More
    KreuLetërsi shqipe në përkthimFloresha Dado: Kritika franceze mbi Kadarenë horizont i ri metodologjik për studimet...

    Floresha Dado: Kritika franceze mbi Kadarenë horizont i ri metodologjik për studimet tona letrare

    Nuk do të kishte asgjë të re nëse do të vija në dukje thjesht vlerësimet që kritikë e studiues francesë i bënë veprës së Kadaresë, që para më shumë se 40 vitesh. Njihen, ndonëse shumë pak, interpretimet e tyre të jashtëzakonshme (Pëmbledhja e këtyre shkrimeve në dy vëllime, 1500 faqe me 1450 shkrime në frengjisht, prej studiuesit Bashkim Kuçuku dhe në proces botimi prej Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, është shpërfaqje e këtij kontributi të vyer të kritikës dhe studimeve franceze). Përtej kësaj, mendoj se një qasje tjetër ka më shumë vlerë : përvoja që iu përcoll studiuesit shqiptar në aspektin e metodologjisë së studimit.  çka zgjeroi kuptimin e raportit të kritikut me veprën letrare , duke  e konceptuar korpusin kadarean si  objekt  studimi në thelbin e vërtetë të tij.  Sgurisht, në masën dërrmuese, kemi të bëjmë me shkrime botuar në gazeta dhe revista shkencore, por vëzhgimi ynë i parë është se në këto interpretime u bë e qartë se përmasat dhe vlerat shkencore të  një analize letrare nuk përcaktohen nga gjatësia e shkrimit. Kritika franceze dha modelin ku, në pak faqe, mund të zhvillohen ide dhe të hidhen teza, të cilat hapin horizont të reja qasjesh, të panjohura para shumë vitesh nga shkenca jonë letrare.

    Shtylla themelore e asaj qasjeje ishte thellimi në filozofinë e kuptimit të studimit letrar. Për studuesit tanë bëhej  e qartë, edhe deri në ditët e sotme, se njohja dhe kuptimi i  metodologjisë letrare, si një disiplinë njohëse  “meta-teorike dhe meta-shkencore” përbën shtyllën themelore dhe boshtin e suksesit  të shkencës letrare. Nëse do bëja një tipologjizim të  interpretimeve franceze, mund të dalloj : metodologjinë strukturore, që studimin e romaneve të Kadaresë e fokuson në  ndryshimin dhe lëvizjen e  poetikës së brendshme; metodologjinë shkakore dhe të origjinës, që interpretimet i  lidh me shkaqe historike e sociale, me ndikime të ndryshme letrare e joletrare; dhe metodologjinë  funksionale-receptive, e cila, ndonëse vlerëson aspektin e ndryshimeve në format letrare, përqendrohet te roli i lexuesit. Pra, në  metodologjinë franceze gjejmë bazën filozofike të metodave që mund të përdoren në interpretimin  e veprës kadareane. Vlera e këtyre qasjeve qëndron në faktin se ato konfirmojnë marrëdhëniet specifike që mund të ketë studiuesi me letërsinë.

    Në grupimin e studiuesve francezë shfaqen disa metoda studimi, si ato që e shohin letërsinë në sfondin e gjerë të letërsisë së periudhës dhe një vendi që i dha shkrimtarit tonë një sistem konvencional shenjash…; bashkohen metodat që përqendrohen  në  organizimin strukturor të brendshëm të veprës; shtrihet vështrimi në plane të mëdhenj dhe të vegjël; nëpërmjet analizës e sintezës, apo edhe hipotezës….Kështu ja vlen të prekim vetëm disa aspekte të sistemit të metodologjisë së interpretimeve, disa prej të cilave deri para dy-tre dekadash ose njiheshin përciptazi, në mënyrë skematike, ose nuk njiheshin, pra nuk aplikoheshin në kritikën tonë letrare.

    1.

    Depërtimi në poetikën e brendshme, çka solli ide interesante lidhur me zbërthimin e shtresave të brendshme kuptimore (Tristan Renaud, 1970), përmasat e brendshme të shumkuptimshmërisë (A.Bosquet, 1990), përtëritjen e gjinisë së romanit. (R.Escarpit,1970), etj. Thelbi i kësaj qasjeje është modeli i nxjerrjes së kuptimeve jo thjesht nga elementë të jashtëm të veprimit, (siç ndodhte në shkrimet tona para disa dekadash) por në rindërtimin e strukturave të brendshme kuptimore komplekse (Philippe Dulac.) Parimi i depërtimit në një mënyrë të re në thelbin e simboleve, metaforave, depërtimi në balancën midis tragjikes dhe groteskut, (Eric Faye), karakterizimi i thelbit të brendshëm të personazheve si arketipe, etj., karakterizimi i romaneve si forma të reja, të ndryshme nga njeri tjetri, çka ka sjellë tipologjizim të veprave të Kadaresë, etj. janë disa, vetëm disa qasje në poetikën e brendshme të veprave. Depërtimi në universin romanesk të Kadaresë, me lidhjet dhe lëvizjet e brendshme të tij, me ‘ invariantet letrare që ruajnë të njejtën veti dhe që sigurojnë lidhjen e brendshme dhe njësinë e unitetit’

     (G.Peroche, 1992) sjellin një mënyrë të veçantë të zbërtimit të poetikave të brendshme, duke treguar se vemendja e studiuesit i takon thellësive të kuptimit. Me karakterizimin e Kadaresë shpikës të të shkruarit simultan (Cristine Arnothy, 1990) apo ‘fenomen letrar’ studiuesit francezë, kishin propozuar një qasje të thellë në elemente që i përkasin vetëm fenomenit letrar, për të mos mbetur në skemat e subjekteve në vetvete, por për të depërtuar në raportet e padukshme të poetikës romanore, çka shihet si mundësi e njohjes së karakteristikave themelore të stilit të autorit.( Edmond Jouve, 1992, etj.)

    2.

    Në kritikën franceze gjejmë analiza të shkëlqyera, të panjohura prej nesh, në planin filozofik, kur zbërthehet raporti  midis Shqipërisë së izoluar, ‘mitike’ dhe kuptimit të një shoqërie që u referohet gjithë utopive të shekullit XX. (François Combe 1991). Nga thellimi në  filozofinë e brendshme të veprave kritika franceze zbulon se si funksionon utopia e distopia te ky autor. Për herë të parë  shtrohet çeshtja e marrëdhënies së Kadaresë me llojin utopik,  zbulohet një kundërshtim/mohim i utopisë (kohë e papërcaktuar, hapsirë flu, babelizëm dhe një zvetënimi/çoroditje utopik, të orientuar drejt kontrollit të shpirtrave (Pallati i ëndrave). Një qasje e panjohur prej nesh më parë. Gjithashtu analizat thellohen në filozofinë universale të romaneve, në aspekte të patrajtuara si vizioni tragjik i ekzistencës… (Christian Gut), apo filozofia e zbutjes së vdekjes si problem themelor i Kadaresë. Raporti midis së veçantës, Shqipërisë, dhe universales thekson në të vërtetë parimin themelor metodologjik të kuptimit të letërsisë. Kështu depërtimi në zhvillimin filozofik të veprave të këtij autori si dhe përgjithësimet e karakterit filozofik («Le commentaire composé : Littérature française et littérature comparée»),  janë qasje të brendshme që i japin përmasa të tjera studimit letrar. Thellimi i legjendave që riaktualizohen duke kapërxyer në përmasa ballkanike dhe më thellë, universale, u japin disa shkrimeve karakter filozofik, nxisin thellim në interpretim. (Encyclopedia universalis) Nëse do t’i referohemi Kroces do të merrnim parasysh faktin se te një pjesë e studiuesve francezë metoda e studimit është ‘zbulimi i një serie surprizash e mrekullish’ që i përkasin krijuesit Kadare. Tek një pjesë e tyre tërthorazi mbështetet koncepti filozofik i konceptimit të artit si një intuitë kozmike, universale dhe se në çdo krijim individual lidhet e vecanta me universalen. Me këtë metodologji interpretimi kritika franceze karakterizoi stilin e Kadaresë në përmasa të jashtëzakonshme, duke dhënë modele të kuptimit të thelluar të letërsisë së vërtetë.

    3.

    Qasje antropologjike. Për herë të parë gjejmë këtë metodë të interpretimit të tekstit kadarean në studimin e Nathalie Heinich (2002), përqendruar sidomos në analizën e strukturave të identitetit femëror. Është mjaft origjinal zbërthimi antropologjik që i bën studiuesja personazhit të Doruntinës në dy statuse : atë të  vajzës dhe atë të femrës, përballjen dyfishe të saj me figurën e nënës, etj. Për herë të parë kemi mpleksjen e dimensionit antropologjik me historik dhe psikoanalitik, religjioz, politik, duke eksperimentuar mënyrën e interpretimit në disa variante. Në të vërtetë ka një eksplorim të territorit në të gjitha perceptimet dhe implikimet, por që, sipas studiueses, synimi nuk është të kontekstualizojë intrigën në raport me rrethanat historike e sociale, por të zbulojë përmbajtjen e sintezës në kompleksitetin e fiksionit.  Qasja antropologjike, e patrajtuar apo akoma skematike në shkencën tonë, nuk shfaqet te kjo studiuese thjesht si sociologji, por si depërtim në thellësitë e figurave dhe raporteve midis tyre. Nga ana tjetër një metodologji e tillë e kuptimit të veprës zbulonte për herë të parë se si letërsia mund të zbërthejë me një saktësi pothuaj antropologjike dimensionet e ndryshme të historisë, territorit, kohës. Kadare vizaton një gjeografi paralele që mbivendoset mbi gjeografinë fizike e njerëzore. Kjo metodologji studimi, që ngrihet mbi ndërthurjen e reales, imagjinares dhe simbolikës,  jep modelin e një qasje antropologjike origjinale dhe të komplikuar, të pa aplikuar më parë në shkencën tonë letrare, e cila edhe sot ende nuk kanë arritur të njohë thelbin psiko-filozofik të kësaj qasjeje, të diskutueshme në të gjithë kohërat. Dimensioni identitar dhe ndërpsiqik, duke qenë më abstrakti dhe më i vështiri, kaloi pa lënë një gjurmë të dukshme në ndikimet e studimit të letërsisë, qoftë edhe të Kadaresë.

    4.

    Metoda strukturale/narratologjike. Nëse u referohemi sot studimeve tona letrare, mund të themi se analizat narratologjike jane bërë më të preferuarat, të aplikuara gjerësisht dhe të suksesshme. Por nuk ishte kështu para disa dhjetëvjeçarëve. Në kohën kur metoda strukturaliste nuk njihej ose ishte e vështirë për t’u aplikuar në studimet tona (me përjashtim të disa studiuesve të spikatur të Kosovës, të specializuar në Francë), studiuesit francezë, të vendit ku kish lindur teoria e strukturalizmit, dekonstrukturalizmit…jepnin modele të shkëlqyera të  interpretimit strukturalist të veprës së Kadaresë. Në mënyrë të veçantë zbërthimet e  nocioneve të kohës dhe hapsirës, zbulonin një model tjetër interpretimi për kritikën tonë. Në studimin e Françoise  Combes, 1991, pyetje të tilla se cilën hapsirë përfshin vepra  kadareane? Në cilën kohë vendoset ajo? Cilat janë modifikimet që realizohen në marrëdhënien hapsirë-kohë, midis këtu dhe askund, dikur dhe tani, tashmë dhe akoma jo, apo arketipe të veprave ku në një kohë as lineare as qarkulluese, në një hapsirë të limiteve jo të sakta etj. tërhiqet vemendja në logjikën e brendshme të ndërtimit të veprave. Në disa studime të sotme sigurisht është bërë dallimi i kohës me një ekzistencë dyfishe, çka sigurisht erdhi si ndikim nga kritika franceze, ku analiza zbërthen kohën që ka një fund, që shkatërron limitet dhe kohën eternale, që nuk i përket askujt, pa vite, pa sezone, që lëviz pa kufij,  një kohë abstrakte.

    Kritika franceze dha modelin se këto nocione të narracionit nuk duhen kuptuar thjesht si struktura dhe marrëdhënie të jashtme subjektore, por si thellim në metodologjinë e zbërthimit të letërsisë, të specifikave të njohshme dhe befasuese, të pafundshme që ka ky art i fjalës. Thellimi në këto dy nocione, – kohë dhe hapsirë -, në raportet misterioze që i lidhin ato me njeriun, krijon mundësinë e thellimit në kuptimin e brendshëm të strukturave narratologjike, duke shvleftësuar, sipas mendimit tim, vizatimet skematike, gjeometrike që i kemi hasur edhe në studime të sotme. Një analizë e tillë mbi bazën e narratologjisë strukturaliste zgjeron konceptin e kuptimit ç’do të thotë marrëdhënie reale, e largon kritikun skematik nga cektësia e interpretimit dhe gjykimit letrar,  jep mundësinë për të kaluar përtej një subjekti të trilluar, për të gjetur ‘të vërtetën’ që fsheh komunikimi i planit të parë. 

    5.

    Medoda krahasimtare, në vështrim të parë duket më e përdorura tek  studiuesit tanë madje më e lehta. Në studimet franceze koncepti i metodës krahasimtare nuk i referohet thjesht përqasjes, ndikimit apo huazimit, por merr një përmbajtje më të gjerë metodologjike, përtej planit të sipërfaqshëm.  E.Faye ndërton një raport  jo thjesht të drejtpërdrejtë me të krahasuarit e Kadaresë; i jep një shtrirje të gjerë konceptit krahasimtar për t’u thelluar në procesin e vazhdimësisë së letërsisë së madhe. Pra në shumë shkrime gjej se kjo metodë krahasimtare hap rrugën për të provuar jo thjesht ndikimet dhe afërsitë, por aspektet më të thella që e afrojnë por dhe e dallojnë Kadarenë nga të krahasuarit e mëdhenj të letërsisë botërore (Tristan Renaud, 1970), mundësinë e zbërthimit mbi këtë plan krahasimtar, të origjinalitetit të metaforës kadareane (G.Peroche, 1992), ose orientimin metodologjik se si mund të hetoen lidhjet e fshehta, përtej ngjashmërive, ndikimeve, rimarrjeve… Studimi krahasimtar dhe sidomos vendosja përballë e Kadaresë me Danten (Gilles Banderier, 2000) është një model i shkëlqyer metodologjik i mënyrës se si duhet konceptuar thelbi i vështrimit krahasues midis dy autorëve. Ose, kur krahasimi ndalet në raportet e veprës së Kadaresë me mitologjinë ballkanike, kjo nuk kuptohet thjesht si një konstatim, por thellim në filozofinë e brendshme të përjetimeve krijuese artistike e ideore të autorit. Prandaj, jo rastësisht, kjo filozofi e brendshme nxit raportin me filozofë të kohëve, si Vico, Niçe, etj. Kur qasja krahasimtare rrok raportin me të mëdhenjtë e botës letrare si Eskilit, Shekspirin, Servantesin dhe Gëten, me autorë të letërsisë së vjetër shqipe Buzuku e Barleti, në këtë përqasje studiuesi frances (Enciklopedia universale) nuk bën thjesht konstatim, por shkon drejt thellësive, drejt intuitës së brendshme, që rrëmben, bashkon, përplas të mëdhenjtë e letërsisë, kudo qofshin ata, në kohë e hapësira të ndryshme. Synimi i kësaj metode shfaqet para nesh si prirje drejt zbulimit të lidhjeve misterioze të pavetëdijes së autorit me herojtë e largët, të një bote imagjinare dhe me autorin magjik, të panjohur të baladave shqiptare e ballkanike (Jean-Luc Tingaud. 2000). Kur autoi  karakterizohet nga kritika franceze si ‘vijimit i autorëve të mëdhenj’ ky nuk është thjesht krahasim, por parim i kuptimit të zhvillimit të brendshëm të vetë letërsisë bashkëkohore, si proces i vazhdueshëm marrëdhëniesh dhe zhvillimesh të reja. Kuptohet, pra, ç’përmasë të re shkencore merr kjo metode studimi, përtej “thjeshtësisë”, në dukje, të aplikimit të saj, përtej reduktimit në skematizëm konstatimesh të marrëdhënieve të dukshme, që ndodh jo rradhë në kritikën e studimet tona.  Nëse tipologjizojmë këtë metodë interpretimesh franceze mund të dallojmë dy plane : përqasje motivesh konkrete dhe vlerash universale  Në këtë mënyrë studiuesit francezë i dhanë një konceptim më të gjerë metodës krahasimtare, thelbi i së cilës është zbulimi i origjinalitetint, të veçantës së përfytyrimit artistik të Kadaresë.

    6.

    Lidhur ngushtë me këtë metodë studimore është qasja intertekstuale, e cila u shfaq vonë në studimet tona letrare dhe ka akoma shkrime ku kjo dukuri e brendshme e letërsisë barazohet me nocionin e metodës krahasimtare. Në kritikën franceze, shumë vite më parë, u bë i qartë ndryshimi thelbësor, që ka të bëjë jo thjesht me krahasim ngjashmërishë, apo huazime personazhesh e motivesh, jo thjesht me ndikim letrar por me një tipar të brendshëm të thelbit filozofik e historik të letërsisë, me lëvizjen që realizon ajo nëpër vepra të periudhave të ndryshme historiko-letrare… Kritika franceze dha modelin e zëvendësimit të nocionit ‘ndikim’ me nocionin e ‘intertekstualitetit’, që i tejkalon raportet imituese, nga një huazim aspektesh të modeleve, tek një konceptim origjinal i marrëdhënies së veprës kadareane me krijimtari të trashëguara. Në shkrimet e disa kritikëve francezë (Eric Faye, 1992, e të tjerë) vepra e Kadaresë konceptohet brenda sistemesh, kodesh të legjendave ballkanike, kryeveprave të antikitetit (sidomos Eskili) apo të shekujve të mëpasshëm, të letërsisë së vjetër shqiptare në një rrjet të marrëdhënieve tekstuale dhe, jepet kështu, shembulli se   zbulimi i kuptimeve kërkon të ndjekësh këto marrëdhënie.  Ajo që ne mësojnë në aspektin metodologjik është parimi sipas të cilit ‘të lexuarit është një proces i lëvizjes midis teksteve; pra kuptimi bëhet diçka që ekziston midis një teksti dhe teksteve të tjera, të cilëve ai u referohet dhe lidhet; njëkohësisht është edhe dalje jashtë një teksti të pavarur për të hyrë në një rrjet të marrëdhënieve tekstuale’. Koncepti i intertekstualitetit, zhvilluar shumë nga shkenca franceze, na ndihmon për të kuptuar se vepra e Kadaresë nuk duhet lexuar si objekt thjesht individual, por si një reflektim i tekstualitetit të madh ndërkulturor. Pra, ajo çka studiuesit francezë praktikojnë është orientimi i planit krahasimtar në dy konceptime më të thella: në dimensionin horizontal, ku romanet e Kadaresë i përkasin autorit dhe lexuesit, si dhe në dimensionin vertikal, sipas të cilit çdo vepër ka marrëdhënien e vet me korpusin letrar të mëparshëm. Kështu, për herë të parë në mendimin tonë kritik vjen interpretimi intertekstual i krijimtarisë së këtij autori si mënyrë tjetër leximi, që s’duhet të identifikohet as me medodën krahasimtare as me atë gjenetike.

    7.

    Analizat gjuhësore në studimet tona janë të shumta,  por në studimin frances shfaqet një qasje e re, provokuese për studiuesit tanë. Zbulimi i specifikës origjinale të gjuhës së veprave të Kadaresë tejkalon interpretimet e sotme; duke hyrë në strukturën e brendshme kuptimore të saj arrihet në konkluzione ‘të çuditshme’ duke e interpretuar gjuhën e Kadaresë si faktor themelor të krijimit të utopisë kadareane. Duke e përcaktuar gjuhën e veprës së shkrimtarit tonë si një faktor jo thjesht komunikimi, studiuesja (Françoise Combe, 1991) e zbërthen utopinë kadareane të ndërtuar mbi ‘gërmadhat’ e gjuhës. Sipas kësaj qasjeje gjuha duket se ka humbur harmoninë, dhe duket se shkrimtari realizon procesin e antigjuhës, si në zgjedhjen e leksikut, shkatërrimit të sintaksës, funksionimit të çuditshëm të çifteve sinonimike.etj. Në këtë studim gjuha shihet e realizuar si një re, si një shenjë e pakompletuar, si mjet i realizimit të një transparence të paaritshme dhe si një shenjë e paplotësuar, sa individuale aq dhe kolektive. …Vihet në dukje se ndërsa utopia, në kuptimin tradicional, lidhet me një vend dhe moment ku mbretëron ëndrra e një gjuhe të kulluar, parababeliane, arketipi që ndërton, Kadare është i tillë ku në një kohë as lineare, as qarkullore, në një hapsirë me caqe të papërcaktuara tingëllojnë të folme si gurët që përplasen në një betejë të pandërprerë.  Në një qasje të tillë origjinale, sa gjuhësore aq edhe filozofike,  hapet për studiuesit tanë një strukturë e re e të menduarit , thellohet vështrimi në aspekte më të brendshme të specifikës gjuhësore kadareane, që mbetet e pafund në befasitë e brendshme të saj.

    &  &  &

    Duke u futur (shumë pak) në sistemin e metodologjisë së studiuesve dhe kritikëve francezë, vemë re se, që në dekadat kur kjo kritikë nisi t’i kushtojë vemendje të posaçme veprës së Kadaresë, në vetëdijen tonë vjen qartazi ideja se studimi letrar nuk mund te jetë thjesht një qëndrim emocional, por mbi të gjitha një qartësi metodologjike, që përcaktohet nga thelbi i vetë letërsisë. Raporti i jashtëzakonshëm midis mikrostrukturës dhe makrostrukturës i jep kuptim më të thelluar specifikës së poetikave kadareane. Po të tipologjizojmë metodologjinë e tyre mund të dallojmë dy boshte të mëdha : boshtin e depërtimit në strukturat e brendshme poetike, larg përshkrimeve skematike të dukurive të jashtme ; dhe boshti i kuptimit të letërsisë jo vetëm në poetikën e veçuar, por në zbulimin e filozofisë së brendshme të saj. Tradita e teorisë franceze mbi mënyrën e kuptimit të tekstit letrar dhe të qasjeve ndaj tij, emancipoi dhe i dha qasje të reja kritikës sonë letrare, zbuloi modelin e thellimit në struktura të brendshme, sa letrare aq edhe filozofike. Në këtë mënyrë, gjatë viteve, studimi francez zgjeroi dhe qartësoi kuptimin mbi thelbin kompleks të marrëdhënieve të studiuesit me veprën letrare. 

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË