More
    KreuLetërsiShënime mbi libraGjergj Fishta dhe folklori

    Gjergj Fishta dhe folklori

    Nga Tonin Çobani

    Improvizimet e para
    Fishta, fshat i vogël në Zadrimë, ndërmjet qyteteve Shkodër dhe Lezhë, është emrë=vendi i parë i rëndësishëm që lidhet me Gjergj Fishtën. Aty lindi fëmija me emrin Zef (Zefi i vogël), që më vonë do të njihet me emrin e madh Gjergj Fishta. Zefi është fëmija e katërt në vatrën e Ndokës (babai) dhe Prendës (nëna), nga fshati Kotërr/ Zadrimë. Ai lindi pas dy vëllezërve (Leka dhe Simoni/ Çupi) dhe motrës (Lena). Të katër fëmijët lindën në një shtëpi të madhe prej 96 pjesëtarësh (Gj. Frani), diçka që sot është vështirë të përfytyrohet. Por kjo shtëpi e madhe u shpërbë në fund të shekullit XIX, pikërisht kur Gjergj Fishta ishte rreth të shtatëmbëdhjetave. U shpërbë më pas edhe vatra e Ndokajve: Simoni (ose Çupi) u vra (1899), Leka u nda kësaj bote në kapërcyell të dekadës së dytë dhe të tretë të shek. XX, duke lënë pesë djem dhe një vajzë. Ndërsa Lena ka jetuar më gjatë, rreth të 80-ve. Vdiq në vitin 1948, e pamartuar. Emërvendi i dytë i rëndësishëm është Troshani (shumë pranë fshatit Fishtë), ku ishte ngritur qysh në gjysmën e parë të shekullit XVIII Kuvendi i Françeskanëve, i pari kuvend françeskan në Zadrimë. Madje është edhe para Kuvendit të Arrës së Madhe dhe të Gjuhadolit në Shkodër. Ndoshta, është edhe para Kuvendit të Lezhës, sado që njihet një gojëdhënë që e dëshmon Kuvendin Françeskan të Kishës së Dom Lleshit si të bekuar prej vetë Shën Françeskut të Asizit. Në vitin 1871 famullitari i kishës së Troshanit mbulonte me shërbesa fetare edhe banorët e fshatit Fishtë, pra, pagëzon edhe Zefin e sapolindur në konakun e Ndokajve. Ai është një poet që do të ndikojë shumë në formimin kulturor të Zefit/ Gjergjit nëpër të gjitha fazat e zhvillimit të tij si poet e dramaturg, si eseist e publicist, si mësues dhe veprimtar për çështjen kombëtare: ai është At Leonardo de Martino, OFM… Por ne le t’i afrohemi edhe më pranë vatrës familjare të Zefit të vogël. Të dy vëllezërit dhe motra, Lena, kanë qenë të njohur për talentin e tyre si poetë popullorë. Ata kanë dhuntinë e improvizimit të vargjeve të rimuara: në formë replikash në lojërat popullore, si Loja e Kapuçave (Çupi dhe Leka), në formë elegjish në raste mortesh (Lena), në formë urimesh e shpotitjesh në raste festash familjare e shkollore. Për vargjet e fundit shquhej veçanërisht Zefi i vogël, më vonë Gjergj Fishta i Madh. Aftësi të tilla për të improvizuar me lehtësi vargje të rimuara duhet të kenë pasur edhe prindërit e këtyre fëmijëve. Fishta thoshte për vëllezërit e vet: Medet, po të kishin pasë fatin tim, do të kishin dalë kush e di sa herë ma të mirë se unë: do ma kishin kalue ‘i qind herë (njëqind herë)… Sa për Zefin e vogël dëshmohet prej Pashk Bardhit: fillimet letrare të Gjergj Fishtës janë vargjet e përshëndetjeve të tij me raste festash dhe përvjetorësh për bashkëstudentët dhe bashkëkolegët e vet, duke nisur nga viti 1886 kur Gjergj Fishta ishte rreth të 15-tave. “Shokët e tij të kuvendit shkriheshin gazit me vargjet që sajonte aty për aty”. (Arshi Pipa) Disa prej këtyre vargjeve kanë qenë ruajtur nga Pashk Bardhi. Disa edhe janë botuar. Diku përmendet edhe një titull libri me autor Fishtën kur ishte seminarist (Bejta të një xhakoni të ri). Por nuk njohim vargje prej tij, ashtu sikundër sot nuk dihet se ku kanë përfunduar vargjet në dorëshkrim, që ruheshin prej Pashk Bardhit.

    Botimet e hershme
    Ndër miqtë dhe dashamirësit e Fishtës, që kanë mbetur vargjeve të botuara të Poetit të Lahutës, janë, së pari, dy poetë sllavë që njohu ndërsa studionte në Bosnjë-Hercegovinë: (1-ri) poeti françeskan boshnjak Grga Martić (1822-1905), të cilin Fishta e njohu personalisht (dhe i kushtoi një poezi në vitin 1886, serbokroatisht) dhe (i 2-ti) poeti kroat Silvije Strahimir Kranjčević (1865-1908), me të cilin poeti ynë kishte miqësi (edhe këtij i kushton një poezi italisht, më 1892). Ajo është ruajtur, pasi ka qenë botuar më 1933-1934 në vëllimin e veprave të plota të poetit kroat. Ndër shqiptarë përmenden: Lazër Mjeda (1901/11), Anton Xanoni (1908,1915), Faik Konica (1908), Luigj Gurakuqi (1909), Vinçenc Prennushi (1909), Pashk Bardhi (1920) etj. Gjergj Fishta futet kështu në letrat shqipe si një poet i lindur, që improvizon vargje të rimuara me lehtësi. Por vargjet e tij të improvizuara vijnë gjithnjë e më tepër të ngjeshura me ide dhe emocione të fuqishme universale. Vargje të tilla u botuan fillimisht te revista Albania e Faik Konicës: “Kangë malcorisht” (1900/4) “Kangë mirditnish” (1900/6), “Kangë malcorisht” (1900/9), “Kanga e Gjin Lekës” (1901/10), “Kanga e Ndoc Kolës” (1904/6), ndonjëra prej të cilave ka qenë klasifikuar si këngë folklorike, duke qenë se Fishta i kishte nënshkruar me pseudonimin “E popullit”. Me këtë pseudonim do të nënshkruhen edhe dy blenet e para të “Lahutës së Malcis” (1904/5, 1907).

    A e ka mohuar Fishta autoktoninë e këngëve epike shqiptare
    Fishta ka shkruar për folklorin duke nxitur mbledhjen dhe studimin e tij ndër kolegët françeskanë dhe jo vetëm. Sipas Benedikt Demës, ai ka shkruar edhe parathënien e vëllimit të parë të “Visarit Kombëtar, kangë popullore gegnishte, rendue prej A. Vinçenc Prennushit” (Sarajevë, 1911). Ndonjë studiues tjetër i mëvonshëm, siç është Veis Sejko, në librin e tij “Mbi elementet e përbashkëta në epikën shqiptaro-arbëreshe dhe serbokroate” (2002), ka mbrojtur mendimin se autori i asaj parathënieje nuk është Fishta, por vetë Vinçenc Prennushi, prej të cilit citohet paragrafi që deklaron se në folklorin shqiptar nuk ka këngë epike, pasi do rapsodija e legjenda si b.f. kanga e Mujos dhe Halilit, kanga e Halil Garrisë, kanga e Kalasë së Shkodrës, etj, na duket se janë të përkthyeme prej sllavishtes… të gjitha gjinden në literaturë të serbëve dhe kroatëve. (f. 171). Madje, aludohet se ai paragraf është shtuar (dora vetë ose me porosi të tij) nga drejtori i atëhershëm i Institutit të Sarajevës (serbi Qiro Truheljka), albanolog që nuk dinte shqip. Por ai dinte veçse bozaxhinjtë dhe hallvaxhinjtë prunë epikën boshnjake në Shqipëri (f. 175), prandaj këngët epike të Veriut të Shqipërisë nuk përfshihen në “Visarin Kombëtar” të Prennushit. Ato këngë u fshehën: Sejko beson që po të bëhet një gjurmim i mirë në arkivat e Institutit të Sarajevës për kohën para vitit 1911, mund të gjenden dorëshkrimet e Prennushit mbi këngët epike malësore shqiptare… Në kapitullin “Dy renegatë të kombit shqiptar” (dhe ata janë Vinçenc Prennushi dhe Stavri Skendi), Sejko argumenton lajthitjen e tyre shkencore si vënie në shërbim të interesave të të huajve. Sidoqoftë, edhe nëse ajo parathënie është shkruar (ose jo) nga Fishta dhe ai paragraf është shtuar (ose jo) nga botuesi, një mendim i tillë për epikën e folklorit shqiptar të Veriut nuk është formulim i Fishtës. Ose ka qenë një konkluzion kalimtar, tepër i përkohshëm. Për këtë sjellim në vëmendje tre fakte. I pari lidhet me një recension të Fishtës në numrin e parë të revistës “Hylli i Dritës” (1913) për librin e Prennushit. Fishta vlerëson rëndësinë historike të folklorit shqiptar (Kangët popullore janë një dokument rëndësie të madhe për historinë) dhe bën vërejtje për shënimet (oroet) e autorit, të cilat po të ishin pak gja ma të shpeshta e ma të plota, nuk kishte lanë kurrgjë mangut për me qenë vlerësuar (njehë), një ndër ma të vlershmet vepra të literaturës kombëtare (Gjergj Fishta, “Vepra letrare 9”, f. 24). Fakti i dytë është një vlerësim (në të njëjtin recension) për mjeshtërinë e të shkruarit të parathënies, të cilën Fishta e cilëson si ligjëratë të autorit (Vinçenc Prennushi): Para kangëve dhe valleve popullore, – shkruan Fishta në revistën e tij, – autori ka vu një ligjëratë… (Po aty, f. 24). Pra, jo autori i recensionit (Fishta) e ka shkruar atë ligjëratë (parathënie). Nuk e ka shkruar as një grup fretërish, si përpiqet të justifikojë mungesën e autorësisë së parathënies, Alfred Çapaliku në monografinë e vet kushtuar Viçenc Prennushit (f. 84). Fakti i tretë është letra që Fishta ia dërgon albanologut austriak, Nobert Joklit, së bashku me këngët: Martesa e Mujit, Martesa e Halilit, Gjergj Elez Alia dhe Muji e Behuri. Fishta i kërkon një vlerësim (“nji gjygj”) për këngët dhe e pyet: A mos gjindemi para ciklit rapsodijash mbetë prej ndonji poemit të madh të vjetër? Kjo pyetje Fishtës i ka lindur pasi ka mësuar se një malësor (Malësia e Madhe) ka pohuar se di rreth 63 rapsodija mbi Mujin e Halilin, e thotë se të gjitha kanë nji lidhni ndërmjet vedit (Fishta, “Estetikë dhe kritikë, f.85). Autori i “Lahutës…” as nuk e vë në kandar mendimin se ato këngë mund të jenë të përkthyera ose jo nga serbo-kroatishtja. As nuk kërkon mbështetje kundër tezës boshnjake që qarkullonte asokohe në shkrimet e studiuesve sllavë dhe jo vetëm. Po, ai shton se rapsodi shqiptar sot gjendet nën Jugosllavi. Konkluzioni (tashmë i qëndrueshëm) për problemin e ngritur është i thjeshtë. Ose Fishta nuk ka menduar asnjëherë se në folklorin shqiptar mungojnë këngët epike, pra edhe parathënia në fjalë (ose vetëm ai paragraf, që konteston Sejko) nuk është shkruar ndonjëherë prej Poetit tonë. Ose, së paku, dy vjet mbasi është botuar ajo parathënie, mendimi i shprehur në atë paragraf nuk qëndron më. Aq më pak, qëndron ai mendim në vitin 1926 kur Fishta i shkruan Joklit. Lëre më, të themi, në vitin 1937, kur botohen “Visaret e Kombit 2, kangë kreshnikësh dhe legjenda” të françeskanëve të nxitur prej Fishtës, Benardin Palaj dhe Donat Kurti. Fishta, në një CV të vetën shkruar në italisht e përfshin edhe veten në studimin dhe mbledhjen e folklorit kombëtar shqiptar (Benedikt Dema).

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË