More
    KreuTeatërGëzim Puka: Meqë ra fjala për artistin Lekë Tasi

    Gëzim Puka: Meqë ra fjala për artistin Lekë Tasi

    Ndodh në Shkodër, në një mbrëmje gushti, të meditosh rreth një sprove teatrore në oborrin e një shtepie të vjetër ku mbijeton një shoqatë me emrin “Arka”, e cila promovon më së miri kulturën e patjetërsueshme të këtij qyteti.

    Kësaj here është Lekë Tasi, një artist shqiptar 90 vjeçar, që ka bujtur me monodramën e jetës së tij skenarisht e përcjellë nga Stefan Çapaliku dhe Ledjan Gjeçi. Ajo që binte në sy, ishte edhe instalacioni dhe skenografia interesante e artistit pamor Ergys Velaj.

    Shikuesit ishin aty për të ëndërruar ndalesën e kohës, që ngjet vetëm në Shkodrën shtëpi lindjeje e teatrit shqiptar, pikërisht në bahçe dhe oborre të tilla, ku luhej me shtregulla dhe ku elementet e para të ekzibicionizmave teatrale do të bëheshin fillesa e teatrit tonë.

    Nën tingujt e një instrumentaleje që nxit të njëjtën gjatësi vale për galopin e zemrave të shikuesve, përqark oborrit, nis një rrëfim zanafillor, siç është ai i Arkës së Noes nga Testamenti i Vjetër.

    Përmbytja është një ngjarje e vërtetë. Perëndia e solli Përmbytjen për shkak të degradimit moral që kishte marrë dhenë disa breza mbasi Adami dhe Eva ishin dëbuar nga parajsa. I zemëruar Zoti thirri Noenë, të vetmin që kishte mbetur besnik dhe i virtytshëm. Ai i komunikoi Noes vendimin e tij që do të shkatërronte të ligjtë, sepse për shkak të njeriut ishte prishur edhe Toka. Por Zoti kishte vendosur ta ruante Noen me gjithë familjen, si dhe gjithë gjallesat. Ndaj e urdhëroi të ndërtonte një varkë të madhe ku të futeshin të gjithë, Noeja me gruan, tre djemtë me nuset, dhe nga një çift të secilës specie, për të vijuar ekzistencën.

    Noeja u bind. Ndërtoi varkën simbas përmasave që i dha Zoti, dhe kur erdhi momenti, hyri brenda me gjithë farën vijuese nga e cila kemi rrjedhur edhe ne”.

    Me një lëvizje qarkore narratori-aktor, Ledjan Gjeçi, rrëfen parabolën biblike përreth një varke dekor brenda së cilës gjenden disa të rinj figurantë me jelekë shpëtimi dhe maska, duke pritur ardhjen e një kapiteni rrëfimtar me një ligjërim ngjethës, për të zënë vend në bashin e saj. Aty vendoset paradoksalisht Noe-ja ynë, Lekë Tasi, një artist pamor, muzikant, shkrimtar, njeri i kulturës dhe i filozofisë, që gjithë jetën udhëtoi me mend dhe asnjëherë me trup. I lindur më 1929, punoi për 15 vjet si violonçelist në orkestrën shtetërore të Operës, më vonë u internua për 15 vjet të tjerë në një fshat të humbur dhe mbas rënies së komunizmit iu përkushtuar vetëm artit. Nga zëri i tij i qetë dhe nga nyjëtimi i një toskërishteje të kulluar, befasohemi se si ky “botëkrijues”, ka ruajtur dhe poetizuar vuajtjen. Arti dhe vuajtja janë tema e kësaj performance teatrore. Makabritetet e diktaturës rrëfehen përmes një lirizmi stilistik dhe duket se arrijnë mrekullisht tek marrësit më të mirë të mundshëm të mesazhit katharsisndjellës. Pikërisht ky është qëllimi i kapitenit plak në “Arkën e Noes 2”.  Kështu rrëfimi i madh biblik përqark rrëfimit të vogël njerëzor ironikisht prodhon një frikë dhe mëshirë po aq ironike ndër ne, spektatorët zullumqarë të epokës pandemike.

    Ja si përshkruhet nisja drejt internimit:

    “Data 15 erdhi me shi. Nisja u bë nën mbikëqyrjen e Këshillit të Lagjes dhe të oficerëve të rajonit. Nga ora tetë mbaruam me bartjen e plaçkave. Makina u mbush. Siguruam mamanë midis shoferit dhe shefit të rajonit që do na përcillte deri në destinacion dhe vetë hipëm në karroceri: Unë, im vëlla Ylli dhe e shoqja. Aty u ul dhe polici i armatosur që na ruante.

    Kështu me shiun përjashta dhe me gjithë katandinë tonë brenda në atë kub lëvizës, u nisëm ngadalë drejt jetës së re. 

    Hymë në Grabjan në orën kur dilnin fëmijët nga shkolla”.

    Kësaj here teatri i Çapalikut na propozon njeriun, krijesën më të dashur të artit të skenës. Madhërohet vuajtja dhe adhurohet krijimi. Ajo që bën përshtypje veç muzikës janë edhe pikturat e autorit të projektuara në sfond. Ndjeshmëria për muzikën, puna fizike, burgimi i motrës, demaskimi në lokalitet, brohoritjet, përpunimi dhe presioni psikologjik. E gjithë kjo brendi e njëmendtë vjen përmes një ligjërimi të paqtë për atë diktaturë, që është e dënuar estetikisht më ironinë kallëzimore.

    Sprova teatrore e Çapalikut rimbështet idenë se njeriu mund të kryejë dy lloj ikjesh apo eksodesh. Një arrati me trup dhe një arrati me mend.  Ngandonjëherë ato gjenden edhe të kombinuara, por shpesh janë të ndara. Vihet re një raport i zhdrejtë në to. Sa më i izoluar fizikisht që të jetë njeriu, aq më i madh shansi, që të emigrojë me mend. Ky mbase është kushti i parë i eksodit me mend. Kushti i dytë për ekzod ka lidhje me dijen. Sa më i ditur të jetë personi i izoluar, aq më e largët arratia e tij.

    Në vendin tonë që ka jetuar gjysmë shekulli izolim, ka shumë njerëz të arratisur me mend, njerëz që shoqëria i thërret “ëndrrimtarë” apo edhe “të humbur”. Ka madje prej tyre që nuk ikën dot me trup as mbas viteve ’90. Disa ishin të varfër, disa të pamundur fizikisht, disa të tjerë i kishte zaptuar nga një farë dembelie.

    Në lidhjen e dy teksteve na mbin një tjetër shenjë kuptimore, ajo e përballjes me realitetin, madje fërkimi mes historisë zanafillore dhe aktualitetit politik. Patjetër që këtu ndikon edhe stili, pikat e referimit, përvoja e grumbulluar gjatë dhjetëvjeçarëve të punës në teatër. Është një estetikë e përpunuar. “E hershmja” origjina dhe “e tashmja” ose aktualiteti, që të dyja pas një katastrofe, janë në të njëjtën kohë një rënie e sistemit shenjor, me të cilin është ndërtuar bota. Strategjia autoriale dhe shenja skenike e varkës së ndalur në tokë na rikthen në mendje përmes kësaj yjësie objektesh, gjestesh, lidhjesh kuptimore e më për më tepër referencash, tek një përvijim i qëndrueshëm, drejt një përmase ëndrrimtare.

    Kjo ishte gjendja tragjike që prodhoi performaca teatrore e Lekë Tasit në këtë natë gushti, e cila qëllimshëm refuzon lidhjen e drejtpërdrejtë me gjendjen tonë politike dhe shoqërore. Për ta fuqizuar këtë mendim m’u ndërmend një citim i një kritiku italian, i cili ndër të tjera shprehet:  “Tragjedia nuk krijon një model estetik, në të cilin qyteti (polisi) njeh vetveten dhe ilustron dhe mendimet apo ankthet e një epoke. Nuk është fjala as për një pasqyrim, as për një pamje të botës, por për një pyetje të qenësishme rreth mundësisë për të vepruar. Tragjedia nuk është pra dëshmi, por epifani, nuk është reflektim i njëmendësisë, por kontestim i thellë i saj, përmes krijimit të ndërgjegjes tragjike, e cila lind nga konflikti.”[1]

    Kështu edhe kësaj radhe në teatrin e Çapalikut kufiri midis etikës dhe estetikës mbeti i pakapërcyeshëm.

    Këto janë dy rrëfime që na u shpallën në atë shfaqje, fakte që edhe i dinim, qoftë pjesëmarrësit, qoftë populli i gjerë. Dhe Lekë Tasin si simbol profetik, me 90 e kusur vite mbi shpinë, ishte aty i durueshëm me mesazhin e përplotësuar të një ligjërimi tjetër të madh, atij Kuranor, që na thotë se përfundimi i lavdishëm është për të devotshmit…


    [1]  O.Ponte di Pino, Tragedia Endogonidia, n. 60, 28 novembre 2003, http://www.trax.it/olivieropdp/ateatro60.asp

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË