Nga Enver S. Morina
Naim Frashëri ishte personaliteti më i madh dhe duket personaliteti i tij u ba që të shuhen shumë gjana dhe Guljelm Radoja të ishte në filmin “Gjurma “ te Kristaq Dhamos. Këtu filloj Guljelmi të lozi film…
… biseda me At Nikolla Marku në Elbasan u bë shkas që aktori Guljelm Radoja të më pres dhe të takohemi në Durrës. Takimi pranë stacionit të trenit. Guljelmi erdhi me një ombrellë , sikurse në të mund të futeshin disa veta. Ajo mbulonte jo vetëm qytetin bregdetar. Ajo kapte Shkodrën, Librazhdin, Fierin… Dhe Tiranën.
Diktafoni lëvizte rrjedhshëm, shiriti i të cilit ruante zërin e aktorit. Përgjigjet e para të njohjes si fillim, për herë të parë pas tetë vite në “ExLibris”.
11 nëntor 2013. Gjithçka gdhendej nga shiu pranë detit deri në imtësitë e vitit 1970 kur Guljelm Radoja filloj të interpretonte në film. Te “Gjurma”. Një rol episodik, emri i të cilit nuk shkruhet as në siglën e filmit. Më tej emri do t’i shkruhet Guljem e herë Guljelm dhe përsëri, si të “Nëntori i dytë”, Guljem!
Shkurtazi biografia artistike në veten e parë? Që nga roli i parë që konsiderojmë që është në vitin 1970 te filmi “Gjurma”? 35 vite në skenë, shkurt Guljelm Radoja gjatë këtyre viteve?
Guljelm Radoja është i lindur në Shkodër. Në dyzet e pestën. Rrjedhë nga një familje e vjetër që kanë ra në Shkodër n’kohën e bushatllinjve prej një fshati të Dukagjinit që quhet Gimaj. Ata kanë ba kullat e tyne në një lagje që quhet Arra e Madhe, ku edhe kam le. Pra, une kam le n’shpi. Se, kur kam le unë materniteti nuk funksiononte. Pra, kam le atje. Jam Radoj, prej babe nga Gimaj dhe Radovan prej nane, nga një katund afër Shkodrës që quhet Shirokë, që njifet si fshatë shumë i vorfën peshkatarësh dhe pijedashës. Pra tanë njerëzit e nanës teme kanë gjujtë peshk e kanë pi raki. Kurse nga krahu i babës ishin tanë hekraxhi. Pra, duke qenë se ishin jetima, vazhduan tekniken amerikane te Harri Fulsit, edhe, dolën mekanikë nga mekanikët më të mirë në atë kohë, dy shkollat që ishin te mesme, por, ishin në përmasat e universiteteve, mos te akademive! Njëra quhesh “Instituti i Nanës Mbretëreshë”. Instituti ishte për femna, ku kanë dal personalitete te ekonomisë shqiptare dhe teknike amerikane e Harri Fulsit që dolën inxhinerat e tekniket më të mirë në Shqipëri, por që ai djali i bukur prej Gjirokastre, i futi në burg, i pushkatoj tanë. Bahet fjalë për adashin tan prej Gjirokastre!
Pasioni im në jetë ishte muzika. Im atë duke qenë se ishte hekraxhi, dhe kishte pasion hekrat, donte që edhe i biri të bahesh hekraxhi. Dhe kur mbarova gjimnazin, pra, nuk më la me shku në Liceun Artistik, që kisha qejf me shku. Në shkollë artistike për muzikë, nuk më la! Por, kjo dëshirë për muzikën dhe dashuri për muzikën u konkretizu ma vonë në rininë teme kur unë rashë në dashni me një muzikante, violonçeliste, dhe ajo malësore. Maloke, prej një vendi që e kena kojshi. Është krahu i tjetër i malit quhet Nikaj-Mërturi ose Lekëbibaj. Pra rashë në dashni me violonçelisten më të cilën u martova. Edhe kam dy fëmijë, që janë të dy muzikantë. Kam dy mbesa, të cilat edhe ato janë muzikante. Pra, im atë nuk deshi që unë te bahesha muzikantë por në shpi teme u pushtua nga muzikantë , me grua, më fëmijë, e me mbesa. Kur mbarova gjimnazin, im atë më bëri alternative, o në teknike, në politeknikum për mekanik, ose në gjimnaz. Sigurisht shkova në gjimnaz. Dhe aty, në maturë mbasandej, ja bana tetëshin babës, i ika tutelës, i bana një pabesi t’vogël dhe shkova në konkurs dhe dhashë në shkollën e aktorëve. Im atë u zemëru. Nuk më foli gati një vit. Dhe një ditë të bukur, dy miqtë e tij, ishin edhe miqtë e mij, njënin prej tyne e kam pas edhe pedagog, Prokop Mima dhe Sander Prosin, i thonë babës: “Po hajde shife djalin, mos i mbaj inat. Djalin e ke te talentum!” Kështu im atë filloj me ardhë në teatër, po sigurisht nuk i përkiste asaj kategorie teknikesh që sikur t’kishin naj mendim të mirë për artin, sepse nuk quhesh zanat. Këtë mendim e ka pasur edhe ish- kryeministri i Shqipërisë Mehmet Shehu. Nuk ishin zanat për të, i quanin punë qejfi.
Nuk ishte mjeshtëri?
Pra nuk ishte mjeshtëri. Ishte dava qejfi, punë çiftelie me një fjalë. Por vinte në teatër dhe i thonte atij që e kishte afër, o majtas, o djathtas, i afrohej dhe i thonte: “A e shef atë djalin atje që loz në teatër? Është djali jem ai!” Kështu që mbarova vitin e parë dhe të dytë. Në vit të tretë, ndodhi ajo që tre institute bashkohen në një. Pra tre shkolla bashkohen në një. Shkolla e naltë e aktorëve “Aleksandër Moisiu” që ishim na, Instituti i Arteve figurative, që ishin artet figurative në vete, dhe Konservatori Shtetëror i Tiranës, ishte prapë në vete. Në ishim në oborrin e Teatrit Kombëtar dhe Konservatori ishte në oborrin e Operas dhe Baletit. Pra, s’më kujtohet rreth viteve 1965, 1966 më duket u krijue Instituti i Lartë i Arteve. Opera iku prej andej ku ishte dhe shkoj në godinën e re. Godinën e ish Operës së vjetër e mori Instituti i Lartë i Arteve ku u mblodhën gjithë këto. U krijue edhe një fakultet i katërt që quhesh në atë kohë simbas influencave ruse, Shkolla e Kulturës, që përgatiste kuadro masovike kryesisht për vatrat e kulturës dhe shpitë e kulturës.
Në këtë kohë njihem më gruan teme, ajo studente në konservator për violonçel. Meqë im atë ma kishte stimuluar gjithmonë këtë që, meqë njef vajza, me tu mush mendja për najnjenën, bjere babës në shpi! Unë jam djalë i vetëm, skam motër, s’kam vëlla. Baba ma stimuloj këtë lidhje për këtë garanci që unë të lidhësha herët. Dhe i thash një ditë që unë e gjeta. Ma sill në shtëpi, babës! Kështu që atë që vendosa më u feju, mëzi gjeta dy pako llokume, në atë kohë ishte vështirë shumë më gjetë gjana për me e qerasë dynjanë, dhe shkova në kurs tem. Kursi jem në historinë e shkollës ishte kursi më i madh numerik, nëse kursi sot ka degjëruar e mëzi plotësohen 12 veta, në atë kohë ishim 36 vet. Dhe kena konkurru mbi 500 vet. Shpërndau llokume dhe ju thash më uroni se jam feju. Isha më i vogli i kursit në moshë. Kishim në kurs edhe njerëz, djem e vajza që ishin shtatë, tetë vjet më të mëdhenj se unë. Do ma uruan, do u tallën me mu. Nejse. Të nesërmen kryeplaku i kursit, kemi pas Shëri Mitën, që e kam pas shokë klase. Më thotë: “Gulielm shko se të kërkon sekretari i partisë!” S’kisha pas punë ndonjëherë me parti. Në shtëpi tanë ishin te departizum. Bile nën vedi e urrenin atë sistem. Shkova të ai. Kush ishte ky njëri tashi?! Ky njeri quhesh Sofokli Buda. Nga mbiemri mund të të kujtoj Aleks Budën, një burrë fisnik, nga burrat që drejtuan Akademinë e Shkencave Shqiptare, me studime të kryeme në Austri, edhe më kulturë gjermane. Por ky ishte njeri i lig … (…)
Më thotë mua: “Ishe fejuar ti a?”
“Po, i thash, me mendimin se po m’uron.”
“Po je menduar mirë që je fejuar ti?”
“Po përderisa jam feju, i thash, sigurisht që jam mendu.”
“A e din që ti ke marr për gru, tha, çupen e armikut të popullit?! Pra, vajzën e armikut të popullit?!”
“Unë e di, thash, që kam marr vajzën, nuk e di që paskam marr babën!” Priti pasojat Gulielm Radoja nga unë!
I the drejtpërdrejt!?
Po, po drejt! Turijve! Dhe pasojat qenë të llahtarshme! (…) Unë nuk kisha problem me biografinë. Baba mekanik punonte në uzinë në atë kohë… Po mirë, thash, në qoftë se ka pasoja do i presim. Dhe pasojat ishin të tmerrshme. Pra, unë u martova student, u bana prind-student. Pra, në historinë e universitetit shqiptar, që ndofta qifti i parë që u martum dhe u bam prind student.
Një qift artistësh?
Po. Dhe emnimi i parë që në Librazhd. S’kisha nga të luajtsha! Thash: Lavdi partisë n’Librazhdë! Na zuri ne. Në atë kohë ishim kursi i parë që u ekpserimentu, ne në atë kohë i thoshim në terminologjinë ruse zbor, por ishte shërbim ushtarak gjashtëmujor. Shërbim ushtarak që do të diplomoheshim oficera në rezervë. Kështu që unë mbeta gjashtë muaj në Burrel pa marr një ditë leje!
Në Burrël?!
Po në korpusin e Burrelit, që sot bile ishte një lajm, një nga personalitetet ushtarake të asaj kohe, në atë kohë ishte komisar i korpusit të Burrelit, quhesh Halim Ramohito. Sot varrosej se kishte dek dje. Pra, këtu filloj ajo spirale në univers në jetën time si njeri dhe si aktor, si artist. Çka të bësha në Librazhd? Regjisor i shpisë së kulturës?! Megjithatë u tregu burrë një kryetar komiteti, mbasi ju luta unë, ju lut im atë, ju tha e kam djalë të vetë, ju lut shumë, ministrit të asaj kohe Thoma Delianës që ishte një burrë shumë fisnik dhe më transferuan në Tiranë. Erdhëm në Tiranë. Dhe ne në atë kohë kishim nomenklaturë të dyfishtë për sa i përket trajtimit si kuadër. Kishim dhe trajtimin nga komiteti ekzekutiv, por kryesisht nga komiteti i partisë. Dhe personi që mua ma nxivi jetën, i cili në vitet 90-ta na mbante flamurin e disidentit… (…)
Ky ta nxiu jetën?
Më mbajti gjashtë muaj në ajër. Pra unë bana rolin e parë kryesor në jetën teme si aktor i teatrit Kombëtar, ose në atë kohë quhesh Teatri Popullor, një dramë e shkurtër enkas për ushtrinë, nga Bashkim Kozeli, dhe unë kam luajtur rolin kryesor, një aviator, ushtar. Erdh gjithë byroja politike e pa çfaqjen përveç Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Punova gjashtë muaj në teatër dhe nuk mpaguejshin rrogën. Atëherë ka qenë koha më e mjerueshme e familjes teme, që jetojshim vetëm me rrogën e babës. Dhe Fadili i përdridhte dokumentat e mija, ja se do të aprovohen sot, ja do të aprovohen nesër dhe dokumentat e mija nuk u aprovuan, dhe një ditë të bukur të marsit të vitit 69-të, mua më pret Komiteti i Partisë i Tiranës.
Dhe më thotë: “Ju nuk pranoheni në Tiranë!”
“Po perse, i thashë unë!?”
“Këtu nuk ka përse, këtu ka vetëm urdhna! S’ka, se pse!”
Në këtë kohë profesori jem, ai që më deshti fort, nga i cili unë u bana aktor, Naim Frashëri i madh, ishte në atë kohë anëtar i Byrosë së Partisë në teatër, më thotë: “Unë nuk kesh i zoti më të nimu mor bir, me nejt në Tiranë, a po don me lujt film?”
Thash: “Profesor! Me biografinë që doli, që babai i gruas ka qënë në burg politik…!”
“Atë e di unë. A po don ti?”
“Po more burrë i dheut.”
Dhe më mori me vete të filmi “Gjurma”. Naimi ishte personaliteti më i madh dhe po duket personaliteti i tij u ba që të shuhen shumë gjana dhe Guljelm Radoja të ishte në filmin “Gjurma “ te Kristaq Dhamos. Këtu filloj Guljelmi të lozi film…