More
    KreuIn memoriamGabriel García Márquez takon Ernest Hemingway-n

    Gabriel García Márquez takon Ernest Hemingway-n

    Nga G. G. Márquez

    E njoha menjëherë, ndërsa kalonte me gruan e tij, Mary Welsh, në Bulevardin St. Michel në Paris, një ditë pranvere me shi në vitin 1957. Ai po ecte në krahun tjetër të rrugës në drejtim të Kopshteve të Luksemburgut, dhe kishte veshur një palë pantallona kaubojsi të grisura, një këmishë me kuadrate dhe një kapele beizbolli. E vetmja gjë që nuk dukej se i përkiste, ishin një palë syze me kornizë metalike të vogël e të rrumbullakët që i jepnin një hije prej gjyshi, diçka e parakohshme për të. Sapo kishte mbushur 59 vjeç dhe ishte trupmadh e binte goxha në sy, por nuk të jepte përshtypjen e forcës brutale fizike të cilën ai padyshim e donte, pasi ijët i kishte të ngushta dhe këmbët i dukeshin paksa të holla mbi këpucët e trasha të sharrëxhiut. Ai dukej kaq i gjallë midis tezgave të librave të përdorur dhe vërshimit të të rinjve nga universiteti Sorbonne, saqë ishte e pamundur të përfytyroje se i kishin mbetur vetëm katër vite për të jetuar.
    Për një fraksion sekonde, ashtu siç më ndodhte gjithmonë, u gjenda midis dy pozitave konkurruese. Nuk dija a t’i kërkoja një intervistë, apo të kapërceja bulevardin e t’i shprehja admirimin tim, pa u rezervuar. Por cilëndo të zgjidhja, përballesha me të njëjtën vështirësi. Në atë kohë, flisja po atë anglishte bazike që flas tani, dhe nuk isha aq i sigurt për spanjishten e tij prej toreadori. Ndaj, nuk bëra asnjërën prej këtyre që mund ta kishte prishur atë moment, por vendosa duart në formë hinke përpara gojës dhe ashtu si Tarzani në xhungël, thërrita nga krahu tjetër i trotuarit: “Maaaeeestro!” Ernest Hemingway e kuptoi se në atë turmë studentësh nuk mund të kishte mjeshtër tjetër përveç tij, ndaj u kthye, ngriti dorën dhe bërtiti në gjuhën kastiliane, me një zë fëmijëror, “Adiooos, amigo!” Kjo ishte hera e vetme që e pashë.
    Në atë kohë isha një gazetar 28-vjeçar me një roman të botuar dhe një çmim letrar të fituar në Kolumbi, por në Paris gjendesha pa ndonjë drejtim. Mjeshtrit e mi ishin dy romancierë nga Amerika e Veriut, që dukej se nuk kishin as edhe një gjë të përbashkët. Kisha lexuar gjithçka çfarë kishin botuar deri atëherë, por jo si lexim plotësues – krejt e kundërta, si dy forma të dallueshme dhe përjashtuese të njëra-tjetrës, për konceptimin e letërsisë. Njëri prej tyre ishte William Faulkner, të cilin nuk e kisha parë asnjëherë dhe mund ta përfytyroja vetëm si një fermer me mëngë të përveshura, duke kruar krahun, pranë dy qenve të tij të vegjël të bardhë, si në foton e mirënjohur që i është bërë nga Cartier-Bresson. Tjetri ishte burri jetëshkurtër që sapo më kishte përshëndetur nga ana tjetër e rrugës, duke më lënë përshtypjen se diçka kishte ndodhur në jetën time, gjatë gjithë kohës.

    Ernest Hemingway

    Nuk e di se kush e ka thënë që romancierët lexojnë romanet e të tjerëve, vetëm për të kuptuar se si janë shkruar. Unë besoj se kjo është e vërtetë. Ne nuk kënaqemi me sekretet e zbuluara mbi faqe: e rrotullojmë librin sa nga njëra anë në tjetrën, për të zbuluar gjurmët. Në njëfarë mënyre që është e pamundur të shpjegohet, ne e zbërthejmë librin në pjesët e tij thelbësore, e pasi i kemi kuptuar misteret e mekanizmit të tij unik, i bashkojmë sërish. Kjo përpjekje është dekurajuese kur bëhet fjalë për librat e Faulkner-it, pasi nuk duket sikur ka një sistem të strukturuar shkrimi, por ecën verbazi përmes universit të tij biblik, si një kope dhish që lëvizin të lira brenda një dyqani plot me kristale. Kur çmonton një faqe të shkruar nga ai, të duket sikur ke përpara një tepricë sustash dhe vidhash, të cilat është e pamundur t’i rivendosësh aty ku ishin. Ndërsa Hemingway, ndryshe nga ai, me më pak frymëzim, pasion e çmenduri, por me një thjeshtësi të jashtëzakonshme, i lë vidhat plotësisht të dukshme, ashtu siç janë në një vagon mallrash. Ndoshta për këtë arsye Faulkner është një shkrimtar që lidhet shumë me anën time shpirtërore, por Hemingway është ai që ka pasur më shumë ndikim te teknika ime – jo thjesht përmes librave, por përmes njohurisë së tij të mahnitshme për sa i përket aspektit të mjeshtërisë në shkencën e të shkruarit. Gjatë intervistës së tij me George Plimpton-in në The Paris Review, (Hemingway) tregoi se, përkundër nocionit romantik, mirëqenia ekonomike dhe shëndeti i mirë, janë gjithmonë të favorshme për shkrimin; se një nga vështirësitë kryesore është vendosja mirë e fjalëve; se kur shkrimi bëhet i mundimshëm, është mirë të rilexosh librat e tu, në mënyrë që të kujtohesh se i tillë ka qenë gjithmonë; se mund të shkruash kudo për sa kohë që nuk ke vizitorë dhe telefon; dhe se nuk është e vërtetë se gazetaria është fundi i një shkrimtari, siç thuhet shpesh, por e kundërta, për sa kohë që heq dorë mjaftueshëm shpejt. “Sapo shkrimi të jetë bërë mëkati kryesor dhe kënaqësia më e madhe”, tha ai, “vetëm vdekja mund t’i japë fund”. Në fund, mësimi i tij ishte zbulimi se çdo ditë pune duhet ndërprerë vetëm kur e di se ku duhet ta nisësh ditën tjetër. Nuk mendoj se është dhënë ndonjëherë këshillë më e vlefshme për shkrimin. Është, as më shumë e as më pak, ilaçi i vetëm për frikën më të tmerrshme të shkrimtarëve: agonia e mëngjesit kur përballesh me faqen bosh.
    E gjithë vepra e Hemingway-t tregon se shpirti i tij ishte i talentuar, por jetëshkurtër. Dhe kjo është e kuptueshme. Një tension i brendshëm si i tiji, i nënshtruar ndaj një dominimi kaq të rreptë të teknikës, nuk mund të mbahet brenda hapësirave të paana dhe të rrezikshme të një romani. Kjo ishte vetë natyra e tij dhe gabimi ishte se u përpoq të tejkalonte kufijtë e tij të jashtëzakonshëm. Dhe kjo është arsyeja pse çdo gjë e tepërt është më e dukshme tek ai, krahasuar me shkrimtarë të tjerë. Romanet i ka si tregime të shkurtra që janë të shpërpjesëtuara, që përfshijnë më shumë se ç’duhet. Në kontrast, gjëja më e mirë e tregimeve të tij, është se të krijojnë përshtypjen sikur u mungon diçka, dhe kjo është pikërisht ajo që u jep misterin dhe bukurinë. Jorge Luis Borges, i cili është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të kohës sonë, ka të njëjtët kufij, por ka pasur mençurinë që të mos përpiqet t’i tejkalojë.
    Vepra e Hemingway-t është e mbushur me gjetje të thjeshta dhe mbresëlënëse, të cilat zbulojnë pikën në të cilën ai përsoste përkufizimin e tij për krijimin letrar: se, ashtu si një ajsberg, qëndron i palëkundur vetëm nëse poshtë ka një bazament prej shtatë të tetat e vëllimit të tij.
    Kjo vetëdije e teknikës është padyshim arsyeja pse Hemingway nuk do të arrijë lavdi me romanet e tij, por me tregimet e shkurtra që janë më të organizuara. Duke folur për “Për kë bien këmbanat”, ai tregoi se nuk kishte ndonjë plan të paramenduar për ndërtimin e librit, por e shpiku çdo ditë që kalonte. Nuk kishte përse ta tregonte këtë: kjo duket. Megjithatë, tregimet e tij të shkurtra të shkëlqyera, të cilat i ka shkruar njëkohësisht, janë të pakundërshtueshme. Si ato tre që shkroi një pasdite maji në një pension në Madrid, kur një stuhi dëbore shkaktoi anulimin e një ndeshjeje me dema, gjatë festës së San Isidro-s. Këto tre tregime, sikundër ai i rrëfeu vetë George Plimpton-it, ishin “Vrasësit”, “Dhjetë indianët” dhe “E sotmja është e premte”, dhe të tre janë mjeshtërore. Sidoqoftë, për mendimin tim, tregimi në të cilin aftësitë e tij janë më të ngjeshura, është edhe më një nga më të shkurtrit që ka shkruar, “Macja në shi”.
    Megjithatë, edhe pse duket si një ironi e fatit të tij, për mua, vepra e tij më magjepsëse dhe njerëzore është ajo që ka pasur më pak sukses: “Përgjatë lumit dhe nëpër pemë”. Siç e ka zbuluar vetë, ajo nisi si një tregim i shkurtër, dhe ndryshoi drejtim për nga xhungla e rizoforave të romanit. Është e vështirë të kuptosh kaq shumë plasaritje në strukturë dhe kaq shumë gabime të rregullave letrare te një teknicien kaq i mençur – dhe dialogë kaq artificialë, madje të sforcuar, te një nga artarët më brilantë të historinë e letrave. Kur libri u botua në vitin 1950, pati kritika të ashpra, por të pabaza. Hemingway u ndie i lënduar aty ku i dhembte më shumë, dhe e mbrojti veten nga Havana, duke dërguar një telegram të vrazhdë që dukej i padenjë për një autor të nivelit të tij. Jo vetëm ishte romani i tij më i mirë, por ishte edhe më personali, pasi e kishte shkruar në fillimin e një vjeshte që nuk dihej, me një nostalgji për vitet e pakthyeshme që tashmë i kishte jetuar, dhe një parandjenjë prekëse për ata pak vite jetë që i kishin mbetur. Në asnjërin prej librave të tij nuk la shumë nga vetja, e as nuk gjeti, me gjithë bukurinë dhe butësinë, një mënyrë për t’i dhënë formë ndjenjës thelbësore të veprës dhe jetës së tij: kotësisë së fitores. Vdekja e protagonistit të tij, në dukje kaq paqësore dhe natyrale, ishte një parashikim i maskuar i vetëvrasjes së tij.

    Kur jeton për shumë kohë me veprën e një shkrimtari, me kaq intensitet dhe dashuri, e ke të pamundur të dallosh trillimin nga realiteti. Kam kaluar plot orë dhe ditë duke lexuar brenda asaj kafeneje në Place St. Michel, të cilën ai e quante të mirë për të shkruar, sepse dukej e këndshme, e ngrohtë, e pastër dhe miqësore, dhe kam shpresuar gjithnjë ta gjej sërish atë vajzën që ai e pa të hynte në një ditë të stuhishme, të ftohtë e me erë që frynte fort, një vajzë e cila ishte shumë e bukur dhe e re, me flokët prerë në mënyrë diagonale përgjatë fytyrës, si krahët e një korbi. “Ti dhe Parisi më përkisni mua”, shkroi ai për të, me atë fuqinë e pashtershme të përvetësimit që e shkruara e tij kishte. Çdo gjë që ai përshkruan, çdo moment, i përket atij përgjithmonë. Nuk mund të kaloj në No. 12 Rue de l’Odeon në Paris, pa e parë në bisedë e sipër me Sylvia Beach-in, në një librari e cila tani nuk është më e njëjta, duke shtyrë kohën deri në orën gjashtë të mbrëmjes, kur James Joyce mund të rastiste të vinte aty. Në prerinë e Kenya-s, vetëm duke i parë një herë, ai u bë pronari i buajve dhe luanëve të tij, si dhe i sekreteve më intime të gjuetisë. Ai u bë pronari i toreadorëve dhe boksierëve, i artistëve dhe kriminelëve, të cilët ekzistuan vetëm për një çast, kur u bënë të tijtë. Italia, Spanja, Kuba, gjysma e botës është e mbushur me vende të cilët ai i përvetësoi thjesht duke i përmendur. Në Cojimar, një fshat i vogël pranë Havanës, ku peshkatarët e vetmuar të librit “Plaku dhe deti” jetuan, ndodhet një pllakë përkujtimore për aktet e tij heroike, bashkë me një bust të praruar të Hemingway-t. Në Finca de la Vigia, strehën e tij kubane, ku jetoi deri pak përpara vdekjes, shtëpia qëndron e padëmtuar midis pemëve hijegjera, me koleksionin e tij të ndryshëm të librave, trofetë e gjuetisë, vendin ku shkruante, këpucët e stërmëdha, xhinglat e panumërta të jetës nga e gjithë bota, të cilat ishin të tijat derisa vdiq, e që vazhdojnë të jetojnë edhe pa të përmes shpirtit që u dha, thjesht prej magjisë që ai i zotëroi.
    Disa vite më parë, hipa në makinën e Fidel Castro-s, i cili është një lexues i palodhur i letërsisë, dhe në sedilje më zuri syri një libër të vogël, të veshur me një lëkurë të kuqe. “Është mjeshtri im, Hemingway”, më tha Fidel Castro. Dhe vërtet, Hemingway vazhdon të jetë aty ku e pret më pak, edhe 20 vite pas vdekjes, po aq i përhershëm dhe i përkohshëm sa atë mëngjes, ndoshta në maj, kur më tha “Mirupafshim, amigo”, nga krahu tjetër i Boulevard St. Michel.
    26 korik 1981

    Përktheu David Hudhri

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË