More
    KreuLetërsiShënime mbi libraFloresha Dado: Mënyra eseistike e kuptimit të arteve

    Floresha Dado: Mënyra eseistike e kuptimit të arteve

    Diskutimet mbi thelbin e artit në përgjithësi, pra edhe të letërsisë, kanë shoqëruar zhvillimin e shkencave filozofiko-estetike, që nga periudhat më të hershme, kur mendimi teorik nisi të përpunojë konceptet bazë të kuptimit të thelbit të tyre. Deri në shekullin tonë probleme të tilla, si raporti i arteve me realitetin, me psikologjinë e autorit, me format e tjera të krijimtarisë intelektuale të njeriut, mbetet vazhdimisht i gjallë dhe, në mjaft raste, provokues.

    Pjesë e kompleksitetit të këtij mendimi kanë qenë vazhdimisht edhe krijuesit. Përtej koncepteve shkencore, të përpunuara nga shkolla të ndryshme teoriko-letrare, ata i janë qasur arteve të ndryshme me intuitë të jashtëzakonshme, duke qenë aq pranë koncepteve të përpunuara nga studiues  dhe teoricienë profesionistë.

    Befasi të tillë ofron edhe Kadare, në një pjesë të eseve. Intuita jo e zakontë ka sjellë jo vetëm origjinalitetin e procesit të trillimit letrar, por e çon këtë autor edhe drejt kuptimit të thelbit, logjikës së këtij sistemi, jo vetëm të letërsisë, por edhe të arteve të tjera. Eseisti interpreton, si teoricien i mirëfilltë, thelbin e zhvillimit të arteve sipas ligjeve të brendshme të tyre:

    – Duke iu kundërvënë, tërthorazi, pikëpamjes skematike sociologjike të kushtëzimit nga “bota e jashtme”;

    – Duke pranuar pavarësinë e tyre, për të gjetur pikërisht te kjo pavarësi çelsin e mbrojtjes së artit nga vulgaritetet;

    – Duke e shpjeguar evoluimin letrar-folklorik mbi bazën e dy koncepteve themelore, të paprekura nga studiues të tjerë, në një prizëm eseistik origjinal;

    – Duke u thelluar në kuptime që imagjinata e tij,  jo e zakontë, shpjegon thelbin e imazhit të vërtetë që përcjell pëlhura e piktorit;

    – Duke  intriguar studiuesit specialistë mbi specifika të fjalës shqipe, etj.

    Në përcaktimet që vijnë mbi bazën e arsyetimit logjik dhe imagjinatës së përfytyrimit, pavarësisht specifikave të arteve të ndryshme, pranohen ligjshmëritë thelbësore të zhvillimit të brendshëm të artit, koncepte që formalistët rusë i kishin shprehur që në fillim të shekullit XX. Pavarësia e kuptimit dhe e interpretimit të veprës së artit në qasje të reja, qëndron në themel të interpretimit të tij eseistik, çka lidhet me problemin bazë të zhvillimit historik të artit letrar, folklorit, të pikturës, baletit.

    Ne, pa dyshim, jemi me mendimin tjetër, atë që e përfton risinë e artit si një rrugëtim të natyrshëm, që kryhet sipas ligjeve të brendshme të tij, ligje që shpeshherë s’kanë asgjë të përbashkët me botën e jashtme. Brenda këtyre ligjeve dhe jo brenda pirgjeve të ndryshme, arti mbrohet nga sulmi i paprajshëm i vulgaritetit. Arti nuk është qeveri, parti ose kastë, që mund të ndërrohet pas një përmbysjeje. Ndërkaq, brenda të njëjtit regjim plot paqe ai mund të pësojë katastrofë. Shkurt, arti dhe letërsia nuk vdesin herë pas here, për të lindur po ashtu.  Në një rast të tillë bota do të ishte plot kufoma, që s’do të dinim ku t’i varrosnim. Arti dhe letërsia jetojnë vazhdimisht dhe, nëqoftë se në to ka pakëz vdekje, kjo është ajo vdekje që e ka brenda jeta dhe që,në fund të fundit, e ripohon atë’ (Arti si mëkat, 2015,  f. 54-55.)

    Eseistikë mbi arte, në plan krahasimtar

    Kuptimi i krijimeve të veçanta të letërsisë, të pikturës, muzikës dhe folklorit, mbështetet sigurisht në imagjinatën krijuese (kemi një shkrimtar!), por edhe mbi bazën e një logjike teorike, befasuese për lexuesin e kualifikuar. Rruga e krahasimit të arteve shkon përmes kërkimit intuitiv të thellësive të tyre, përmes depërtimit në specifikën e mjetit të realizimit, dhe formave të lidhjes me botën e njeriut. Depërtimi në thelbin e secilit art kalon në një plan të veçantë, duke kërkuar përmes një qasjeje origjinale kuptime të filozofisë së brendshme të tyre.

    Letërsia.

    Në pavarësinë e veprës së artit ndaj imponimeve të jashtme eseisti, kryesisht me intuitën e shkrimtarit, konfirmon teorikisht thelbin e vërtetë të letërsisë, e cila është shprehje e dhimbjes, e gëzimit, e revoltës, dhe e pafundësi ndjenjash, sipas përjetimeve thellësisht individuale. ‘Letërsia, pra, ka lindur bashkë me një mohim, me një pengesë. Sado që në pamjen e parë të duket si e habitshme, po të mendohemi pak, do të vijmë në përfundimin se ky negacion i shkon letërsisë, madje, fare natyrshëm. Negacioni dhe letërsia janë të së njëjtës racë. Shkurt, më shumë se nga engjëlli, letërsia duket si e prirë nga djalli … Letërsia qysh në fillimet e saj u lidh me aktin e flijimit (Unaza në kthetra, 2001, f. 9-10).

    Ideja se letërsia është një botë paralele, e pavarur, me ligjet e veta, që ndryshojnë nga ato të shoqërisë, në aspektin teorik lidhet me parimin më të rëndësishëm metodologjik të kuptimit dhe interpretimit të letërsisë. Eseisti, duke qenë një krijues me intuit të jashtëzakonshme, duket se nuk ka nevojë të orientohet nga teori apo shkolla interpretimi, sepse e ndjen së brendshmi specifikën e arteve, ligjet misterioze që i drejtojnë ato, pra jeton intuitivisht me thelbin e krijimit shpirtëror. Kjo e bën të lirë në gjykimin e vet dhe kjo e bën realisht të vërtetë në konceptin mbi letërsinë dhe artet në përgjithësi.

    ‘Ngaqë nuk zgjidhen me votim, shkrimtarët s’kanë detyrime të veçanta, politike, zgjedhore, ndaj askujt, veç ndërgjegjes së vet. Në qoftë se do të kishin një tejçim (transferim) të tillë parimesh, një pjesë e letërsisë antike dhe asaj të mesjetës do të përjashtohej nga tempulli, për arsye të emancipimit të munguar’( Çlirimi i Serbisë prej Kosovës, 2012, f. 14.).

    Interpretimi i letërsisë i referohet specifikës së fjalës, si mjet i mundësive të pafundme në ndërtimin e marrëdhënieve me lexuesin. Ndjekja e letërsisë përmes jetësimit të fjalës, i përcjell lexuesit mundësitë e pakufij që ka ajo, kur bëhet figurë/imazh, kur bëhet lëvizje, kur bëhet tingull. Ajo e bën të padukshmen të dukshme, të pabesueshmen të prekshme, duke patur një superioritet ndaj mjeteve që përdorin arte të tjera.

    ‘Jam i bindur se letërsia, për shkak të veglave të saj, e sidomos të vegjës bazë, që është gjuha, është më e lirë dhe mëe pakufishme se piktura. Edhe në gjendjen e saj parake, gjuha njerëzore e ka të ndryrë si çmërs një minimum letërsie. Pikturës, për shembull, iu desh të shpenzojë shekuj të tërë për të ardhur në mënyrë të pavarur te një fytyrë njerëzore me tre sy, kurse për letërsinë shpërthime të tilla kanë qenë si ushtrime të thjeshta qysh në zanafillë’ (Arti si mëkat, 2015, f. 54-55 )

    Dihet se me lindjen e strukturalizmit  doli në plan të rëndësishëm lidhja midis shkencës gjuhësore dhe shkencës letrare, raporti i dy aspekteve të rëndësishme që ekzistojnë brenda strukturës tingëllore dhe kuptimore të fjalës…I shfaqur, më tepër intuitivisht si teoricien i artit të fjalës, eseisti interpreton me profesionalizmin e një specialisti, raportin midis gjuhës dhe mendimit. Qasja, që është më pranë kuptimit filozofik të kësaj marrëdhënieje dhe që i referohet aspektit kyç të funksionit të fjalës në procesin e formësimit të mendimit, është e jashtëzakonshme në mënyrën e arsyetimit, në intuitën prej një filologu. Eseisti nuk është teoricien i letërsisë, por me intuitën e krijimit  arrin në arsyetime  teorike mbi thelbin e marrëdhënies së mendimit me gjuhën. Duke e trajtuar, në qasje origjinale, kthimin e mendimit në gjuhë si aksionin më të madhërishëm të njeriut, pohimi se kthimi në gjuhë i mendimit ka qenë dalja prej vetmisë dhe njëherësh zhburgosja e parë e tij, por nga ana tjetër edhe një lloj robërie e mendimit prej rregullave që përcaktoi gjuha. (Kalorës të pabesë – mbretër që qajnë (kreu IX i librit Mosmarrëveshja) eseisti bashkon intuitën e teoricienit të gjuhës dhe të letërsisë.

    ‘Mjetet e letërsisë, duke qenë një krim i lirë shkrimtarësh, jashtë çdo pakti të detyrueshëm me lexuesit, janë të afta t’i rikthejnë mendimit dhe gjuhës atë frymë vetjake njerëzore, që humbi,më saktë u flijua,gjatë procesit dramatik, kur mendimi i besoi gjuhës zhburgosjen e tij dhe kjo e fundit, jo për faj të saj, nuk mundi ta mbante premtimin. (Autobiografia … f. 101) Shkrimi ishte një makinë e dyfishtë. Nga një anë, ai i hapte një horizont të ri letërsisë, nga ana tjetër, e ngrinte atë, e vdiste, e mumifikonte. (Unaza në kthetra,  f. 12).

    Piktura

    krijon për eseistin një imazh tjetër; krahasimi origjinal me letërsinë, përmes përballjes së mjeteve të ndërtimit të figurës: fjalës (së padukshme) dhe portretit/pamjes (së dukshme), befason lexuesin, jo thjesht me imagjinatën interpretuese të Kadaresë, por edhe me konceptet e sakta teorike që intuitivisht vinë në arsyetimin subjektiv të një shkrimtari/eseist. Ai e ndjen së brendshmi thelbin e fjalës, mundësitë e jashtëzakonshme që ka ajo për krijimin e përfytyrimeve të ndryshme te lexuesit, prandaj, përsëri së brendshmi, e ndjen dallimin e letërsisë nga artet e tjera. Në qasjen krahasuese që bën midis “tiranisë së gjuhës” dhe “tiranisë së portretit” qëndron një teori sa shkencore aq edhe riinterpretuese e estetikës së arteve, shprehen specifikat dalluese të dy arteve, të cilat, sa kanë të përbashkëta, aq edhe dallohen në thelbin e mënyrës së formësimit të realitetit dhe të marrëdhënies që ndërtojnë me lexuesin.

    ‘Piktori përpiqet të zbulojë të fshehtën, duke e zbërthyer dhe rimodeluar fytyrën e njeriut. Shkrimtari, gjithashtu, ndeshet me tiraninë e gjuhës, e cila përpiqet t’i detyrojë ligjet e saj, pa i lënë hapësirë lirie, por shkrimtari ngadhënjen më lehtë, ngaqë gjuha është abstrakte. Ajo nuk ka gjëkund asnjë shëmbëllim, asnjë pasqyrë ku mund të gjesh qokat dhe gjedhet e saj, ato që në rast katastrofe mund ta zëvendësojnë. Kurse tirania e pamjeve, që piktori duhet të hedhë mbi pikturë, qofshin portret a peizazh, është tepër e fortë. Pamjet janë gjithmonë përbri teje, si një miratim ose si një qortim’ (Arti … f. 25-26)

    Nëse Kadare i hyn shtegut të interpretimit, në plan krahasimtar, midis letërsisë dhe pikturës, duke dalluar veçanësitë dhe të përbashkëtat e dy arteve, kjo, e parë më thellë, zbulon aftësinë për t’u zhytur në thellësitë e njohjes së atij aspekti që është trajtuar nga flozofë të arteve. Intuita, ndjeshmëria e artistit Kadare, është ajo që e lidh natyrshëm me të gjithë artet. Krahasimi i pikturës me artin e fjalës është ndër përcaktimet brilante të eseistit.

    Çfarë i bën duken të natyrshme në skajimin e tyre të ndërmjetëm? Janë, pa dyshim, midis njeriut të gjallë dhe maskës, midis njëmendit dhe shëmbëllimit, shkurt, midis jetës dhe mesjetës. Piktori sa ç’është piktor, është edhe balsamues. Moskuptimi që vjen nga pëlhurat sa vete bëhet më i thellë. Duket sikur koha nuk rrjedh më, ashtu siç thuhet se ndodh, po t’i afrohemi një vrime të zezë… Ndërkaq, një tjetër mister, që këtë herë vjen nga gjithnaja e gjuhës, atje ku gjërat janë shpesh të zhytura në një terr të rremë, na kujton se në shqip fjala “krye”, ajo që ka pjellë mbi njëqind e njëzet fjalë, nga kryetar e krejt, gjer te krenar e kryehershme, paraqitet trillante dhe e pabindshme. Fjalë me tri gjini, rast i rrallë, nëmos i vetëm në shqip, më shumë e palakueshme se e lakueshme, më pranë gjinisë asnjanëse se mashkullore a femërore, e përdorur vetëm në njëjës për njeriun, dhe veç në shumës për bagëtinë, ajo i shpëton, megjithatë, çdo rregulli’ (Arti … f. 38-40).

    Piktura e afreskut, shihet nën një vështrim të ri; vështrimi dhe kuptimim i eseistit nuk ndalet thjesht tek ngjyrat e përdorura nga Onufri dhe Shpataraku, por në simbolin që mbartin ato për fatin tragjik të shqiptarëve. E veçanta e konceptimit prej tij është kuptimi që i jep simbolit të ngjyrës,  parë jo në metaforën e një ndjenje, të një personi, të një situate, por në imazhin që piktura mund të krijojë lidhur me një histori të gjatë, me fate popujsh, dramash historike. Është një rrokje në plane të tjera, që ka brenda hapësirë dhe tjetër frymëmarrje, që e përfytyron procesin piktural si lëvizje të ndjenjave dhe dhimbjes njerëzore. Kalimi nga analiza  e një dukurie arti tek universalja  njerëzore bën që të kapëxehet vlera e një interpretimi ndjenjësor të veçantë. Në interpretimin e tij eseisti i jep pikturës, në plan teorik, një kuptim shumë të gjerë.

    ‘Shqipëria e hershme mesjetare ishte një nga zonat më të europianizuara të kontinentit dhe mjafton të hetohen afresket e kohës, altaret dhe ikonat e mrekullueshme të piktorëve të tillë të mëdhenj, si Onufri e Shpataraku, për të ndier se si ngjyrat, motivet e simbolet e krishterimit u dendësuan e u spërndritën këtu tragjikisht e me një bukuri fatale, pikërisht në prag të duhmës osmane,që po afrohej kobshëm, mes henjat e veta, që për të krishterë tshqiptarës ’ishin veçse shenja te satanait’ (Uragani … f. 23-24.)

    Baleti klasik.

    Përfytyrimi, që i vjen eseistit, i përket një rrafshi jo të zakonshëm: ai nuk mahnitet thjesht nga lëvizjet magjike të balerinit dhe koreografit shqiptar të famshëm në Francë, por shkon përtej, për të theksuar, në mënyrën e vet, dallimin thelbësor midis njeriut, si kryekrijesa, në raport me të gjithë krijesat, për të shprehur me stilin imagjinativ të tij një perceptim të jashtëzakonshëm të lidhjes së artit me zhvillimet njerëzore.

    Kadare shtjellon sipas pikëvështrimit të tij, filozofinë e artit, domethënë, nuk qëndron thjesht në planin e reflektimit emocional ndaj artit të vallëzimit, por shkon përtej së dukshmes, për të bërë shpjegimin më mahnitës të thelbit të koreografisë së kërcimit. Jo vallja në përgjithësi, por figura e hedhjes/ngjitjes lart të njeriut është filozofia e kërkimit dhe e zhvillimit të njeriut, është forca, uragani i brendshëm shpirtëror. Mënyra figurative si Kadare shpreh interpretimin e vet, çon në ndërtimin e një portreti të kërcimit; koreografia e A.Preljocaj duket si e vizatuar lart në ajër, në një pozicion statik, por që ka shumë lëvizje brenda vetes. Në esenë e tij Kadare i jep një përmasë të patrajtuar më parë këtij lloj arti, duke e parë të lidhur me lëvizjet shpirtërore të shoqërisë, në momente historike të jetës sësaj. ‘Ngritja e njeriut mbi dy këmbë, kjo shkëputje e tij madhështor e nga bota e kafshëve dhel ëvizja e tij ndryshe, quhet, me të drejtë, si shkalla e parë e ngjitjes së këtij princi të planetit drejt fronit ku ai u vendos për të mos u rrëzuar më. Përherë e më tepër ai bindej se vallja lidhej me të fshehtën universale të jetës, me ndjekjen e përjetshme të brezave njerëzorë, që vinin e iknin nga kjo botë sipas një ritmi e harmonie të epërme’ (Kushëriri … f. 10).

    Ky konceptim, më tepër i karakterit filozofik, dhe imagjinata që përshkon disa nga librat-ese realizon ide mjaft interesante: interpreton, në mënyrën e vet, të përbashkëtat e arteve të letërsisë, pikturës, valles; ndërton konceptin lidhur me ndryshimet që ato sollën në jetën e njeriut; ndërton imazhe të jashtëzakonshme në imagjinatën e lexuesit,duke e shtyrë të kapërcejë pamjet e “dukshme” për të depërtuar në filozofinë që mbart në vetvete zhvillimi i secilit art.

    Duke qenë se eseisti nuk bën thjesht rolin e përshkruesit, apo kritikut të artit, por ndërton filozofinë e vet mbi thelbine letërsisë, të pikturës, të valles, qasja krahasuese nuk mbetet vetëm në dallimin e mjeteve të krijimit të figurës, por në hapësirat e brendshme mendore dhe imagjinative që ato mjete mund të ndërtojnë në botën e lexuesit.

    Përjetimi emocional i eseistit, sipas vështrimit në plan krahasimtar, i vlen edhe diferencimeve që ai ndjen lidhur me funksionin e tyre në  proceset që shoqërojnë njeriun në momente të rëndësishme të jetës së tij. Është pothuajse e papritur ideja e Kadaresë lidhur me atë që do të dallonte koreografinë nga letërsia, piktura etj. Ndërtohet një imazh i jashtëzakonshëm midis lëvizjes së shoqërisë dhe koreografisë së valles, duke gjetur jo thjesht një lidhje formale, por përputhjen e levizjeve të brendshme shpirtërore me lëvizjet e jashtme:

    ‘Kur biseda jonë vjen te ngjarjet e ditës, te rrënimi i perandorisë komuniste dhe, pa dyshim, rrënimi i diktaturës në Shqipëri, si pjesë e kataklizmës së përgjithshme, befas në mendjen time shkrep ideja se e gjithë kjo, më mirë dhe më saktë se në letërsi, nëpikturë, madje në gazetari mund të jepet në valle. Era e lirisë, e pluralizmit, valëvitja e turmave, sulmi kundër idhujve e shtatoreve të tyre, sprapsja, sulmi i përsëritur, rrënimi i idhujve etj. etj. të gjithë këto ngjajnë me lëvizjen e universit’

     Po aq origjinal është paralelizmi midis lëvizjes së valles dhe anës psiko-sociale-politike. Liria imagjinative e esesë, si tipari thelbësor i këtij lloji të krijimit, shfaqet në paralelizmat befasuese që eseisti ndërton midis lëvizjes, si mjet i artit koreografik, dhe lëvizjes së njeriut, e parë në kontekste social-politike të një periudhe të caktuar. Krijimi i paraleleve realizon përplasjen e dy qasjeve të sferave të ndryshme: artit dhe socio-politikës, socio-psikologjisë: … ‘ ‘del e njejta pyetje për koreografët: a gjenin ata në jetën socialiste lëvizje të reja, mbi të cilat mbështeteshin për të servirur spektaklet e tyre pompoze, sidomos në rastet e përvjetorëve të revolucioneve? Edhe kjo është ende e pahulumtuar. Por, nëse është i paqartë ndryshimi i lëvizjes (i ecjes) së komunistëve të zellshëm prej njerëzve apolitikë dhe prej njerëzve të kënaqur, diçka më e dallueshme shfaqet midis lëvizjes së të rinjve konformistë dhe të atyre jokonformistë’   

    Arti folklorik.

    Interpretimi i folklorit, në raport me këto arte, bëhet në një plan tjetër: së pari në procesin e realizimit, i cili nuk përfundon në një kohë të caktuar, as mbyllet tek një person i vetëm, siç ndodh në letërsi, pikturë dhe në valle. Sipas eseistit, kjo kohë, që është tepër e gjatë në krahasim me jetën e njeriut, e bën folklorin të duket krijim pa moshë. Gjithashtu, ky lloj arti, që dallon për shtrirjen në kohë, ka misterin, mitin e ekzistencës së papërcaktueshme, ku shpirti i këngës nuk lidhet dot me trup, që i kushtohet krijimtarisë popullore, të formësuar në shekuj, shkon në një shtrat tjetër, më të gjerë, çka përbën edhe dallimin nga piktura, letërsia dhe koreografia. Dallimet duken edhe në stilin e eseistikës, ku specifika e metaforave të mëdha, e simboleve  të fuqishme, e personifikimeve të përmasave gjigante, që lëvizin në botën e epikës dhe këngës popullore, thellojnë ngjyrën dhe figurën e stilit ligjërimor -eseistik.

    ‘Ky është një rrëfim i pafund për breza të pafundmë njerëzorë. Cilat mushkëri do ta përballonin një titanizëm të tillë? Përgjigja është e qartë: askush. Duheshin mushkëri të përbashkëta të mijëra e mijëra poetëve anonimë për të plotësuar këtë rrëfim … sasia e informacionit që jep poezia popullore shqipe është aq e madhe, saqë emrat e autorëve s’do t’ishin veçse një pikë uji në të. ( Autobiografia … f. 13.)

    Janë mjaft interesante komentet mbi dallimin e këngëve dhe valleve “të ëmbla” të arbëreshëve nga ciklit “hijerëndë i veriut”, një interpretim origjinal, që, sipas tij, ndan periudhën paraosmane, kur zakonet, sjelljet, manierat ishin të përpunuara, kur në jetën e tij kishte mjaft frymë kavalereske, çka u ruajt në klimën e freskët arbëreshe njëlloj klime livadhi, gjithë kaltërsi, ozon dhe pikëllim fin. Është tepër poetike dallimi nga cikli i Veriut, i rëndë, me një dritë të ftohtë, që ka ngjyrat e gjithë kohrave kur u ngjiz … Ndonëse në vështrim të jashtëm kemi një karakterizim poetik, në të vërtetë jepet thelbi i strukturës së brendshme emocionale-kuptimore tëtyre.

    Përmasa të tjera gjen eseisti në karakterizimet e lahutës popullore, e cila, sipas tij, ‘duke qenë realiste, është njëkohësisht aq fantazmagorik’.

    Kështu, në planet krahasimtare, që ndërton midis letërsisë, pikturës, valles, folklorit… vërejmë se nuk ka përqasje formale të aspekteve të dallueshëm, por një depërtim më të thellë: nga njera anë u jepet jetë këtyre arteve, shpirtëzohen, bëhen bashkëpunëtorë të ndjenjave të krijuesit, tërhiqet vemendja e lexuesit në aspekte të tjera të brendësisë së tyre. Nga ana tjetër zbulohet, tërthorazi, ku qëndron magjia e diferencimeve të arteve, pse ata janë të ngjashëm, pse janë të ndryshëm, pse janë edhe të pazëvendësueshëm nga njeri-tjetri.

    ‘Gjuha është në vëmendjen tënde, shkronjat e alfabetit janë aty, dhe janë të bindura, dhe s’mungojnë kurrë. Kurse alfabeti im janë valltarët. Janë ata me të cilët unë do të thur elipsat e mia, figurat, idetë, ekstazën, tmerrin, gjithçka. Ti mund të shkosh kudo dhe atelienë tënde, dhe veglat e tua, domethënë gjuhën dhe shkronjat i ke me vete, kurse unë duhet të zhvendosem me gjithë këta njerëz të gjallë, që janë alfabeti im. Por edhe në qoftë se nuk zhvendosem, prapë se prapë s’jam i qetë. A e mendon dot ti, që gjatë kohës së të shkruarit disa nga shkronjat ose vetëm një prej tyre ,ta zemë shkronja k, të mos jetë aty,të mos vijë,të mungojë?’ ( Kushëriri … f. 18)

    Është në natyrën e esesë që të hedhë patjetër dyshime, të përmbysë bindje apo interpretime të mëparshme, dhe kjo përmbysje nuk korrigjon gabime, por ngacmon, provokon lexuesin, sepse kjo është një nga  mënyrat për ta tërhequr atë. Kështu eseisti, që bën çdo interpretim për arte të ndryshme mbi bazën e përjetimit subjekti, papritur pohon edhe karakterin e dyshimtë të këtij interpretimi, dhe kështu befason lexuesin. Sipas tij, jemi të padrejtë nëse bëjmë krahasimin midis tri arteve kryesore: letërsisë, muzikës dhe pikturës, çka duhet të jetë po aq e pamundur që të bëhet kjo me pjesë të gjithësisë, ku veprojnë ligje të ndryshme.

    Thelbi i natyrës së esesë pranon kundërthëniet, përmbysjen e diçkaje të pohuar më parë, provokon. Duke qenë se eseistika nuk është shkencë, ajo pranon lojën në interpretim dhe reflektim subjektiv, prandaj edhe pranimi i këtij pohimi të eseistit plotëson përfytyrimin tonë për këtë krijimtari të lirë. Një marrëdhënie shumë interesante: në vështrim të parë duket thjesht si admirim i eseistit-shkrimtar ndaj performancave të jashtëzakonshme të dy artistëve: piktorit Omer Kaleshi dhe balerinit të famshëm  Angjelin Preljocajt. Në llojin e saj eseja mund të ketë objekt edhe figura personash të veçantë. Këtë bënKadare. Por,mrekullia e dy librave, Kushëriri i engjëjve dhe Arti si mëkat, qëndron jo thjesht në admirimin e shkrimtarit-eseist për balerinin dhe piktorin, por në ndërtimin e një raporti specifik me ta. Eseisti ndjek baletin,vëzhgon pikturat dhe,brenda mendjes dheshpirtit të tij rikrijohet edhe një here portreti i pikturës së Kaleshit dhe portreti i baletit të Perlocajt.

    Duke shkruar për magjinë e krijimtarive të dy artistëve, Kadare rindërton portrete të reja, që as Omer Kaleshi, as Angjelin Preljocaj nuk i kanë imagjinuar ndonjëherë. Bashkëbisedimi i Kadaresë me ta është një kombinim i reales me metafiziken, ata shkëmbejnë mendime … por njëkohësisht eseisti largohet, për t’u ngjitur në një nivel më të lartë të kuptimit të fjalëve dhe krijimeve të tyre. Dhe, ashtu sikurse një piktor, apo koreograf, derdh në artin e tij botën e vet shpirtërore, imagjinatën personale, ashtu edhe eseisti Kadare shfaqet në këto libra, në një farë mënyre, edhe si piktor i një lloji të veçantë; me dhuntitë  që ka fjala/imazh, rikrijon tashmë jo thjesht portretet e dy artistëve, por formëson portretet e arteve që ata krijojnë. Nëse spektatori përjeton emocione të fuqishme, mrekullohet përballë arteve të tyre dhe ndalon këtu, eseisti kapërcen pamjet e drejtpërdrejta, zhytet në thellësi për të gjetur misterin e shkaqeve të pathënshme të mrekullive që arrijnë të krijojnë këto emocione artistike. Ai duket sikur ndërton një botë tjetër komunikimi, dhe, mendoj se me forcën e fjalës, me horizontin e jashtëzakonshëm metaforik, i tejkalon artet për të cilat shkruan. Nga ana tjetër, për teoricienët e artit nuk mund të kalojnë pa vemendje një varg tezash e mendimesh origjinale, që ngacmojnë fort mendimin e konsoliduar teorik. Kështu një ndër çeshtjet themelore të debatit shkencor: raporti i letërsisë me realitetin  provokohet nga Kadare me pyetjen: Vërtetë është jeta që e pjell artin ? Dihet që jeta pjell jetë, por, përsa i përket artit, ndoshta, formula kërkon një ndryshim. Ndoshta vetëm një pjesë e jetës, një zonë e veçantë e saj ka aftrësinë të pjellë art. Kurse tjetra, jo. (Hamleti-princi i vështirë. 2006, f.79)  Eseisti duket se përmys disa klishe të mendimit teorik, duke i dhënë një tis misterioz edhe artit edhe botës me të cilat është i lidhur. Sistemi i mendimit të tij teorik-letrar është befasi.

    Tri shtyllat kryesore që ndërtojnë këto interpretime eseistike janë : erudicioni i gjerë, aftësia vëzhguese-analizuese-sintetizuese dhe imagjinata artistike-ndjenjësore.

    Këto ese janë ndër mrekullitë e eseistikës së Kadaresë, sepse arti, si krijim shpirtëror i njerëzimit, interpretohet, në mënyrë origjinale, në kompleksitetin e raporteve të ndjenjave dhe mendimeve. Bashkohen tre krijues të jashtëzakonshëm, eseisti piktoribalerini, dhe, si rezultat i këtij komunikimi të brendshëm, merr formë një gjuhë e përbashkët, gjuha e Artit.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË