I
Një qenush i vogël leshtor, i sëkëlldisur për një arsye që nuk kuptohej, kishte zënë vend nën strehën e gjerë të godinës së Aeroportit të Prishtinës dhe i lehte me inat pamjes së vet në xhamin kundruall, platforma e aeroportit kishte marrë shkëlqim të errët, nga një shi i dëshpëruar që zbriste me turr nga maja e Goleshit, e që pastaj përplasej zhurmshëm pas xhamave të lartë, duke krijuar përreth pellgje uji të ndotur dhe ca hijezime resh mbi kanavacën pothuajse të zbrazët të peizazhit veror. Dy H-të e egërsuara të molekulës së ujit kishin vënë në mes O-në e bezdisur dhe i hakërroheshin si të tërbuara. Ke për të parë ti! Do të të shtrydhim, do të të bëjmë të mallkosh gjenezën tënde në ato orët e para të krijimit të universit! Zot i madh, po ju nuk e dini si është të jesh atom i vetmuar në një botë të këtillë të palumtur!
Por, unë erdha në këtë vend për të rrëfyer për një personazh tjetër, të cilin e pashë pak më parë të hynte nga dyert e gjera të aeroportit, i shoqëruar nga imazhi i shiut të rrëmbyeshëm dhe nga ideja e pakuptimtë e vetëvrasjes së një qenushi, i cili, për ta pasur në dijeni këtë situatë, më duhet të përsëris se ai, së pari, i lehu zhurmshëm pamjes së vet në xhamin e madh dhe pastaj mori turr dhe u përplas pikërisht në atë vend, ku xhamat lidheshin mes veti dhe përbënin një teh vrasës për këdo që nuk e donte jetën dhe e përplaste kokën në një vend të tillë, pra, Halil Demajn e pashë tek endej si një hije e hutuar në mes të asgjëkundit, shkoi te një sportel, hoqi çantën e vogël nga krahu, rrëmoi diçka brenda saj dhe foli shkurt me një grua të bëshme, u kthye mbrapa dhe u ndal disa hapa më tej përballë një bilbordi të ndriçuar, fjalës shqip, të shkruar me të kuqe të lumtur dhe të mbushur përposh me një dritë të verdhë e të mekur, i mungonte një “ë” e vogël, e humbur në mes të zhurmës dhe pavëmendjes, e cila seku ishte shkelur me këmbë dhe rënkonte me mungesën e saj.
Ndërkaq, Halil Demaj e dinte se në botë ekzistonin gjëra që shihen dhe gjëra që vetëm mund të mendohen, dhe nuk ishte se njerëzit e kuptonin aq mirë lidhjen midis tyre, nga gjysma e dytë e viteve gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar kishte studiuar gjuhë shqipe në Universitetin e Prishtinës, pastaj një kohë të gjatë kishte ëndërruar të zbulonte diku një fjalë të shkruar të ilirishtes, nuk e dinte as vetë se ku, ndoshta në një gur të gdhendur në themelet e ndonjë kalaje të vjetër dhe të vërtetonte se shqipja e kishte origjinën nga ilirishtja, të cilën ajo e mbante fshehur, siç mban fshehur universi origjinën e vet, më pastaj koha kishte ecur disi shtrembër, si gaforre dhe Halil Demaj nuk kishte arritur asnjëherë të jetonte në harmoni me veten, ndërkohë, pa e kuptuar as vetë, i kishte mbushur shtatëdhjetë e pesë vjet, më përpara vitet iknin më ngadalë, ndonjëherë madje i dukej sikur koha rrinte pezull, kurse tani çdo gjë ikte shpejt, pa kthyer kokën prapa, si një udhëtar që mezi pret të largohet nga një vend i mërzitshëm.
Vetëm se, tani atij i vinte shurra dhe nuk e kishte idenë se ku kryhej kjo nevojë në këtë aeroport të shëmtuar, kërkoi me sy tabelat e shpalljeve dhe u nis nga ana e majtë, një grua në moshë të mesme e pa mbrapsht, sikur të habitej që ai nuk ecte kokëposhtë, Halil Demaj mori shumë letër higjienike dhe qëndroi gjatë në të ndarën e ngushtë, aty foli me vete, Zot, tha, ju njerëz të çmendur, nuk e dini si është të jesh plak dhe i palumtur, dhe po aty mbajti vesh të dëgjonte çfarë ndodhte brenda trupit të tij, qelizat e kancerit të prostatës ishin mbledhur dhe ia kishin nisur një diskutimi të gjatë për kuptimin e jetës, jeta mund të bëhet edhe pa qëllim, pa asnjë synim, pa i njohur dëshirat dhe ngasjet e vërteta, jo nuk mundet, kjo është si të thuash se universi mund të jetojë vetëm pse është univers, jeta nuk bëhet vetëm pse është jetë. Bëhet! Jo nuk bëhet! Sekush nga qelizat sillej e patrazuar në atë rreth të mbyllur, sekush kërkonte të dilte nga ajo errësirë e qelbur e prostatës, pasi aty kishin shpartalluar të gjitha indet dhe donin të krijonin metastaza në gjëndrat limfatike. Së paku atje nuk do të ndihej era e ndenjur e spermës së papërdorur prej vitesh! Grindjen e atyre qelizave që nja dy vjet e këndej i ndiente si një zë të brendshëm, si një ulërimë brenda vetes.
Në Prishtinë, në përgjithësi, gjatë dy javëve të shkuara kishte bërë gjumë të trazuar, ishte zgjuar shpesh gjatë natës për të shkuar në banjë dhe pastaj kishte qëndruar zgjuar me orë të tëra, duke dëgjuar dërdëllitjet e qelizave kanceroze, dëgjonte me vëmendje sesi llapërçitej uji i zi i antimateries brenda trupit të tij, teksa indet që dikur kishin qenë të kënaqura me natyrën që ua kishte dhënë këtë formë, tani ngjanin me hedhurina në një kënetë me erë kalbëzimi, ato pak orë që flinte, bënte gjumë të keq, përfshihej nga makthe me ëndrra të ngatërruara, të cilat i kundronte me njëfarë dyshimi, duke pyetur veten se të kujt mund të ishin ato shajni.
Halil Demaj dy javët në Prishtinë i kaloi duke u përpjekur të ringjallte copa kujtimesh të kohës së shkuar, por nuk gjeti asnjeri që mund t’ia rrëfente pleqërinë e tij, së fundi mbylli derën e apartamentit në lagjen “Dardania” dhe u nis për aeroport, kështu kishte vepruar edhe në atë ditë prilli të vitit 1999, ndërsa njerëzit e tjerë tashmë kishin ikur me nxitim, nga sytë këmbët, ky as ikjen nuk e pati si të tjerët dhe, ndërsa ndihmonte gruan që të bënte gati ca rroba në një valixhe të madhe, ajo, duke e parë me tallje, i tha, ti as me ikë nuk di si duhet, kurse Halil Demajt nuk i pëlqyen ca gjëra në atë rrëmujë të pakuptimtë: nuk e mori me vete Biblën, të cilën e la të hapur mbi komodinën pranë shtratit dhe u ndie keq që dy-tri ditët e fundit, për shkak të mungesës së dritave, nuk arriti të dëgjonte asnjëherë Simfoninë e 9-të të Bethovenit dhe se disku i madh, i blerë në kohën kur bota ishte e lumtur, i mbeti mbyllur në gramafonin e vjetër, kur të vinin dritat, gramafoni do të nisej vetë, kështu ishte i kurdisur, muzika do të shungullonte në apartamentin e zbrazët, disku do të sillej deri në fund dhe më pas do të niste nga fillimi, kushedi sa herë, derisa dritat të ndaleshin përsëri, ose të prishej disku apo gramafoni, Simfonia e 9-të e Bethovenit do të dëgjohej ditë e natë në lagjen e zbrazët të “Dardanisë”, dhe mund të ishte transmetimi më i çuditshëm i kësaj simfonie, i ndodhur ndonjëherë në atë universin e marrosur të tingujve. Edhe ashtu, netëve të fundit, qentë ulërinin shpesh në lagjen e tij.
Këtë histori e solli në kujtesë shumë herë, por nuk ia rrëfeu askujt, sepse askush nuk deshi ta dëgjonte përgjatë viteve të shkuara, nga ajo ditë prilli i vitit 1999 i kujtoheshin edhe gjëra të tjera, si çehrja e mërtisur e një polici që e nxori nga makina dhe e mati me sytë e vëngër, ndërsa lëmonte me pëllëmbën e dorës kondakun e automatikut, pastaj rruga e zbrazët përmes fushës, e cila qetësisht kridhej në heshtjen e gjelbërimit të harlisur, qielli pa re që mbulonte peizazhin si kambanë kristali dhe, mbi të gjitha, ai vështrimi i përhumbur i gruas së tij, e cila, me të dalë nga apartamenti, u kap pas dorëzës së derës dhe vetëm një herë i tha, ku po na çon, dhe nuk foli kurrë më, atëbotë Halil Demajn e përfshiu një trishtim kaotik dhe i errët, të cilin nuk arriti kurrë ta shpjegonte pse ishte i tillë, teksa në atë Biblën e tij, të lënë mbi komodinë që atëherë, materia vazhdonte të luftonte me Zotin dhe nuk kishte korrur asnjë fitore.
Me të dalë nga banja e aeroportit, ku qëndroi për nja dhjetë minuta, derisa vendosi brenda brekëve një shuk letër higjienike të palosur mirë, iu duk se qelizat e kancerit në prostatën e tij u qetësuan, por në fund të barkut ende kishte një rëndesë pa formë, si njëfarë graviteti abstrakt, ndërkohë, në ato kujtimet e vjetra, pa me sytë e mendjes veten dhe gruan që mbante për krahu, tek e la makinën në mes të rrugës dhe, duke tërhequr valixhen me dorën tjetër, ngarendi drejt kufirit të Maqedonisë, policët i thirrën që të ndalej, e kërcënuan, ai nuk e ktheu kokën, priti të dëgjonte krismën e automatikut, por asgjë nuk ndodhi, ndërsa zëri në kokë i bërtiste: Nuk e ke ti atë fat ta mbyllësh jetën me një akt sublim të sakrificës dhe të heroizmit!
Nga të gjitha pyetjet që mund të bëheshin atë ditë të largët, për të shpjeguar sesi funksiononte fati i njeriut, ai e kishte zgjedhur vetëm njërën: Pse? Pse nuk e qëlluan policët teksa kalonte kufirin? Po pse universi zgjerohej ende, kur edhe ashtu kishte arritur në kufijtë e të kuptuarit? Pse u gjend aty, pikërisht matanë kufirit, një autobus që i mblodhi refugjatët e fundit dhe i çoi në kampin e Stankovcit? Pse pikës pa sipërfaqe nuk i gjendej një ekuivalencë në botën reale? Pse, atëbotë, nuk pati guxim të zbriste nga shkallët e avionit, kur e kuptoi se, në çastin kur ai avion të shkëputej nga toka, ai do të mbeste pa atdhe, do ta humbte perceptimin për kufijtë e së vërtetës dhe se nga po ai çast do të ndodhte pikërisht ashtu siç kishte lexuar në një vend: Edhe nëse një ditë do të ndodhte të merrte flakë diku, anës një rruge, asnjeri nuk do ta merrte mundimin të shurronte mbi të, për ta shuar atë zjarr!
Zhurmërimat e aeroportit, zërat që viheshin mbi njëri-tjetrin, vibrimet e kondicionerëve që prodhonin ajër të fekonduar, mendime që ushtonin së brendshmi, që humbnin fillin dhe nuk arrinin asnjë kuptim, të gjitha së bashku krijonin një rrëmujë akustike të hutuar dhe disi të palumtur, altoparlantët e zhurmshëm zvarritnin nëpër hollin e gjerë të aeroportit një zë të zvargur dhe fjalë me theks të gabuar, teksa Halil Demaj, me të mbaruar punë në banjë, me çantën e krahut që e shtrëngonte përçudshëm, mori drejtimin e daljes ku nisnin fluturimet, atje ku rruginat dhe sportelet rrethoheshin me xhama të mëdhenj prej akuariumi, i ngjiti me përtesë një palë shkallë tmerrësisht të pjerrëta dhe për pak kohë u hamend, nëse duhej edhe një herë t’i hidhte sytë tej shpateve të gjelbëruara të Goleshit, shiu tashmë ishte ndalur dhe nga jashtë vinte një dritë e trashë, bullafiqe, pastaj u ndal në krye të shkallëve dhe i buzëqeshi vetes me atë cilësim të çuditshëm që i shkrepi në mendje, dikur kishte dashur të bëhej shkrimtar, të shkruante romane, por edhe kjo ide i kishte rrëshqitur nga dora, si çdo gjë tjetër që kishte mbetur e pakryer në jetën e tij.
II
Halil Demaj mbase sot nuk do të ishte këtu, sikur një pleksje ndodhish të mos bënte që avioni i mbushur me refugjatë, i nisur nga Aeroporti i Shkupit, për arsye rrethanash, në vend që ta kalonte Atlantikun, papandehur gjeti në hartë një vend që nuk e kishte menduar kurrë: një qytet i heshtur dhe i vetmuar, si i dalë nga një ëndërr e trishtë, i ngjitur me shkëmbinj pranë oqeanit dhe i strukur nën gjelbërimin e valëzuar të peizazhit dritëpaktë, avioni u shkëput nga retë e mbledhura grumbull mbi oqeanin e ngrysur dhe u lëshua si një i çalë që shqeponte keq mbi pistën e lagur të një aeroporti pothuajse të braktisur, në fluturim e sipër, gruaja e tij, Nazlija, u përfshi nga një sulm i rëndë paniku dhe histerie, kështu thanë mjekët, ra përmbys mbi dyshemenë e avionit dhe nisi të ulërinte, të përplasej, të shkarravitej, të kafshonte gishtat, t’i binte kokës me grushte, vetëm se, vetëm se, vetëm se, derisa ekipi i mjekëve e nxirrte Nazlijen me barelë nga avioni dhe derisa njëri syresh përpiqej t’i shpjegonte Halil Demajt se gjendja e gruas së tij ishte e rëndë, prandaj nuk mund ta vazhdonin udhëtimin, atij i kaloi nëpër kokë një pyetje, e cila iu ngjit mendimeve si tutkall dhe ia pengoi edhe veprimet motorike të trupit: a e kishte dashur ndonjëherë atë grua, a e kishte menduar ndonjëherë pamjen e saj, kur ajo nuk ishte e pranishme? Nuk kishte pse të çmendej bota pas dashurisë, kur ai kishte mundur të jetonte vetëm me gjysmën e saj!
Në atë aeroportin e panjohur, këtu e sa vite të shkuara, shkallët e avionit e mbajtën pezull një çast Halil Demajn dhe pastaj e zbritën hamendshëm mbi pistën e betonit, asgjë në jetën e tij nuk kishte marrë tamam një kuptim: dashuria ishte plakur papandehur, ishte shkëputur nga jeta e tij dhe ishte përplasur diku mbi ca shkëmbinj të rrëpirët të oqeanit, e tretur në një ushtimë të dëshpëruar, që nuk do të ndalej kurrë, pasioni i tij ishte fikur para se të lindte, ishte shpërbërë dhe dëvarë në yjësitë e shuara të universit, Halil Demaj u kthye atëbotë dhe shikoi prapa avionin me shkallët e varura si patericë sakatësh, mund të kishte thënë se nuk e njihte atë grua, edhe ashtu kishte plot refugjatë që nuk dihej si ishin pleksur mes veti, por ai nuk mund ta bënte këtë, sepse në jetë asgjë nuk e kishte bërë siç duhej, sepse, sepse, sepse anglishtja e tij ishte shumë e varfër, që të mund të shpjegonte marrëdhënie kaq të ndërlikuara, sepse ai aeroport dukej shumë i zbrazët, sepse vetmia aty ishte shumë e trishtë, sepse Nazlija qante shumë natën, nëse ai nuk gjendej diku afër për ta ngushëlluar, sepse atë çast shkallët u shkëputën nga avioni dhe ai mbeti duke i shikuar ato, i pasigurt nëse gjërat që kishin ndodhur atë ditë kishin ndonjë lidhje me realitetin.
Pas asaj dite me re të dendura mbi qiellin e Atlantikut, Halil Demaj i kaloi gati njëzet vjet të jetës së tij në qytetin Galuej të Irlandës, gruaja i lajthiti nga mendja dhe ai mbeti t’i ndiqte në kujtesë ato spermatozoidet e dikurshme, të cilat, shumë kohë përpara, kishin ngarendur si të tërbuara të futeshin në vezoren e saj, pastaj kishin mbetur atje, duke kryer dy fekondime gati aksidentale: nga martesa me Nazlijen kishte një vajzë që e kishte emrin Arieta, një çapkëne e trishtuar që prej disa vitesh luftonte me vetminë herë në Australi e herë në Zelandën e Re, dhe një djalë me emrin Astrit, i cili ditën që doli nga shtëpia i tha, babë, as në varrimin tand nuk kam me ardhë, ndërsa ky, i mbetur gojëhapur, pa qenë në gjendje të thoshte asnjë fjalë, në mendimet e tij kërkonte të dinte ku mund të ishin kufijtë e së vërtetës në një botë që shurronte dhe dhiste njëkohësisht, si sorrat e çmendura të kodrinës së varrezave, tej lagjes së Dragodanit.
Halil Demaj për afro njëzet vjet nuk qe kthyer në Prishtinë, ndërkohë që ua bëri me dije njerëzve të afërt se fati i tij nuk punonte me të njëjtën orë si liria e Kosovës, se ai kishte mbetur refugjat i përjetshëm në një qytet të panjohur, se peizazhi i atij vendi, i kapur pas shkëmbinjve të oqeanit dhe i lumtur në gjelbërimin dhe vetminë e tij, nuk kishte asgjë të përbashkët me mendimet e tij të hapërdara në zonat e hijesuara dhe të errëta të krejt botës dhe të universit, derisa gruan e kishte në spital dhe ndërsa ajo ia kthente shpinën e inatosur sa herë që i bënte vizita, Halil Demaj vendosi një lidhje të çuditshme miqësore me ca pulëbardha idhnake, të cilat te porti i jahteve ngarendnin nëpër erën e detit, bënin ca rrotullime të shpejta, duke i valëvitur krahët nën qiellin e zymtë dhe duke i dhënë oqeanit mërzinë e përjetshme, çdo gjë në atë vend dukej sikur bënte diçka që nuk i pëlqente, sikur që të gjitha donin të ishin diku tjetër, në një kënd tjetër të botës, ku nuk do të kishin domethënie aq universale, ku valët nuk do të shkumonin deri në një epokë tjetër të kohës që nuk matej, ku baticat nuk do ta zhvendosnin detin drejt tokës deri të shfaqej një gravitet tjetër dhe ku amshimi nuk do të ishte një peizazh i gjelbëruar që i mbijetonte të gjitha stinët.
Edhe në këtë rrethanë, gjatë atyre ditëve të majit dhe të qershorit të vitit 1999, duhet thënë se Halil Demaj mbajti një qëndrim të qartë dhe pa kompromis rreth lirisë së Kosovës: sapo gruaja e tij u këndell pak dhe mjekët e këshilluan ta nxirrte në shëtitje gjatë ditëve me diell, ai, pa ndonjë sforcim të madh, gjeti në valixhen e shëmtuar një fustan gjithashtu të shëmtuar të Nazlijes, e ndihmoi që ta vishte pa ia prekur trupin (psikiatri i kishte thënë se gratë si ajo, në përgjithësi, për një arsye që ai nuk arriti ta kuptonte, i urrenin prekjet e burrave) dhe, pasi kaluan me taksi një rrugë jo më të gjatë se tre kilometra, u gjendën në Lagjen Latine dhe në rruginat ndanë Portit, aty diku u ulën buzë detit dhe për një kohë të gjatë vështruan fluturimin e pulëbardhave, Halil Demajt i pëlqeu t’i thoshte Nazlijes se Kosova tani ishte e lirë, se atje kishin hyrë trupat e NATO-s, se ai lajm ishte dhënë në të gjitha mediet e botës, se liria e Kosovës i ngjante fluturimit të asaj pulëbardhës me krahë të gjerë dhe të përhimët, e cila, ndryshe nga të tjerat, bënte ca valëvitje të këndshme dhe dredharake mbi direkët e lartë të një barke me vela.
Nazlijes iu çel fytyra, u duk se i pëlqeu fluturimi i pulëbardhës dhe ideja se liria e Kosovës mund të krahasohej me atë kënaqësi fluturimi mbi detin e kaltër, madje Halil Demajt iu duk se ajo deshi të fliste me të, pas dy muajsh që nuk e kishte ndërruar asnjë fjalë, mbase kjo edhe do të ndodhte, sikur pulëbardha papritmas të mos i jepte fund fluturimit të saj të hareshëm me një përplasje të fuqishme mbi majën e direkut të anijes dhe të binte e cofur pranë barkës, mbi një valë të shkumëzuar, ajo valë pikërisht atë çast e humbi vullnetin për të arritur në breg, u përkund mes barkave krejtësisht e përhumbur, teksa pulëbardha u shndërrua në numër prim, që nuk ia gjente fundin vetmisë, Nazlija, ndërkohë, gati mbeti pa frymë dhe për pak i ra të fikët, iu mpinë mendimet nga ai ngadalësim i papritur i elektroneve, ajo ia ktheu shpinën detit, u kruspullos dhe qau në heshtje më shumë se dy orë. Në spital e lidhën Nazlijen që të mos vetëvritej, ndërsa edhe për dy-tri javë të tjera vazhdoi të nxirrte ulërima, sa herë që Halil Demaj shfaqej në dhomën e saj.
Në qytetin Galuej të Irlandës, Halil Demajn e sistemuan në një hotel të vjetër, i dhanë një dhomë në mansardë me banjë dhe televizor, me dy karrige dhe me një tavolinë të vogël në mes, mbi të cilën ai nuk gjeti asgjë çfarë të vendoste, përveç ca revistave të vjetra të ilustruara, dhoma për tre muaj kishte një dritare të pjerrët dhe që andej mund të shihje qiellin me re dhe degën e një pishe, e cila dukej sikur rrinte aty vetëm për t’ia krijuar idenë Halil Demajt se kishte një lidhje tokësore me kuptimet e panjohura të kësaj bote, ndërsa rrinte shtrirë dhe shikonte i menduar thellësinë e qiellit dhe trishtimin matanë tij, pas tre muajsh dritarja e pjerrët e mansardës u zëvendësua me një derë ballkoni të një apartamenti të ngushtë, prej nga mund të shikonte shiun, një cep pak më të largët të oqeanit dhe një kodrinë të gjelbëruar konike, e cila dukej sikur rrinte aty dhe e kishte marrë atë pamje, vetëm pse relievi i saj e pëlqente atë formë, me qenë ashtu siç ishte dhe mos me qenë disi ndryshe.
III
Disa muaj më vonë, në stinën që ishte vjeshtë dhe që në keltisht fjala kishte në rrokjen e parë një “o” të zgjatur, që ushtonte përbrenda si hon i errët (fómhar), në një fundjavë Halil Demaj mori gruan e tij nga spitali, që ta njihte me apartamentin e ri, e vendosi një karrige pranë derës së ballkonit dhe e la që ajo, nga perspektiva e një ëndrre të panjohur, ta shihte në mënyrë abstrakte kodrinën e gjelbëruar, gjatë asaj dite shtëllunga të bardheme të mjegullës e mbushën luginën, duke i dhënë pamjes një qetësi të këndshme dhe disi të përgjumur, më pas mjegulla u davarit dhe nisi të binte një shi i dendur, Nazlija nuk priti gjatë që shiu të binte ashtu i rrëmbyer, por u shkreh në vaj me dënesje që ia lëkundnin kraharorin, Halil Demaj u ul pranë saj, ia mori dorën dhe i foli gjatë për gjërat që mendohen dhe që, në përgjithësi, nuk gjejnë fjalë të përshtatshme që të thuhen dhe, në këtë e sipër, i tha gruas së tij se ajo nuk kishte pse zemërohej me shiun, sepse ai thjesht binte, sepse nuk dinte si të bënte ndryshe.
Por, në atë apartament të vogël u desh të kalonte një ditë e tërë, që një brerore rrezesh ta rrethonte majën e kodrinës si duvak pluhurize dhe që Nazlija ta shikonte me kureshtje pamjen që u shfaq në derën e ballkonit, teksa edhe për një kohë ajo e kishte mbajtur shikimin e varur nën barkun e reve, Halil Demaj i qe afruar gruas së tij dhe ia kishte përkëdhelur flokët me një butësi të këndshme, ajo ishte kthyer dhe e kishte parë në sy Halil Demajn, ai ia kishte futur dorën te gjinjtë dhe ia kishte fërkuar kraharorin me një trazim që e kishte bërë gati të dridhej, ajo kishte ofsha duke nxjerrë firomë të vjetruar nga mushkëritë e mbushura dëshira të fjetura, ndërkohë, pamja matanë derës së ballkonit atë çast kishte marrë një dritësim të lumtur, Halil Demaj i kishte ndihmuar gruas së tij që të ngrihej, me synim që ta çonte për krahu deri në dhomën e fjetjes, ideja se pas kaq kohësh mund të bëhej dashnor i gruas së tij i qe dukur e mahnitshme, një dashuri e dështuar, kishte menduar ai, mund të ishte vërtet e mrekullueshme, në krahasim me dashuritë e suksesshme, që ishin kryesisht vulgare, vetëm se vetëm se vetëm se, për shkak se një trishtim kaotik dhe i errët kishte mbetur i papërfshirë në zhvillimet e asaj dite, ndodhi që, ndërsa burrë e grua kishin kaluar krah për krah korridorin e ngushtë të banesës, Nazlija e kishte shtyrë me vrull Halil Demajn dhe ai e kishte përplasur kokën pas dollapit të korridorit, më pas ajo e kishte marrë çadrën me bisht druri dhe me të e kishte goditur burrin e saj, duke i shkaktuar ndër të tjera edhe një të çarë për qepje tri komçash mbi vetullën e djathtë, në këtë e sipër, në emër të krejt të çmendurve të botës, ajo kishte nxjerrë një klithje të tmerrshme dhe kishte ngarendur të hidhej sërish nga dera e ballkonit.