More
    KreuLetërsiShënime mbi libraFrano Kulli: Rileximi i Fishtës në liri

    Frano Kulli: Rileximi i Fishtës në liri

    Gjergj Fishta, qe i exkomunikuar për një gjysëm shekulli. Leximi i veprës së tij lirisht qe i pamundur, madje rreptësisht i ndaluar. Një rast unikal ky, krejt i veçantë që i ndodh një autori. E çfarë autori! Poetit tonë Kombëtar. Leximi i mbramë i lejuar e i papenguar “Post mortum”, ka vijuar edhe jo më shumë se pesë vite, nga 1940 deri në 1945-ën. Në ndërkohë janë dy botime përkujtimore; “At Gjergj Fishta-Botim perkujtimuer”[1] i vitit 1941, përgatitur nga bashkëvllau , At Benedikt Dema dhe tjetri i së njëjti koncept e format dhe i po të njëjtit vit, botim i revistës “Shkëndija” [2] në Tiranë. Janë dy momente përndritjeje përreth tij e veprës së tij, por masandej mbas shumë pak kohe gjithçka zbehet e venitet. Ndoshta qe kjo mirakandja e fundme që pasoi preludin trishtues për atë pluhnajen që do të vinte më mbas, terratisja e tij deri në mospërmendje. Mospërmendja ra vetëm me rikthimin e lirisë së fjalës e të shprehjes, atëherë kur rendi ynë shoqëror, si rregjim refraktar dhune u përmbys. Ndër të parat gjëra rreth të cilave filloi të flitej ishte edhe evokimi e rikthimi i Fishtës së ndaluar. Një bërthamë intelektualësh në zë të fushës së letrave e të artit; Ndrekë Luca, Aurel Plasari, Rudolf Marku zatesin shpejt në Shkodër. Në qytetin ku poeti kish ndërtuar lavdinë e vet. Përreth këtij “nukli” u mblodh mjaft qytetarí e etur për liri. Kërkohej rivarrimi human i eshtrave të të çvarrosurit, por njëherësh qe imperativ ripërtëritja e emrit dhe e veprës, strukur nën atë pluhnajen e frikëshme gjysëm shekullore. Duhej “thyer veshi”, më së pari me ripërmendje. Ndaj evokimi, ringjallja e filluar në vitin ‘90, pati shumë kumte e fjalë. Fjalë, fjalë, fjalë. Në Shkodër, në Lezhë, në Tiranë… Dhe kjo çmohej si më e duhura asohere. Për disa vite rresht kështu, gati për një dekadë. Dhe mirë është bërë. Ka qenë nevojë jetike rikthimi. Madje, është  proces, ende i papërfunduar. Ndërkohë u ribotuan në mënyrë sporadike një pjesë e veprave… Gjithçka e botuar në gjallje të tij, kishte mbetë e shpërndarë. Nuk u arrit të përmblidhej në një kolanë, ashtu siç e kishte ëndërruar vetë ai. Dhe siç kish porositur në bisedë me njërin prej bashkëvëllezërve, At Viktor Volajn (6.12.1910 – 5 nëntor 1995), gjuhëtar ekselent. Kjo gjë nuk mundi të arrihej prej tij edhe pse ai, fizikisht jetoi gjatë mbas autorit. Në vitin 1941 ai ribotoi të komentuar prej tij “Mrizi i Zanave”. Me këtë botim që ishte i katërti i veprës (i pari daton në vitin 1913 nga shtypshkronja “Nikaj”) ai vijonte bashkëpunimin e tij me Fishtën tashmë të ndjerë, prej aty ku e kishin lënë.”N’ortografi u mbështeta mbi njato kritere-dëshmon Volaj-mbas të cillash, dy muejë para deket qortuem bashkë me poetin trembëdhet kangët e para të “Lahutës…”. Ndersa me ndrrime të vogla qi bani aty këtu i zhduku edhe disa trajta nëndialektare sidomos të Zadrimës, si kjoshna per kjoshim, jena për jemi etj., si edhe trajtat e sinkopueme,(k’in për kishin) kur s’e lypte nevoja, tue kenë mendimi mbi nji botim definitiv me i zhduk do trajta nendialektare, qi nuk kishin nji arsye të posaçme shprehjeje[3] 

    Kështu, letërsia e tij, gjalloi vetëm në klandestinitet, shpesh me rrisk e rrezik për lexuesin e leximin fshehtas, ose… si letërsi orale, gojore. Lahuta, kryevepra kështu. Për shkak të strukturës së saj stilistiko-letrare dhe se qe bërë shumë familjare, një vepër homerike e cila komunikonte lehtësisht edhe në mënyrë orale.(Kam njohur jo një po disa ithtarë që recitonin pa u ndalur me qindra vargje nga ajo, njësoj si vargje të eposit të kreshnikëve.)

    Eqrem Çabej, ky albanolog i pa qasje me të tjerë, i pakrahasueshëm, që rrezatonte kulturë evropiane, jo vetëm për shkak të gjithë ciklit të studimeve të veta; të mesme, të larta dhe ata doktorale, që kishte kryer në Austri, porse gjithë jetën e vet studimore më pas e çoi në këtë frymë e në këtë rrugë, shprehet:”Fishta arriti të ngrejë kështu veprën (“Lahuta e Malcis”) në sferën kombëtare… vepra e tij ka marrë karakterin e një eposi kombëtar. Te ky[Fishta] e kaluara dhe e ardhmja e këtij kombi janë pjekur fatalisht në një pikë simbolike me njëra-tjetrën.Ai madje shton se:“nuk mund ta përflasim poetin që ka marrë për lëndë të poemit të tij një trevë njerëzore gjeografikisht kaq të ngushtë; sepse te kjo botë e përshkruar prej tij njohin vetveten jo vetëm Malësorët e Veriut, por gjithë banorët e maleve shqiptare, ata të Verilindjes (Kosovë), të Lindjes (Dibër) e të jugperëndimit (Labëri)”[4] 

    Po më përtej, është shfaqë edhe synimi shvleftësues, në ndonjë analizë stilistikore, po krejt të sipërfaqëshme, buruar prej ndjesive të xhelozisë, më tepër se prej arsyeve të tjera, besojmë. Arti i Fishtës është përçmuar si folklorizant. Duke i vënë përballë vargun e lirë e modernitetin e tij, për kohën, tek Migjeni; duke krahasuar të pakrahasueshmet. E duke mënjanuar faktin që vetë Fishta nuk qe aspak përjashtues por veçse vlersues e inkurajues për talentet e shkrimtarisë së kohës së vet. Sidomos për më të rinjtë. E jo veç i Koliqit, bie fjala, por edhe i Migjenit, të cilin ai e çmonte “djaloshi i talentuem”. Kur ndër biseda me të, bashkëvllazën françeskanë i shfaqnin mospranim për idetë a poezitë e tij e madje  e cytnin duke i thënë: “Pader, duhet me ju pergjegjë këtij Migjenit..”. E poeti pati dhënë atëherë, në vijim të konsideratës së tij për të, këtë përgjigje për bashkëvllaznit:”Lenie rahat djalin e Gjushit [Gjergjit] se asht  ende i ri… “, pohojnë bashkëkohës se u thoshte Fishta për të.[5] 

    Po me letërsinë tjetër të tij ç’u bë ? …Ç’u bë me dramaturgjinë e tij ? Me dramat e melodramat, po edhe me përshtatjet nga fondi më i mirë i dramaturgjisë botërore, shumicave e të cilave qe inskenuar po prej tij. Fishta pati sjellë për së pari komunikimin në shqip të saj. Veprimi i tij për teatrin zë fill që më 1902. Asokohe, salloni në Kuvendin e Françeskanëve në Shkodër, ku ishte edhe “rezidenca krijuese e shkrimtarísë së Fishtës” u kthye edhe ndër sallat e para në atë qytet e më përtej, sallë shfaqjesh ku filloi të kumtohej shqip. Dhe vetëm shqip. (Pak më vonë, me 1919, në Gjuhadol, në oborrin e shkollës fretnore u ndërtua një sallë tjetër[6], një sallë me 300 ndenjëse për spektatorë). Këtë pati kurajë ta bënte Gjergj Fishta, i cili, edhe kur përdorimi i shqipes ende qe i ndaluar nga Perandoria Osmane e futi atë si gjuhë mësimi në shkollat françeskane (liceun françeskan “Illyricum” dhe në shkollën e motrave stigmatine) kur ishte drejtor i këtyre shkollave. Studiuesi Tonin Çobani[7] na kumton se: “Aty [në sallonin e fretënve] mendohet se u shfaqën dy skeçet origjinale të Fishtës (“Autori, Shtypshkronjësi” dhe “Përpara derës së Parrizit”), komeditë “Mjek përdhuni“(1905) dhe “I ligu për mend” (1908), të dyja sipas Molierit, si dhe dy pjesë origjinale me karakter didaktik: “Gjuha e Mësimit” (1907) dhe “Nevoja e mësimit” (1907).

    E fundit vepër e tij dramaturgjike që vihet në skenë është melodrama “Juda Makabé”, në vitin 1945, me 28 nëntor, në një vjetorin e çlirimit nga pushtuesi.(Zef Zorba ishte rregjisori, Prek Jakova muzikanti. Preka, i izoluar për arsye biografike, në një shtëpi burg aty në Shkoder, ditën e çonin nga aty, në teatrin e jezuitëve ku bëheshin provat për shfaqjen e në darkë e kthenin përsëri në shtëpinë burg). Ajo qe shfaqja e fundit e “Judës…” dhe e fundmja shfaqje me tekst nga veprat dramaturgjike të Fishtës. Këtu e këndej gjithçka venitet e struket. Ende sot, Fishtën e citojnë dhe e përmendin rrallë si dramaturg. Ani pse ai është autor i 40 dramave e melodramave, të shkruara a të përshtatura. Me shkrimtarinë e vet në gjininë dramaturgjike(që kryesisht është e shkruar në vargje), por dhe me vënien në skenë, thuajse të shumicës së veprave të këtij zhanrri, Fishta u shenjua vetëdijshëm si themeluesi i teatrit shqiptar. Kurse Faik Konica, në esenë e tij të gjatë “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Europës juglindore” shkruan: “At Fishta është marrë me secilën gjini letrare dhe në të gjitha ka qenë i suksesshëm”[8]

    Po me satirën? Satira qe përmbledhë në “Anzat e Parnasit” që me 1907-ën…Shkruan At Pashk Bardhi një bashkëvëlla françeskan: “Në vjetë 1907, nuk më bje në mend se në ç’muej, nëpër liqe të Shkodres kthete prej nji udhëtimi qi kishte bâ në Vjenë Abâti i Mirditës, Emzot Doçi. At Fishta, At Benardin Shllaku e unë i duelem përpara  ku ndaloi vaporri. Kur hime n’lunder për me ardhë në qytet[Shkoder] e thirri Fishten me ndjejë bri tij e i kallxoi se në Vjenë të gjithë, profesorë e studenta e të gjithë qi u merrshin ndopak me gjuhë shqype ishin t’entuzjasmuem per “Oso Kuken”[Kënga e dytë e Lahutës] e lavdet qi i kish ndie prej sish nuk dijte me i shprehë. Atë Fishta e pveti:”Po per “Anza t’Parnasit”, monsinjore, shka thojshin…[9] “… Është i vetëmjaftueshëm edhe pohimi i kësaj bisede për të ndaluar te vendi që zinte satira në aspiratën krijuese të Fishtës, që heret. Madje, njihet deri më tani se publikimi i parë i Fishtës është një vjershë satirike “Zoti Anselmo Lorecchio në Vienë”, e botuar në nëntorin e vitit 1899, në “Albania” të Konicës, që asokohe dilte në Bruksel.

     “Gomari i Babatasit” qe shkruar, inskenuar edhe botuar në 1923. Në kohën kur doli ajo tronditi skenën shkrimore e intelektuale, por atë politike mbi të gjitha, me thellësinë e mendimit e forcën e satirës që fshikullonte dallaveret e shumta të politikës e mbartësve të tyre, kryesisht. Edhe “Visku…” që për “arsye prudence”, siç autori na pohon, mbeti e pabotuar…

    Mbas ndalimit të tij edhe satira mbeti e transmetuar heshtazi e frikshëm vetëm si…lexim anekdodik. Në vend të satirës së tij, që në bashkëkohësí kishte pasë arrit majat , “lexohej”, transmetohej Fishta hokatar. Pra qarkullonin gojë më gojë anekdotat e tij dhe përreth tij sidomos, herë të thëna bukur e herë jo bukur. Ishte pra, aspak më shumë se vulgaritet me zëvendësue satirën e kulmeve të arritura deri atëhere me hoka. Siç është vërejtur, “Gomari i Babatasit dhe “Visku i Babatasit”, janë shenja të larta emancipimi mendor e shoqëror të shqiptarëve, të cilët nuk na kanë lënë, për fat të mirë pa dëshmi dinjiteti për të përballuar të vërtetën. Në këtë pikpamje, kjo vepër mund të krahasohet, siç është krahasuar me “Udhëtimet e Guiliverit” tek anglezët, me “Shpirtrat e vdekur” tek rusët, me “Gjermania-një përrallë dimri” te gjermanët etj.-shkruan studiuesi Stefan Çapaliku.[10] Edhe tani, para tri vjetësh, kur u vu në skenë “Gomari i Babatasit”, në Shkodër salla e teatrit qe plot për disa netë, po nga zyrat u patën shigjetuar me turivarje…

    Po me prozën: publicistikën, eseistikën ç’u bë ? Ndoshta përkufizimi i Lasgushit “meditans e militans”[ëndërrimtar dhe luftarak] do t’i shkonte më shumë se çdo perifrazim tjetër produktit të shkrimtarisë së tij në këtë fushë. Si stil shkrimtarie e si problematikë sociale. Që intonohet e shërben edhe në të sotmen. Në të vërtetë, asnjë personalitet shqiptar i kulturës, rezident i përhershëm në truallin ku lindi, nuk ka marrë nderime e vlerësime të pafundme superiore sa At Gjergj Fishta, në gjallje të vet, i rrethuar me lavdi si askush deri atëherë në Shqipëri. Njëri syresh, Luigi Federzoni, shkrimtar, publicist dhe politikan i rëndësishëm i kohës,[Ministër i fashizmit], një ditë pas vdekjes së Fishtës shkruan: Në të [Fishten] kemi pá se gjallonte e rrahte zemra e shpirti i kombit fisnik shqiptar me të gjitha bukuritë e miteve origjinale, të traditave mistike e kalorse, të dokeve besnike të vjetërsisë, të ndjenjave heroike. Secili nesh ka kuptue se Gjergj Fishta kishte me të vërtetë lartësinë e Poetit Kombëtar. Tashti e dijmë se vepra ka për të mbetë në mende e në nderim të shqiptarëve[11]. Ndoshta më shumë se çdo vlerësim tjetër është ky, sa për notat e larta, po aq edhe sepse rrëzon qëndrimet e herëshme, që rishfaqen ende sot, herë pas here si akuza të tërthorta të shërbesës a bashkëpunimit me fashizmin. Po ka edhe një pohim të vetë autorit akademik që na vjen nga At Danjel Gjeçaj,[12] si dëshmi në mbështetje të arsyetimit tonë e si drojë largpamëse e keqkuptimit e vetë Fishtës: …Ndoshta ndokush, tash apo ma vonë, kur unë s’kam për me mujtë me u mprojtë ka për të më fajisë [bërë me faj] për këtë “kokardë”[stemë] që báj…se unë i jam shitë italianëve apo, çka do të ishte edhe ma zi, se unë jam bá fashist: dije se Akademitë, edhe pse cilësohen me emen të atij kombi e të asaj qeverie prej së cilës mbahen, janë gjithnji e përherë katedra të përbotëshme për dije e art. Svedia [Suedia]- shtonte- u ep çmimin “Nobel” të gjithë dijetarëve e letrarëve në shenj të botës dhe kurrkush s’thotë se i shpalluni “Nobel” asht ba svedez [suedes]. Kështu e argumentonte Fishta para studentëve të vet kurreshtarë, momentin e shënuar të jetës së vet.

    Kurse sa i takon  polemikës, një shkollë në vete, ende e munguar tek ne, Fishta qe zotëruesi “par exellence” i saj në bashkëkohësinë e vet; një model për t’u ndjekur edhe sot, për kthjellësinë e ideve, për principialitetin e pa lëkundshëm asnjë fije, por edhe për kulturën e bashkëbisedës e dialogut. Janë shembëlltyra të paarritëshme ende sot shkrime  polemike si “Gabove Hilë” apo “Për nji fjalë të pavend të zotni Mehdi Frashërit” Por edhe në fushë të estetikës me esetë: “Poetët e m’dhaj t’ Italisë” apo “Shenime estetike”, të cilave ke pse t’u kthehesh edhe sot.

    Rileximi në kohën e lirisë

    Sot vepra e Fishtës, rezulton të jetë e plotë në duart e lexuesit të dëshiruar. Në dy variante; një botim i transiletruar i ardhur sivjet dhe një tjetër që në 2012-ën , i plotë, integral gjithashtu, i paisur me aparat filologjik e gjuhësor. I arsyetuar kështu si një mënyrë më e lehtë komunikimi me  lexuesin. Edhe një “Fjalor i veprës së Fishtës” , sapo ka dalë nga shtypi, një muaj më parë. Mendojmë se është   një çelës i nevojshëm leximi. Për të kuptuar e shijuar më mirë e më plotë veprën. Se, më së pari, risjell  atë pjesë të leksikut, prezent në veprën e autorit, por të stopuar atje prej suspancës së mospërdorimit e mungesës së kontaktit me lexuesin. Dhe për së dyti edhe për të mënjanuar sa të jetë e mundur pretekstin e moskuptimit të veprës e të autorit,  për shkak të këtij leksiku “të vjetërsuar”, që ka shërbyer gjithherë këto kohë si vjegzë për të varur në të vjetërsinë, anakronizmin, për ata që e duan Fishtën atje në cepat e harresës prap tani e përjetësisht.

     Por janë gjithashtu edhe katër prej veprave përfaqësuese të gjinive letrare (“Mrizi i Zanave”, “Lahuta…”,  ‘’Juda Makabé e Jerina ase mbretnesha e luleve” dhe “Gomari i Babatasit “) si botime të veçanta, paisur edhe këto me shpjegimet filologjike të sipërpërmendura, prezenca e të cilave  e ka dhënë një efekt, sado të pakët në mardhënien  e nevojshme të autorit klasik me brezin më të fundit. Tani, imperativ mbetet hyrja meritueshëm e klasikut në shkolla, gjë të cilën, autoritetet përgjegjëse të këtij vendi nuk po duan e nuk po duan ta bëjnë… E jo vetëm burokracia shtetrore e kalbur, por për më shumë edhe raporti i faktorit letrar me Fishten, që ende ruan  sot domenin e dikurshëm të “parësisë”, me qëndrimin  e vet e  prekin thelbin e leximit të autorit klasik, poetit kombëtar të shqiptarëve.

    Ende vijon të jetë i pakthjelluar, i pazgjidhur ngërthimi ndërmjet “mitit” dhe “antimitit” që e bashkëshoqërojnë tash një shekull Fishtën. Dikush e don me patjetër edhe “arkitekt” të madh, (MITI) sikur të mos mjaftojë madhështia e gjithdimensionaliteti letrar e publik i tij e kualiteti i epërm i konfirmuar i shkrimtarisë së tij. Që, në mënyrë të tërthortë e dëmton atë, mendojmë. Ndonëse edhe në këtë fushë ende sot ruhen skica origjinale e përmenden prej bashkëkohësve bashkëpunime me arkitektë të zot të kohës si ing. Ludovik Zojsi. Por më e rëndë, shumë më e rëndë është tjetra; dikush e don ende të sfmumuar, të mënjanuar, të anatemuar si dikur; fashist e tjetër gjë këso dore. Janë kryesisht “rrota e burma” nga mekanizmi i ndryshkur i aulave propagandistike të partisë ku për dyzet e kusur vjet flitej me mllef asgjësues për letërsinë e autorëve reaksionarë. E dikush tjetër me heshtim, e pohon ende si “folklorizant” molepsur prej sindromit të të bërit hije. (ANTIMITI). Pengesa jo të vogla këto në hullinë e leximit e të shijimit të veprës së klasikut të shkrimtarisë, Poetit tonë kombëtar.


    [1]  At  Gjergj Fishta, Botim perkujtimuer, nën kujdesin e At BenediktDema, Shkoder, 1941.

    [2]  Gjergj Fishta, nën kujdesin e revistës “Shkëndija”Tiranë,1941.

    [3]  Gj. Fishta, Mrizi i Zanave, botimi i katërt,parathanje e At Viktor Volaj, Shkoder 1941, fq. 2

    [4]  Gjergj Fishta, botim përkujtimuer nën drejtimin e revistës Shkëndia, Tiranë, 1941. fq.36.(Eqrem Çabej, “Epika e Gjergj Fishtës”).

    [5]  Pohim i dëgjuar  prej meje nga At Shtjefen Pistulli(1922-2008), ish nxënës në Liceun Illyricum, 1930-1938

    [6]  Lec Shllaku, Maskat shkodrane-Kur lindej teatri, fq.60

    [7]  Tonin Çobani, Ndue Ballabani:”Teatri i Gjergj Fishtës”, fq.132

    [8] Faik Konica:”Shqipëria, kopshti shkëmbor i Europës juglindore”, Tiranë 2006, fq.83

    [9]  At Gjergj Fishta, botim perkujtimuer , Shkoder 1941, fq.169

    [10] Stefan Çapaliku: nga “Fishta satirik”, Pasthënia e “Gjergj Fishta-vepra 8, Satira” , fq.211

    [11] “Gjergj Fishta” numër përkujtimuer, botuar nën kujdesin e revistës “Shkëndija”, Tiranë 1941, fq.6.

    [12]  Pal Duka Gjini[At Danjel Gjeçaj], Gjergj Fishta-jeta dhe veprat, Romë 1992, fq.159

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË