More
    KreuLetërsiBibliotekëGraham Greene: Një aksident shokues

    Graham Greene: Një aksident shokues

    Përktheu nga origjinali Aristidh Shqevi

    Të enjten në mëngjes, në pushimin e vogël midis orës së parë dhe të dytë, Xheromit i kërkuan të paraqitej në drejtorinë e shkollës. Ai nuk u shqetësua aspak ngaqë kishte marrë titullin e kujdestarit – të cilin, pronari dhe drejtori i një shkolle mjaft të shtrenjtë jo-publike kishte zgjedhuar dhe miratuar që t’iu jepej djemve të besueshëm të klasave të ulëta (nga kujdestar kaloje në mbrojtës dhe përpara se të largoheshe nga shkolla për të studjuar, ashtu siç shpresohej, në Marlborough ose në Rugby, përfundoje si kryqtar. Drejtori, zoti Wordswoth, qëndronte ulur në tavolinën e punës i shtangur dhe disi i frikësuar. Xheromit i bëri përshtypje që prania e tij në zyrë kishte shkaktuar frikë.

    ‘Uluni, Xherom,’ tha zoti Wordsworth. ‘Gjithçka në rregull me trigonometrinë?’

    ‘Po, zotëri.’

    ‘Xherom, sapo më morën në telefon. Ishte halla juaj. Më vjen keq, por kam një lajm të keq për ty.’

    ‘Si urdhëroni, zotëri.’

    ‘Babai yt ka pësuar aksident.’

    ‘Oh.’

    Zoti Wordsworth e shikoi me njëfarë çudie. ‘Një aksident të rëndë.’

    ‘Domethënë, zotëri?’

    Xheromi e adhuronte babanë: folja e përdorur këtu është më se e saktë. Ashtu si njeriu rikrijon figurën e Zotit, Xheromi rikrijonte figurën e babait – nga një autor të ve, në një aventurier të mistershëm që udhëtonte në vende të largëta – Nice, Beirut, Majorca, e deri në ishujt Kanarje. Përafërsisht në moshën tetë vjeçare, Xheromi besonte se i ati ‘merrej me tregti armësh’ ose punonte për Shërbimet Sekrete Britanike. Në atë çast ai ishte i mendimit se babai do të ishte plagosur nga ‘breshëria e plumbave të një mitralozi’.

    Zoti Wordsworth nisi të luajë me vizoren që ndodhej mbi tavolinë. Dukej sikur e kishte humbur dhe nuk dinte nga t’ia fillonte.

    ‘Ti e di se babai ishte në Napoli, apo jo?’ tha ai.

    ‘Si urdhëroni, zotëri.’

    ‘Sot, spitali njoftoi hallën tuaj.’

    ‘Oh.’

    ‘Aksidenti ndodhi në rrugë,’ tha Zoti Wordsworth me dëshpërim.

    ‘Më tej, zotëri?’ Sipas mendjes së Xheromit dhe sipas gjasës ata do ta paraqisnin aksidentin si një aksident rruge. Sigurisht që në fillim do të kishte qëlluar policia; ai ishte i bindur se babai i tij kurrsesi nuk do të merrte jetë njeriu, me përjashtim të rastit nëse nuk do të kishte rrugë tjetër.

    ‘Kam frikë se babai yt është plagosur vërtet rëndë.’

    ‘Mos.’

    ‘Në të vërtetë, Xherom, ai ndërroi jetë dje. Pa kurrfarë dhimbje.’

    ‘Në zemër e morën plumbat?’

    ‘Xherom, babanë tënd nuk e qëlloi askush. Atij i ra një derr mbi kokë.’ Një spazmë e pashpjegueshme kapi nervat e fytyrës së zotit Wordsworth; në të vërtetë, u duk sikur ai ishte gati për të shpërthyer në të qeshura. Ai mbylli sytë, u qetësua dhe sikur ta kishte të nevojshme që ta hiqte qafe historinë e aksidentit sa më parë që të ishte e mundur, tha me shpejtësi, ‘Babait tënd i ra një derr mbi kokë teksa po ecte përgjatë një rruge në Napoli. Një aksident shokues ky. Mesa duket në lagjet e varfra të Napolit njerëzit mbajnë derra nëpër ballkone. Derri që ta vrau babanë ishte në katin e pestë. Ishte majmur jashtë mase. Ballkoni u shemb. Derri e goditi në kokë.

    Zoti Wordsworth u ngrit nga tavolina, dhe iu afrua me shpejtësi dritares duke i kthyer shpinën Xheromit. Trupi iu drodh pak nga emocioni.

    ‘Po me derrin ç’u bë?’ pyeti Xheromi.

    Kjo nuk ishte mungesë ndjeshmërie nga ana e tij, siç zoti Wordsworth ia interpretoi kolegëve (ai madje diskutoi me ta se, ndoshta, Xheromi nuk e meritonte titullin e kujdestarit të klasës). Xheromi po përpiqej ta përfytyronte skenën e çuditshme me detajet e saj të sakta. Ai nuk ishte djalë që derdhte lot, por dikush që zhytej në mendime; ja përse, atij as që i ra ndërmend për sa kohë që ishte në shkollë, se rrethanat e vdekjes të së atit, ishin komike – ato ishin ende pjesë e misterit të vetë jetës. Vetëm më vonë, gjatë semestrit të parë në shkollën publike, teksa i tregonte historinë e babit shokut të tij të ngushtë, ai vuri re se si reagonin të tjerët. Natyrisht, pas zbulimit të këtij fakti, në një mënyrë krejt të paarsyeshme atë filluan ta thërrisnin, Derri.

    Për fat të keq, halla e tij nuk kishte fare humor. Mbi piano kishte një foto të zmadhuar të babait; një burrë trupmadh e i trishtuar, me një kostum të errët që nuk i shkonte aspak, kishte pozuar në Capri me një çadër në dorë (për t’u ruajtur nga pika e diellit), ndërkohë që në sfond dukeshin shkëmbinjtë Faraglioni. Në moshën 16-të vjeçare, Xheromi ishte i vetëdijshëm se portreti i të atit dukej më tepër si ai i autorit të Sunshine and Shade dhe Rambles in the Balearics se sa një portret i një agjenti të Shërbimeve Sekrete. Gjithsesi, kujtimin e të atit ai e mbante në zemër: akoma ruante një album me kartolina (pullat e postës së të cilave kishte kohë që i kishte hequr për koleksionin e tij), por gjithmonë i dhimbe në shpirt kur halla niste avazin dhe i tregonte të huajve historinë e vdekjes së babait.

    ‘Një aksident shokues,’ fillonte ajo, ndërsa i huaji mblidhte veten e tiparet dhe merrte një pamje të pranueshme për të treguar interes dhe përdëllim. Të dyja reagimet, sigurisht, ishin të shtira, por për Xheromin ishte e tmerrshme kur shikonte se si aty nga mesi i një bisede të hardallosur, interesi kthehej në një interes të sinqertë. ‘Nuk e imagjinoj dot se si mund të lejohen gjëra të tilla në një vend të civilizuar,’ e kishte bërë zakon të thoshte halla. ‘Ma do mendja se Italinë duhet ta konsiderosh një vend të civilizuar. Kuptohet se, kur ndodhesh jashtë shtetit, natyrisht që duhet të jesh i përgatitur për çdo gjë, im vëlla, ama, ishte një udhëtar i madh. Ai gjithmonë mbante një filtër-uji me vete. E kupton, i bie më lirë kështu, sesa të blesh shishe me ujë mineral. Im vëlla thoshte se verën e drekës ia paguante filtri i ujit. Vetëm nga ky fakt e kupton se sa njeri i kujdesshëm ishte ai, por kush mund ta merrte me mend se teksa ecte përgjatë rrugës Dottore Manuele Panucci për të shkuar te Muzeu Hidrografik, një derr do t’i binte mbi kokë?’ Ishte pikërisht ky momenti kur interesi kthehej me të vërtetë në një interes të sinqertë.

              Babai i Xheromit nuk kishte qenë ndonjë shkrimtar i shquar, por pas vdekjes së një autori, koha me sa duket vjen gjithmonë për dikë që ta shprehë mendimin e vet se ia vlen t’i drejtohesh me një letër gazetës The Times Literary Supplement me qëllim që ta njoftojë atë për përgatitjen e një shkrimi biografik, si dhe për të kërkuar që t’i lihen në dispozicion letra e dokumente të mundshme, pa lënë mënjanë ndodhi në lidhje me të ndjerin që mund të mblidhen nga miqtë e tij. Shumica e biografive, natyrisht, nuk e shikojnë dritën e botimit – gjë që të bën të të brejë mëdyshja se e gjitha kjo nuk është gjë tjetër veçse një formë e errët shantazhi, dhe se shumë shkrimtarë që aspirojnë të shkruajnë një biografi apo një tezë të caktuar, në këtë mënyrë gjejnë mjetin për ta arritur qëllimin e tyre, domethënë, t’i mbarojnë studimet në Kansas ose në Nottingham. Xheromi, sidoqoftë, si një ekonomist i licencuar, nuk kishte lidhje me botën letrare. Ai nuk arrinte ta kuptonte se kanosja, në të vërtetë, ishte shumë e vogël dhe se periudha e rrezikut për dikë të panjohur si i ati, kishte kaluar me kohë. Hera-herës ai përsëriste mënyrën e të rrëfyerit të rrethanave të vdekjes së babait me qëllim që ta minimizonte në maksimum elementin komik deri në përmasat e tij më të vogla – ta refuzonte dhënien e informacionit nuk do të kishte kuptim, sepse në atë rast, autori i biografisë do t’i drejtohej hallës së tij, e cila tashmë ishte në një moshë shumë të madhe, edhe pse ajo akoma nuk kishte dhënë shenja rënie.

    Sipas Xheromit, metodat e mundshme ishin dy – e para të çonte gradualisht te aksidenti, për pasojë, në momentin që bëhej përshkrimi, lexuesi ishte përgatitur aq mirë, saqë vdekja vinte vërtet në formën e një antiklimaksi. Rreziku kryesor që mund ta shkaktonte të qeshurën në një histori të tillë ishte gjithmonë befasia. Pasi përsëriste metodën, Xheromi niste rrëfimin në një mënyrë mjaft të mërzitshme.

              ‘Besoj se keni njohuri për Napoli-n dhe godinat e tij të larta, apo jo? Dikush më tha njëherë se napolitani e ndjen veten si në shtëpinë e tij në New York, ashtu si banori i Torinos e ndjen veten si në shtëpinë e tij në Londër, për arsye se lumi i përshkon të dy qytetet në të njëjtën mënyrë. Ku e lashë? A, po. Sigurisht, Napoli. Do të habiteshit me gjërat që njerëzit mbajnë në ballkonet e pallateve që lartësohen si caklarta në lagjet e varfra – nuk janë teshat e lara, e kuptoni, as çarçafët, por gjëja e gjallë, zogjtë e pulës, madje dhe derrat. Sigurisht, derrat i mbajnë aty gjithë kohës dhe, për pasojë, ato majmen shumë shpejt.’ Ai e imagjinonte se si në këto çaste dëgjuesit i visheshin sytë. ‘Unë nuk e kam idenë se sa mund të peshojë një derr, po ti? Sidoqoftë, godinat janë në një gjendje shumë të keqe dhe kanë nevojë për riparim. Një ballkon në katin e pestë u shemb nga pesha e një derri. Gjatë rënies, ai goditi ballkonin e katit të tretë dhe në një farë mënyre, bëri pizgërr dhe përfundoi në rrugë. Në çastin kur u godit nga derri, im atë ishte në rrugë e sipër drejt Muzeut Hidrografik. Duke rënë nga një lartësi dhe një kënd i tillë, derri ia theu zverkun.’ Kjo ishte me të vërtetë një përpjekje mjeshtërore për ta bërë të mërzitshme një temë që ishte qenësisht interesante.

    Metoda tjetër të cilën Xheromi përsëriti mishërohej nga virtyti i shkurtësisë.

    ‘Shkaku i humbjes së jetës së babait ishte një derr.’

    ‘Vërtet? Në Indi?’

    ‘Jo, në Itali.’

    ‘Shumë interesante, nuk e dija se në Itali zhvillohej gjuetia e derrave me heshta. A merrej yt atë me polo?’

    Me kalimin e kohës, as herët dhe as vonë, më tepër në funksionin e tij se ekonomist i licencuar, pasi studioi të dhënat dhe bëri llogaritë, Xheromi u fejua dhe hodhi kështu hapin e parë drejt martesës: me një vajzë 24 vjeçare, të këndshme e me fytyrë të njomë, babai i së cilës punonte si mjek në Pinner. Ajo quhej Sally; shkrimtari i saj i preferuar vazhdonte të ishte Hugh Walpole, ndërsa bebat kishte filluar t’i adhuronte që nga momenti kur, në moshën pesë vjeçare, i kishin dhuruar një kukull e cila hapte e mbyllte sytë dhe urinonte. Ata ishin të kënaqur me marrëdhënien e tyre, por nuk është se ishin të entuziazmuar, ashtu siç ndodhte zakonisht me marrëdhëniet e dashurisë së një ekonomisti të licencuar; Marrëdhënie midis tyre nuk do të kishte pasur kurrë, nëse vetë marrëdhënia do të ndërhynte te shifrat.

    Sidoqoftë, një mendim i vetëm e shqetësonte Xheromin. Tani që brenda një viti ai vetë mund të bëhej baba, dashuria për të atin e ndjerë vazhdimisht i rritej; ai e kuptonte shumë mirë se, në kartolinat që babai i kishte dërguar ndër vite, ishte investuar një dashuri e madhe. Ai provonte një dashuri dhe dhembje shpirtërore për të dalë në mbrojtje të kujtimit të tij, por ishte i pasigurt nëse dashuria e tij e heshtur për Sally-n do të mbijetonte sikur të ndodhte që ajo të tregonte një mungesë ndjeshmërie e të qeshte në momentin që do të mësonte rrethanat e vdekjes së babait. Në mënyrë të pashmangshme Sally do t’i mësonte ato rrethana ditën që Xheromi do ta çonte për drekë te halla. Meqenëse ajo mezi priste të mësonte gjithçka në lidhje me të, Xheromi u bë disa herë gati t’ia tregonte vetë historinë e babait.

    ‘Ishit vocërrak kur babi ndërroi jetë?’

    ‘Vetëm nëntë vjeç.’

    ‘Sa keq më vjen,’ tha ajo.

    ‘Isha në shkollë. Aty ma dhanë lajmin e zi’.

    ‘Të ra si bombë?’

    ‘Nuk e mbaj mend.’

    ‘Nuk ma ke thënë asnjëherë se si ndodhi.’

    ‘Ishte diçka e papritur. Një aksident në rrugë.’

    ‘Xhemi, kurrë nuk do ta ngasësh makinën me shpejtësi, apo jo?’ (Ajo kishte nisur ta thërriste Xhemi.) Tashmë ishte tepër vonë për t’iu drejtuar metodës së dytë – atë që ai e konsideronte gjuetinë e derrave me heshta.

    ‘Ata do të martoheshin së shpejti pa zhurmë në gjendjen civile, ndërsa muajin e mjaltit do ta kalonin në Torquay. Vizitën te halla ai e shmangu deri një javë para dasmës, por ja, mbrëmja e vizitës erdhi; Xheromi nuk ishte në gjendje ta përcaktonte nëse i druhej më shumë kujtimit të babait apo sigurisë për dashurinë që ai ushqente ndaj Sally-t.

    Dhe ja, momenti i pritur erdhi shumë shpejt. ‘Mos është ai babai i Xheromit?’ pyeti Sally, teksa kapi me dorë portretin e një burri që mbante një çadër në dorë.

    ‘Po, e dashur. Si e more me mend?’

    ‘Ka sytë dhe vetullat e Xheromit, apo mos gaboj?’

    ‘A keni lexuar ndonjë nga librat e tij?’

    ‘Jo.’

    ‘Do t’ju jap disa libra të tij me rastin e martesës. Ai shkruante me shumë ndjenjë për udhëtimet që bënte. Libri që unë preferoj më shumë është Skuta e rrëza. Ai kishte një të ardhme të madhe. Ky fakt e bën aksidentin akoma dhe më shokues.’

    ‘Vërtet?’

    Xheromi dëshironte që doemos të largohej nga dhoma për të mos ta parë atë fytyrë të dashur të shformohej nga një zbavitje e parezistueshme.

    ‘Kam marrë shumë letra nga lexuesit e tij që nga dita kur derri i ra mbi kokë.’ Ajo asnjëherë nuk kishte qenë kaq e vrazhdë.

    Po ja, më pas, ndodhi mrekullia. Sally nuk qeshi. Teksa halla tregonte historinë, ajo hapi sytë nga tmerri, dhe më në fund tha, ‘Sa e frikshme! Sigurisht që një ngjarje e tillë të vë në mendime. Të ndodhë kështu. Në një ditë me qiell të pastër.’

    Xheromit iu mbush zemra me hare. Ishte njësoj sikur ajo ta kishte fashitur njëherë e përgjithmonë frikën që ai kishte. Brenda taksisë që po i çonte në shtëpi, ai e puthi Sally-n me më shumë pasion se çdo herë tjetër, dhe ajo iu përgjigj me të njëjtën masë pasioni. Në ninëzat blu të errëta të syve të saj kishte bebe që hapnin e mbyllnin sytë dhe urinonin.

    ‘Sot një javë,’ tha Xheromi, ndërkohë që ajo ia shtrëngoi dorën. ‘Ç’mendim ke e dashur?’

    ‘Jam kureshtare ta di, ç’u bë me derrin e gjorë?’

    ‘Sigurisht që e hëngrën për drekë,’ tha Xheromi i lumturuar teksa e puthi të dashurën sërish.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË