More
    KreuLetërsiShënime mbi libraGrégory Peroche: Kadareja dhe Dantja

    Grégory Peroche: Kadareja dhe Dantja

    Edhe pse është, thuajse, e sigurt se çështja e ekzistencës konkrete të Ferrit do të vazhdojë të mbetet e hapur për shumë kohë, a do të thuhet vallë, më së fundi, disa dhjetëvjeçarë më pas, se njihen tri periudha madhore të sendërtimit letrar të tij: lashtësia me Homerin dhe Virgjilin, mesjeta me Danten; dhe, e fundit, koha jonë? Ka shumë të ngjarë të ndodhë kështu:

    (…) shekulli i njëzetë krijoi mundësinë e përtëritjes së temës së ferrit në letërsi. Miti i tij ka qenë shumë i fuqishëm qysh në Greqinë e lashtë dhe u ripërtëri, më vonë, në mesjetë. Kurse Dantja, megjithëse poet gjenial, e skematizoi atë. Me kalimin e kohës, miti e humbi forcën e vet ngaqë, së bashku me krishterimin, u kodifikua sipas klisheve, sipas moralit të epokës, ndërsa te grekët përfytyrimi i ferrit ishte më i vetvetishëm, më i lirshëm. Pas Dantes, miti i ferrit u përtëri në shekullin e njëzetë, sepse në këtë shekull u krijuan metrotë, kalimet nëntokësore… dhe sidomos një burokraci e tmerrshme, kampe përqendrimi dhe diktatura. (Ismaïl Kadaré, Entretiens avec Éric Faye, 1991, f. 63-64).

    Nga të gjithë shkrimtarët e mëdhenj të shekullit XX, Ismail Kadareja ngjan të ketë qenë ndër më të preokupuarit për këtë temë:

    Kishte kohë që më joshte projektimi i një skëterre. E dija që ishte e vështirë, për të mos thënë e pamundur që pas arkitektëve të mëdhenj të gjertanishëm, anonimëve egjiptianë, Homerit, Shën Agustinit, Dantes, të krijoja një projekt origjinal. Ndaj kur nisa të shkruaj “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave”, ose më saktë, kur isha duke menduar kapitujt e mesit, me një haré e frikë njëkohësisht, pashë se pa dashur po realizoja ëndrrën e vjetër: në të gjithë strukturën e romanit tim, si një plan i dytë, spikaste skëterra. Sa më shumë e mendoja, aq më i qartë më bëhej: Ishte njëlloj mbretërie e vdekjes, ku në mos ne vetë, ishte gjumi dhe ëndrrat tona, pra, një pjesë jona, që gjendej ndërkaq matanë, në kohën që ne ndodheshim këtej. Të gjitha elementet e ferrit të grekëve të vjetër ishin aty: terri, squllosja e trishtë  e gjithçkaje, ngrirja e kohërave, ecja e tyre mbrapsht, mbetja në vend. Ishin aty makthet, përpëlitjet e ndërgjegjes, mungesa e shpresës. Por sidomos ishte njëlloj shkallëzimi administrativ, sektorët nëpër të cilët kalonin, shoshiteshin e interpretoheshin ëndrrat, që e afronte edhe më shumë ngrehinën e Pallatit të Ëndrrave me strukturën e mëvonshme të ferrit dantesk. (Kadare, Ftesë në studio, f.175-176)  

    Na u duk me vend ta sjellim të plotë këtë citim të gjatë, me mendimin se edhe vetëm ai do të mjaftonte për shtrimin e problemit. Siç kemi treguar në një studim të mëparshëm (figurat e ëndrrës te Pallati i Ëndrrave: Eskili, Shekspiri dhe Kadareja, Revue de littérature générale et comparée, 1992/2, f. 16-26), Kadareja është një shkrimtar i ndërgjegjësuar për mundësitë e veta, si dhe shumë i sigurt për mjetet që përdor. Nisur nga një burim i pakundërshtueshëm, ne e dimë, tanimë, se ai e ka pas lexuar Komedia Hyjnore dhe ka medituar gjatë rreth saj:

    Dante Aligieri ishte aq gjenial saqë përftimi disi skematik e moralizues i Evropës së krishterë për skëterrën i shkaktoi atij dëmtimin më të paktë të mundshëm. Në të vërtetë, përfytyrimi i grekëve të vjetër për mbretërinë e hijeve ka qenë i zhveshur nga çdo klishe, kurse më pas kultura e krishterë evropiane si edhe ajo islamike, duke e skematizuar, e kanë varfëruar këtë bodrum të njerëzimit. Kështu, ndoshta shpjegohet që pas Dantes rrallëherë shkrimtarët e mëdhenj iu kthyen asaj. (Kadare, Ftesë në studio, f.174-175).

    Ç’lloj marrëdhëniesh imitimi apo krijimi letrar mund të vendosen midis një shkrimtari shqiptar të fundit të shekullit XX dhe një poeti fjorentin në kapërcyell të shekujve XIII dhe XIV? Sigurisht, këtu mund të vihen në dukje përkimet në rrafshin historik apo biografik: përvoja me pushtetin (e pavullnetshme në rastin e Kadaresë), teoria mbi forcën politike (Dantja ka shkruar një traktat me titull Mbi monarkinë) dhe, së fundi, përvoja e përbashkët e mërgimit (nga ku Dantja nuk u kthye kurrë). Por më bindëse janë ngjashmëritë në fushën e formës, të cilat përbëjnë njëherazi po aq tregues për një lexim të vëmendshëm. Kështu, p.sh., fraza:

    Kur Mark-Alemi e mbylli dosjen e trashë, iu duk se porsa ishte shkëputur nga një arë e pafundme gjithë gjelbërim e vesë, midis së cilës kurrsesi nuk të besohej se kishte qenë fshehur një nepërkë.

    Kadare, Pallati i Ëndrrave, f. 207

    I bën jehonë dy vargjeve të Dantes:

    Ai që i mshehun rri si gjarpni n’bar

    D. Aligeri, Ferri, VII, 84

    Mbi lule dhe mbi bar i mbrapshti shkiste

    D. Aligeri, Purgatori, VIII, 100

    Po ashtu, strofa trivargëshe:

    Isha si ai që mirë nuk ndihet

    Nga harresa e vizionit dhe rreket

    Më kot në kujtesën e vet ta rikthejë

    D. Aligeri, Parajsa, XXIII, 49-51

    shfaqet në këtë mënyrë në penën e Kadaresë:

    Edhe ato që janë ruajtur, një pjesë janë gjysma-gjysma, ashtu siç mundën të shkruheshin shpejt e shpejt herët në mëngjes.

    Pallati i Ëndrrave, f. 145

    Veç kësaj, shkrimtari shqiptar ka përmendur në romanin e tij Përbindëshi Kalin e Trojës. Kjo dredhi lufte i ka dhënë mundësi Dantes për të shtjelluar një nga teoritë e tij për historinë:

    M’u gjegj at’herë: “Po vuejnë n’atë zjarr mizuer

    Uliksi e Diomedi, puqas fare

    shpagimi i lidh si inati i rrebtë dikur;

    gjemojnë e fshajnë në flakën shkreptimtare

    për shkak t’dredhisë së kalit, që u ba derë

    nga duel fara e romakëve farë bujare.

    D. Aligeri, Ferri, XXVI, f. 55-60

    Gjithsesi, këto ngjasime të thjeshta vetëm sa dëshmojnë për një ndikim të pohuar haptazi gjetiu. Më së shumti, ato lejojnë të saktësojmë atë që, tanimë, ne e dimë. Veçse, kur ballafaqojmë mes tyre veprën e njërit me të tjetrit, vërejmë se ndërtohen marrëdhënie shumë më të thella.

    *   *   *

    Universi romanesk i Kadaresë përbëhet nga një numër i caktuar elementesh të lëvizshme, të kthyeshme, të ngritura në përbërës (invariante) letrarë që ruajnë kurdoherë të njëjtat veti (rapsodët, besa, hanet, ura…), të cilët i sigurojnë atij lidhjen e brendshme dhe njësinë (unitetin), çka janë shenja dalluese të një shkrimtari të madh:

    Përse më ka tërhequr aq shumë “Makbethi”? Në vepër bëhet fjalë për një krim shumë të veçantë: një njeri ka vrarë të ftuarin në shtëpinë e tij. Kur isha fëmijë, kisha dëgjuar të flitej shumë për një zakon shqiptar, besën, sipas së cilës të vrasësh njeriun që është bujtësi yt është krimi më i tmerrshëm në botë. Dhe prej asaj kohe, unë bëja vetiu një lidhje mes çdo personi që vinte në shtëpinë tonë dhe historisë së Makbethit. (Ismail Kadaré, Entretiens avec Éric Faye, 1991, f. 14)

    Besa është pasqyrimi i një organizimi shoqëror, i cili, në kohë të ndryshme, shfaqet sa në Ballkan dhe në Skoci apo në Itali. Dantja i ka vendosur tradhtarët e fjalës së dhënë, si dhe vrasësit e bujtësve të tyre, në një nga rrathët e fundit të Ferrit, ku gjenden dhe kriminelët më të tmerrshëm.

    (…) Siç pohon vetë Kadareja, shestimin e Ferrit, ai e ka sendërtuar te Pallati i Ëndrrave dhe, posaçërisht në kapitullin e pestë, i cili, megjithëse i vendosur në qendër (romani ka shtatë kapituj), përbën vatrën e vërtetë qendrore të veprës (ku paralelisht ndeshet ndikimi i Shekspirit). Edhe Arkivi përfaqëson një përbërës të përhershëm që ka të bëjë me burokracinë, qoftë ajo e kohës sonë apo e lashtësisë: 

    (…) më të mençurit, zbritën në dhomat  ku ruheshin arkivat e vjetra,  për të gjetur shkronjësin plak gjysmë të verbuar, Ipoourin. (Piramida, f. 10)

    (…) Gropa e varrit mund të ishte e një thellësie të respektueshme, por kishte edhe më thellë: pusi ku zbulohej një kufomë, përçartja e një vjehrre të çmendur apo dhe Arkivi i shtetit. (Piramida, f. 145, botimi francez)    

    Disa herë me radhë, Arkivi i Tabir Sarajt krahasohet me një ferr dhe me një pus:

    Si do të gdhihej ai midis këtyre mureve, sallave e bodrumeve të mbushura me ëndrra e delire të tmerrshme? (Kadare, Pallati i Ëndrrave, f.106)

    Deliret e mëdha, përsëriti me vete Mark-Alemi, pa i hequr sytë nga raftet. Gjer kur do të vërtitej në këtë ferr? (Po aty, f. 144)

    Të dal sa më parë që këndej, o perëndi, rënkonte me vete. Të ngjitem nga ky pus. (Po aty, f. 153)

    Ka të ngjarë që krahasimi me pusin t’i ketë shpëtuar Kadaresë. Në të vërtetë nuk thuhet gjëkundi se shërbimi i Arkivit ndahet në disa kate. Në të kundërt, në këtë formë paraqitet ferri i Dantes. Arkivi i Pallatit të Ëndrrave nuk është gjë tjetër veçse ferri i Komedisë Hyjnore në rrafshin horizontal. Kadareja e zëvendëson përmasën vertikale të poetit fjorentin me horizontalitetin e kësaj administrate, duke ruajtur gjithaq strukturën rrethore fillestare:

    Duke ecur ai zbuloi se galeria rrethore ndërpritej nga galeri të tjera, disa më të gjera, disa më të ngushta se ajo, por nuk guxoi të futej në asnjërën prej tyre për të mos u ngatërruar më keq. Po vij rrotull si kali në lëmë, tha me vete pas ndonjë gjysmë ore, kur iu duk se galeria rrethore e solli përsëri në pikën nga qe nisur. (Po aty, f.137)

    Arkivi, duke formuar bazamentin e Tabir Sarajit, ka një topografi rrethore, që është ajo e tërë ngrehinës. Për këtë bëhet fjalë shumë herët, kohë më parë se Mark-Alemi të dërgohet atje:

    Pas përpunimit në Sallën e Qiqrave, sasia e ëndrrave të pavlefshme, e paketuar në grumbuj të mëdhenj, i dorëzohej Arkivit, ndërsa sasia e vlefshme i nënshtrohej një përpunimi të ri qysh nga e para. (Po aty, f. 44-45)

    Kush mund t’i dijë sot punët e vërteta të Orakullit të Delfit? Dosjet e tij kanë humbur, ose, që të jem më i saktë, janë zhdukur (Po aty, f. 61)

    Tek-tuk ndonjëri linte tryezën e punës dhe me hapa të lehtë, duke u përpjekur të bënte sa më pak zhurmë, dilte nga dera. Me siguri zbrisnin poshtë në Arkiv, për t’u konsultuar me zbërthime ëndrrash të ngjashme, të bëra më parë, disa herë në kohë të vjetra, nga shkoqitës të shquar. (Po aty, f. 85)  

    Arkivi përmendet sërish aty nga fundi i romanit, kur Mark-Alemi është bërë zoti i Pallatit të Ëndrrave:

    Një ditë, ashtu papritur, u ngrit nga tryeza e punës dhe me hapa të ngadaltë zbriti poshtë në Arkiv. (Po aty, f. 206)

    Bëhet fjalë për Arkivin e mbarë njerëzimit, dhe jo vetëm të Perandorisë osmane (që gjithsesi numëronte disa milionë shpirtra ëndrraparës). Ndaj dhe është e udhës të shmangen përpjekjet ndonjëherë të ngutura për njëjësim:

    Diku në të majtë, larg nëpër mjegull, një orë, si ta bënte për vetveten, lëshoi tingujt e saj të bronztë. Saktësia bie menjëherë në sy, është fjala për qytetin tuaj! (Éric Faye, Entretiens, f. 106)

    Gjatë zhytjes nëpër dosje, Mark-Alemi zbret, në të vërtetë, në vendin ku janë grumbulluar ëndrrat e tërë botës njerëzore:

    Në ato dosje ishte gjumi i botës, ai oqean llahtari, mbi humnerën e të cilit ata përpiqeshin të spikatnin ca shenjëza të humbëta, ca sinjale. (Pallati i Ëndrrave, f. 85-86)

    (…) kurse nga të dyja anët çoheshin muret e shurdhëta të galerive prapa të cilave në mijëra e mijëra dosje ishte gjumi i botës. (Po aty, f. 152)

    Arkivi është vendi i vdekjes, i njëlloj gjumi “në katror”:

    Në qoftë se Tabir Saraji është  si një gjumë në krahasim me jetën, Arkivi është një gjumë edhe më i rëndë brenda Tabirit. (Po aty, f. 140)

    E çpret tjetër të vijë nga viset e gjumit? kishte vazhduar tjetri. Ato janë pothuajse njëlloj me viset e vdekjes. (Po aty, f. 92)

    Ashtu si te Dantja, lipset një udhërrëfyes. Mark-Alemi, pa e kuptuar, e ka gjetur të vetin, të cilin Kadareja e përshkruan si më poshtë:

    Ishte një fytyrë e gjatë, e kuqërremtë, me ca mollëza të mëdha prej njeriu të mirë. (Po aty, f. 29)

     Ai shëmbëllen me një Virgjil tepër burlesk, babaxhan dhe pa kurrfarë madhështie. Kur Mark-Alemi e takon atë, ai përjeton të njëjtën tronditje, si dhe Dantja:  

    Njëfarë inati i brendshëm e bëri të ecte më shpejtë dhe në ecje e sipër, me lëvizje të vrullshme, pa trokitur fare, me një farë mllefi, që s’dinte as vetë nga i vinte, u mëshonte dorezave të hekurta. Kishte një dëshirë të marrë që t’i godiste me shkelm ato dyer memece. Dhe, me siguri, kështu do të ndodhte, sikur, tamam atëherë kur s’e priste, njëra nga dyert të mos hapej në mënyrë të beftë nën shtytjen e tij. (Po aty, f. 138)

    Ndërsa unë tatëpjetë isha tue shkitë

    përpara sysh m’u çfaq një farë shajnije

    zanin heshtja e gjatë ia kish venitë

    Kur unë e pashë me sy n’atë log shkretie,

    brita: “Mëshirë të kesh për mue, aman,

    kushdo ti qofsh, njeri i gjallë o hije!”

    E ai: “Nuk jam, por qeshë njeri tamam,

    lombardas prindët pata porsi fare

    e si atdhe të dy qenë mantovan”.

    D. Aligeri, Ferri, I, 61-69

    Nuk është vetëm organizimi vertikal i Dantes që shndërrohet te Kadareja në një organizim horizontal, por dhe vetë Arkivi të kujton gjeografinë e Ferrit. Seksioni i caktuar për “popujt gjaurë” është, sipas këndvështrimit osman, barasvlerësi i pjesës së Ferrit, të rezervuar për myslimanët dhe për të papagëzuarit:

    Unë jam Virgjili; jo prej mbrapshtisë

    qiellin kam humbë, por veç se s’kam besuem

    Dante Aligeri, Purgatori, VII, 7-8

    Këta s’mëkatuen, e gjithashtu s’mjafton

    që kanë merita, mbasi s’u pagzuen;

    pagzimi asht porta e fesë që ti beson.

    D.Aligeri, Ferri, IV, 34-36

      Më pastaj, sipas renditjes nga më e hershmja te më e largëta në kohë, janë vendosur:

    Krizat ekonomike, zhvleftësimet e monedhës, renta e çifligjeve, bankat, falimentimet, të gjitha janë grumbulluar këtu. (Po aty, f. 143)

    si dhe përbetimet. Grushtet e shtetit, të shtypura që në vezë. Spicat kundër fesë. (Po aty, f. 143)

    Gjithë kjo gjendet tashmë në veprën e Dantes.

    D. Aligeri, Ferri, XXX, 58-75

    Tradhtarët e vendit të tyre i gjejmë në këngët XXXII dhe XXXIII të Ferrit, kurse kënga V e Ferrit dhe ato XXVI-XXVII të Purgatorit, ku flitet për mëkatarët e epshit, përkojnë me seksionet e ëndrrave erotike.

    E gjithë kjo kthinë dhe të tjera ngjitur me të janë të mbushura me to. (Po aty, f. 143)

    Ndryshimi kryesor ka të bëjë me faktin se Kadareja nuk përshkruan ferrin e individëve apo të shpirtrave, por të ëndrrave dhe të shteteve, që kanë zënë vendin e tyre; një ferr shtetesh të ndryshëm, të ndarë sipas madhësisë, të rigrupuar, në pritje për “të rilindur”.

    Pjesën tjetër të tekstit e zinte përshkrimi i ferrit, një ferr tjetërlloj, jo me njerëz, por me shtete të vdekura. Trupat e tyre shtriheshin të ngathët pranë njëri-tjetrit: perandorira, emirate, republika, mbretëri konstitucionale, konfederata. (Po aty, f. 101)

    Tabir Saraji është një institucion i kushtuar tërësisht interpretimit të ëndrrave, çka nuk duhet ngatërruar me kuptimin e thjeshtëzuar të “çelësit të ëndrrave”:

    Interpretimi i Tabirit është më lart, shumë më lart se të gjitha këto. Në të vepron një tjetër logjikë dhe të tjera simbole dhe ndërlidhje simbolesh. (Po aty, f. 76)

    Kjo të kujton kalimthi katër nivelet e hermeneutikës së përdorur nga Dantja te Banketi: fjalë për fjalë, alegorik, moral dhe anagogjik.  Kështu, ëndrra e mëposhtme:

    një grue memece n’andërr un e sodita

    me sy të vengërt, kambët të shtrembnueme,

    me duert cung e faqet si t’përhita.

    D. Aligeri, Purgatori, XIX, 7-9

    është dukshëm alegorike.

    Puna e parë e përpunimit administrativ është të dallojë interesin që paraqet çdo ëndërr. Parapëlqehen më shumë ëndrrat e para kur zbardh dita:

    Por n’qoftë se del çka në mëngjez andrrohet.

    D. Aligeri, Ferri, XXVI, 7

    Shërbimet e Tabir Sarajit, gjithsesi, nuk janë asnjëherë të sigurta, se në raportin e hartuar, zotërojnë përshkrimin e plotë të ëndrrave.

    Vepra e Kadaresë, si dhe ajo e Dantes, dallohet për një sens të thellë historik (madje me të drejtë është shkruar se mendimi filozofik i Virgjilit për historinë e tërhiqte së tepërmi Danten). Ndaj nuk është kurrsesi rastësi nëse, në qendër të Arkivit ndodhet ëndrra e betejës së Kosovës. Ne kemi treguar në një studim tjetër se përfytyrimi i princit Çelebi mbi kalin e çmendur vjen nga Makbethi. Madje ky vizion është i kthyeshëm. Zotërohen fare pak të dhëna për këtë betejë të humbur, zhvilluar në qershor të vitit 1389, e cila “ka lënë gjurmë të thella në imagjinatën sllave, duke i kushtuar asaj shumë epope të lavdishme”

    Marrë nga libri Histoire de la Croatie et des nations slaves du Sud, 1992, f. 82

    Përktheu Ilia Lëngu

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË