More
    KreuIntervistaFrano Kulli dhe prof. Tefë Topalli për botimin e ri të veprës...

    Frano Kulli dhe prof. Tefë Topalli për botimin e ri të veprës së Mjedës: E gjithë lënda poetike dhe shkrimet e tjera janë marrë nga botimet e para, më të hershmet, duke ruajtur origjinalitetin e tyre.

    Zoti Frano dhe profesor Tefë, pas bashkëpunimit të hershëm për botimin e kolanës së plotë të Fishtës, tanimë po përgatisni botimin kritik të veprës së dom Ndre Mjedës. Fishta erdhi atëherë pas një mungese shumëvjeçare, ndërsa Mjeda po vjen tani, ndonëse vepra e tij ka njohur shumë e shumë botime. Prandaj, z. Frano, për ju si botues, çfarë sjell të re ky botim? Po ju, prof. Tefë, si i jeni qasur veprës së Mjedës për përgatitjen e këtij botimi?

    F. Kulli: Për saktësim ne kemi përgatitë dhe sapo ka dalë nga shtypi e është në stendën e Panairit të Librit Veprën letrare të Ndre Mjedjes. Arsyeja e përzgjedhjes së këtij botimi ka pasë dy motive. Motivi i parë është se botimi i plotë, më i fundit i veprës së plotë të Mjedës ka qenë bërë në vitin 1988, pra fiks 35 vjet më parë i përgatitur nga studiuesi i pasionuar Rinush Idrizi dhe tani , sigurisht që nuk është më në treg. Një tjetër botim, i plotë është ai i bërë në Kosovë, në vitin 1982 nga shtëpia e atëhershme botuese “Rilindja” i përgatitur nga shkrimtari dhe studiuesi, akademik Sabri Hamiti, botim i cili ka arrit të vijë asokohe në Shqipëri në një numër mjaft të kufizuar kopjesh, siç më ka pohuar vetë akademiku. Ndërsa motivi i dytë, i cili, besoj se do të shërbejë edhe si përgjigje e pjesës së dytë të pyetjes suaj është se ç’të re, sjell botimi ynë ?

    E reja që sjell ky botim, kisha me thënë, është “vjetërsia” e tij. Që të shpjegohem. Teksti antologjik i veprës letrare të Mjedjes që ne paraqesim është më “burimori”, sipas nesh. Duke filluar me kryeveprën “Juvenilia”, ne kemi sjellë të transilteruar tekstin e botimit të 1917-ës, i bërë në gjallje dhe me përkujdesjen e autorit. Me të njëjtën metodë kemi përzgjedhur vjershat e papërfshira në “Juvenilia”, poemat “Lissus” “Scodra” “Liria”.  Vjershat për fëmijë i kemi marrë nga tekstet e përgatitura nga vetë autori për shkollat shqipe nën titullin “Këndime për shkolla të para të Shqypënisë” në vitet 1926-1927. Gjithashtu janë sjellë, për herë të parë edhe strofa që, për shkak të rrethanave censuruese të kohës nuk gjinden në asnjërin prej botimeve të mëparëshme dhe ato shënohen në footnote respektive.

    Pra, e gjithë lënda poetike, por edhe shkrimet e tjera janë marrë nga botimet e para, më të hershmet, duke ruajtur origjinalitetin e tyre. Aty ku është parë e nevojshme, është bërë edhe shpjegimi i fjalëve e shprehjeve me përdorim më të rrallë. Sikundërse është ruajtur forma Mjedja e mbiemrit të tij, duke marrë për shembull botimet e bëra në gjallje të autorit

    T. Topalli: Ky botim vjen pasi vite më parë, hapa jo sigurt, shtypshkronja “Gjergj Fishta” bëri të mundur botimin e disa veprave letrare të para të poetit nga Zadrima, At Gjergj Fishta, dhe me studiuesin Tonin Çobani, që do të ishte “garanti” redaktorial i tyre, pa u shkëputur nga Opera Omnis e autorit të Lahutës së Malcis, për më se 30 vjet të jetës së tij e deri më sot. Bash në këtë kohë të vrullshme redimensionimi të personaliteteve të letërsisë shqiptare, z. Kulli më bën të njohur dhe më fton një bashkëpunim për botimin e plotë të trashëgimit letrar të  poetit, publicistit, polemikut të thekshëm, autorit të 6 melodramave, don Ndre Zadeja. Ky klerik i Lumë, Martir i Kishës në Shqipëri, u pushkatua me 25 mars të vitit 1945, me 14 burra, mes të cilëve kreshnikun e Malësisë Prek Cali, se kishte strehuar bashkëvëllain e tij, shkrimtarin publicistin, poetin dhe përkthyesin don Lazër Shatojën. Kujtoj me nderim se për veprën e Zadejës, më 1994, gjithë krijimtaria e fshehur për vite me radhë, u sigurua prej nipit të tij, gazetarit të arsimit tonë, lektorit të gjuhës latine në Universitetin e Shkodrës, të ndjerit z. Lec Zadeja, i cili iu kushtua me të gjitha forcat këtij botimi në dy vëllime në Shtypshkronjën “Gjergj Fishta” të F.Kullit. 

    Duke mos dashur të rikthej një debat të mbyllur, por sigurisht, është e pamundur ta shmang si pyetje. Kur u përgatit kolana e plotë e Fishtës, redaktimi që u bë krijoi polemika të forta. Pa u ndalë në shembujt që nxitën diskutime, desha të di, në dritën e këtij botimi të ri, si i shihni ato ç’u thanë atëherë? Do të ndiqet e njëjta metodë redaktimi e tekstit edhe me Mjedën?

    F. Kulli: Unë të falënderoj që e sjell në kujtesë tani, Andreas. Botimi i veprës së plotë të Fishtës ka pasë nisë njëzet e sa vjet më parë, dhe qe përcjellë edhe me polemikat që ti përmend. Për disa kohë ka ecë ndërmjet moskuptimeve dhe keqkuptimeve jo të vogla, por sot, pas kaq kohe, unë si botuesi ndihem i lumtur prej ecurisë së saj. Dhe falënderues i përhershëm i redaktorëve të saj, miqve të mij: Tonin Çobani, Tefë Topalli, Ndue Zef Toma (i ndjerë), Hamit Boriçi dhe Stefan Çapaliku.

    Ai botim, tashmë është emblema e veprës së Poetit Kombëtar të shqiptarëve. Është pasuar edhe me studime serioze vepra e tij, është botuar, gjithashtu edhe një fjalor i veprës, i cili besoj se ka shërbyer e shërben tejkalimin e shkëputjes gjysëmshekullore të autorit me lexuesin e vet. Edhe këtu, falënderimet nuk rreshtin për profesor Tefën.

    T. Topalli: Për modestinë që e karakterizon, Presidenti i Entit Botues “Fishta”, flet kaq shkurt, por ne që kemi qenë të njohur me nismat dhe planet e tij të punës me autorët të traditës në ato vite, e dimë se nuk ka qenë e lehtë puna me krijues dhe figura emblemë të kulturës sonë kombëtare; dhe kjo për disa arsye: së pari, trashëgimi letrar dhe gjuhësor, tashmë ishte në dorë të Prokurës Françeskane, Shkodër, një brez i ri fretërish pasionantë dhe të bindur se korpusi i tij ishte “pronë” vetëm e Kuvendeve të të “Varfërve të Asisit”, larg mendimit se vepra e tij ishte “pronë kombëtare”. Kjo e vuri Entin Botues dhe redaksinë e ngritur para një përgjegjësie “ligjore”, deri edhe me akuza se vargu e proza e Fishtës po prekej në gjuhë, idioma dhe frezema, po tjetërsohej, ndërkohë që vetë françeskanët kishin nisur ribotimin anastatik të autorit, pa asnjë ndërhyrje. Nuk vonoi dhe të thirrurit në Redaksi, dolën para Gjykatës së Lezhës dhe z. Kulli u penalizua ! E dyta, kishte zëra se u bënë konsulta që vepra e poetit të mund të botohej në standard, ndoshta një dëshirë më tepër se mundësi….! E treta, nuk ishte e lehtë të mbaje një qëndrim unik në gjithë ato trajta foljore, leksema të panjohura prej gjysmë shekulli largimi të veprës prej lexuesit, forma të lirikës poetike, ruajtjes së metrit, shpjegimit të frazeologjizmave në footnota; shkurt përballja me gjuhën e këtij autori që punoi mbi vargje e shprehje më tepër se 30 vjet! Dua të vë në dukje se vetëm në veprat 4, 7 dhe 8, mbi të cilat më takoi të punoja, u deshën gjithë fjalorët e gjuhës sonë: nga ai Bashkimit, i vitit 1954 dhe të tjerë deri në vitin 1980, pa lënë jashtë “Shpalimet” e Tahir Kolgjinit, Fjalorin e Benedikt Demës (ku kam punuar në dorëshkrim për botimin e tij), e të tjerë. Kjo vështirësi vinte nga ndalimi i veprës, për një kohë aq të gjatë; përndryshe çdo autor përdor leksikun e kohës së tij. Sa me kënaqësi ndiej se jo vetëm vargje, por strofa e poezi të plota dëgjoj nga korçarë, gjirokastritë, vlonjatë prej shkrimtarisë së Mjedës, Migjenit (bashkëkohës të Fishtës), që kanë qenë të pranishëm në librat tanë shkollorë dhe antologjitë letrare. Edhe me autorë të tjerë ka lidhje ky Ent Botues, si me trashëgimin letrar të don Ndoc Nikajt, Simon Rrotës, Vinçens Prendushit etj.     

    Me tekstin e Mjedës vjen një punë redaktuese më e lehtë, për faktin se vepra e tij është më e kapshme për lexuesin e sotëm dhe me përmasa të tjera nga ajo e Fishtës. Ajo ka pasur shumë ribotime që nga studiuesi e profesori Mark Ndoja, Mark Gurakuqi, Rinush Idrizi, si dhe rishtypje në Kosovë. Nuk duhet harruar gjithsesi që Mjeda, ashtu si më vonë Martin Camaj, kanë pasur në krijimtari edhe atributin e gjuhëtarit: janë autorë gramatikash e fjalorësh, studimesh gjuhësore dhe kanë hulumtime e kërkime akademike, sidomos për shkrimtarët tanë të vjetër, që nga Buzuku (doktoratë e Camajt, në Romë) deri tek P.Bogdani që modeloi e solli struktura origjinale të shqipes, nga Sibilat e famshme deri në prozën e stilin e tij. 

    Pas një enciklopedie mjediane si ajo e Mentor Qukut, mendoni se ka mbetur akoma hapësirë ku mund të thuhen gjëra të reja për Kryepoetin, emërtim imi ky?

    F. Kulli: Kjo pyetje më bën të përsëris më përndritje vlerësimin superlativ që unë kam për atë punë të jashtëzakonëshme mbi 40 vjeçare hulumtuese e studimeve të mikut tim të ndjerë Mentor Quku, përreth Poetit tonë, lirikut të papërsëritshëm, eruditit të pakundshoq, Mjedës së madh. Por, siç ju theksova më sipër, sipërmarrja jonë është krejt tjetër: botimi i veprës së Mjedës, çka nuk bie ndesh me Qukun, por si të thuash, e vijon punën e tij.

    T. Topalli: E kam ndjekur punën e rrallë e të papërsëritshme të M. Qukut, qysh kur ai ishte arsimtar Barbullush të Shkodrës, si mësues e biolog. Ndoshta selia e heshtur dhe e shembur e Qelës Kuklit, ku kishte krijuar e shërbyer Mjeda poet e gjuhëtar, jo larg shkollës së tij, duhet ta ketë frymëzuar  Qukun për atë vepër atdhetare e artistike, shkencore dhe studimore të klasikut dhe lirikut Mjeda. Në mbyllje të serisë së madhe monografike të tij, ai thoshte se kishte arritur vetëm gjysmën e punës për personalitetin Mjeda; gjysmën tjetër do ta përbënte paraqitja dhe komenti i veprës letrare e shkencore të autorit, kryesisht vargut të tij magjik.  Fshat më fshat e shkollë më shkollë trokiste ky pasionant i dijes dhe i veprimtarisë atdhetare të  fenomenit Mjeda, bisedat e tij me njerëz të thjeshtë që kur hapi shkollat e para në Zadrimë (Dajç), kur kishte projektuar qela e kisha (Sapë), kur ndihmonte bujqit në përdorimin e veglave bujqësore, sjellë prej tij nga Austria, kur hartonte Fjalorin botanik të zonës së Tejdrinit e kur mblidhte fjalë plaka shqipe etj… 

    Duhet theksuar se rishtypjet, përveç risive që sjellin botuesit, plotësojnë edhe mungesat fizike të librit: nuk gjejmë sot më botimin e Mjedës në dy vëllime, të vitit 1988, as për nevojat e shkollës dhe as studimit; kopjet e pakta në biblioteka nuk i plotësojnë nevojat e njohjes dhe angazhimit akademik. Mjafton të përmendim këtu se në ditët tona nuk gjenden më vepra të poetit Agim Shehu,një prej poetëve tanë më të mirë të viteve 1960-1990, as krijimtarinë poetike (sidomos) të mësuesit të tij, prof..Vehbi Balës, studiues dhe monografist, ka shkruar 12 vëllime me vjersha (1946 – 1990), nuk e gjen askund, bile as në Biblioteka qytetesh të mëdha (këtë vit ai ka 100-vjetorin e lindjes). Kjo na krijon një vështirësi sa herë që duam t’i vjelim modelet e veprave të tyre për mikroteza e teza studimore në shkollat e larta….!

    Pashë se emri i autorit është lënë Mjedja, si në gjallje të tij. Pse kjo zgjedhje, kur përherë më vonë atij i jemi referuar si Mjeda?

    F. Kulli: Besoj u sqarua në fundin e pyetjes së parë.

    T. Topalli: Është e vetmja grindje grafike e simbolike” kemi pasur me botuesin Kulli, kur ai kishte në dorë Juveniljen (një riprodhim anastatik), dalë Vjenë, vitin 1917, me emrin MJEDIA. Kalimi te trajtat historike të emrave, në një kohë sot quhen edhe të kaluara e nuk përdoren më, sikurse mund të thuhet për trajtën “Mjedja apo edhe Mjedia”, na u duk si snobizëm, por Enti Botues i mbahej mendimit të mirë se nuk duhet humbur edhe kjo trajtë ekzotike emnake. Ndërkohë, lexuesi duhet të mësojë se gjuhëtari ynë i njohur Kolë Ashta, që ka hartuar Fjalorin e veprës poetike të autorit të poemave “Liria” dhe “Andrra e jetës” etj., në vitin 1955 e lënë në dorëshkrim, ka përdorur trajtën “Mjeda”; po kështu, edhe Universiteti i Shkodrës, që ka publikuar këto ditë këtë vepër në një botim estetik të mirëpritur, nuk e ka lëvizur trajtën e prof. Ashtës. Në ditët tona na duket e parëndësishme kjo shumësi trajtash, por pas shekujsh histori letërsie, mund të çojë në aludimin se ka pasur jo një, po dy Mjeda…..

    Nëpërmjet këtij botimi, risillet në vëmendje Mjeda. Pas rindërtimit të shtëpisë së tij në Kukël nga dom Nikë Ukgjini dhe botimit për disa numra të revistës Mjedologji, është e drejtë se ngjan sikur është lënë pak mënjanë një personalitet i tillë. Pas botimit të librit, keni një plan, ju Frano si botues dhe ju prof. Tefë, si pedagog me përvojë pune bukur të gjatë në Universitete: nga Shkodra (ndërkohë, lektor i jashtëm në  Korçë, Tiranë,  Beograd e Pordgoricë – për 11 vjet me radhë në kryeqytetin e Malit të Zi), për promovimin e veprës dhe krijimin e të hapësirave ku vepra dhe poeti të diskutohen, mendimet rreth tyre të rrahen?

    F. Kulli: Sigurisht që kjo që ju thoni do të jetë vijim i punës për botimin e veprës. Ja, ne filluam që tani së bashku me këtë intervistë, për të cilën unë ju falënderoj. Ndërkohë janë programuar edhe biseda e madje edhe emisione dedikuar Mjedën nga gazetarë seriozë të kulturës në mediat televizive. Puna vijon…

    T.Topalli: Shumë mirë që e përmendni DPH, historianin don Nikë Ukgjini, priftin kosovar, që shërben edhe famullinë e Kuklit, ndoshta me vullnetin e tij meshtarak, në tërheqje të figurës së Poetit, për të cilin ka gjetur relike të jetës së klerikut, vendin e punës, ka rindërtuar qelën e tij (jo shtëpinë), bën veprimtari përkujtuese për përvjetorë të lindjes së Mjedës, me pjesëmarrje studiuesish dhe boton revistën “Mjedologji”, për ligjëratat e mbajtura, ku vijnë profesorë, akademikë, edhe nga Mali i Zi, Kosova e Tirana e Universitete të tjera në Shqipëri. Botohen në dy idiomat tona kryesore: në standard dhe në variantin e Veriut. Kuptohet, të gjitha këto lidhen me forcën financiare të don Nikës, i cili gëzon jo pak mbështetje mecenative të miqve të tij brenda e jashtë vendit. Për segmentin “lënie mënjanë”, duhet ditur se vitet e shekujt vijnë dhe i selektojnë  veprat letrare dhe shkrimtarët; nuk mbeten të gjithë me gjithçka nga trashëgimi letrar dhe as për antologji: për Mjedën themi se mjeshtëria e 11-rrokëshit në sonete dhe vargjet safike, do të jenë të paarritshme, sidomos kur rryma e korrente letrare qarkullojnë dhe përqafohen shpejt në artin botëror: Ja, b.f. për gjuhën e Poetit, vazhdon të jetë gjithëpërfshirës studimi i thelluar i prof. Jup Kastratit, për leksikun Fjalori poetik që shënuam më sipër, hartuar prej prof. Ashtës, analizat shkencore të artit të tij janë rilevuar nga studiues të njohur kosovarë; tani mund të gjenden hapësira për stilin dhe figuracionin, si dhe për risitë e sintaksës së vargjeve poetike mjediane…..

    Jemi në ditët e Panairit të Librit, prandaj s’e shmang dot një pyetje për librin në përgjithësi. Zoti Frano, ju i keni sjellë letërsisë shqipe një numër të madh veprash dhe autorësh, mes të cilëve jam edhe unë, me novelën time të parë “Kur vdekja të na bashkojë”, pra jeni përherë në komunikim me autorë e lexues, me të gjithë aktorët e botës shqipe së letrave. Ju, prof. Tefë keni formuar breza të tërë mësuesish, studiuesish dhe kritikësh, profesorë e studentë të shumtë dalë nga auditorë ku ju keni qenë dhe jeni lektor… Si e mendoni dhe si e shikoni raportin e librit, letërsisë, gjuhës dhe produktit artistik, shkencor e kulturor sot në përballje me shoqërinë?

    F. Kulli: Punëtorët e librit, po i quaj botuesit e të gjithë ata që merren me librin, në rrethanat e krijuara kanë zgjedhë qasje të reja në përshtatje me këto rrethana. Ashtu siç kanë bërë e bëjnë gjithëherë prej tridhjetë e sa vjetësh. Por një gjë thelbësore, që nuk ka ndryshuar është dashuria e pasioni për librin e për punën që bëjnë, ndoshta më i veçanti në të gjitha zejet e këtushme. Nuk ka ndryshuar, gjithashtu shpërfillja e hatashme e enteve shtetnore të kulturës për librin, e pakrahasueshme për nga doza e saj me asnjërin prej vendeve përreth nesh.

    T.Topalli: Një pyetje e vështirë, e lënë për në fund, çka kriteret pedagogjike kërkojnë që procesi sokratik i bisedës të ndërtohej me të kundërtën; megjithatë, jeta dhe puna, veprimtaria mësimore na dikton që shumë çështje e probleme të shihen pak më ndryshe, ose krejtësisht ndryshe nga dijet teorike që na kanë ushqyer profesorët tanë – sipas shkollave të formimit të tyre. Unë kam kryer shkollën e mesme pedagogjike, në Shkodër, ku vetëm njëri prej pedagogëve tanë (kështu quhen në shumë politika arsimore europiane – në Gjermani – Schulmann) nuk kishte mbaruar Universitet jashtë vendit, dy në BS, të tjerët vinin nga shkolla të larta përendimore: Klagenfurt (Austri), Gjermani, Itali e shumta, në Francë, Jugosllavi. Kur u hap Universiteti në qytetin e Shkodrës, 1957, profesorati u shpërngul nga shkolla pedagogjike në Institutin e lartë Pedagogjik. Fjala “ndryshim” që zë vend në pyetjen tuaj – drejtuar z. Fran, është e kuptueshme për cilësinë tipografike, shtypshkrimi, gjithnjë e më modern po bëhet, po dalin libra me paraqitje estetike, me lidhje të qëndrueshme, kopertina tërheqëse dhe karaktere të bukura. Por tingëllima e digjitalizimit dhe e IA (Inteligencës artificiale) po jehon krejt pranë punës sonë pedagogjike mësimore: studenti mendon se celulari, google, kompjuteri janë fillimi dhe fundi i enciklopedik i një fushe studimi, gjithçka sillet rreth atij mjeti magjik komunikues siç është celulari, si për njohuritë, ashtu edhe për një punë minimale shkencore, brenda një literature të limituar, sa premtojnë shkarkimet teknike të një vepre letrare apo shkencore. Sa për fjalën “shpërfillje”, ndoshta, pas jetës dhe sigurisë së saj, mospërfillja ndaj  librit po ndikon e do të ndikojë egërsisht në shoqërinë tonë…Shenjat janë të dukshme, prandaj dhe kambanat e alarmit duhet të bien pa pandërprerë…..

    Ka një mbyllje interesante pyetja juaj, që aludon në njëfarë mënyre edhe me gjuhën letrare-standardin tonë dhe dialektet e të folurat e tyre, në raport me krijimin artistik. Koncepti apo termi “standard”, për shumë kohë i përdorur si “gjuhë letrare kombëtare”, “gjuhë e njësuar”, “gjuhë zyrtare”, “gjuhë e përbashkët”, është ai variant që në shumë vende apo shkolla sociolinguistike quhet edhe “gjuhë e shkresës”, një variant që duhet ta njohin të gjithë dhe nuk e flet askush, në jetën e përditshme apo në situata informale. Jetojnë ende breza kur, pas Kongresit të Drejtshkrimit, dramamturgu Kolë Jakova, në gjuhën e romanit “Fshati midis ujnave”, kalonte në regjistrin tjetër “Fshati midis ujërave” dhe personazhi i zgjuar komik, Prengë Sherri, duhej të fliste ashtu si edhe vetë Jakova duhej të mendonte si ta shkruante në normën e re! Kështu edhe për autorë që lëvronin vjershërinë: V. Bala, S. Gera, e shumë të tjerë. Nga jeta skenike, kujtohet edhe sot humori që lindte kur aktorët e talentuar të estradës së Shkodrës përpiqeshin të aktronin me një logos jashtë natyrës së tyre, duke krijuar dy linja: njëra e përmbajtjes, tjetra e të folurit ! Gjithë letërsia jonë e traditës është gjeneruar në dialekt, për disa shekuj, edhe gjatë Rilindjes, gjatë Pavarësisë, deri edhe në vitet 1970. Nuk mund të thuhet se është një letërsi e shkruar keq e nuk gjykohet nga kjo formë. Pa folur këtu për vlerat që sjellin prurjet dialektore e të folurat, çfarë po ngjet me letërsinë, cilët autorë mund të krijojnë bukur në dialekt, pa pasur një normë shkrimi! Shkrimtaria e M. Camajt: poet, prozator dhe gjuhëtar është rast shumë i veçantë, që duhet studiuar dhe, për idhtarët e gegnishtes, mbase mund të merret si model formal, por mos po bëhet një zhurmë e madhe se u rrezikuaka standardi!?! Se dy kosovarë dhe dy këndej Morinës provojnë e krijojnë në variantin e Veriut! Çfarë paska dëmtuar gazeta e vetme letrare “ExLibris”, sa herë që në të rrallë boton faqe letrare nga poetesha e re D. Dabishevci a ndonjë krijues tjetër! Po, për të dëmtuar dhe krijuar një shije të padashur gjuhësore, janë rastet kur edhe gazetarë e folës të TV shtetëror (edhe privat), shqiptojnë pyetje të tipit: Kush qytet të ka lënë mbresa?!? Kush janë përparësitë tuaja ?!?

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË