More
    KreuLetërsiBibliotekë"Frida", tregim nga Xheni Shehaj

    “Frida”, tregim nga Xheni Shehaj

    Cigaren e mbante plot hijeshi në dorën e hollë e bardhoshe. Ishte ulur në një kthinë të ndyrë si stallë derrash që qelbte erë. Kushdo që nuk e njihte mund të habitej me prezencën e asaj dame në atë ndyrësi. Por shumica e njihnin dhe e dinin që ajo ishte Frida, kurtizania e portit. Shtatlartë, afër të 30-ve, gruaja shpaloste një bukuri e nur të mahnitshëm. Trupin e saj të drejtë, gjinjtë e mbushur e të rrumbullakosur, buzët e plota, sytë e zinj, flokët e dendur e të gjatë, i plotësonte një veshje prej mbretëreshe.

    Të gjithë në port e njihnin dhe e respektonin gruan. Ishte një grua që ofronte shërbimet e saj kundrejt pagesës dhe respektit. E veçanta e saj ishte se ndryshe nga kurtizanet e tjera që endeshin me marinarët, kapitenët e me raste të rralla edhe me ndonjë nga hamallët e portit, Frida numëronte vetëm dy burra. Njëri ishte marinari 29 vjeçar, Martini, tjetri ishte doktori i anijes “Rosabela” doktor Edmundi.

    Jeta e Fridës si kurtizane e si grua ishte lidhur pazgjidhshmërisht me këta dy burra. Mirëpo fati kishte plane të tjera…

    Një të diel tetori kur pritej të vinte në port “Rosabela” e bashkë me të dhe doktor Edmundi, erdhi lajmi se anija do të vonohej edhe disa javë. Frida që po priste në kthinën e përhershme mbërritjen e anijes dhe të të dashurit u ligështua. Tek po ngrihej për t’u kthyer në dhomën e saj në hyrje të lokalit u duk kapiten Gasperi. Pasi u përshëndetën ai e ftoi zonjën për një gotë. Dukej i sikletosur dhe nuk po lidhte mirë bisedën. Por pas gotës së dytë kapiteni u burrërua dhe lëshoi fjalët, që më në fund arriti ti lidhte.

    – “Rosabela” vjen në darkë. Doktori jo. Ka mbetur në një ishull. Vdiq aty. I sëmurë me ethe hemoragjike.

    Kaq tha kapiten Gasperi. Frida kishte ngrirë me qëndrimin drejt dhe sytë ngulur tej në horizont. Kjo ndodhi para disa muajsh.

    Kësaj here Frida po pret të dashurin tjetër, Martinin. Ndryshe nga doktori (ndjesë pastë), Martini është më i gjallë. I shkathët, bukurosh, plot jetë, ai e çon Fridën në dimensione të tjera. Luajnë të dy, dashurohen, qeshin, zihen shëtisin dhe netëve të dimrit kur ai ndodhet në tokë pijnë  bashkë deri në dehje. Zbulojnë sekrete, komplete, ishuj të harruar, luajnë piratësh e zanash, gjejnë thesare nëpër shpella dhe zhyten në kaltërsinë e kënaqësive. Duket se janë bërë për njëri – tjetrin. Me Martinin,  Frida e ndjen veten fëmijë. Fëmijë çapkën e lozonjar. Me doktorin ishte ndryshe. Tjetër sjellje, tjetër status.

    Pikërisht atë po pret Frida tani, Martinin. Ajo e di përmendësh skenarin. Anija do ankorohet, marinarët do zbresin njëri pas tjetrit, ai do të zbresë i parafundit. Do të hidhen në krahët e njëri-tjetrit.Martini do ta rrotullojë siç mund të rrotullojë babai vajzën e vogël. Ajo do të qeshë hareshëm. Do të rroken, puthen përqafohen dhe ashtu të ngjitur do të shkojnë jashtë portit për të drekuar bashkë. Nata do ti gjejë të zhytur tek njëri-tjetri duke marrë frymën e sho-shoqit. Dielli do të lindë me ta e për ta.

    Këto mendon Frida ndërkohë që pret me padurim ardhjen e Martinit. Por Martini nuk duket se do të vijë. Po vonon.

    Kapiten Gasperi përshëndet nga jashtë lokalit me kokë. Ajo ia kthen pa shumë entuziazëm. Dhe pret. Pret anijen që do sjellë Martinin. Koha kalon ngadalë. Dikush lajmëron se anija po vjen. Ja ku duket. Frida del jashtë në ajër të  pastër dhe e paduruar bën ecejake.

    Më në fund anija ankorohet dhe turma e njerëzve që presin në shesh mblidhet mizëri. Detarë në pension, kapitenë, marinarë, kurtizane, hamej, fëmijë që presin baballarët,  gra për së mbari, të gjithë presin. Por ndryshe nga herët e tjera kur marinarët e sapombërritur dilnin pa radhë e plot zhurmë dhe kapiteni i anijes bënte sikur nuk vërente gjë, kësaj here marinarët janë rreshtuar në kuvertë dhe po nderojnë. Turma vëzhgon e heshtur. Diçka po ndodh. Një fëmijë dallon të atin në kuvertë dhe bën ti lëshojë dorën së ëmës për të vrapuar drejt tij por dora e hekurt e gruas e ndal në vend. Katër marinarë të fuqishëm dalin ngadalë nga pjesa e brendshme e anijes duke mbajtur në krah një arkëmort. Zemrat e turmës rrahin me një ritëm. Frida padashur ka shtrënguar kycin e dorës së kapiten Gasperit. Ky ndjen një fërgëllimë në të gjithë trupin. I afrohet më afër. Gruaja i ka ngulur sytë tek arkëmorti. Me shpejtësi kalon dhe njëherë në revistë gjithë rreshtin e marinarëve për të dalluar Martinin. Nuk e sheh askund. Ndoshta është brenda. Brenda ku? Jo, jo në arkëmort. Mbi kyçin e dorës së kapiten Gasperit janë ngulur thonjtë e Fridës. Burri ndjen dhembje por nuk e jep veten.

    Kapiteni i anijes urdhëron të qëllohet me top për nder të marinarit Martin N. Emri i Martinit elektrizon trupin dhe mendjen e Fridës. Gruaja nuk dëgjon, nuk sheh më asgjë. Pas goditjes së tretë e të fundit me top, turma e përlotur i hap rrrugën djemve që mbajnë trupin e të ndjerit në supe.

    Një ditë më pas.

    Frida ndodhet e shtrirë në dhomën e saj. Mbi krye i qëndron kapiten Gasperi dhe vajza 15 vjeçare që shërben vaktet në hotelin e kurtizaneve. Gruaja përmendet dhe menjëherë i vjen ndërmend i dashuri i vdekur. Pyet kapitenin për të.

    Edhe kësaj here i takon kapiten Gasperit t’i njoftojë detajet e vdekjes. Martini u qëllua aksidentalisht në anije. Një grindje mes shokësh. Punë bixhozi. Djemtë ishin ca të dehur, po luanin dhe njëri bënte hile. Nisi sherri, grushtat dhe grindja degradoi deri në rrahje masive. Martini u ndodh aty dhe u fut mes tyre për të shuar sherrin mirëpo një prej djemve, më i dehuri mes tyre rrëmbeu një levë dhe e goditi Martinin në kokë. Vdiq në vend. Sigurisht që vrasësi do ta paguajë, do të dalë para gjyqit. Kështu i tha kapiten Gasperi. Frida përpiu çdo fjalë të rrëfimit dhe në fund zhyti kokën në jastëk e u shkreh në dënesa.

    Pasi u qetësua ca u kërkoi dy shoqëruesve që ta linin të pushonte. Kishte nevojë të pushonte.

    Gjithë ditën ajo nuk doli nga dhoma, nuk u pa gjëkundi. Në mbrëmje vajza e vogël u ngjit në dhomën e kurtizanes për t’i çuar darkën. Dera ishte e mbyllur dhe vajza zbriti sërish shkallët. Të nesërmen paradite kapiten Gasperi u ngjit në dhomën e Fridës. Një natë më parë kishte menduar për të dhe për faktin që tani ai mund të kishte ndonjë mundësi me të. Ndoshta tani që mbeti pa asnjë nga të dashurit e saj vetmia dhe mungesa e parave do e hidhte gruan në krahët e tij. Kishte shpresë kapiteni. Trokiti. Asnjë përgjigje. Trokiti sërish. Sërish asgjë. Atëherë mori vrull dhe iu sul derës duke e hedhur përtokë.

    Dhoma kutërbonte erë vdekje. Frida dergjej mbi shtrat me thikën e ngulur drejt e në zemër. Kapiten Gasperi lëshoi një psherëtimë. Nuk kishte më shpresë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË