More
    KreuLetërsiShënime mbi libraFrano Kulli: Mbamendjet e Ardian Ndrecës si dëshmi e një kohe qytetëse...

    Frano Kulli: Mbamendjet e Ardian Ndrecës si dëshmi e një kohe qytetëse të lingatuem

    Filli i mbamendjeve, në librin e  sapodalë, të Ardian Ndrecës nis në rrugicën e vet në Shkoder.Rrugica me erë myshkut, me erë gjellësh me të velë, me erë lulesh e me erë tingujsh. Asht njena prej rrugicave të Shkodres.Në fillimin e viteve shtatëdhjetë të shekullit të kaluem. Era e myshkut të vjerrun muresh, si peisazh i pezulluem, i shpërfillun e i lanë mbas dore, era e gjellëve me të velë, si gjendje e vobektë e jetesës hjekakeqe e të neveritshme. Kurse era e luleve dhe era e tingujve përkundruall, si fllad mbas zhegut zhuritës, si limfa që lidh  e ushqen qelizat e jetës së mpime qytetëse. Ai langu gjallnues që ndërlidh segmente të njimbasnjishme të zigzakut të saj, ulje zbritjet e shformueme  edhe kur rrugëtimi i saj asht në zgript.

    Qysh në krye të herës, tue sjellë të vizatueme rrugicen e fëminisë së vet autori ngul një gozhdë ku lexuesi mundet me lidh për té fillin e leximit, e masandej  nuk i dahet, por e ndjek këtë fill me të shpejtë, me shumë dëshirë e kureshtí. Se leximi akt kurreshtijet e dëshiret asht…

    Kur më paten ra në dorë kujtimet e Simon Rrotës ”Po shkruej për vedi …”, më qe ngulë ma thellë në vetëdije kërkesa e unshme që ka leximi, po edhe ma përtej, vetë kultura e vetë qyteti, për mbamendjet e shkrueme. Një shkak i fortë ka qenë, besoj unë, mirëpritja befasuese e librit me kujtime nga jeta qytetse e piktorit, themeluesit të shkollës së këtij “harti” në Shqipëri, ardhur prej nji shkollimi shumë të mirë nga Akademia “Brera”e Arteve të Bukura të Milanos. Ndoshta shlirësia mahnitëse e ndershmënia e dallueshme e rrëfimit janë gravitacioni që lexuesin e ban  me i përthithë me nji hurm  ato. Vetë mjeshtri i “hartit” i kishte mbyllë sytë, prarue në bindjen e thellë se gjithçka që kishte lanë të shkrueme do të ishte asgja ma tepër se nji tubë kujtimesh të tijat, për të afermit e vet. Kujtimet përreth qytetit të tij të lindjes e të vdekjes. Dhe kaq .

    Mirëpritja që i ra me qenë me të vërtetë nji suprizë edhe për lexues genuinë të qytetit e ma përtej, por edhe për të tjerë ma të afërt në kohë me kujtimet e librit të  piktorit, ka ndodhë gati 60 vjet mbasi  ato ishin shkrue…

    Ardian Ndreca, me librin “Pa pikë pa presje”të mbamendjeve të veta na ban nji ftesë dashamire për me vizitue nji tjeter kohë, até të 40-50 vjetëve të shkueme; një kohe e lingatueme keqas prej rropullisë ku ishim gjindë pa dashjen e vullnetin tonë. Dhe, mua , përmbas leximit të mbamendjeve të shkrueme me sqimë, më duket se ja ka mbërrit me na e sjellë këtë copë kohë me  të dukshmet e të nenkuptueshmet e saj, me tragjiken  e saj e me komiken gjithashtu…Tash qyteti e kishte të skicueme mirë silueten “e re”.Bexhisteni i famshem me rreshtin e 1500 dugâjve [dyqane, njësi tregtare], pa numrue agjensitë tregtare e zyrat doganore, ishte rrafshu e tregu ishte transefue ma nalt në verilindje të qytetit.Si nji tjetër pazar, që të vetmin ndryshim për mirë kishte sjellë ndrrimin e emnit të parë me etimiologji turke me nji tjeter emen të pa emen – fushë, që me siguri ka dashtë me përcaktue vendtregtimin e prodhimeve bujqësore e blegtorale të katundit. Aty mund të shifshe shllakas të vuejtun me ndonji barrë qymyr…po edhe gra zadrimore të hijshme me burrat përkrah, të unshëm me shit mallin, dikund të mshehun aty prej përndjekjes dhe, në fund të ditës me mujtë me ble nji a dy bukë gruni 40 lekshe, e dëshirueshme prej fëmijve të katundarit që e prodhonte grunin ! Por në dhjetvjetshin e fundit të shekullit të XX, tolloni e radhat e pafundme për me mujt me ble gjithçka të nevojës vetëm sa me u mbajtë gjallë e kishin zhvleftësue e zbehë te s’ban. Çdo lavdi e dikurshme, tash kishte râ me krye poshtë e ishte kthye në gjendjen e saj komike…Si fëmijë na bahej mendja kùbel [ njilloj peshku i lumit Buna] tue kalue prej nji dyqani në nji tjeter tue përsëritë emnin e kryefamiljarit para shitëses që shenjonte në nji rregjister. Nji ditë mbasdite nana, që punonte si rrobaqepse në shtëpi, më nisi me ble 10 lekë susta e un iu drejtova shitëses: Gjon Ndreca 10 lekë susta…

    Edhe pa ndonji qëmtim të vemendshëm fort, po vihet re dukshëm se shkrimtaria e mbamendjes , ka kohë që ka bâ vend në dëshiren e leximit; kur shpërfaqet si një zhanderr i tillë, por edhe kur ndërthuret e i “kacavjerret” letërsisë (fiction-t).E sa ma shumë i largohemi së shkuemes aq ma e ngutëshme ndjehet kjo nevojë. Njisoj si me vênen, që sa ma e vjetër aq ma e kërkueme bahet. Por dihet se koha nuk ka fillim as fund; kufij e caqe në kohë ka jeta e personit në të. Janë personat rrëfimtarë ata që e nderlidhin kohen prej nji segmenti në nji tjetër, prej nji brezi të kaluem te brezi që asht e në brezin që vjen. Mbamendjet e shkrueme janë aq shumë jetëgjata ose aq pak jetëgjata sa ç’asht  në vedvedi mjeshtria e autorit që i shkruan; sa ç’asht qëmtimi në to për me zgjedh e me i rrëfye ata që janë ma pikantet, ma të detajuemet prej tyne. Por që ndërkaq munden me u ba njiherësh edhe private për secilin lexues, i cili në të vertetë nuk i ka jetue ai vetë, por  nga çasti i leximit tek ai shënohen si ndodhi e përjetime të vetë atij, njehsohen me të tijat. Aq fort, sa me i pasë shkrue ai vetë. Përndryshe, nëse kjo nuk ka ndodhë, atëhere kujtimet e lexueme , ndalen aty e dahen në nji anë si rraqe të vjetra, që s’i lypen kuj gja.

    Ardian Ndreca, i vetëdijshem për këtë na e thotë qysh në dy fjalët e para për lexuesin se: ”nji libër kësodore nuk asht nji produkt i kërpitun,[punë e bame mirë] pse nuk ka gja ma të papërkryeme se kujtimet”. Por, në të vërtetëkujtimet e tija të mbledhuna me nji përkujdesje të përimtë tue ia nenshtrue edhe një pezullimit a pushimit njizetvjeçar në laboratorin e vet krijues, por edhe të lidhuna mirë me konsevantin e nevojshëm premtojnë me patjetër jetëgjatësi

    ”Mund të kem qenë rrotull shtatë vjeç e me shkue në Shirokë më dukej si me shkue në nji botë përrallash”. (Mua, si njenit prej lexuesve  të radhës  më vjen si i bashkëshoqnuem një kujtim i fëminisë seme i kund nja nji dekadë të mahershme pyetja e bame me vetvedin:E  ku lahen ata që  s’kanë Drí ?!)  Atje mandej, nder përshtypjet ma të para veçon të folmen e dallueshme të shirokasve me “do zanore të hapuna”. Që e mëson së parit prej nandajes. Kurse vonë, mjaft ma vonë në kohë të pjekunisë, atëhere kur interesi i rritun edhe për dijet në lamin e fonetikës e ban me i njoftë në mënyrë ma të thellueme, dallimet në të folmen e bashkëqytetarëve të vet të anës lindore me ato të anës perëndimore.

    Në anën lindore të Shkodres ku kanë jetue e jetojnë, kryesisht  familjet katolike e në anen perëndimore deri në Livade në breg të liqenit përgjithësisht ato myslimane. Andej e këndej janë banesat, veprat urbane. Bashkë me shumçka tjeter, një pikë shumë e shenjueme e asaj çka ndan  janë Vorret e Rrmajit. Themelue, siç asht e ditun nga gjysa e parë e shekullit XVIII…Shí atëherë kur edhe në Europë varrezat katolike spostoheshin për arsye humane prej oborreve e rrethinave të Kishave e projektoheshin e ndertoheshin Varrezat publike.

    Autorit i kishte ndodhë përgjatë fëminisë, të gjindej ndërmjet të dyjave , me gjysen e kohës te nandaja te Arra e Madhe në lindje e gjysen tjeter në shtëpinë e prindve në anen perendimore. Ngjante diçka si kontrapunt, e duhej me kalue ende do kohë me mujt me e kuptue se kjo ndërthurje bante pjesë në krijimin e njeriut të ri, monokron pa dallesa, sidomos të atyne elementeve që lidheshin me përkatësi fetare. Qysh në klasën e parë pashë se “kishte edhe fjalë të tjera që un i shqiptoja ndryshe prej shokëve të shkollës. Un thoja giu ndërsa ata thonin gju, unë giuhca ata gjuhca, kjoftë për qoftë, ndoshtapër belqida, apo ndonji fjalë tjeter, që po të më ndiente nana në shpi vrante vetullat…Edhe emnat e luleve shqiptoheshin ndryshe kilometër për kilometër, tue mbetë po aq erëkandëshme e të hijshme. Dhe e gjithë kjo lojënënvizon autorikërkonte nji impenjim të vazhdueshem për me u idendifikue nga pikpamja gjuhësore me njenin prej grupeve, gja që lypte mund dhe vemendje, mbasi edhe luhajtja ma e vogël vërehej menjiherë dhe po të rrëshqisje në rregjistrat e gabuem rrezikoje me u duk qesharak ose edhe ma keq…Ç’prej aty zen e forcohet ndoshta ekzigjenca e autorit, që ma vonë përgjatë gjithë shkrimtarisë së vet të derikëtushme të  përdorojë me mjeshtri të dallueshme variantin gegë të “Gropës së Shkodres” që është edhe maja ma e epërme e naltimit të këtij varianti.

    Mbamendjet ma të fundit që përkojnë me rropullinë e ndrrimit të sistemeve, djaloshin, që shkollen se kishte qejf po ishte nxanës i mirë e gjejnë në gjimnazin e ri të qytetit me emnin “Oso Kuka”, krejt i papërshtatshëm simbas tij…Veçse u gjend me fat që mësuesja e letërsisë ishte e mirë.Një njohje e herëshme e saj me Lasgushin e me një librin e tij të pabotuem kishte qenë shkaku që të vinte aty për takime letrare Ismail Kadareja. Emni i Osos, trimit të përmendun edhe në “Lahutë…” mund të vihej kudo tjeter po në shkollë s’kishte perse.Ashtu siç nuk mujti me iu përshatë kurrë pranimit të morisë kryesuese të emërtimit të ri të rrugëve të Shkodres veç me emna të luftëtarësh. Dhe të vendosjes në qytet veç të monumenteve të luftës së fundit, kryesisht.Por edhe të dikatorit simbol i përbotshëm urrejtjeje, Stalinit. Me rrëzimin e tij, në mënyrë të tërthortë gjindet i përziem përmes djelmnisë kryengritëse shkodrane, ku protagonistë të të cilit ishin edhe Kola që e kishim kushri dhe shoku i tij Rini[Monajka].Edhe me  Dom Simon Jubanin, protagonistin e Meshës së parë në 4 nandorin e nandëshjetës, kështu në rrethana të tërthora qe njoftë. I ishte dashtë me i shkue në shtëpinë ku jetonte, me nji porosi prej Tiranet për té…Nji mbështetje e përkrahje prej diplomatëve perëndimorë, per atë që prifti kurajoz e i martirizuem po bante. Mandej , të dielen në Meshën që prej atij çasti u bâ e famshme dhe…ikja.

    Këtu mbamendjet e Ardian Ndrecës “mpiksen”.Me pengun paplotënisë  për té, por mbasi na kanë lanë dëshminë e çmueshme të nji cope të lingatueme të jetës sonë qytetse.


    [1]   Sëmurë

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË