More
    KreuLetërsiBibliotekë"Gratë holandeze" tregim nga Hajri Shaqiri

    “Gratë holandeze” tregim nga Hajri Shaqiri

    Ai vjen zakonisht i veshur me kostum të bardhë në ëmbëltoren në qendër të qytezës dhe ulet në karrigen prej hekuri, të stilit barok, të mbuluar me shilte të disenjit floral. Porosit kafenë e tij turke të shoqëruar me llokum dhe ujë, ndez puron e trashë kubaneze dhe, në fund hap gazetën ditore të formatit të madh. Duke hequr hurbat e kafesë në qetësi, i përkëdhelur nga rrezet e ngrohta të pasditës dhe i rrahur nga era e lehtë e liqenit bën një, si të thuash, parapërgaditje psiqike për të hyrë më vonë në godinën e gurtë karshi ëmbëltores mbi derën e së cilës qëndron mbishkrimi, “Klubi relaksues Madam Lulu”. Atij nuk i pengon fare që, të gjithë banorët e qytezes, fëmijë e të rritur, derën e purpurt të godinës së ndërtuar kush e di në ç’kohë, e njohin si derë të bordelit të qytetit, të cilin e kishte hapur një ditë gruaja që ata e dinë vetëm me emrin e saj artistik. Nuk i pengon edhe fakti që të gjitha femrat e shtëpisë që viziton, poashtu mbajnë emra artistikë, për të mos thënë të rrejshëm, kryesisht të origjinës franceze. Për të është me rëndësi të hyjë duke përshëndetur fillimisht me kujdes e buzagaz të gjitha kurtizanat e shtëpisë, madje me heqje kapele. Të ngjitet shkallëve, të marrë rrugën drejt dhomës së tretë djathtas, në mbarim të korridorit të ngushtë të ndriçuar me një dritë të kuqe, të trokasë në derë dhe pasi të dëgjojë zërin e butë që i thotë “urdhëro”, të futet brenda dhe të shkrihet i tëri nga pamja që i del përpara. Por më e rëndësishme se kaq është koha prej orës tetëmbëdhjetë e tridhjetë minuta deri në orën nëntëmbëdhjetë e tridhjetë minuta që e preferuara e tij, Mimi, ashtu siç ndodh zakonisht, e ndan vetëm me të. Brenda kësaj kohe, ata ndonjëherë  bëjnë edhe dashuri, por në të shumtën e rasteve, bëjnë vetëm muhabet.

    Disa, të ndikuar mbase nga letërsia, e quajtën (sipas titullit të një romani) “Amerikani i qetë”, jo se ky kishte ndonjë ngjajshmëri të madhe me personazhin e romanit, por këtyre u dukej i mjaftë fakti që ishte një i kthyer nga Amerika, pa çka se ishte shqiptar dhe nuk i ngjante shume njeriut nga libri. Kështu e quanin edhe shumë të tjerë që nuk e kishin lexuar librin, madje edhe ata që nuk e dinin fare se mund të ekzistonte një libër i tillë dhe, për çudi, kështu e thërrisnin edhe të tjerë që nuk ishin të paktë në numër e që nuk dinin të lexonin fare. Megjithatë, marrë në përgjithësi, ishte më i madh numri i atyre që i thoshin, Borsalino, për shkak të llojit të kapeles që mbante dhe më shumë për shkak të një filmi të vjetër francez në të cilin luante Belmondo legjendar, e që mbante në kokë pikërisht këtë lloj kapele. Me të edhe mund të kishte ndonjë ngjajshmeri fizike, por edhe po të mos ishte kështu, banorët e qytezës do t’i ngjitnin ndonjë nofkë nga të tjera libra dhe të tjerë filma, se ata kështu vepronin gjithmonë me personat që u binin në sy.

    Tek vështronte sytë bojë qielli dhe buzëqeshjen e ngrirë  që lakohej butësisht përpjetë në njërin cep të buzëve dhe si pasojë krijonte një gropëz të vogël në faqen e saj të djathtë, atij i erdhi një dëshirë e pafrenueshme për t’i bërë një pyetje: “Flokët, gjithmonë kështu i mban, të gjata?” Megjithëse dëshira që i erdhi nga brenda mund të krahasohej me një valë gjigante që, po ta hapte gojën, do të dilte dhe do të vërshonte çdo gjë që mund të gjente përpara, ai prapëseprapë zgjodhi mundësinë të mos fliste. Dhe nuk foli ngaqë mendoi se kjo do të ishte nga pyetjet më të kota dhe më naive që do t’ia kishte shtruar ndonjëherë dikujt. Nga ana tjetër, ç’është e vërteta, mund të përplasej me një reagim të ashpër, siç ndodh zakonisht kur dikush dëshiron ta mbyllë ose të mos e hapë fare një bisedë për të cilën mendon se nuk ia vlen. Fundja, ajo mund t’i përgjigjej, ta zëmë, poashtu me një pyetje fare të shkurtër: “Ç’të ha ty për flokët e mi”, duke ia prerë në këtë mënyrë të gjitha shpresat që mund t’i kishte ushqyer deri në atë çast. Pikërisht kështu mund të niste por njëkohësisht edhe të mbaronte biseda e tyre dhe një gjë të tillë, thënë sinqerisht, ai nuk e dëshironte

     I erdhi mirë që buzëqeshja e saj, megjithatë,  nuk ishte prishur dhe shikimi magjik që dilte nga sytë bojë qielli të vendosur në fytyrën e bardhë të përshkuar me ca pika në të dyja anët e hundës së përsosur, vazhdonte të depërtonte tej për tej trupin e tij. Kjo i krijonte një ndjesi drithëruese dhe të ngrohtë. Mendimi se ajo në të vërtetë nuk ishte hidhëruar fare ngase nuk kishte përse ta bënte një gjë të tillë, iu duk më i arsyeshmi nga të gjitha mendimet që e patën sulmuar në atë çast. Dhe për të dalë nga pozita e palakmueshme në të cilën kishte rënë, shfajsoi veten përfundimisht me faktin se ai nuk e kishte ngacmar gruan e panjohur në asnjë rast, me kurrfarë pyetjesh, të kota ose më pak të kota. Madje mendoi se ajo ishte e lumtur që rrinte në atë tavolinë, pranë tij.

    E kapi veten të paaftë tek përpiqej të hapte  bisedë me një grua të huaj. Dhe kjo përpjekje e tij sa shkonte koha bëhej më e vështirë dhe më e pamundur, sidomos kur ballafaqohej me faktin e pakapërcyeshëm se femra, që ishte futur padiktueshëm në zemrën e tij, në të vërtetë ishte një imazh gruaje që e kishin ngrirë në një fotografi dhe pastaj botuesit e kishin hedhur në një faqe të gazetës, bashkë me ca shkronja.  Ai mund të fliste sa të donte dhe mund të shtronte çfarëdo pyetjesh, delikate dhe më pak delikate, por nga ajo grua nuk do të mirrte asnjë përgjigje. Në fund, përkundër dëshirës së tij, iu bind të vërtetës së pamohueshme se fotografitë në gazeta, megjithatë, nuk flasin.

    Hoqi vështrimin nga gruaja nudo dhe mbërtheu me të tekstin e shkurtër në të djathtë të fotografisë bashkë me titullin e çuditshëm sipër tij. E lexoi me një frymë dhe u zbraps, madje mund të thuhet se u trondit në një shkallë brengosëse. Ishte hera e pare që shqetësohej kaq fort  për një shkrim të dalë në gazetë. Një kompani japoneze pretendon se ka arritur nivelin më të lartë të mundshëm në prodhimin e kukullave për seks, që ngjajnë shumë me njerëzit. Kukullat vijnë të kompletuara me ndjesinë e lëkurës së vërtetë dhe me sy që ngjajnë si autentikë. Kompania Orient Industry thotë se kukullat e silikonit dallojnë pak nga vajzat e vërteta. Ato kushtojnë rreth njëmijëeshtatëqind dollarë dhe vijnë nën emrin Gratë Holandeze. Ky është termi që përdorin japonezët për kukullat e seksit. Kompania thotë se të dhënat nga shitjet fillestare flasin për një sukses të jashtëzakonshëm”. Pikërisht kështu thuhej në lajmin e shkurtër të agjencisë së huaj që e lexoi tri herë rradhazi me shpresën se do ta hiqte lëmshin që iu ngarërrua në kokë. Përkundër kësaj ky lëmsh bëhej gjithnjë e më i madh dhe ngatërrohej edhe më shumë aq sa dikur, me ndjesinë se i nënshtrohej një presioni të paparë psiqik të një kompanie robotësh dhe të një botuesi gazetash, e pa të udhës t’i hynte një analize, brenda së cilës, duhej doemos të zgjidhte dilemën që i ishte shfaqur papritur atë ditë. Vetëm pak më parë ai mendonte se gruan e shtëpisë së gurtë që kishte përballë, nuk do ta kishte ndërruar me asnjë femër tjetër në botë, por ndjeu sikur po zbehej ky mendim. Përkundër përpjekjeve për ta hedhur në harresë lajmin, të dhënat në të, që thoshin se kukullat për seks ngjanin shumë me njerëzit dhe se ato, kishin arritur një sukses të jashtëzakonshëm në treg madje nuk kushtonin më shumë se njëmijëeshtatëqind dollarë,  ishin prova të fuqishme që e pengonin të bënte një gjë të tillë. Tymin e puros filloi ta hiqte më shpesh dhe më gjatë se zakonisht, ndërkaq filxhanin e kafesë e boshatisi me një të rrufitur dhe për çudi, zbrazi edhe gotën me ujë, të cilën herave të tjera e kthente pa e prekur fare. Gratë holandeze”,belbëzoinëpër dhëmbëme ndjesinë sikur futi në gojë titullin e çuditshëm të lajmit për ta përtypur me ca shtrëngime të fuqishme nofullash me shpresën se në ketë mënyrë do të vinte më shpejt deri tek e vërteta që kërkonte.

    Gruja e bukur, doli padiktueshëm nga fotografia, si në mjegull, bashkë me buzëqeshjen që krijonte një birë të vogël në faqen e saj të djathtë dhe u shfaq para tij. Tek qëndronte e shtrirë në krevat dhe e mbuluar vetëm me një çarçaf të rëndë sateni të kuq, pa e prishur buzëqeshjen fare, lëvizi krahun dhe çarçafi i butë rrëshqiti për të krijuar poshtë krevatit një grumbull që ngjau me një turrë drush që sapo kishin marrë flakë. Dhe flakët që filluan të vallëzonin rreth e përqark lojën e tyre përvëluese u futën shumë shpejt në trupin e tij. U përshkua nga një vrull i parezistueshëm sensualiteti dhe ndjeu tek po shndërrohej në një  hamshor të fuqishëm, të tërbuar, të egër dhe të papërmbajtur, i gatshëm t’i hidhej asaj gruaje përnjëherë, pa humbur kohë. Situata u ndez edhe më shumë kur mbi krevat u ngrit lartë një gisht që herë shtrihej në drjtim të tij dhe herë mblidhej ngadalë në pëllëmbën e dorës së butë të gruas që vazhdonte të qëndronte e shtrirë. Ajo kërkonte t’i afrohej. Por ç’ishte ajo që ia mirrte kurajën dhe nuk e linte ta bënte atë që e dëshironte me aq zjarr?  Ndjeu një pasiguri një…si frikë, më saktë, iu shfaq një hamendje nëse duhej të shkonte dhe të shtrihej pranë saj. Ajo pastaj e thërriti me zë të butë dhe pëshpëritës:  Borsalino…Borsalino…!Ai s’lëvizte, s’bënte dot as edhe një hap. Zëri i qetë dhe i heshtur sa shkonte e bëhej më i fuqishëm, për t’u shndërruar  në fund në një tingëllimë shurdhuese: “Borsalinoooo! 

    Kur hodhi shikimin matanë rrugës ndjeu se nuk ishte përmend plotësisht nga kotja që s’kishte zgjatur më shumë se disa sekonda, aq sa kishte zgjatur edhe ëndrra e bukur që po e braktiste kundër dëshirës së tij. Sytë i kapën gruan që qëndronte para derës së purpurt dhe duke vënë në punë të dyja duart, me gishtin tregues të dorës së djathtë hipi disa herë mbi dorën e majtë, në vendin ku zakonisht qëndron ora. Me një habi të dukshme në fytyrë, alarmonte për kohën që po kapërcente. Borsalino u ngrit në këmbë dhe i bindur se shkronjat që kishte lexuar pak më parë i ishin ngjitur nëpër trup si pleshta të egër dhe po fillonin ta hanin, bëri sikur u shkund mbi gazetë, njësoj siç shkundet qeni pasi të dalë nga uji ku e ka hedhur dikush pa vullnetin e tij. Hoqi kapelën. E shkundi edhe atë. Pastaj mori gazetën, e mbështolli duke bërë me të një top letre dhe e hodhi në kosh. U nis buzagaz kah dera e purpurt, pa qenë tërësisht i sigurt nëse kishte pastruar dilemën që i ishte shfaqur atë pasdite…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË