nga Xhahid Bushati
Me një përvojë të pasur në fushën e gazetarisë, Frano Kulli e pasuron më tej publicistikën shqiptare me librin “Kohë e përlyeme”. Titulli i librit është një simbolikë e marrë nga realiteti a më tej tij, jeton si në diakroni ashtu edhe në sinkroni. Më theks aktual, i shtrirë në kohësi. Kohësi, që, për vetë natyrën e saj zhvillimore të realitetit ekzistues do të vazhdojë gjatë si gjendje, ekzistencë e marrëdhënie. Nga ana tjetër, titulli është i gjetur edhe poetikisht, me urtësi mendimi dhe rrënjë tradite. Përsëri, dua të flas për titullin. Ai shpërfaqet në në të gjitha pjesët, që autori i ka emërtuar në mënyrë kuptimplote, si: “Kokëderrat” e kënaqun dhe… “Sokrati” i vuejtun” (pjesa e parë), “Fishta… dhe hijet përreth” (pjesa e dytë), “Martirët dhe ndërgjegjja jonë e përlyeme” (pjesa e tretë), “Tymnajë, show dhe kohë e çmendur” (pjesa e katërt). Si në leximin formal dhe në atë thelbësor, libri ruan konfiguracionin dhe zbërthimin detajues të titullit. Pra, mbetet e njëjta linjë me titullin: marrëdhënia me kohën dhe me njerëzit. Në gjithë lëndën e tekstit gjejmë formulimin historiko-aktual të realitetit që ruan dimensionin e tij, e që autori përcjellë dhe e shënjon me mesazhin: Koha nuk mallkohet, sepse ne e krijojmë atë vetë.
Lënda e tekstit ka një mozaik problemesh, dukurish e fenomenesh, që, për nga mënyra se si konceptohen dhe shtrohen si platformë apo analizohen i takojnë një gazetarie të angazhuar, që Franoja e kryen më së miri. Si të thuash e ka të veten këtë lloj gazetarie. Brenda hapësirës së shkrimeve “shëtisin” mikrotema, këto po të shikohen së jashtmi, por në të vërtetë janë makro, të rëndësishme dhe thelbësore. Sepse materialet rrëfehen me temë nga historia apo nga aktualiteti, apo nga plot dukuri që lindën dhe gëluan në këto vite tranzicioni. Franoja përmes gazetarisë së tij me një strukturë analitike sjellë kujtesën. Vetë, kujtesa është historike, kulturore dhe shënjuese. Mos-harresa nuk e venit vlerën, por i jep asaj dimension njerëzor dhe ekzistencë. Ndaj, çdo shkrim është një copëz realiteti: i largët, i afërt dhe i përditshëm. Ndaj, çdo shkrim është një rrëfim, ku paraqitet qartazi realitet, kontribut, adhurim, respekt ndaj vlerave dhe të mos-vdekjes së tyre. Franoja ka si veçori të kodit të tij gazetaresk që i paraqet shkrimet me një shumëngjyrëshmëri, me mjetet e duhura stilistikore e sintaksë poetike, por që kanë si materie: ironi, frazeologji, urtësi, brengë, dëshpërim, shpresë dhe qëndrim. Për këtë arsye trajtimi i çdo problemi në fjalë paraqitet në plotëninë e tij. Duke qenë i tillë, Franoja është i përgatitur me të gjithë argumentet e tij, që i vë në funksion të boshtit kryesor të çdo shkrimi. Është i kujdesshëm për çdo detaj, i cili krahas elementeve të tjerë, e ka një rol, e një funksion të qëllimshëm.
Franoja është ai profil gazetari që në shkrimet e tij nuk bën “çudira”, por merret me njerëzit, me marrëdhënien e tyre me kohën, merret me dukuritë e përditshme edhe pse në dukje duken të vogla apo të thjeshta. Pra, realiteti paraqitet me këto lloj pamjesh. Kjo është arsyeja që shkrimet kanë në themel reflektimin e të vërtetat e realitetit ekzistues. Edhe pse një gazetari e angazhuar, nuk mungojnë humori e ironia, polemika dhe përspektiva.
Franoja është kujdesshëm që materiali të jetë i freskët dhe të ketë kompozicion të ngjeshur, solid; me fjalor të zgjedhur e plot kulturë, larg banalitetit e rëndomtësisë së provincializmave. Të gjithë këto tregues flasin për një interes, ëndje dhe këndshmëri për t’i lexuar. Janë plot brumë.
Si përfundim profili i librit “Kohë e përlyeme”, mund të them se i përgjigjet natyrës dhe guximit krijues të Franos. Kjo është arsyeja që, edhe pse si libër i parë, gazetari Frano Kulli e ka kurorëzuar aktin e tij krijues me dinjitet dhe në një rrugë të suksesshme. Në këtë libër shndrit origjinalja, origjinaliteti dhe mjeshtria sa e fjalës aq dhe e rrëfimit interesant.
Shkodër, tetor 2019