More
    KreuLetërsiBibliotekë"Fletorja misterioze", tregim nga Muç Xhepa

    “Fletorja misterioze”, tregim nga Muç Xhepa

    Rrogozhinë. Vjeshtë. Ndaloj në qendër. Asgjë nuk ka mbetur nga ëmbëltorja e “Malokut”. E vockël, si edhe vetë kaushi me akullore. Në anë të rrugës. Pranë shkollës sonë fillore. Prisnim me padurim të vraponim tek ajo në pushimin e gjatë.

    – Takohemi te “Maloku”.

    Xhelali, poeti i Rrogozhinës, miku im që nga klasa e parë fillore, foli si të ishim një gjysmë shekulli më parë. Eh, koha pa fillim e fund.

    – Djalosh, ku është lokali i “Malokut”?

    Pyes një kalimtar. I riu më shikon me habi. Në aeroportin “Nënë Tereza”, kisha marrë një fiat të vogël me qira. Targën e ka italiane.

    – Nga Italia vini?

    – Jo, nga Amerika.

    – Hera e parë?

    – Po, në Rrogozhinë.

    – Nga jeni?

    – Nga këtu.

    – Lokali është ky në anë. Parko te benzinata ngjitur.

    Pallat madhështor. Modern. Kati i parë ka dyqane dhe një pijetore. Futem brenda, si të jem në rrugën 7, Uashington. Çdo gjë me shije. Arkitekturë moderne. Afrohet kamerieri, rreth të tridhjetave.

    – Çfarë dëshironi të merrni?

    – Kafe dhe një shishe uji. E njihni Xhelal Toskun?

    – Po, i pari demokrat në qytetin tonë.

    Xhelal Tosku shfaqet te dera.

    – Si gjithnjë, korrekt.

    Përqafohemi me mall. Të dy të moshuar. Ka rrjedhur shumë ujë. Por, miqësia ka mbetur ajo. E fëmijërisë.

    – Marrim nga një pije me ngjyrë.

    – Me shumë kënaqësi, por jam në timon. Ti merr ç’të duash.

    – Para se ta shkelim, le të bëjmë një foto.

    Xhelali ngre në duar librin tim “Në sirtar”. Foton e vendos në “Facebook”. Sikur të ishte pas derës, Ylli Xhaferri komenton: “Sa do të dëshiroja të isha në atë tryezë me ju”.

    Me Yllin flas shpesh në “Messenger”. Jeton në Tiranë. Megjithëse më i madh në moshë, disa vite, e kemi ruajtur miqësinë. Na lidhin librat. Ai mbaroi për letërsi. E caktuan mësues në një fshat të Kukësit. Fare i ri shkroi poezi. Pak ditë më parë folëm.

    – Rilexova librin e Visarit, “Rrugët e ferrit”. Të ka përshkruar me dashuri. Te sheshi përpara gjimnazit duhet të ngrihet bust. Brezat të mësojnë se në bankat e shkollës u formuan dhe heronj në kohët më të errëta. Antijetë. Dhe të ndihen krenarë.

    – Visari është heroi i vërtetë. E arrestuan dhe s’foli gjë për asnjërin nga ne. Madje na mbrojti nga përbindëshat. Busti i tij duhet të ngrihet në një park të kryeqytetit.

    – Ai shkruan se ti, vetëm ti nga grupi i poetëve, rrethi i shokëve, u thirre dhe e mbrojte.

    – Ata më thirrën në ballafaqim. E unë e kam pyetur veten shumë: përse mua?

    – U qëndrove. Nuk u theve.

    – Të flasësh tani është e lehtë. S’e kam ndjerë veten më të frikësuar. Më futën në një dhomë, që të kallte datën. Më parë ishin përpjekur të më legjendonin.

    – S’po të kuptoj.

    Ylli fshiu sytë. Iu lagën. Zëri ndryshoi. Filloi t’i dridhet.

    – Të mësojnë çfarë të thuash. Të gënjesh dhe të shkatërrosh, jo vetëm një jetë, por një fis të tërë.

    Në mendje, menjëherë, më shkoi Shalamovi te “Tregimet e Kolimas”: “…Kuptova se ‘fitoret’ e Stalinit ishin vrasja e të pafajshmëve prej tij”.

    Ylli mori një shishe uji dhe kaloi poshtë hidhërimin.

    – Sytë e ndezur të mikut tim, Visarit, ishin futur thellë, sikur t’i fshiheshin bisturisë së torturuesve. Ç’i kishin bërë? Dobësuar, qethur…M’u duk se më qëndronte përpara një i burgosur i Mathauzenit. U drithërova i tëri. Frikë. Ky emocion i fuqishëm primitiv më kishte pushtuar të tërin. Çfarë më paralajmëronte? Çfarë rreziku më kërcënohej? “Hë, e njeh këtë? Si e njeh? Shkruani poezi…”. M’u errën sytë. Këmbët po më linin. Shoku hetues, iu përgjigja me zë që dilte nga thellësia e zemrës, jua kam thënë edhe më parë: jemi kolegë dhe e njoh për mësues të talentuar, të përkushtuar… Ma ndërpreu fjalën: “Lëri, lëri këto, s’duam t’ia dimë ne se je djalë komunisti ti. Të plasim brenda, qelia ngjitur me të dhe e sheh mirë i talentuar”. Më lanë të dal, por i ndjeja nga pas, këmba-këmbës, derisa u ra perandoria. Një gjë më mbeti plagë. Shëndeti i babait u rëndua shumë. Nga zhgënjimi i madh që pësoi, u mbyll brenda. Dënimi i Visarit e lëndoi sa s’thuhej.

    Xhelali merr telefonin tim dhe lexon i mallëngjyer komentin.

    – Desh përfunduam në burg. Nuk e di nëse ta kam treguar punën e fletores.

    – Jo, kam dëshirë ta mësoj.

    – E di që do ta hedhësh në tregim. Prandaj dëgjoje me kujdes.

    Porosisim përsëri. Xhelali pije me ngjyrë, unë kola dietike.

    – Natën më vjen motra e Yllit dhe më kërkon Fletoren. Ishte e tronditur. Diçka e rëndë duhej t’i kishte ndodhur shokut tim. Iu luta të futej brenda. Ajo bëri shenjë për jo dhe më kërkoi që të mos tregoja që e pata, nëse pyetesha. Të nesërmen mësova se ishte arrestuar Visar Zhiti.

    – Ç’ishte kjo fletore misterioze?

    – Bombë që të plaste ndër duar. Poezi të përkthyera të autorëve të huaj, europianë, nga bota, të pabotuar te ne, emra të ndaluar. Edhe krijime të një grupi poetësh të rinj, që ishin miq. I shtonim. Mes tyre Visari… edhe Ylli, dhe unë. Të tjerë, që u besonim… Për një kohë të gjatë kam jetuar me frikën se më thërrasin sot e më thërrasin nesër.

    – Ç’u bë me fletoren?

    – E zhduku e motra.

    Lexoj në internet se gazetar Kaloshi D. ka gjetur një dokument tjetër, ku hidhet prapë dritë rreth hetuesisë së Visar Zhitit, por dhe për të tjerët. Një ndjenjë krenarie më pushton të tërin. Miku im Visar Zhiti nuk kishte implikuar askënd gjatë hetuesisë së rëndë. Përkundrazi, i kishte mbrojtur. E kishin dokumentet. Kishte qëndruar. Dhe mendja më shkon te oficeri i “Neronit” – president, që s’lë vend pa u shfaqur në ekranet televizive sot, si një demokrat i madh. “Eh, pjesa e prapme e medaljes” e quan Visari te poezia “Një demon i vogël i stepës”. E pashë edhe anglisht poezinë. Atdhe pa President, Presidenti pa atdhe, poshtërsi e mashtrime, kërkoi t’i vjedhë heroiken, jo Visarit, se nuk ia heq dot, por asaj që përfaqëson Visari, qëndresën, poetin që i mbijetoi ferrit komunist të ngritur dhe nga ai, komandant dje, president sot…

    Është orë e vonë. Dua të flas me dikë. Ku është Ylli, ku ndrit? Nata e Uashingtonit vezullon nga dritat pafund, si yje të rënë… Ylli ku je? S’të flas dot, por më rivjen e gjallë biseda me ty. 

    – Do t’më falësh, por s’rrija dot pa folur me një mik… të Fletores. E pe ç’shkruhej për Visarin? 

    – Po. Dhe i dija. Bënë mirë që nxjerrin dokumente. E botuan disa gazeta, një gurë tjetër në themelet e së vërtetës.

    – Ylli, dikur më ke thënë se me 2-B ishin të tërë intelektualët që sistemi i piketonte. Ndërsa ata që paraqisnin rrezik i kalonte në 2-A. I bënte gati për burg. Çështje javësh a ditësh…

    – Po, po, vërtet. 2-B ishte thjesht dosje përgjimi. 2-A është sulmi, humnera.

    – Nëse… dua të mësoj diçka rreth fletores misterioze… Ç’u bë me të, ku e çoi motra?

    – Ajo fletore nis me një mikun tonë poet. Plot me përkthime, poezi nga bota, shekullit XX. Visari, pasi e lexoi, me lejen e tij, e kopjoi. Kështu bënim, mes të besuarve. Pa thënë dhe se ku e morëm, as kujt ia dhamë. Ruanim njëri-tjetrin. Por dhe donim të përhapnim poezinë e madhe. Mua ma dha Visari. Ishim mësues në fshatrat e Kukësit, shkonim në këmbë te njëri-tjetri, 2-3 orë larg, maleve. Pra, në dijeninë time, tre a katër vetë e kishim lexuar atë fletore… ndërsa nga shokët s’e di se sa e kopjuan.

    – Shokë, e ke fjalën për poetë si ju?

    – Po, të thashë, ne ishim disa të rinj që shkruanim dhe i besonim njëri-tjetrit. I jepnin ç’kishim, ç’gjenim…

    – Lexova për njërin që s’e kishin kaluar në 2-A.

    – S’e di…

    – Në libër, Visari ka shkruar se nëna e tij takoi edhe Kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve.

    – Nëna e Visarit u bë copë ta shpëtonte. I fshehu shkrimet e tij dhe fletoren, sigurisht. I futën nën tokë. Kontrolluan shtëpinë, por nuk gjetën gjë. Kryetari i Lidhjes i tha që djali t’i zgjidhte shokët. Edhe në qeli, hetuesi, dëshmon Visari, i bërtiste shpesh: “Fol! Shokët janë si makinat “reportable”, e shkarkuan të tjerët mbi ty. Vetëm ti po e mban ngarkesën. Fol!”.

    – Po, Kryetari i Lidhjes e kishte fjalën për poetët?

    – Besoj po.

    – Më fal që të pyes: pas burgosjes së Visarit në Spaç, çfarë ndodhi me poetët e tjerë?

    – Asgjë. Disa u transferuan në Tiranë.

    – Po fletorja origjinale?

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË