More
    KreuLetërsiShënime mbi libraFloresha Dado -- Postmodernizëm / realizëm: përballje kuptimore - filozofike apo formaliste...

    Floresha Dado — Postmodernizëm / realizëm: përballje kuptimore – filozofike apo formaliste – estetike?

    Realizmi ka preokupuar filozofë, teoricienë të arteve, veçanërisht të letërsisë, që në antikitet. Por nuk mund të themi se është arritur në një konkluzion të qëndrueshëm, sepse koncepti i realizmit është objekt i mosmarrëveshjeve lidhur me kuptimin, përfshirjen e tij në çdo nivel të teorisë dhe praktikës, të semantikës ose të ontologjisë, madje lidhur edhe me peshën që ka në strukturat e disiplinave që thamë. Kështu, duke pranuar multivalencën e konceptit, është shprehur mendimi se realizmi duhet të diskutohet në sfond interdisiplinar.[1] Kjo qasje ofron mundësi të gjera sidomos për të sqaruar se çfarë përbën një pozicion realist në filozofi dhe sa kjo gjë mund të identifikohet në kontekstin e teorisë letrare.

    Por, nëse filozofia ka kontribuuar kryesisht në trajtimin e problemit të realizmit në nivel metateorik, teoria e letërsisë dhe e artit janë ndalur vetëm në përkufizimin e realizmit si një problem që i përket fushës së krijimtarisë artistike. Megjithatë, gjatë zhvillimit historik të letërsisë, koncepti i realizmit në teorinë letrare nuk ka mbetur brenda sferës së çështjeve që lidhen thjesht me përfaqësimin në art; realizmi perceptohet tashmë si një qëndrim teorik që kundërshtohet nga relativizmi, në mënyrë të veçantë nga kultura postmoderne dhe mënyra poststrukturaliste e të menduarit. Koncepti i realizmit ka krijuar një mosmarrëveshje lidhur me kuptimin e tij, të nënkuptimeve (në çdo nivel të teorisë ose praktikës, të semantikës ose ontologjisë), dhe madje lidhur me vendin e tij në strukturën e përgjithshme të disiplinave të ndryshme. Rast i veçantë janë debatet mbi llojin e konceptit të realizmit në filozofi si dhe debatet në studimet letrare mbi realizmin e gjinisë epike (sidomos romanit). Diskutimet vazhdojnë te filozofë dhe teoricienë të artit dhe të letërsisë me një intensitet që varion në kohë të ndryshme.

    Në filozofi, realizmi nënkupton një metaperspektivë mbi marrëdhëniet e shenjave dhe koncepteve mbi realitetin. Kuptimi realist mbështetet në ekzistencën e pavarur nga mendja të botës së objekteve, në besimin tek e vërteta si komunikim mes gjuhës dhe botës, si dhe në bindjen se ka vetëm një përshkrim të vërtetë të botës. Ndërsa në teorinë letrare realizmi i referohet aftësisë së shenjave dhe imazheve për pasqyrimin bindës, të kujdesshëm të realitetit. Duket se kemi dy përdorime të termit me përmbajtje të ngjashme. Por ky koncept i përfaqësuar nga realizmi psikologjik dhe social i shek. XIX, u komplikua nga letërsia moderniste dhe, pas saj, ajo postmoderniste, të cilat sollën tronditjen e parimit realist të krijimit.

    Është shtruar një pyetje shumë interesante: a mund të thuhet se letërsia është ‘paraqitje e realitetit’ kur dihet se vetë realiteti rishfaqet në të përmes krijimeve të imagjinatës?

    Maksima e filozofit E. Kant, se “qenia nuk është tregues real”, orientoi mendimin teorik në pikëpamjen se në interpretimin e letërsisë realja në realitet nuk është pjesë e përmbajtjes reale të vetë letërsisë. Ky koncept merr përmasa të tjera, bëhet veçanërisht i mprehtë në gjykimin e letërsisë postmoderniste.

    Në studimin letrar kjo do të sqaronte çështjen se si konceptohen nocionet ‘realiteti’ dhe ‘pasqyrimi’ në praktikën e poetikës së postmodernizmit, e parë si kontradiktë me perspektivën realiste. Si kuptohet natyra e pasqyrimit letrar?

    Në teorinë letrare koncepti i realizmit nuk ka mbetur thjesht në sfondin e çështjeve që lidhen me pasqyrimin në art, sepse me daljen e krijimeve moderniste postmoderniste, është riperceptuar dhe ritheksuar si një qëndrim teorik i kundërt me relativizmin, pra si një e kundërt ndaj kulturës postmoderne dhe mënyrave poststrukturaliste të mendimit. Kundërvënia është e dykahshme: realizmi kundër relativizmit dhe moderne/postmoderne kundër realizmit në kuptimin klasik të tij.

    Problematikat që kanë lindur rreth marrëdhënies midis postmodernizmit dhe pasqyrimit realist janë të ndryshme.Studiuesja L. Hutchon, e njohur për interesimin dhe interpretimet në fushën e letërsisë postmoderniste, mbështet pikëpamjen se në artin postmodern historia (brenda veprës letrare: shënimi im) në të vërtetë shihet si intertekst. Historia bëhet tekst, ndërtim diskursiv që tërheq fiksionin, sikurse janë tekstet e letërsisë. Kjo pikëpamje për historinë, në letërsi, është vazhdim logjik i teorisë së Riffaterre-it, sipas të cilit referenca në letërsi është përherë referencë e tekstit në tekst, që nënkupton se historia letrare nuk mund të na orientojë kurrë në botën e vërtetë empirike, përveçse në tekstin tjetër. Fjalët na udhëzojnë jo drejt gjërave, por drejt sistemit të shenjave, të cilat paraqesin “njësitë e gatshme tekstuale”. Sipas kësaj pikëpamjeje kjo është mënyra përmes së cilës letërsia nuk e pranon konceptin naiv mbi pasqyrimin. Në pikëpamjen e kësaj teoricieneje referenca postmoderniste dallon nga referenca realiste, sepse afirmon pamundësinë relative të njohjes së asaj të shkruarës, që ka ekzistuar objektivisht edhe para se ne të kemi qenë në dijeni për të. Me këtë qëndrim ajo i afrohet traditës së gjatë filozofike që pohon se realiteti, ndonëse mund të ekzistojë për së jashtmi, është i rregulluar përmes koncepteve dhe kategorive të të kuptuarit tonë njerëzor. Teoricieni tjetër, i marrë gjerësisht me çështjen e postmodernizmit, F. Lyotard, shkruan se gjuha e ka të pamundur të zotërojë realitetin jogjuhësor. Sipas tij gjuha nuk e artikulon kuptimin e botës; ajo e përjashton atë që përpiqet ta zotërojë. Kjo situatë kontroverse na kujton paradoksin e përgjithshëm të diskursit postmodernist, i cili konvencat, brenda të cilave vepron, i përdor dhe i shpërdor në mënyrë ironike, i afirmon dhe i mohon. Interpretime të tilla teorike na krijojnë një qasje jo në sipërfaqen e realizmit, por në kuptimin e brendshëm, filozofik të tij.

    E vërteta një iluzion?

    Koncepti i së vërtetës është një ndër aspektet themelore që përball postmodernizmin me realizmin. Trillimi postmodernist hedh poshtë nocionin e të vërtetave universale dhe luan me mundësitë e interpretimit, perspektivave shumëplanëshe, pasigurive dhe kontradiktave. Interpretimi që realiteti dhe e vërteta janë ndërtime më tepër se një entitet ose një thelb, është një nga shqetësimet më të mëdha të romanit postmodernist. Fiksioni i shekullit XIX dëshmonte se realiteti është përgjithësisht një eksperiencë që mund të ndahet midis autorit dhe lexuesit. Modernizmi e sfidoi këtë pikëpamje, duke konfirmuar kalimin nga pasqyrimi objektiv i realitetit në një perspektivë individuale të realitetit. Nga ana e tij fiksioni postmodernist synoi të shkonte më tej, duke pasqyruar një botë ku ‘realiteti ose historia janë të përkohshëm: nuk ka një botë të të vërtetave të përjetshme, por një seri ndërtimesh, artificesh, strukturash të përkohshme’.

    Fiksioni postmodernist hedh poshtë nocionin e së vërtetës universale dhe luan me mundësitë e interpretimeve, perspektivave shumëplanëshe, pasigurive dhe kontradiktave.

    Kështu edhe romani nuk mund të jetë një i tërë koherent, ai zhgënjen lexuesin në pritjet për mbylljen narrative, zbulime paraprake, që realizohen nga narratori i gjithëdijshëm. Ch. Norris pohon se ‘Çështja kryesore e narratives postmoderne është të sfidojë, të shkatërrojë, ose, në mënyrë paradoksale, të shfrytëzojë konvencionet në lojë kur ne nxjerrim kuptimin e tekstit. Kështu postmodernizmi sjell një tendencë të fuqishme ‘metanarrative’, e cila thekson naivitetin e besimit në narracionin e zakonshëm të rendit të parë. Adorno shkruante madje se një ‘vepër e madhe moderne është pikërisht ajo që arrin të shfaqë kontradiktën mes dukjes dhe realitetit’. Sipas tij, vepra letrare nuk na jep një reflektim të mirëformuar dhe një njohuri të realitetit, ai thekson largësinë mes veprës dhe realitetit.

    Sipas teoricienes L. Hutchon, në një nivel formal, romani mban në tension marrëveshjen midis historisë dhe fiksionit, duke nxjerrë në plan të parë konfliktin midis së vërtetës dhe gënjeshtrës, fakteve dhe bindjeve, të vërtetës dhe iluzionit.

    Sipas N. Krasniqit “…qenia jonë kurrë nuk mund të konsiderohet imitim i realitetit tonë, i një ekzistence në një ‘kohë reale’. Por më shumë është një imitim në ‘kohën e humbur’, ekran, pamje e shpërndarjes së subjektit dhe identitetit të tij… Qenia, e cila është krejtësisht e ndryshme nga besimi, është më shumë rezultat i sfidës ndaj realitetit, rezultat i pranimit të një iluzioni objektiv, e shumë më pak një realitet objektiv… Instinkti më i fuqishëm i njeriut është të jetë në konflikt me mendjen e tij dhe realen.”[2]

    Pra është e qartë se referenca postmoderniste dallon nga referenca realiste në faktin se afirmon karakterin relativ të çdo realiteti që mund të ekzistojë objektivisht.

    Konkluzioni tipik postmodernist është që e vërteta universale është e pamundur dhe relativizmi është i pashmangshëm. “E vërteta absolute” është përkufizuar si realitet jofleksibël. Por, nëse përfaqësuesit e filozofisë relativiste deklarojnë se nuk ka absolutisht të vërtetë absolute, atëherë është e qartë se ky pohim është gjithashtu po aq absolut. Sipas Morris-it[3] po kaq interesante është edhe pikëpamja që, duke iu referuar shprehjes tjetër: “e vërteta është relative,” e quan edhe këtë një pohim absolut. Nëse, sipas teoricienit, do t’i qëndrohej besnik konceptit filozofik të postmodernizmit që i kundërvihet realizmit, atëherë do të duhej të thoshim se ky pohim i fundit, në vetvete, është gjithashtu relativ.

    Në të gjitha këto pohime mjaft interesante dhe origjinale mendoj se përballja midis konceptit realist tëvërtetës dhe kuptimit postmodernist tësë vërtetës, shpreh konfliktin efilozofive që përfaqësojnë ato dhe meriton trajtim të veçantë. Koncepti postmodernist, sipas të cilit askush nuk e di nëse e vërteta ekziston dhe se çdo njeri beson që pohimi i tij është i drejtë, por kjo është e pakonfirmuar, hap një fushë shumë interesante në interpretimin e romanit postmodernist, në përballje me romanin realist.

    Por, kjo nuk do të thotë se të gjithë teoricienët, pa përjashtim, mbështesin konceptin e relativizmin si triumf ndaj realizmit. Kështu ekziston edhe pikëpamja që e karakterizon relativizmin si kontradiktor, anarkik. Filozofi francez M. Foucault synoi të provojë se të menduarit e njerëzve, rreth të vërtetave të përhershme të natyrës dhe shoqërisë njerëzore, ndryshon gjatë rrjedhës së shoqërisë. Studimi i tij mbi konceptin e postmodernizmit mbështetet në kuptimin konvencional të historisë si kronologji e fakteve të paevitueshme dhe zëvendësim i të fshehtave të njohurive të shtypura dhe të pavetëdijshme, dhe përmes historisë. Kur flet për postmodernen (postmodernizmin) F. Jameson vë theksin te ‘zhdukja e sensit të historisë’ në kulturë, te cektësia e kuptimit, te një ‘e tashme e paqëndrueshme’, në të cilën kujtesa e traditës ka ikur. Siç shohim, na del se analiza postmoderniste është një goditje mbi besueshmërinë në filozofi, narrativen dhe marrëdhëniet e arteve me të vërtetën. Sipas tyre, e vërteta absolute në përballje me realitetin është një realitet jo fiks e uniform.

    Në një intervistë I. Hasan pohonte, se “Tani, nëse E Vërteta ka vdekur, atëherë çdo gjë lejohet – teorikisht. Dhe nëse çdo gjë është arbitrare, e kushtëzuar dhe relative, asgjë nuk është detyruese…” Mendoj se në thelbin e këtij pohimi qëndron pikërisht ajo çka ndodhi në romanin postmodernist (edhe në romanin tonë), ku u përmbysën kritere formale, kur liria e trillimit artistik nuk i nënshtrohet asnjë detyrimi formal.

    Por T. Eagleton është kundër thelbit apokaliptik që shpreh teoria postmoderniste. Sipas tij postmodernizmi bën gabimin apokaliptik kur beson te vdekja e së vërtetës…

    Marrëdhënia e postmodernizmit me të drejtën dhe të gabuarën

    Për postmodernistët nuk ka asnjë rëndësi mendimi se çfarë është e drejtë, e gabuar, false, e mirë apo e keqe, sepse në filozofinë e tyre asnjë nga këto nocione nuk i referohet një të vërtete absolute. Kjo do të thotë, sipas tyre, se askush nuk mund t’u imponojë të tjerëve idenë e tij si moral i drejtë apo i gabuar. Vetëracionalizimi i tyre mbi shoqërinë, botën që na rrethon, shpreh konceptin për relativizëm të moralit.

    Sipas konceptit postmodernist nuk ka një realitet koherent dhe të unifikuar. Vepra e R. Qoses, duke u ngritur shpesh mbi paradoksin, transformime radikale, mbi parodinë, fragmentizmin, synon të ndrydhë rrëfimin kryesor, çka, në të vërtetë, i jep theks të veçantë synimeve ideore të romanit. Romani fsheh bindjen e autorit se realiteti i vërtetë vjen përmes vështrimit dhe interpretimit individual; për këtë arsye problemi që nxjerr vepra “Nata është dita jonë” lidhet, veç të tjerave, edhe me pyetjen: kush është në plan të parë: realiteti apo refleksioni i autorit? Në një kuptim universalmbi natyrën e artit, këto dy aspekte nuk do të ndaheshin. Por në romanin e R. Qoses dilema shfaqet sepse kuptimi mbi realitetin është ndryshe nga letërsia paraardhëse, sepse shpesh fshihen kufijtë midis ëndrrës dhe rrëfimit të reales.

    Në vazhdim të kësaj filozofie për Pam Morris-in (vepër e cituar) një postmodernist e sheh botën jashtë vetvetes si një ekzistencë në gabim, do të thotë se një e vërtetë e njerëzve bëhet e padallueshme nga e gabuara. Në këtë kuptim thelbi i postmodernizmit është sfida e sigurisë, shtrimi i pikëpyetjeve mbi kuptimin e figurës, tek e cila ne mund të kemi pranuar një herë ekzistencën e disa “të vërtetave” absolute.

    Studiuesi shqiptar A. Saliu i referohet pikëpamjes që pranon qëndrimin pragmatist për të vërtetën, e cila është krejtësisht jashtë skemave tradicionale të trajtimit të saj. Sipas tij identifikimi i filozofisë me të vërtetën dhe të mirën ka qenë presupozim i vetëkuptueshëm i filozofisë tradicionale. Fjala ‘e vërteta’ dhe ‘e mira’ janë të papërcaktuara. E vërtetë është se nuk ka të vërtetë… të gjitha pretendimet e filozofisë për të vërtetën tanimë janë vetënuar dhe janë shndërruar në pengesë serioze për afirmimin e kulturës liberale.[4]

    Postmodernistët e kundërshtojnë të vërtetën absolute përballë faktit që ekzistojnë shumë kundërpohime mbi dukuri të jetës njerëzore. Meqenëse, siç thamë më parë, teoria e tyre mbështetet në bindjen se ‘nuk ekziston absolutja’, ‘e vërteta është relative’, atëherë edhe në raport me moralin nuk ekziston e drejta dhe e gabuara. Atëherëaskush nuk ka të drejtë të gjykojë moralin. Koncepti relativist i referohet pikëpamjes se secili mund të besojë çfarë të dojë! Sa e përcjell romani ynë këtë të vërtetë?

    Realizmi dhe Relativizmi

    Postmodernizmi është i lidhur me filozofinë relativiste që mbështet idenë se “gjithçka ndodh”, dhe ku braktiset bindja për të vërtetën absolute, përqafohet ideja se njohuria është e varur nga një perspektivë. Pohimi se mesjeta besonte në Zot, kurse Niçja deklaroi se “Zoti ka vdekur”, në njëfarë mënyre sillte idenë se në jetë nuk ka pika fikse të përjetshme. Kështu filozofët postmodernë kanë pranuar se postmodernistët janë ndjekës të bindjeve të Niçes. Dekonstruktivizmi, që i qëndron pikëpamjes se e vërteta është gjithnjë relative ndaj pikëvështrimeve të ndryshme, ka si një nga principet themelore mohimin e mundësisë për përkufizime përfundimtare ose të vërteta. Për dekonstruktivizmin marrëdhënia e gjuhës me realitetin nuk është e dhënë, ose e sigurt, përderisa gjithë sistemet gjuhësore janë ndërtime kulturore jo të sigurta.

    Filozofia e Derrida-s dhe e teoricienëve të dekonstruktivizmit ishte kundër teorisë që, për një kohë shumë të gjatë, e kish parë marrëdhënien mes gjuhës dhe botës si të drejtpërdrejtë dhe të besueshme. Ata nuk e kuptojnë gjuhën si pasqyrë të natyrës dhe e quajnë iluzion lidhjen e kuptimit të një fjale me strukturën e realitetit. Përfaqësuesit e dekonstruktivizmit kritikuan besimin naiv në “tekstin realist klasik” dhe mbështetën pikëpamjen sosyriane se të gjitha fjalët duhen shpjeguar vetëm në sistemin e marrëdhënies së tyre me sistemet e ndryshme në të cilat marrin pjesë. Sipas tyre, në çfarëdo që themi, ne jemi të kapur brenda një sistemi gjuhësor që nuk lidhet me realitetin e jashtëm, sepse çdo term brenda çdo sistemi gjithashtu aludon, ose varet nga ekzistenca e termave të tjerë brenda sistemit.

    Pyetjes drejtuar Ihab Hasanit: Si mendoni, megjithatë, se “relativizmi” u vu në një rend me “postmodernen”? Mendoni se ka një lidhje logjike mes llojit të artit që ju identifikuat si postmodern dhe një pozicioni radikalisht relativist? – ai i është përgjigjur:

    “Teatri, parodia, një imitacion stili (pastiche), pluralizmi – produktet bazë të një stili postmodern apo racionales – kanë tendencë drejt relativizmit, ashtu si tendenca për t’u hapur apo pavendosmëria. Filozofitë jothemelore apo pragmatike kanë gjithashtu tendencë drejt relativizmit. Çdo shoqëri hibride, heterogjene, konfliktuale ka tendencë drejt relativizmit. Këto të tria janë pjesë e “kushtit postmodern”. Por vini re ju lutem se unë them “kanë tendencë”: Dyshoj se mund të ushqehet në praktikë një “relativizëm radikal”. Shihet se edhe pohimet e tij kundra së vërtetës absolute, kanë gjithashtu karakter relativ, në koherencë me pikëpamjen e tij filozofike…

    Realiteti në konceptin postmodernist

    Qëndrimi i përbashkët që lidh shkrimtarët postmodernistë, pavarësisht dallimeve, është mospranimi i doktrinës së realizmit mbi ‘pasqyrimin objektiv të realitetit social’. Sipas tyre, letërsia krijon iluzionin e realitetit vetëm për ta prishur atë. Si pasojë, trillimi postmodernist, në të njëjtën kohë, edhe plotëson, edhe përmbys pritjet e lexuesit. Narratori fshin dallimin midis botës reale dhe botës fiktive.

    Teoricieni Bran Nicol theksonte se postmodernizmi i referohet një shkalle më të lartë të vetëdijes, duke theksuar se eksperienca jonë mbi realitetin ka ndryshuar. Realiteti nuk është më diçka që mund ta marrim për bazë, por diçka që ne dyshojmë. Kjo eksperiencë e ndryshuar mbi ‘realen’ shpreh një tipar të rëndësishëm të qëndrimeve teorike të postmodernizmit, i cili synon ta paraqesë këtë aspekt si dëshminë e një transformimi paradigmë në shoqëri, dhe jo thjesht si term të stilit kulturor. Goditja e teorisë sociale postmoderne është teza sipas së cilës të jetosh në postmodernitet do të thotë ta gjesh veten të ndarë nga ato aspekte të jetës që janë parë si autentike, të vërteta, reale. Në postmodernitet ne nuk jemi në gjendje të vlerësojmë të veçantën e vendosjes sonë historike, nuk mund të krijojmë vepra arti origjinale, ne jetojmë dhe punojmë më shumë në një hapësirë ‘virtuale’, sesa në realitet.

    Në kontrast me teoricienë si L. Hutcheon dhe U. Eco, veprat e të cilëve janë më liberale rreth eksperiencës sonë të ndryshuar të realitetit në postmodernitet, ka teori postmoderniste, të prira më sociologjikisht, që synojnë të shohin ndarjen nga realja si të rrezikshme ndaj psikikës individuale dhe kolektive. Për këtë arsye, sipas tyre, teoria postmoderniste i kthehet gjuhës së psikopatologjisë – skizofrenisë, histerisë, narcizmit, paranojës etj., për të shpjeguar kuptimin e ri për këtë marrëdhënie. Realiteti nuk është më real, është hiperreal. Praktika formale më karakteristike në trillimin postmodern është njohur si metafiksion, trillim që në njëfarë mënyre nxjerr në plan të parëspecifikën e këtij ndërtimi trillues, ku metafiksioni është një formë ironike ndaj pranimit të realitetit. Metafiksioni na kujton se vepra është vetëm një vepër trilluese, ajo nuk është reale. Bota që portretizohet nuk është bota reale së cilës i ngjan. Efekti i metafiksionit është prishja e dallimit midis trillimit dhe realitetit, duke thyer iluzionin e realitetit (këtëdukuri e kemi ndjekur në disa prej romaneve të letërsisë sonë postmoderniste…) Por, njëkohësisht ndodh edhe e kundërta: krijimi fiksional zbulon një botë përtej botës reale. Teza të tilla postmoderniste nxjerrin iluzionin e realitetit dhe mjeshtërisë; del në plan të parë marrëdhënia problematike midis jetës, trillimit dhe ekzistencës së realitetit. Romanet e R. Qoses, V. Zhitit, nxjerrin në plan të parë dikotominë midis reales dhe imagjinares, pavarësisht se narratorët nënkuptojnë që bota e trillimit që ndërtojnë, është në thelb rrokje e realiteteve shqiptare… J. Bodriar e kish përkufizimin e tij origjinal që e konsideron realitetin një iluzion… vetë realiteti duhet të mbetet i maskuar dhe ta zgjerojë vetveten si një rreth, pa u kujdesur për vetë konceptin e tij… Është bota e jo realiteti, e cila duhet të mbetet e hapur, por jo si mendim, por vetëm si iluzion… Sepse, sipas tij, realiteti nuk është një fenomen edhe aq i fortë që të rezistojë fuqishëm.

    Ekziston edhe një shpjegim interesant, sipas të cilit iluzioni i realitetit në veprën artistike krijon iluzionin e jetës vetëm për ta prishur atë, duke krijuar një situatë paradoksale që i referohet një realiteti jashtë tekstit dhe procesit. Kjo perspektivë kontradiktore është quajtur qasje ‘double-focus’, që është karakteristike për vepra postmoderniste.

    Teoricienë postmodernistë kanë shprehur bindjen se realizmi i letërsisë së shekullit XIX tashmë nuk është më frytdhënës për pasqyrimin e realitetit bashkëkohor, dhe, sipas tyre, është pikërisht trillimi postmodernist që mund të krijojë formë romaneske për të zbuluar realitete të tjera të mundshme, duke krijuar botë të ndryshme nga bota që ekziston. Trillimi postmodernist synon paraqitjen e një bote ku realiteti ose historia janë të përkohshëm, jo më një botë e të vërtetave të pavdekshme, por një seri ndërtimesh, artificesh, strukturash të paqëndrueshme. Për këtë arsye edhe J. Lyotard e karakterizon trillimin postmodernist si një mohim, ‘mosbesim ndaj metanarratives’. Por Holbrook thekson se diskutimet rreth postmodernizmit janë bërë të debatueshme. Idetë se veprat letrare nuk kanë kuptim, ose që e drejta dhe gabimi moral nuk ekzistojnë, ose që e vërteta është një iluzion, ose që gjithë veprat e artit dhe praktikat kulturore janë vlera të barabarta, ose nuk ka gjera si realitet etj., paraqiten si të dyshimta.

    Realiteti ekziston pavarësisht nga pasqyrimi njerëzor. Nëse kjo është e vërtetë, në kundërshtim me postmodernizmin, ky pohim mbështet ekzistencën e “realitetit të jashtëm të pavarur-mendërisht”, që është quajtur “realizëm metafizik”.

    Gjuha komunikon kuptime, por gjithashtu u referohet objekteve dhe situatave në botë që ekzistojnë pavarësisht nga gjuha. Në kundërshtim me postmodernizmin ky postulat mbështet konceptin e gjuhës që ka funksion komunikativ dhe referencial.

    ***

    Siç shihet, edhe kur postmodernizmi u bë fakt filozofik e letrar, pikëpamjet ndaj tij kanë mbetur gjithnjë të diskutueshme. Por, ajo që mendoj se është thelbësore, lidhet me ;pyetjen që shtrova si titull të këtij trajtimi: kundërvënia midis realizmit dhe postmodernizmit nuk e ka thelbin te aspektet formale-estetike, (si e ndeshim në disa romane të letërsisë sonë në 10 vjeçarët e fundit), por në thelbin e  filozovive që përfaqësojnë. Dhe në filozofi njerëzit gjithnjë janë ndarë apo pajtuar me njeri tjetrin.


    [1]  Ruth Ronen: Philosophical realism and postmodern antirealism. Article from: Style: June 22, 1995.

    [2]Teori dhe kritikë moderne, zgjodhi e përktheu Nysret Krasniqi, Rozafa,Prishtinë, 2008.

    [3]  Pam Morris: Realism”, the New Critical Idiom, “Routledge”, London, 2005.

    [4]  Astrit Saliu: Sfida e postfilozofisë, Revista Teorike Letrare MM, nr. 1, Prishtinë, 2009.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË