More
    KreuOpinionFrano Kulli: Nuk mund të receptohet fishta me receptorët e fikur…

    Frano Kulli: Nuk mund të receptohet fishta me receptorët e fikur…

    Debati për drejtshkrimin e shqipes, siç ajo është shkruar deri në vitin 1972 apo simbas gjuhës së njësuar atë të vulosurën në kongresin që u pagëzua me emrin i drejtshkrimit, ngjitet shpesh në skenë e kështu, me një intensitet të rritur po ndodh këto kohë. Ngjan edhe si një lojë dhe prandaj vetvetishëm zen vend fjala skenë, si fjala që shquan objektin e vendlojës së teatrit qysh mbas kohëve të vjetra. Diskutimet a debati për drejtshkrimin, ardhë në këtë skenë valë-valë simbas ernave që e kanë sjellë, ka nisë e është bitisë nëpër të njëjtat hulli, duke mos u ndalë asnjëherë e me vendosë ndoj pikë mbi i, por duke e shtratifikue në atë mënyrë debatin, sigurisht mbështetë mbi të përkundërtat, të cilat herë-herë edhe i stisin, që gjërat të mbesin pezull. Me synimin e qartë e të menduar mirë që pezullía rrin aty për të shërbyer radhën pasuese, kur t’ju vijnë nevoja strategëve të kësaj krijese të mendimit e shkëmbimit të fjalëve të shkruara të quajtur debat. Atyre që në fund të fundit e sundojnë këtë krijesë, debatin pra, përderisa e hapin dhe e mbyllin si me buton, kur ju duhet e kur ju intereson. Atyre që edhe emrin e pagëzimit të veprës së vet gjuhë e njësuar , me një rrëshqitje të pabujëshme po kryeneçe e zëvëndësuan me fjalën pa kurrfarë ngjyre e shije për të përkufizuar një organizëm të gjallë si gjuha, me emrin standard. Tash tridhjetë vjet kështu, së paku, qyshse liria e fjalës e shkapërderdhun e e keqpërdorun deri në kufijtë e të papërgjegjëshmes, nuk ngjit e jehona e saj, gjithsesi qoftë, shkon jo ma shumë se tri ditë.

     Zgjedhja për ta futë debatin në hullinë e ekstremeve, ku prapë e gjithherë është forca e pushtetit të trashëguar si palë e parë ndërdebatuese vjen si një zgjedhje anashkaluese; si e tillë ajo nuk synon kurrë thelbin e problemit e aq më shumë ndonjë zgjidhje të tij. Si në, thuajse gjithçka ndër ne; njësoj si në “debatin” për ditën e çlirimit, që në tridhjetë vjet shkon “e lagu s’e lagu”, pa çèk askërkund atë që do të përbënte thelbin, që finishi i luftës për çlirim prej pushtuesit solli lirim a shtërngim, demokraci e liri a diktaturë e dhunë.

    Këmbëngulja e të atashuarve nostalgjikë në kongresin e ‘72-shit e të tjerëve idhtarë të tij mbeti gati heretike për të mos prekur e ndryshuar asgjë, asgjë prej produktit të tij, madje edhe norma, trajta a shembuj që, të futura dhunshëm kërcasin fort, sot e gjithë ditën… Më vjen ndër mend një batutë, gati anektodike e asaj kohe: pasi kongresi u mbyll e standarti u ligjërua, Paulin Selimi, pastë dritë, shkrimtari brilant i humorit, student asokohe , ndërmjet shokësh paska pasë thanë: Tash e mbrapa, shokut tem Tonin Çobani më duhet me i thirrë Tonin Çobëri…(Thua vetëm për të qeshur). Po le të kthehmi tek argumenti ynë i këtij shkrimi. Ish pedagogja e re e tyre, shkrimtarja dhe studjuesja Klara Kodra, në shkrimin e saj të fundit “Receptimi i veprës së Fishtës dhe gjuha e njësuar letrare veçon (thekson): “Nuk kam ndërmend të bie në një skajshmëri tjetër, duke e lartësuar toskërishten mbi gegërishten. Përkundrazi dëshëroj të kujtoj, siç kam bërë edhe në një artikull tjetër para disa viteve, që ka qenë pikërisht një poet i shquar i veriut, Ndre Mjeda që pohonte: “Geg e toskë, Malci, jallia/ janë një komb m’u da, s’duron/ Fund e majë nji â Shqypnia/ Dhe nji gjuhë të gjithë na bashkon” duke u ngritur mbi përçarjet krahinore”. Po, ashtu është, profesore e nderuar, një e vërtetë mikluese, kjo që ju citoni, përposë të tjerëve edhe për dashamirët e përdoruesit e dialektit gegë. Unë kam qenë “kollomoq shtalb”, nxënës i klasave të ulëta, para ’72, kur mësuesit e mij me shpirt e pasion, zotni Pjerini e ma vonë zotni Rudolfi më kanë mëkue mua e fëmijët e brezit tim me pjalmin e bylbylit të Mjedës e kangët e pakëndueme të Migjenit. E ndër shpiat tona, nën za, si fjollë e melodi kanë rrjedhë lirikat e Mrizit te Zanave dhe kangë nga epi i Lahutës…

    Por, krejt ndryshe kanë qenë punët atëhere në kohëshkrimin e në gjalljen e Fishtës. Gjuhëtari ynë më i shquar E. Çabej do të shkruante: Fishta arriti të ngrejë kështu veprën (“Lahuta e Malcis”) në sferën kombëtare… vepra e tij ka marrë karakterin e një eposi kombëtar. Te ky[Fishta] e kaluara dhe e ardhmja e këtij kombi janë pjekur fatalisht në një pikë simbolike me njëra-tjetrën.Ai madje shton se:“nuk mund ta përflasim poetin që ka marrë për lëndë të poemit të tij një trevë njerëzore gjeografikisht kaq të ngushtë; sepse te kjo botë e përshkruar prej tij njohin vetveten jo vetëm Malësorët e Veriut, por gjithë banorët e maleve shqiptare, ata të Verilindjes (Kosovë), të Lindjes (Dibër) e të jugperëndimit (Labëri)”[1]

    Kurse Faik Konica “At Fishta është marrë me secilën gjini letrare dhe në të gjitha ka qenë i suksesshëm”[2] . Edhe një tjetër jugor, gjirokastrit i juaji, prof. e nderuar, Lefter Dilo, shkrimtar i ri asokohe, jo vetëm s’e kishte vështirë të kuptueshëm Fishtën e gegnishten, por qe i mahnitur pas artit të tij dhe kjo mahni na vjen e pohuar prej vetë atij, një vit mbasi poeti qe largue në amshim. Kurse sa i përket plakjes së gjuhës së Fishtës dhe mungesa e receptimit të veprës së tij sot për këtë shkak, gjë për të cilën edhe ju shprehni njëfarë jodakortësie, mendoj se është preteksti më keqdashës, por dhe argumenti më infantil gjithashtu, i atyre që e injektojnë në publik. Ma së pari, se arti shkrimor i kualitetit të lartë është “anticorrozioni” më i fortë e më i sigurtë edhe i gjuhës së shkruar dhe, Fishta ka qenë kryesuesi në kohën e vet. I themelimit të gjuhës së shkruar të njësuar, por në rend të parë edhe i lëmimit të saj, po ashtu. Kjo është e gjithpranuar, gati aksiomatike. I vetmjaftueshëm për sa sipër do të ishte edhe nji “testamenti” i tij, nëse do ta çmojshim si të tillë një dëshmi që na vjen prej At Viktor Volajt, një linguist par exellenxe e vërsnik i Fishtës, amanet të cilin autori i 40 vjetve krijimtari, prej së cilës qe kthyer gati në mit, ia len gjuhtarit, 2 muaj para vdekjes: “N’ortografi u p’shteta mbi njato kritere, mbas të cillash, dy muej para deket qortuem bashkë me poetin trembdhet kangët e para të “Lahutës…”. Ndersa me ndrrime të vogla qi bani aty k’tu i zhduku edhe disa trajta nendialektale të Zadrimës, si: kjoshna per kjoshim, jena per jemi, etj. si edhe trajtat e sikopueme, kur se lypte nevoja, tue kenë mendimi ne nji botim definitiv me i zhduk ato trajta nendialektale qi nuk kishin nji arsye të posaçme shprehjeje”.

    Në bashkëkohësi me té janë gjendur edhe parakë të letërsisë si Mjeda, por dhe Migjeni, gjithashtu. Duke mos pasë fatin e eklipsit të gjatë terratisës, që i ndodhi Fishtës, të dy ata mbetën ma familjarë tek tek lexuesi i tyre, nëse flasim deri në fundin e viteve ‘90. Po prej atëherë kanë kaluar jo ma pak se tri dekada. Prej atij fillimi e deri sot kanë ndodhë plot gjana që e shërbejnë mirë e bukur receptimin e Fishtës. Qysh prej vitit 2012 e këndej është botue e plotë vepra e tij, e përgaditur prej nji redaksie me njohësit më të mirë të saj, ndër to Dr.Tonin Çobani (vëll.5, 6) e prof. i gjuhës Tefë Topalli (vëll. 7, 8 dhe 4 – Epika), në pasthënie të së cilës u përcaktuan kriteret gjuhësore që do të zbatoheshin nga originali në botim të veprës së Poetit. U ftuan dhe të tjerë, si profesorët : Hamit Boriçi, S. Çapaliku, Nd. Zef Toma. Kështu, opusi i veprës fishtjane, në të gjitha gjinitë, u pajis me aparatin shpjegues leksikor e frazeologjik – çka do të thotë afrim i gjuhës së Poetit me lexuesin e sotëm. Edhe një tjetër botim i plotë, gjithashtu ku përfshihet edhe epistolari i tij i përkthyer e përgatitur nga Vinçens Marku, prof. në Universitetin e Shkodres. Po, së fundi edhe një Fjalor i veprës së Fishtës, (përgaditur nga Frano Kulli,2021) një çelës i përshtatshëm leximi mendoj, por edhe një prurje e munguar në leksikografinë shqipe brenda e jashtë, të gjitha gjinden sot në libraritë e Shqipërisë e andej ku flitet shqip; në Shqipëri, po edhe në Kosovë, Maqedoni e në Mal të Zi. Vetëm në…Akademinë e Shkencave të Shqipërisë nuk janë, e nderuara prof. Klara. As në Fakultetin e Letërsisë. Madje atje ka pasë gjithherë një refuzim frenetik, i përcjellë tinëzisht vetëm me heshtje a fjalë refuzuese kulisash. Nuk është hera e parë që gjuha e Fishtes, jo vetëm një herë vihet në krahasim me standardin gjuhësor të vendosur e të konsoliduar para një gjysë shekulli, vlerësuar në shumicë asokohe si shenjë e përparuar e kulturës dhe filologjisë sonë. Në mënyrë të tërthortë, gati arrihet deri aty që të rekomandohet mosleximi e anashkalimi i tij për këtë “shkak”. Gjë që nuk ka ndodhë me asnjë prej shkrimtarëve tanë të traditës. Me dijen time, asnjë studim krahasues me standardin nuk kemi për gjuhën e shkruar të Naimit, as për F.Postolin, Ali Asllanin më vonë, as për Koliqin, Haxhiademin, për Migjenin a për Mjedën; gjithashtu, as për një raport gjuhe mes krijimtarisë së Nolit e Konicës – përveçse për stilin e tyre të paarritshëm.

    Ndaj, më ndjeni e nderuar t’ju them se kumti juaj: “ Receptimi i Fishtës nga brezi i sotëm është një problem më vete; mendoj se tekstet e Poetit duhen shoqëruar me shënime dhe natyrisht të interpretohen drejt nga mësuesit dhe pedagogët, duke aktivizuar studentët në rolin e lexuesve bashkëveprues.” është një e vërtetë e përpjesëshme. Ndoshta vetëm për mungesën e informacionit të sipërthënë. E vërteta e plotë do të ishte vetëm: Receptimi i Fishtës nga brezi i sotëm është një problem më vete”. Por kjo nuk lidhet aspak me vështirësi të receptimit.Vështirësitë janë vetëm stisje, që vijnë prej andej ku Fishta dhe vepra e Fishtës çmohen si “mish i huaj” e nuk lejohet të jenë. Dhe nuk ka arsye e nuk mund të gjinden për këtë kundërshti sistemike, e cila tani vjen në forma të kamufluara, përposë “urtisë” së arsyetuar në kohë të Perandorisë osmane: “nuk don pasha kallabllek”… Dhe këtu e keqja e papranueshme nuk ndalet vetëm te Fishta…Edhe “ena akademike” e Mjedës është me kapak të mbyllun. Njëri prej studiuesve të censhëm të tij, Kolë Ashta, ka pasë hartue një fjalor të veprës së Mjedës. Fjalori me shkrim dore (shih faximilet), një kopje është në arkivën e Akademisë së Shkencave. Se qyshkur nuk e di. Po, di që Kolë Ashta ka vdekë në vitin 1997 dhe, me siguri punimi ka qenë dorzue atje në gjallje të studiuesit, kaherë fort, besoj. Një fjalor me 5676 zëra, bashkë me rimarin e poetit…Se sa lëndë e vlefshme do të ishte ajo edhe për një receptim të ri të poetit, por po kaq edhe për vetë leksikun e gjuhës shqipe dhe pasurimin e saj, kjo nuk don mend as kalem. E megjithatë ai flen aty, në arkivë e ndërsa ngrihen komisione mbas komisionesh për hartime fjalorësh…

    Kolë Ashta

    E keqja pra, direkt po edhe terthorazi lidhet me drejtshkrimin dhe ata që e përdorin paprekshmëninë e tij sa herë që t’ju vijë nevoja. E idhtarëve, tashma të motnuem…nevoja ju vjen shpesh. Ndonjëra syresh këshillon me thënien e Nanë Terezës së Shejtë: “Në vend që të ankohesh për errësirën, më mirë ndiz një qiri”. Bukur fort. Po sa qira ka ndezë, ajo apo ai, e shumta e tyre në vitet e shumta që kanë aty, ku me të vërtetë duhet e mund të ishin ndezë shumë qira, në vend se të mjeroheshin në roje të paprekshmënisë së standardit ?…

    Më pak se një vit ma parë, prof. Gjovalin Shkurtaj ka botuar “Fjalor Leksiko-frazeologjik dhe etnolinguistik i Malësisë së Madhe”. Një prurje me të vërtetë madhore në njohjen e leksikografisë dhe frazeologjisë së shqipes. Që posë të tjerash, do të mund t’ia saktësojë njërës prej kolegeve, profesores së nderuar Donika Omari, pohimin se “nuk ka penguar sot dialekti shkodran që veprat e at Zef Pllumit të arrijnë tirazhe të larta botimi” e t’ia bëjë me dije se dialekti gegë, përreth të folmes së qytetit e rrethinave, ka përplot nëndialekte e të folme, që vetëm të mos shpërfilleshin e do të zinin vend bukur mirë në “asetet” leksigografike të shqipes. Po ka më se një dekadë që Mehmet Elezi, i vetëm ka botuar “Fjalor i gjuhës shqipe, një prurje leksikore e njëvëllimshme me atë që ka bërë akademia në 50 vjet; me 41 mijë fjalë e 5 mijë shprehje që nuk gjinden në të parin. A duhej të ishte ai objekt i dobishëm i diskutimit akademik ? Po pse jo të ishte objet studimi shkrimtaria në gegnisht e akademik Ardian Ndrecës ? E vetmjaftueshme, mendoj unë konseguenca e pabujë e tij, po përmbi këtë, kompetenca që unë e mendoj shembullore. Shkrimtaria e Primo Shllakut gjithashtu (për efekt të linjës së arsyetimit po lë mënjanë debatin aktiv që ai udhëheq) , po edhe shkrimtaria fort e mirëpritun edhe e dhjetra autorëve të tjerë që shkruajnë në gegnisht. E lexohen në Shqipëri, po edhe përkthehen, gjithashtu.


    [1] Gjergj Fishta, botim përkujtimuer nën drejtimin e revistës Shkëndia, Tiranë, 1941. fq.36.(Eqrem Çabej, “Epika e Gjergj Fishtës”).

    [2] Faik Konica:”Shqipëria, kopshti shkëmbor i Europës juglindore”, Tiranë 2006, fq.83

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË