Të bësh një vizitë në banesën e një shkrimtari, do të thotë të pranosh një ftesë për të zbuluar hapësirat e një mendjeje. Ajo që duhet të ishte bota private e një prej shkrimtarëve më të njohur shqiptarë të shekullit XX, të hapet si një shfaqje teatri, siparin e së cilës duhet ta ngresh duke lëkundur një perde të rëndë kadifeje në ngjyrë blu në hyrje të saj. Por jo pa hedhur një sy vjedhurazi në dritaren e vogël, rreth së cilës është stampuar një shprehje e Walter Benjamin-it se “të jetosh, do të thotë të lësh gjurmë” e nga ku dallohet një copëz biblioteke dhe libra nga brendia. Frëngjia të lë përshtypjen e një vështrimi “through the looking glass”; një prelud i zbulimit të një bote paralele, laboratorit të shkrimtarit apo një ndërmendje se atëbotë gjithkush ishte i vëzhguar nga një lloj “Vëllai i madh”, sa imagjinar aq edhe me fytyrën konkrete të një miku, kolegu, fqinji…
Gjithë brendia – mobiliet origjinale të prodhuara në kombinatin “Misto Mame”, librat e vjetruar nga koha, orenditë – është një shpërngulje në vitet ’70, kohë kur çifti mori autorizimin për një banesë në godinën në Rrugën e Dibrës, projektuar nga arkitekti Maks Velo. Sipas konceptuesve të tij, bashkisë Tiranë, studiove arkitekturore, por edhe të gjitha institucioneve dhe njerëzve që kontribuuan në krijim, apartamenti i Kadaresë nuk është muze i zakonshëm, por një hyrje drejt kultivimit të mendimit dhe të letërsisë. Shtëpia-studio është e ndarë në pesë hapësira, duke iu përmbajtur edhe planimetrisë së apartamentit 4+1.
Dhoma e Kujtesës
E para vjen “Dhoma e Kujtesës”. Botimet e Ismail Kadaresë renditen sipas vitit mbi murin e gjatë të kësaj hapësire, por edhe në dhomën përbri. Katër tema përcillen në raftet e përfshira, dy prej të cilave trajtojnë vendlindjen e shkrimtarit, Gjirokastrën, si dhe përvojën e tij të parë në një metropol të huaj, Moskën. Mes tyre nisi të krijojë poezinë dhe prozën e tij të parë, një proces i ngadaltë e i mundimshëm, i cili gjurmon shfaqjen graduale të një prej temave kryesore të tyre, tragjedinë. “Gjuha shqipe jo vetëm ekzistonte, por quhej gjuhë themelore e kontinentit, e hetuar qysh prej vitit 1695, jo prej kombëtaristëve të përndezur shqiptarë, por prej gjeniut gjerman Gottfried Leibnitz, e pas tij prej dhjetëra gjuhëtarëve të tjerë, nga e gjithë bota. Se jo vetëm kishte një alfabet shqiptar, por kishte qindra libra të botuar në këtë gjuhë, i pari i të cilëve një libër i shenjtë, ishte përkthyer e botuar në shqip prej murgut katolik Gjon Buzuku më 1555, vetëm 30 vjet pas përkthimit të Biblës prej Martin Luterit”, – kjo shprehje nga libri “Ra ky mort e u pamë”, botuar në vitin 2000, është stampuar në xhamin e njërës nga dritaret e sallonit të madh, shoqëruar edhe nga dy të tjera: një prej librit “Përse mendohen këto male” dhe tjetra e nxjerrë prej “Ftesë në studio”. “Ishte një natë tetori, një vit më pas, gjatë ardhjes sime të dytë, kur duke vështruar nga dritarja e hotelit rrëzëllimin e dritëzave të Parisit, në një çast mpirjeje, gjysmë përndezjeje, thashë me vete: Ky qytet do të më vrasë”.
Botimet e pasura, voluminoze, të bujshme, që kapërcyen kufijtë edhe para se shkrimtari t’i kalonte fizikisht ato, zëfillin me “Lirika Djaloshare” në vitin 1954. Në dhomën-kujtesë gjen edhe disa katalogë që sjellin atmosferën brenda dhe jashtë apartamentit gjatë atyre kohëve. Nga skicat e projektimit të Maks Velos, me të cilat pak kohë më parë çeli edhe një ekspozitë dhe u nderua me çmim nga Shoqata e Arkitektëve Shqiptarë, te modelet e mobileve që vishnin shtëpitë e shqiptarëve, prodhim i “Misto Mame”, apo tek autorizimet për strehim, apartamenti tip dhe deri te fotografitë e Petrit Kumit që sjellin Broduejin e dikurshëm, por edhe Kadaretë në shtëpi.
Harta e Tiranës së shkrimtarit
Tirana, ajo e vërteta dhe ajo imagjinarja, mbeti qyteti i shkrimtarit kudo që ai shkonte. Një hartë mbi dyert prej xhami, si dhe dokumente të tjera që tregojnë historinë e një qyteti që u rindërtua disa herë gjatë shekullit XX. Dera prej xhami prin në një dhomë ku vijojnë në mur botimet e shkrimtarit deri më 2018, me librin “Kur sunduesit grinden”. Tirana vjen në sytë e Petrit Kumit, por edhe vizatimeve të vajzës së vogël të Kadaresë, brenda një katalogu ku shfaqen momente familjare të mbërthyera brenda atyre mureve. Të tjera shprehje janë shkëputur nga “Ditë kafenesh” dhe “Nëntori i një kryeqyteti”.
Një perde me fotografinë e shkrimtarit dalë në studio bëhet si një ftesë, ashtu si në një prej titujve të librave të tij. E kanë pagëzuar si Streha e apartamentit, studioja ku Kadareja ka ngjizur dhe ka sjellë në jetë shumë prej letërsisë së tij. Shkrimorja dhe makina mbi të në të majtë, një bibliotekë e bardhë që thuhet se shkrimtari e pati porositur në Itali dhe oxhaku, historia me andralla e të cilit mund të qe një roman më vete… “Is me një pasion të veçantë ndiqte ndërtimin e oxhakut në studion e tij, të projektuar në fillim prej Maksit e të plotësuar tani prej arkitektit Koço Çome”, – shkruan Helena Kadare në librin e saj autobiografik “Kohë e pamjaftueshme”.
Një kujtim i gjallë i vatrës në shtëpinë e tij të fëmijërisë në Gjirokastër, oxhaku kërkoi që miqtë e shkrimtarit të kontribuonin me disa nga tullat e shumë-kërkuara të tipit “chamotte”, në mënyrë që komoditeti jetik i studios të shpërndante ngrohtësinë e duhur, për të mbështetur imagjinatën e tij. Gjetja e copave të mermerit, e tullave chamotte, e drurit etj., ishte një punë më se e vështirë e plot kokëçarje, për vetë faktin se ato nuk ekzistonin në treg.
“Por Is e gjithë kjo i jepte kënaqësi. Më kujtohet se pikërisht në atë dimër, kur shoqja ime, inxhinierja Lili Zheji, vinte ndonjëherë për darkë apo për të kaluar pasditet, duke dëgjuar kasetat me muzikë klasike, të gjetura me aq vështirësi, në vend të luleve apo shishes së verës, sillte ndonjë tullë chamotte, Is mahnitej krejt. Një herë tjetër ishte shkrimtari dhe historiani Moikom Zeqo që solli ca tulla chamotte nga Lushnja, me motoçikletë”, – nga ky rrëfim i Helenës, vizitori mëson diç më shumë rreth atij oxhaku minimalist, ashtu si edhe arredimi i gjithë pjesës tjetër të shtëpisë.
Historia e një oxhaku
Aty, pranë oxhakut, shkrimtari kreu shumë prej veprimtarisë së tij i rrethuar nga libra dhe dorëshkrime. “Is i jepte një rëndësi të madhe oxhakut të tij në studio. Sa herë që ai shihte se unë bezdisesha nga tërë ajo rrëmujë, me copa të prera mermeri, druri e llaç nëpër këmbë, më përsëriste pa u lodhur se oxhaku, më shumë se çdo pjesë e apartamentit, do të lidhej me punën e tij krijuese. Siç e tregoi koha, doli se kjo ishte më se e vërtetë”, – shkruan Helena Kadare. – “Ndezja e parë e oxhakut të përfunduar ishte një festë e kaluar festës. Pas kësaj Is e bëri zakon, si një ritual të përditshëm, që mëngjeseve të punonte në një poltronë përbri tij. Zjarri, me zhurmat dhe kërcitjet e veta të vogla, ishte një shoqërues i vërtetë, për një punë aq të vetmuar si ajo e shkrimtarit”. Zanafillën e oxhakut e pati rrëfyer edhe Kadareja në parathënien e librit “Kohë antishenjë”, ku shkruan për Maks Velon, i cili nuk hezitoi të bënte ndryshimet e nevojshme për t’i dhënë jetë objektit. “Maksi ishte i guximshëm; pa pyetur askënd, te njëri nga apartamentet, ai që ishte parashikuar “me një dho-më pune”, bëri ndryshimet e nevojshme, në mënyrë që dhoma e punës të kishte një hapësirë të pazakontë për stilin socialist të banesave. Pa u mjaftuar me këtë, parashikoi vendin e një oxhaku… Ishte ndoshta i vetmi apartament në një ndërtesë banimi të përbashkët në Shqipëri i projektuar me një oxhak”, – shkruan Kadare, ndërsa hapësira dhe oxhaku u bënë problem që ra deri në vesh të kryeministrit të shtetit.
“Vetë ndërtesa do të vihej në shënjestër të akuzave, sidomos pas dënimit të Maksit; do të quhej moderniste, kubiste, madje disa herë do të propozohej shembja e saj”. Në godinën e banimit karshi Mapos nr.1 në Tiranë, projektuar nga Maks Veloja, mbizotëron një anomali në ndërtimin e brendshëm të apartamenteve, me sipërfaqe banimi të pajustifikuara, me forma e madhësi të ndryshme, për hir të “arkitekturës së lirë” është rënduar funksioni dhe pamjet e ndërtesës. Vepra të tilla nuk kanë dobi shoqërore. Ja, pra, kush e lind kontradiktën: ndikimi dhe shija e huaj dhe jo faktori ekonomik… Madhësinë e një vepre nuk e përcaktojnë ngarkesa me format ekstravagante ose voluminoze, …por, në radhë të parë, përmbajtja dhe vlera e saj ideoestetike”, – kështu shkruhej në gazetën “Drita”, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. – “Gjyqi qe bërë. Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes i kërkoi autokritikë, sikurse pati ndodhur edhe me artistë të tjerë. Maksi qe i vetmi ndër ta që nuk e bëri. Ndofta ishte i vetëdijshëm për natyrën dhe disidencën e arkitekturës së tij. U mbrojt “keq” dhe e shtynë… të tërë… edhe kolegët. U shkarkua nga detyra. Iu ndalua projektimi. U çua për punë të detyruar në bujqësi, në kooperativën e Ndroqit. U përgjua. U arrestua. U dënua… 10 vjet”. Sipas Kadaresë, Maks Velo ishte personaliteti i parë në krejt Lindjen Europiane e ndofta i vetmi në të gjitha “demokracitë popullore” që u dënua nga një gjykatë shtetërore veç për mënyrën e të bërit art dhe për arkitekturën e tij.
Kthim te kujtimet
“Në këto raste, dihet që ka ndjesi, rizgjohen emocione. Unë kam ndjenjën e mirënjohjes. Në radhë të parë, një shkrimtar nuk mund të kuptohet pa lexuesin e vet, pa gjuhën e vet, pa vendin e vet, pa kombin e vet, pa miqtë e tij dhe të kombit të tij”, – do të shprehej Kadareja ndërsa vizitoi shtëpinë e tij tashmë muze të aksesueshëm për çdo mendje kureshtare. – “Mua kjo më prek, që marr pjesë në këtë afirmim njohjeje të kombit shqiptar. Edhe puna juaj, e të gjithëve që kanë punuar këtu, më prek shumë, jashtëzakonisht, madje më habit. Edhe fjalët, ku e keni gjetur gjithë këtë energji për këtë”. Të gjitha emocionet e përjetuara aty do t’i parakalonin para sysh bashkëshortes së shkrimtarit: “Në këtë shtëpi kemi pasur kaq shumë gëzime, por edhe aq hidhërime, aq shumë sekrete, të cilat kujtoja se do të mbeteshin përjetësisht të mbyllura vetëm për ne, për familjen tonë. Befas, më mrekulloi ideja e hapjes dhe unë vij tani si vizitore.”
Për arkitekten Elisabetta Terragni, e cila e ka kthyer shtëpinë në muze, kjo është një mundësi për të nxjerrë në pah vlerat e gjuhës shqipe dhe të epokës kur jetoi dhe punoi shkrimtari. “Ky apartament është për ne rezultati i celebrimit të letërsisë, nuk është një muze klasik, por është një vend ku mund të mësoni më shumë për sa i përket shkrimit në kanavacë. Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme, jo vetëm për të festuar gjuhën, që është gjuha shqipe në të cilin shkroi shkrimtari, dhe në të njëjtën kohë për të treguar se si ky shkrimtar ia doli gjatë kësaj periudhe të vështirë për të përkthyer gjithë punët e tij. Ndaj, kjo është gjithashtu ajo çfarë duam të nxjerrim fillimisht në pah, që bota të shohë se ai gjithmonë shkroi në gjuhën shqipe”, – do të thoshte Terragni. Koncepti, i ngjashëm me muze të tjerë të komunizmit në kryeqytet, si “Bunkart” apo “Shtëpia me gjethe”, duket se ka pasur kryesisht vizitorin e huaj në fokus.
E shkuara që lëviz
Në korridorin e ngushtë qëndron një portmanto druri, me gjasë edhe ajo prodhim i kombinatit të përpunimit të drurit “Misto Mame”, dhe mbi një mobilie qëndron aparati i një telefoni në ngjyrë të kuqe. “…Megjithëse kalonim thuajse gjithë ditën bashkë në të njëjtat zyra ku i kishim redaksitë, gjenim përsëri plot gjëra për t’ia thënë njëra-tjetrës në telefon. Bisedat e zgjatura në telefon ishin gjithmonë shkak që do ta nervozonte Is dhe për këtë nuk linte rast pa ma vënë në dukje, gjë që do ta bënte gjithë jetën për këdo. Për atë telefoni ishte thjesht një mjet pune dhe asnjëherë kënaqësi në vetvete, siç ndodhte me mua”, – kjo shprehje është stampuar aty pranë nga libri “Kohë e pamjaftueshme”, ndërsa në të majtë është një dhomë e errët projektimi, ku historia rrëfehet përmes imazheve. Aty, vizitorja e mesditës së të martës, arkitektja Miranda, gjen atë për të cilën kishte ardhur. Kohën e saj. Atë Tiranë bardhezi, por të mbushur me ngjyra nostalgjie. Nga filmimet e siguruara prej Arkivit Qendror të Filmit që vijnë për herë të parë për publikun, gjen pamje, por edhe njerëz të njohur. Dhoma u dedikohet dy filmave: njëri prej tyre nga Ismaili dhe tjetri nga Helena, që dokumentojnë punën e çiftit për Kinostudion. “Ballë për Ballë”, i cili dramatizon ndërprerjen mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik, dhe “Nusja dhe shtetrrethimi”, një kthesë vendimtare drejt çlirimit të vendit nga pushtimi gjerman. Njëri ndodh në afërsi të porteve detare, tjetri në Tiranë. Dokumente nga arkivi i Kinostudios ofrojnë informacion të mëtejshëm mbi kontekstin, si dhe detajet e përzgjedhjes së aktorëve dhe vendxhirimeve, të cilët mund të krahasohen lehtësisht me prodhimin franko-italian të Gjeneralit të ushtrisë së vdekur.
Një dhomë për Mastroianni-n
Hapësira përballë është Dhoma e Gjeneralit. Një prej sukseseve më të mëdha të veprës së hershme të Kadaresë ishte pikërisht përkthimi në frëngjisht i Gjeneralit të ushtrisë së vdekur. Një alegori e ndërtimit të historisë sipas dëshirës së periudhës së pasluftës, romani krijoi jehonë në shumë kultura e vende të ndryshme, duke shpërndarë e mbështetur në këtë mënyrë emrin e shkrimtarit për dekada të tëra. Romani është tragjik në mënyrën se si përcjell idenë se e kaluara nuk mund të varroset e as të ringjallet, duke shtuar kështu veçse një barrë të rëndë mbi të tashmen. Në njërën prej faqeve të murit qëndron afishja e aktorit të madh italian, Marcello Mastrioanni, në rolin e gjeneralit, në filmin franko-italian “Le Général de l’armée morte”.
Historia e projektit kinematografik për Gjeneralin e ushtrisë së vdekur të Ismail Kadaresë është sa e trishtë, aq edhe absurde. Që në vitin 1972 kryeministri Mehmet Shehu porosiste që të veprohej sa më parë me projektin francez për realizimin në Shqipëri të filmit. “Duhet vepruar sa më parë me këtë projekt, do t’i pritej rruga realizimit të një filmi amerikan që shpallte se prej librit të Kadaresë mund të dilte një kinokomedi”, – porosiste kryeministri vartësit e tij. Regjisori Piro Milkani rrëfen në hyrjen e katalogut kushtuar të gjitha peripecive nëpër të cilat kaloi bashkëpunimi me producentët dhe kineastët e huaj dhe se si u la në mes në vitin 1980. Megjithatë, tre vjet më vonë regjisori Tovoli pati premierën e filmit të tij dhe madje e shfaqi në festivalin e filmit të Çikagos, në Amerikë.
Pjesë e projektit më vonë u bënë edhe kineastët italianë, kur Luciano Tovoli vendosi të bëjë regjinë e filmit me Marcello Mastroianni-n dhe Michel Piccoli-në në rolet kryesore. Piccoli dhe Tovoli erdhën në Shqipëri disa herë për të përcaktuar vendet e xhirimit të filmit dhe më pas për të përmbyllur kontratën e bashkëpunimit me palën shqiptare. Gjatë këtyre viteve nga pala shqiptare u vu në dispozicion të tyre çdo gjë dhe u premtua se Kinostudioja ishte në gjendje ta furnizonte ekipin me mjete teknike dhe pajisje ndriçimi, si dhe me kostume apo rekuizitë të nevojshme për realizimin me vërtetësi të episodeve të filmit.
Një artikull gazete risjell intervistën me dy pro-ducentë të huaj, Jean Pierre Labrand dhe Robert Kyperberg, të cilët kishin ardhur në Shqipëri për të lidhur kontratën mbi të drejtat për filmin Gjenerali i ushtrisë së vdekur. “Ne mendojmë që në fillim se filmi i ardhshëm, ashtu si edhe romani, duhet t’i kalojë kufijtë e Shqipërisë, e nuk do të dënojë vetëm agresorët e këtij vendi. Problemi i dënimit të agresorëve, linja kryesore e filmit, është sot një problem i disa vendeve. Sepse, mendoj unë, për 10 ose 20 vjet, mund të xhirohet edhe një tjetër Gjeneral i ushtrisë së vdekur duke pasur në qendër përsëri një gjeneral, por këtë radhë amerikan, që shkon të mbledhë eshtrat e ushtarëve të tij në Vietnam a gjetkë”, – shprehej Kyperberg, ndërsa zbulonte se pjesa më e madhe e filmit do të xhirohej në Shqipëri, ndërsa personazhet do të ishin aktorë të huaj, të njohur. – “Kinostudioja do të na ndihmojë për sigurimin e një numri jo të vogël figurantësh, për xhirimin e disa skenave të luftës, për rekuizitë, etj.”.
Kohë për lexime
Dhoma e fundit shërben për të rikthyer ndjesinë e letërsisë te vizitorët, duke u mundësuar atyre vlerësimin e nivelit të veprës, si dhe kthimin në leximin dhe studimin e një veprimtarie letrare të larmishme. Duke mos dhënë një përfundim të caktuar, dhoma e fundit kërkon të hapë sytë e publikut, mbi praninë publike të Kadaresë pikërisht në vendin ku ajo është krijuar.
Ndryshe nga atelieja e në artisti, përmbajtjet e së cilës janë zhvendosur në hapësirën e një muzeu, shumë objekte, dorëshkrime, libra dhe fotografi tashmë janë rikthyer në apartamentin e tij, aty ku mundësojnë zhbërjen e disa prej fijeve të pëlhurës së dendur që përbën veprën e tij; fëmijëria në Gjirokastër gjatë muajve të fundit të luftës, puna e tij e palodhur mbi gjuhën dhe rrëfimin, koha e tij në Moskë si një poet i ri dhe vitet e mërgimit të zgjedhur nga vetë shkrimtari në Paris.
Në dalje të apartamentit, përmes një dere tjetër, ai që flet është shkrimtari gjerman që pati zgjedhur të emigronte në Angli, W.G Sebald. “Shpeshherë pyes veten cilat janë ato lidhje të padukshme që përcaktojnë jetët tona dhe si ato, lidhen prej fijesh të ndryshme?”
Tregimet, thashethemet, bisedat dhe monologët mbajnë historitë e Kadaresë dhe u dhurojnë atyre një zë, i cili u jep krahë fjalëve në një recitim të ngjarjeve sikur ato të ishin në gjendje të qëndronin pezull në ajër…
S.B