikëllimi u shkëlqen si dritë fosfori
    nga sy vrojtues.

    Te gruaja pilote kjo pikaset më fort.
    Ajo ulet shpesh dhe kundron bosh miman
    e pastaj sytë e saj të bukur sikur
    ndryshojnë. Ata fitojnë një shkëlqim misteresh
    të painterpretueshëme, e irisi në bebëza
    i ndizet nga zjarre pikëllimesh,
    një flakë e uritur që kërkon lëndë djegëse
    për dritën e shpirtit, që drita të mos fiket.

    NGA LIDHJE

    Po, ëndrrat duhen ndërtuar më të sigurta se qytetet
    e përditë duhen arnuar
    e ndrequr pas sulmesh të përditshme e gërryese nga kafshime të dobisë
    që janë më të këqija se kafshimi i kohës.

    NGA ENDJE

    ndodh një orë fatlume kur askush
    që end mendjen në lëndina tek ndrijnë
    s’mban mëri ndaj gjërash e kohësh
    por harron ditë e kohëra që vijnë.

    SHPËRFAQJA

    Me tmerr në sy
    panë besimtarët
    nga maja e kullës së observatorit: harpat qiellore;
    tejza kaotikë prej gazrash të artë
    nga nebuloza titanike në përkundje.
    Në largësi të kristalit të pamatshëm të përjetësisë
    ku mendja e trembur
    mund të shembet amshueshëm ndër mijëvjeçarë
    lëviznin harqe të arta harpash prej gazi
    që tymnojnë te Shigjetari.

    PIKËLLIM E GËZIM

    Çdo pikëllim i thellë ka gëzim të humbur në thelb.
    Mos iu ndaj këtij kahu.
    Mos e lër pikëllimin ta harrojë çështjen e vet.
    Pikëllimi është nderi më i thellë që mund t’i bëhet gëzimit.

    KËNGA E LIVADHIT

    Një livadh në lulëzim mund ta përshkruajnë veç fluturat e veta,
    ta këndojnë si duhet veç bletët e veta.
    Me mbajtë bashkë këtë arrati mijërash
    e me shque këngën e bletëve
    munden veç zana që janë stërvitë ndër amshime.

    NGA PYLLI I FËMIJËRISË

    Larg drejt brendësish me belushe
    ku mbledhvera kuvend të vet
    m’zgjatet ëndrra nganjëherë
    si kurrilë në pranverë

    SHPËRFAQJA

    Me tmerr në sy
    panë besimtarët
    nga maja e kullës së observatorit: harpat qiellore;
    tejza kaotikë prej gazrash të artë
    nga nebuloza titanike në përkundje.
    Në largësi të kristalit të pamatshëm të përjetësisë
    ku mendja e trembur
    mund të shembet amshueshëm ndër mijëvjeçarë
    lëviznin harqe të arta harpash prej gazi
    që tymnojnë te Shigjetari.

    RËNIA NË DASHURI

    Midis asaj dhe meje kish një marrëdhënie
    që varej plotësisht në ajër.
    Kurrë asnjë fjalë a një punë që ta tradhtonte,
    veç ajri, dashnor i pafat,
    çdo mbrëmje mbushej dëng me ëndrra për të
    e mbytej në liqen.

    NGA MONSUNE

    Kam planuar një rrugëtim,
    kam mobiluar një shtëpi
    në brigje të brendshme nomade.

    Dega e pemës bukore të yllshtatëshes joshte amshueshëm.
    E paarritshme atje tej në kopsht të Kashtave të Kumtrit
    ish si një degë me fruta buke të paraqitjes.

    Por udhëpërshkrues të ri e të urtë që kam hasur
    më kanë drejtuar kah brendësia
    drejt brigjeve të një Gondwane të re.
    Dhe ata më kanë thënë
    se valë të fshehura enden gjithmonë atje,
    se dete sekretesh dynden gjithmonë atje
    rreth ishuj të papërshkruar shtegtimesh të brendshme

    dhe unë i kam dëgjuar në heshtje
    dhe kam parandier
    një monsun të ri – një truall Gondwane të re.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË